Erdhi Greta e Vërteta

Imazhi nuk është imi (Ku ma gjen!). Eshtë karrem të lexoni sado pak nga ç’kam për të thënë.

Kemi ca të mira ne si popull. Mund të diskutohet që nga e keqja kanë ardhur, po ç’të bëjmë? Rëndësi ka rezultati.

Edhe e keqja më e madhe që vazhdon na përndjek edhe pse ndoshta është më shumë fantazëm se e vërtretë, është varfëria. Kushdo që ke qenë sido që je rritur, ke parë mamanë tënde të nxjerrë maksimumin e vezës, të ruajë dhe thërrimet e thara të djathit për byrek, ke veshur xhupin e motrës/vëllait apo kushërinjve, një qese e mirë është përdorur 15 herë… Deri sa ajo fantazma e varfërisë po bëhej gjithmonë e më transparente, se po e zëvendësonte mirëqenia.

Erdhën çehret, u rregulluan dhëmbë, u hodh buka, u përmirësua higjena, u rritën barqet, u ngarkua trafiku.

… U prenë pemët e Lurës, u mbushën liqenet e grykët me plehra, ambientet publike u trajtuan si me qenë landfill-i i Sharrës… Sirtarët u mbushën me manikyrë që u hodhën pa u hapur kurrë e kuzhina me kinezërira që as punojnë mirë, e as i tret toka.

E gjatë gjithë kësaj kohe nuk pati as edhe një moment të ndërgjegjes kolektive se ç’po ndodh me mëmën tokë, e cila për miliona vjet ka mundësuar kushte jetese: dheun, ujin dhe ajrin e saj.

Për mos ta izoluar veten si komb, nuk ishim vetëm, aspak. Vende ku njerëzit më parë vdisnin për bukë (jo, ne nuk kemi vdekur për bukë!) papritur kishin ç’të hanin, të vishnin, e me shumë mund mund të blinin një makinë raketike, që lëshon shumë dioksid karboni.

Në 3 dhjetëvjeçarët e fundit, botës në zhvillim iu rrit mirëqenia për kokë, species njeri iu shtuan shumë kokët, përfituesve perëndimorë dhe lindorë iu rrit perandoria konsumeriste…

Dhe alarmi i shkencëtarve rritej më shumë se çdo gjë që përmenda më lart.

Po kujt iu bë vonë?

Kush ka dëshirë të shohë një grua apo burrë me syze si fundi i kavanozit, pa karizmën që e kërkon kamera, të flasë numra e parashikime se ç’po na gjen?

U përpoq shumë një nga kokat e shkencës së klimës. James Hansen, për shembull po mbeti vetëm në rrethet akademike.

Askush tjetër nuk ia di emrin.

U përpoq edhe Al Gore, politikani dhe ambientalisti amerikan që për pak u bë president.
Po joo, ai është histerik… Ai ishte politikan edhe kishte interesa personale, tutje megjithë Al Gore! Përralla i ka! Jemi mirë. Uf s’paska kosh këtu, s’ësht faji im, po e hedh në tokë qesen që as më duhej në radhë të parë.

E paragjykuam, e përzumë dhe Al Gore.

Pastaj u përfshi me gjithë qënien e tij Leo di Caprio. Sybukuri i Titanik-ut. Unë e kam ndjekur që kur mora vesh që është përfshirë në këtë çështje, dhe pavarësisht disa gjesteve hipokrite, faktet i kishte të sakta. Shkencën e kishte në vend. Shqetësimin e kish të sinqertë.

Po jo, ai është aktor. Ujku i Uollstritit. Në dreq megjithë Leon, oportunist, pfff.

E paragjykuam, e përzumë.

Del një vajzë 16 vjeçare suedeze me gërshetin si në përrallat që e kanë origjinën nga anët e saja. Sytë i ka të kaltërt, me lot.
Kur e filloi rrugën, prindërit e saj me apati shembullore (edhe pse suedezë!) i thanë që ti je vetëm, ne nuk të mbështesim, ik bëj detyrat.
Po Greta s’ka cinizëm dhe s’ka të ndalur, hë për hë. Sepse kur e ndjen tërmetin që po vjen, s’e ke mendjen të shpëtosh lingerie.
Po mos u mërzit Greta, se ka bota mllef për ty sa të duash. Ti je 16 vjeç! Ti nuk di asgjë! Ti je e privilegjuar! Ti bën filma! Ty të mbajnë me lekë të tjerët! T’i shkruajnë fjalimet të tjerët! Na e shpife!

SHOU!

Po po, të gjitha i dimë ne. E shohim të vërtetën drejt e në syrin e saj blu. Nuk na mashtron njeri ne, aq më pak një 16 vjeçare!!

Përveç se nuk dimë që acidifikimi dhe mikroplastika në dete dhe oqeane si rezultat i konsumimit tonë, po shkatërron florën dhe faunën ujore.

Përveç se nuk dimë që përdorimi i makinave është shkaktari numër një i ndotjes së atmosferës me dioksid karboni.

Përveç se nuk dimë që të jesh fashionista, është të vrasësh planetin.

Përveç se nuk dimë që nga Lion King origjinal në 1994 deri në Lion King në 2019, numri i luanëve në Afrikë ka rënë në 25% të asaj që ishin në 1994.

Nuk dimë se Lindja e Mesme, Gjiri Persik, Afrika e Veriut dhe Azia e Jugut rrezikojnë të bëhen të pabanueshme. (Te dera jote do vijnë afrikanët, ding-dong).
Nuk e dimë se sëmundjet tropikale po ngjiten dhe në lartësinë ku jetojmë ne.

E sa shumë të tjera, që jo medoemos janë statistika të zymta. Për shembull energjia nga era është liruar 5-fish krahasuar me kohën e Samitit të Parisit. Ka 400% më shumë transport elektrik në treg. Gorillat e malit dhe yjet e detit, që desh u zhdukën, janë shtuar shumë. Shumë shtete (më të varfëra se ne!) po mbjellin miliona pemë.

Po ç’na duhet t’i dimë këto? Ne dimë që Greta është mashtruese sa për shfaqje!

Po mirë o Greta, qofsh më e keqja me të këqijave (dhe pse unë e di fort mirë që nuk je). I paç fjalimet fallco dhe zgjidhjet e pasakta.

Unë, një homo sapiens plot faj, të falënderoj që qave para botës, pasi më në fund, mund të heqim vëmendjen nga zënkat territoriale dhe ekonomike, nga nuditeti dhe skandalet, për t’u marrë me çështjen më komplekse të kësaj kohe që po jetojmë.

Sepse është një krizë e vërtetë. Nuk është pasion ambientalistësh.

Disa nga faqet që mund të ndiqni:

https://www.facebook.com/natgeo/

https://www.facebook.com/IFeakingLoveScience/

https://www.facebook.com/NASA/

https://www.facebook.com/climatereality/

 

Sikur ça bëri.

Ah, kjo hierarkia e jetës profesionale. Kalon vitet e fëmijërise dhe të adoleshencës pa kokërr leku, duke u munduar të kuptosh se çfarë duan zyshat prej teje. Nuk është se ti nuk do t’ua japësh, thjesht nuk i merr vesh. Do kalojnë shumë vite, para se në fakt të kuptosh, që e kanë ato për detyrë të të kuptojnë ty, jo e kundërta. Po në një sistem ku shkolla fatkeqësisht nuk është në gjendje të të ngrejë lart… Ti përpëlitesh, me hormonet e tua, shpesh dhe me konflikte në familje, të bësh më të mirën, duke ëndërruar ditën që je e/i pavarur dhe merr rrogë.

E mbaron shkollën, je stazhiere, pastaj vazhdon me rrogë minimale, të rritet pak… Me shpresën që një ditë të ngrihesh e të jesh menaxher apo drejtoreshë. Atëherë hallet mbarojnë.

E jo për njerëz që s’i kanë punët mirë me sistemin. Nuk flas për kriminelë, sigurisht :) po flas për njerëz si vetja ime, që kanë nevojë për hapësirë që sistemi, ashtu me kufij siç është i ndërtuar, nuk ta lejon. Terrori im personal, pasi mbërrita deri te faza e ‘drejtuesit’, ishte që do të mbes aty gjithmonë. E paaftë për të qenë si eprori im, sepse për të qenë si ai, duhet kohë për të ideuar gjënë tënde, dhe unë 8-10 orë në ditë ia kisha taksur atij kundrejt një rroge të mirë. Gjithashtu e pa zonja për të zbritur një shkallë më poshtë: aty ku paga është më e ulët, por të mban shpresa që ka më lart, dhe liria më e madhe se e drejtueses.

Kur arrin menaxheren, duket sikur mbaroi. E kjo ide, për rebelin me ose pa arsye, është shpresë vrasëse.

Ndaj ngadalë, si me stil, fillova të nxjerr njërën këmbë nga sistemi, siç pak mësues për së mbari që kam pasur në jetë, kanë parashikuar për mua. Fillova të ndërtoj gjëra që nuk e dija as vetë ku ishin nisur; e nuk kisha as kë të pyesja.

E ndërkohë që as andej as këndej, gjithmonë në dijeni të sistemit po si jashtë tij, ndodh shpesh që kur më pyet dikush “po çfarë bën ti konkretisht në këtë projekt?” unë rri e mendohem të gjej fjalët e duhura. E kur rri e mendohem unë, që ndër të tjera paguhem për t’u shprehur, imagjino sa më të vështirë e kanë të tjerët, që truri i tyre vlen për të tjera gjëra.

Dhe momentin që disa nga këta njerëz, që janë në pozitë drejtuese po jo vizionare, nuk dinë ta materializojnë në veprime si rënie me çekan, dhe me rezultate TE MENJEHERESHME, thonë “hë mo se sikur ça bëri. E ja, e kisha bërë vetë, po nuk kam kohë.”

E kisha një problem me këtë shprehje përgjithësuese bastarde të papërgjigje, e ngjashme në natyrën e vet si “populli s’ka bukë të hajë”. Nuk e kisha dëgjuar direkt për mua, po për njerëz që unë ua vlerësoj shumë punën, thënë nga të tjerë që nuk ua kuptojnë punën, nuk kanë durim të presin rezultatet, nuk shikojnë përfitimet e tërthorta të punës së këtyre njerëzve pak më ndryshe, por që ama, kanë në duar pagën e këtyre njerëzve.

Për shembull, unë punoj me evente të ndryshme, disa prej tyre të mëdha. Ajo që bëj unë, po të filloj ta shpjegoj, është një libërth i vogël, nuk është një gjë: që nga mbledhjet krijuese ku mundohem të frymëzoj të tjerët dhe veten, mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe mbi të gjitha, detajet. Ato detajt!
Duke ndjekur detaje që dritshkrutr-a thotë shprehimisht: “Po merresh me detaje! S’kemi kohë për detaje!”

Po nuk shtrive kabllo e i re çekanit, po s’vrapove kot më kot ujë në djersë, nuk ke bërë gjë.
Pastaj edhe po i shtrive kabllo e i re çekanit, ai personi pa vizion që pastaj nuk kupton pse nuk po bëhet milioner – ki mendjen, milioner nuk bëhesh kur jep orë duke “ruajtur” të tjerët – do thotë “Do e kisha bërë vetë po nuk kam kohë”.

Të kërkosh gjëra të prekshme me rezultate të menjëhershme (“Kur duhej kjo?” – “DJE!” – shprehja e preferuar e klientëve, dhe u duket si zbulim personal) është ajo çka ty të pozicionon tipikisht në një vend të pazhvilluar pa mentalitet lideri. E nga inati që s’po ecin përpara si Elon Musk apo dhe thjesht fare si ai pronari i lokalit përballë lokalit të vet, fillojnë abuzojnë punëmarrësit gojarisht po edhe me orë pune të kota; shajnë vizionarët me “hë mo sikur ça bëri”, zihen me rojen e parkimit, ulen në kafe, dhe thonë “s’merr vesh ky popull ere jo”.

Asgjë e mirë nuk është bërë sot për nesër, asgjë e mirë nuk është bërë pa vëmendje në detaje, asgjë e mirë nuk do bëhet kurrën e kurrës, nëse nuk respekton profesionalizmin e tjetrit.

Kur u nda, ky brez na ra.

“Nuk e marr vesh se ç’bën me rrogën tënde nuk e di, patjetër duhet të dalësh çdo fundjavë? S’të pëlqejnë gjellët që bëj unë këtu që duhet të bridhni restoranteve të hani lloj-lloj pisllëqesh kush e di në çfarë vajrash i gatuajnë” të thotë mamaja ty, një milenial-i apo gjenerata Z, e ajo vetë brezi “baby boomers” në terma modernë dhe thjesht “plaka”, në terma lokalë.

E ndërkohë që përkujdesja e saj përfshin edhe të gjykojë pa rreshtur, jeton në një shtëpi në të cilën është pronare dhe nuk ka paguar asgjë, (ose shifra qesharake gjatë privatizimit), konsumon një mal me plastikë në një sistem që nuk e detyron njeri të riciklojë, është martuar herët se nuk të linte njeri pa martuar u dashurove apo jo, a je gej apo jo.

Le që kush kishte “llukse” asokohe për të zbuluar seksualitetin apo dhe thjesht personalitetin e vet.

E kështu e çojnë jetën shumica: duke bashkëjetuar me një brez me të cilin i lidh gjaku e dashuria dhe kultura e të jetuarit me prindërit, dhe pak dëshira e sinqertë për të kaluar kohë me njëri-tjetrin. Bota është bërë tepër komplekse për t’u kuptuar nga një brez i dhunuar psiqikisht e fizikisht, ndaj dhe ata i mëshojnë në mënyrë të përsëritshme vetëm atyre që dinë. Kjo situatë sjell që vajza 30 vjeçare të gënjejnë prindërit për ku e kalojnë natën, e djem që gënjejnë prindërit për shpenzimet e tyre.

Shembujt janë të pafundë, dhe siç na ka hije për natyrë, jemi mjeshtra të të mbuluarit të vërtetës thellë e më thellë, dhe vazhdo para në emër të faktit që jemi një popull familjar.

Edhe kur ti e të njëjtit brez, tenton të flasësh me shoqen tënde që të gjejë një gjuhë të përbashkët me prindërit e të rreshtë së gënjyeri se ku fle çdo të shtunë prej një viti e gjysmë, ajo shpejt merr lopatën dhe mbulon këtë problem të madh.

Këtu ka një refuzim dy-palësh të të kuptuarit të tjetrit. Ata nuk kuptojnë që fakti që kemi lehtësira materiale dhe më shumë liri, vetëm sa vështirësojnë zgjedhjen e partnerit, vendin e punës. Mendojnë se e  kuptojnë, po nuk e jetojnë makthin e të blerit një apartamenit që nuk të përmbush, por të fut në borxh për tërë jetën. Nuk kuptojnë sa e vështirë ështe për prindin që sot nuk i nxjerr dot fëmijët të luajnë tërë ditën në oborr e t’i kërcënosh nga ballkoni të hipin lart se po perëndon dielli. Sot rreziku vjen në formë njeriu, llamarine, plehre dhe kafshe, ndaj fëmijët duhet t’i ndjekim në çdo hap se çfarë bëjnë e ku janë, ndërkohë që 8 orë në ditë minimumi ia kemi borxh dikujt në shkëmbim të një page.

Ata pastaj refuzojnë të kuptojnë çështje më madhore akoma: që sot hallet e planetit janë të përbashkëta, që toka është në gjendje kritike, moti po ndryshon, popullsia po rritet, e specje po zhduken, për shkak të sjelljes së pakujdesshme konsumeriste të njeriut. Nuk kuptojnë që përdhunimi bashkëshortor është krim, që gratë nuk kanë program special në tru për rregull pastërti e kuzhinë.

Nuk kuptojnë që gjithë këto strese kërkojnë një birrë të premten në darkë, një klasë joge të martën pasdite.

Për t’i kthyer nderin ne nga ana tjetër nuk ia kemi haberin ç’do të thotë të mos gjesh lidhëse këpucesh në treg për muaj ose vite, brisk rroje, biberon, pasqyrë… Nuk e dimë çfarë i bie mos të kesh qasje në qumësht e vezë për javë të tëra, dhe të kesh mikrofon në muret e shtëpisë përveç veshit gjigant të komshiut, që ka raste të ishte dhe vëllai. Nuk e dime ç’do të thotë të urresh partnerin tënd që as e zgjodhe vetë, po nëse ndahesh, të pret një fat i kobshëm.  Nuk e dimë ç’do të thotë të plasin ujrat për të lindur, materniteti është 6 km larg, është natë dhe nuk ka transport publik, makinë private, as taksi, as ambulancë që do t’ia dijë për ty. Dhe më e rëndësishmja; mbase asgjë nga këto nuk të ka ndodhur kurrë, por ti jeton, fle, sheh makthe me frikën e thellë që do të të ndodhin herët apo vonë. Edhe të tjera që ty të duken film, po ndodhnin çdo ditë: nuk ia kemi idenë që kur të thërret shefi, mund edhe të jetë që do përfundosh në Spaç, në një fshat të humbur, ose nën dhé sepse dikur, ti ke thënë ose nuk ke thënë diçka që ofendon ose nuk ofendon dikë abstrakt.

E kështu të dy brezat marrin lopatëzën sërish, e mbulojnë jetën e njëri tjetrit, dhe debatojnë rregullisht se nuk kuptohen, por ama duhen.

Duhen po nuk piqen, dhe pjekuria s’ka të bëjë me moshë hiç. Të dyja palët refuzojnë të rriten, pasi duhet pjekuri e vërtetë të shohësh të vërtetën në sy, e të gjesh një sistem si ta pranosh atë. Duhet pjekuri të dëgjosh për të dëgjuar e jo për t’u kundër përgjigjur, të thuash “më fal” po qe nevoja, e të ofrosh një mbështetje të vërtetë emocionale edhe pse ndoshta nuk kupton asnjë lloj gjëje nga sfidat e tjetrit, por ke pjekurinë të respektosh atë që s’e kupton.

Duhet të fillojmë urgjent të ushqejmë shëndetin mendor, e sidomos në fillim të moshës së pjekur, në mënyrë që mos të zgjohesh 37 vjeç, të kanë hequr nga puna krejt kot dje e nuk i ke thënë njeriut, pa partner/e, në shtëpi të mamit, në depresion… Pa i qarë dot hallin njerëzve me të cilët ndan çatinë nga frika mos i lëndon edhe nga dija se nuk do të kuptojnë.

E po dikujt i takon të bëjë hapin e parë të pjekurisë, dhe realitetin më kompleks e kemi ne pa frika konkrete a do jetojmë, që na jep dhe privilegjin e të menduarit për emocionalitetin e gjithkujt dhe sa i rëndësishëm është ushqimi i tij.

Vitet 90’  dhe gjithë me çka je rritur nuk janë një kujtim i bukur, por përkufizojnë kush je; vëri në punë tashmë.

 

 

 

 

Sa thotë ora jote?

– Më fal, linja numër 1 ishte kjo se nuk e pashë?

– Ku do vesh o çupë?

– Të takoj Edën.

* Heshtje *

– Po ku do ndalosh o çupë?

– Po  unë di që më duhet linja nr 1. Do ndaloj te 11 Janari.

– Ca thotë kjo 11 Janari o Berti?

Berti: 11 Janari???

– Aa te Juvenilja. Ajde moj yp edhe thoj që doje Kristalin.

– Doja linjën nr 1.

Kjo më kujtoi atë barcoletën kur kam qenë fëmijë:

“Futet kali në furrë të bukës.

– Përshëndetje, një bukë doja!

– Bukë të bardhë apo të zezë?

– E s’ka gjë, se me biçikletë jam.”

Nuk di a ishte shumë popullore si barcoletë por që për mua ishte kulmi i absurditetit dhe sot e kësaj dite më qeshet shumë me të. Si kali si faturino o kërkojnë o japin detaje personale që s’i hyjnë në punë askujt. E unë, që e di që para se të marr përgjigjen që dua duhet patjetër të kaloj në ndonjë detaj të tillë, jap “ takimin me Edën” që as do e takoj fare; po me këtë rast zbavis veten.

Mirëpo për zbavitje apo për kulturë të thellë pune, këto janë detajet që devijojnë bisedën e vonojnë transaksionin, dhe që na bëjnë ne në fund të ditës të shfryjmë frazën aq jo origjinale po që të gjithë e marrim personale sikur e kemi shpikur vetë:

S’bohet mo ky ven.
S’bahet ky ven’.

Z’bëet ky vend ‘gjo mua.

S’beet qy vend e.

E pastaj janë të gjithë vonë, medoemos.

Vonë autobusat që kur i sheh që larg janë një llamarinë madhe e shpejtë e xhindosur me sytë ndezur. Ti futesh me shkathtësi dhe një zonjë  – gjithashtu vonë – të rrëzohet në këmbë që ti s’di të qeshësh a të qash, po s’ka kohë kështu që e ndihmon vrap. “Ore pusht! Po si s’të vjen rëndë një herë, jemi me tension!”

Vonë ata burrat në makina të vogla me lloj lloj sendesh mbrapa ose me bagazh të hapur me një karrige që varet gjoja e lidhur me fije plastike.  Disa prej tyre kanë plaka me shami të bardhë në vend të parë, pa rrip sigurimi asnjëri. Ndaj për këtë arsye e shumë të tjera, ia lejojnë vetes të parakalojnë në trafik dhe t’ia zënë rrugën kahut të kundërt; duke krijuar kështu një situatë koti në rrugicën X  me dalje në rrugë kryesore 12 herë vetëm në mëngjes.

Vonë ato zonjat me xhupa të zi – ndonjëra e ka vishnje – që po ikin me ndonjë qokë dhe e kalojnë rrugën ku t’u teket e si t’u teket, duke nxjerrë dorën në shenjë “prit” a thua se ajo është e barabartë me dritën dhe alarmin e ambulancës dhe gjithë jeta duhet të ndalojë si rrjedhojë.

Vonë fugoni i qumështit që i jep makinës sikur mos të ketë të nesërme dhe sikur nuk përfaqëson një institucion me logot me të cilat fugoni është i veshur. Kështu ai të bllokon daljen nga rrugica duke ta bërë me gisht ‘1 minutë’ pa të parë në sy fare. S’ka gjë se ti je e lidhur e gati për t’u nisur. Duro! Duro 1 minutë! Pfff, çar’ njerëzish që nuk durojnë.

Vonë unë, që jam me ndonjë qorrsokak duke kërkuar biçikletë, ku sigurisht patjetër 100% ka ndonjë lloto dhe 5 burra po shohin e njëri pyet “kë kërkon moj vajzë”?

A t’i them “Jarin”? Me siguri ka 1 të tillë.

Të gjithë jemi vonë. Të gjithë jemi nisur nëpër “situata” ku 70% të kohës do ngatërrohemi në biseda pa krye dhe detaje personale;  15% të kohës njëri do nxehet e do thotë “shtet legen” ose “ja, shqiptarët!”, 10% të kohës do fillojnë më në fund të takohen frekuencat ku do sillemi sikur kemi vite që njihemi dhe do zbuten tërësisht tonet, dhe ndoshta kismet pthu zëre me dorë, me 5% fillon zgjidhja.

95% e kohës është e humbur në një vrimë të zezë ballkanase/mesdhetare/shqiptaro-pellazge.

Po hej, së paku na jep material zbavitës dhe u mundëson jetë dhjetëra faqeve me meme në Instagram.

Bllok, rrok dhe drrok’.

Pashë  një ëndërr.
Isha e lumtur duke rrëshqitur me biçikletë në një rrugë të drejtë, e pa penguar nga makinat, nën gjethet e pemëve. Siç e kanë ëndrrat, nuk mbaj mend as nga po vija as nga po shkoja; di që po ndihesha mirë, mendimet po qarkullonin deri sa u zgjova nga mjau-itjet e Rios që i hahet gjithmonë.

Kur po përpiqesha ta zbërtheja, pata parasysh që shpesh ëndrra nuk është asgjë misterioze që po kumbon diçka të thellë në jetën time. Në fakt, në ëndërr isha duke i dhënë biçikletës në bllok, një gjë që e bëj shumë shpesh dhe me sytë shumë hapur. Dhe kohëve të fundit, kjo lloj xhiroje në bllok është vërtet e ëmbël.

Aty u kujtova se sa shokë të vjetër jemi blloku e unë, sa na kanë parë sytë, sa shumë ka ndryshuar ai, sa jam rritur unë. Duke vijuar atë që ëndrrat jo me patjetër janë letërsi ku zysha do gjejë kuptim me zor, m’u kujtua që para ca ditësh kisha parë një artikull artificial gjithë përgjithësime dhe fraza të babagjyshit të tipit “në bllok të hedhin drogë në pije”, dhe kënaqësia në ëndërr ishtë thjesht një kundër-reagim i shkrimeve pa përmbajtje për klikime.

Nuk ka nevojë të konsumosh drogë ta dish që s’ta hedh njeri në pije pa të keq. Shih Narcos apo El Chapo, për të parë sa njerëz vdesin e sa rritet çmimi që kokaina të vijë nga Amerika e Jugut deri në bllok, e jo vetëm që nuk ta sprucon njeri në pije, po kush e di në ç’qorrsokaqe duhet të futesh që ta gjesh shumë shtrenjtë.

M’u kujtua kur blloku ruhej me ushtarë tek ura e vogël dhe  te garda. Nuk të ndalonin të hyrje, por të skanonin nga këmbët te koka shoqëruar me ndonjë “koment ushtari”. Atëherë ishte një shëtitje edhe më e këndshme se sot nën pemë, ama tërësisht pa makina. Tek tuk ndonjë kafe dhe adoleshentë që po ecnin mbi tokën e ndaluar.

M’u kujtuan kur filluan lokalet e para po në këto skaje të tij dhe diskoteka ditore në hyrje të liqenit. Tanimë jo vetëm mund të shëtisnim, por dhe të pinim çaj me fruta pylli / Coca Cola me ndonjë cigare të hapur tek tuk e na dukej vetja si të pavarur. Aty dhe filluan historitë e para. “E di ti që të gjitha vilat e bllokut janë të lidhura me tunele? Pse, si e vrau Mehmet Shehun Enveri kujton ti?” “E di ti që ka një tunel që shkon drejt nga shpia e Dullës drejt e në aeroport?”
Të gjitha i besoj sot e kësaj dite, siç ka ditë që s’i besoj.

Blloku më pas nuk mbahej dot më me 2 ushtarë me kallash. U ndërtuan pallatet e para të këqija që ende të vrasin sytë. “Ky pallati u ndërtua shtrembër. Ndaj dhe po ndërtojnë të tjerët aq ngjitur tij, që mos të bjerë. S’e dije?”. U hapën agjenci e lokale në çdo rrugë, bare nate ku me thënë të drejtën, mbizotëronte ende mentaliteti ‘i motrës’ dhe ne ndiheshim të sigurta. Shpërtheu karaokja, ëmbëlsirat franceze, sanduiçet legjendare, vodka+redbull për 100 Lekë (a thua vallë do e dimë ndonjë herë çfarë përbërisish kish ajo që ata quanin ‘vodka’ apo ‘redbull’?), piktorët që bëjnë replika identike të fotove të tua. Gjatë ditës derdhej betonierja, erdhën zyrat qëndrore të kompanive të huaja, erdhën bankat, e më shumë zyra. Ne u rritëm, e tani punonim aty. Kishim mendjen të na kapte syri çdo mëngjës gratë e bukura të ish-bllokmenëve, të shihnim ndonjë biznesmen te dalë nga burgu që ndonjë herë dhe hanin dajak; artistët e përgjumur që i ka nxjerrë ndonjë punë në mëngjes mes “njerëzve katrorë”.

Dikush pastaj riktheu në modë mbjelljen e pemëve, dhe Wallstreet-i shqiptar po merrte formën e vet natyrale.

Sa marrëveshje që i kanë ndryshuar jetën këtij vendi, sa ide novatore, dhe sa nisma artikstike kanë ndodhur në bllok! Madje dita ditës merr gjithmonë e më shumë një formë më civile: me gjelbërim, biçikleta dhe profesionistë gjatë ditës, lokale kreative ku  gumëzhijnë të rinj shqiptarë, italianë që jetojnë këtu e të huaj që kanë lexuar në Trip Advisor gjatë natës.

Thoni e lexoni ç’të doni, është zona më e dashur e qytetit. Dhe si e tillë, nuk mund të presim të jetë as pa krim, as e lirë si kafja e lagjes.

Mjafton mos t’i qasesh me Ferrari duke xhiruar gomat; por të depërtohet qetësisht me këmbë apo biçikletë, dhe  gjëra shumë të bukura do të ndodhin, herët a vonë.

Klientja nga Ferri

Eshtë një pasdite e ngrohtë si gjithë të tjerat. Hipën në autobus, dhe e sheh veten duke përqafuar një hekur sepse shoferi dhe faturino kanë orare për të kapur; orare që ti as nuk i di se nuk janë të publikuara askund. Teksa përpiqesh të marrësh veten, për të parë a ke telefonin dhe kuletën në vend fillimisht, një oportunist i kaosit tregohet finok dhe përpiqet të të fusë duart me stil. Pa energji për t’u marrë me atë allasoj zvarraniku, zbret në stacionin tjetër, për të parë një pseudo zonjë (në shtëpi është nikoqirja më me nam e fisit!) e cila hedh facoletën e pisët mu në mes të trotuarit.
Nuk e di ty po për mua mjaftuan këto që të më prishen ekuilibrat. E në atë moment të pa barazpeshuar, m’u kujtua që operatori im më ka borxh ca lekë që m’i zhvati në roaming herën e fundit dhe që duhet ta kishte zgjidhur si çështje që para 2 javësh.
– Alo mirëdita, më keni vjedhur herën e fundit që udhëtova.

Ajo dëgjon ç’do të dëgjojë ajo, jo çfarë po i them unë.
– Më dëgjo me vëmendje dhe shih mirë se e ke rastin e hapur, fut emrin.
E kështu fillon saga, që kush ka kaluar kohë me mua në 8 vitet e fundit ku dhe jam rivendosur me kohë të plotë në Tiranë si një e rritur që përballet me jetën në në çdo dimension të saj: që nga mjediset e përbashkëta si autobusi deri në ambiente eksluzive, më ka parë “në aksion” ku rrënoj në debat atë strukturë që më ka bërë padrejtësi. Disa tremben prej meje, të tjerë marrin kokoshkat dhe argëtohen me shfaqjen. Personi përballë ose në anën tjetër të telefonit zakonisht përfundon duke thënë se si është thjesht një punonjës/e dhe unë regjistrohem si klientja nga Ferri.

Njësoj si kur të ka ngelur një nofkë krejt kot, që ti e di që është ekzagjeruar dhe ti nuk je aspak ashtu… Por vjen një pikë dhe e përqafon se sa të rrish të bindësh njerëzit për të kundërtën, që ka vetëm kundra-efekt.

Edhe unë e përqafoj këtë “klienten nga Ferri” jo se jam e tillë, dhe as së më jep kënaqësi të bëj “si dreq” me punonjës që janë aq të keqtrajnuar e mbase dhe keqtrajtuar, që mendojnë që dalja nga çdo situatë është ose justifikimi irrelevant (mos u lodh nuk jam mamaja jote) ose lëshimi i dinjitetit profesional duke thënë “unë thjesht punoj këtu”. Ok, meqë thjesht sa punon më nxirr bosin e madh se ia tregoj dhe atij talentet e mia të debatit.
Nuk e bëj as për ato 1000 Lekë që m’i grinë. Se jo për gjë, po aq i gjeta para 1 jave në tokë në taksi. Gjërat e përditshme barazohen vetë.
Puna është që e vetmja mënyrë që t’i tregosh ‘forcave më të mëdha’ në këtë vend që nuk të trajtonë dot ty si një barcode, është duke i zënë ngushtë, duke i çuar në një cep rrethuar nga argumente që janë të gjitha të drejta: nuk janë teka, nuk janë abuzime, as dëngla. Jo jo, në një vend si i yni, kur të abuzojnë institucionet nuk ua kthen dot me “trajtim të heshtur” as me çrekomandim. Duke qenë se çfarëdo shërbimi të jesh duke marrë, zakonisht është pjesë e ndonjë monopoli ose oligopoli ose e administratës që nuk para ka respekt për ty, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të tregosh se ke kthetra dhe mbi të gjitha, nuk po të bën njeri për idiot dhe se ti e di vlerën që ke në atë strukturë X.

Po shumica dërrmuese vuajnë nga apatia dhe nënshtrimi, nuk marrin atë që u takon. Ndaj klientja nga Ferri jam unë, dhe pse klientja e vërtetë nga Ferri është gjithashtu abuzive, ndërsa unë vetëm kërkoj çka është e imja, me insistim.

Dhe ky nuk është proçes i këndshëm. Dhe as mua nuk më vjen natyrshëm çdo herë që ndhodh diçka e tillë, se ka shumë brenda një dite. (ndryshe do më kishit parë duke folur me vete në bulevard!), kam nevojë të më mblidhen disa, dhe do hakërrehem te më e rëndësishmja për mua dhe që ka një vesh funksional. Dhe të jemi të sinqertë, rrallë do marësh atë që të takon, në më pak se gjysmat e rasteve. T’i bësh për 2 lekë nuk është nga ato gjërat terapuetike apo shkarkuese siç është t’i biesh me grushte një thesi apo dhe të këndosh me sa të ha fyti e të kërcesh sa mos të lëvizësh dot të nesërmen. Për një njeri me mendje të shëndoshë dhe pozitivitet, është përçudnim dhe dalje nga lëkura.

Mua më rraskapit.

Mirëpo unë nuk shoh asnjë mënyrë tjetër për të marrë çka është e jotja duke mos u bërë dhe ti abuzive. Nuk e kuptoj nga se kanë frikë njerëzit në mënyrë kaq kolektive. Sepse kur e provon të mbash mjekrën lart e të artikulohesh qartë me zë potent, e sheh që nuk ke nga se dhe nga kush të kesh frikë.

Duhet thjesht ta provosh, më beso.

Mos harro kurrë pushtetin që ke ndaj çdo ‘force madhore’ që varet nga kontributi yt. Ata pa ty janë komplet pa pushtet, kurse ti do kalosh nga njëri te tjetri duke qenë kjo/ky që je.

  • Alo, zjarrfiksi?
  • Po?
  • M’u dogj pitja.

 

Taksa për të mos ikur nga mendtë.

(Imazhit të përzgjedhur nuk po i gjej autorin, të drejtat nuk janë të miat)

 

Kur isha shtatzanë, bëja shaka me bashkëshortin tim, që nëse është vajzë, do ia lëmë emrin ‘Rruga e Kombit’. Jo që s’ka shqiptarë me emra më absurdë se kaq! Po sepse ajo rrugë i ka mundësuar lehtësira të mëdha çifteve të pakëta – por në rritje – si ne: njëra nga Shqipëria tjetri nga Kosova, të lidhur fort me vendet e tyre, që nuk e kanë dhe aq lehtë të shpërngulen në njërin vend.

Kështu që prej 2007 e ndiqja zhvillimin e rrugës si serinë e preferuar. Ndërkohë ky popull që e ka pak zanat gjenetik të mos i gëzohet asgjëje, s’la fjalë pa thënë për atë rrugë, e njerëz të emancipuar kishin kokërisjen të thonin “e kujt i plasi? E ç’ka andej në veri që të hidhen kaq shumë lekë?”

Kur është aq e logjishkme sa 1+1 bëjnë 2, që arsyeja që “s’ka asgjë andej në veri” është se nuk ka rrugë.

Disa herë m’u desh t’i bija nga Maqedonia ndërkohë, me aventurat e veta, përfshi dhe helmim serioz që e dha kulmin e krizës në mes të maleve të një shteti të huaj ku njerëzit i kanë ende WC jashtë. (Po po, s’kemi vetëm ne brirë e WC jashtë, kanë plot rreth nesh!) Të paktën të isha në Kukës!

Prej nja 6 vjetësh Rruga e Kombit na ka mundësuar Bashkëjetesën e Kombit, çdo vit duke degraduar pak më shumë, deri sa vitin e kaluar i shkaktoi disa dëme serioze makinës sonë, dhe na vuri gishtin mbi kokë që edhe sa do shtyhet kështu?

Një rrugë e standardeve europiane, në terrenin më të vështirë të Shqiptarisë, pa mirëmbajtje.

Mos prisni që t’i futem argumenteve politike tani. Atë e bën kushdo tjetër më mirë se unë, e të vjen të mbyllësh Facebook kur shikon sa i zgjuar është kushdo që e di ç’po ndodh e nuk merren me asnjë problematikë tjetër që lidhet me rrugën.

Po, çmimi është i lartë e i papritur.
Po, rrugën e kemi paguar tashmë, dhe e paguajmë çdo vit me taksat tona.
Po, është sërish, për të disatën herë në historinë e shqiptarëve, politikë diskriminatore për veriun.

Po, është për të dalë për të protestuar çdo ditë deri sa të na jepet përgjgije një më një e të na kthehet diku tjetër kjo para që po na merret kështu si pa dashje.

Jo, as kishte për ta rregulluar e mirëmbajtur njeri, nëse nuk do vilej para e re.
E këtu qëndron gjithë kurthi, drita e vakët ne fund të Kalimashit, që mbase tani, më në fund do mirëmbahet.

E nisur nga kjo shpresë që duhet të ishte fakt, shto dhe sasinë e meshkujve të etur për dhunë që përqafojnë këtë kauzë jo me patjetër sepse i ndikon kjo gjë, unë nuk dola të protestoj për shpenzimet që më erdhën krejt papritur fytyrës. Dhe arsyeja që vijnë papritur, nuk është se nuk ishin në plan.

Po nuk të mban njeri të informuar.

Unë, qytetarja tipike që paguan çdo detyrim, që as i shkon mendja për hile, që qëndron optimiste kundër fakteve e shoqërisë, unë nuk meritoj dinjitet të informohem hap pas hapi!

Që nga nënshrkimi i marrëveshjes e deri te vendosja e kabinave të pagesës, të cilat as abonim nuk mundësojnë ende, dhe konceptojnë tarifa Euro në një shtet ku monedha zyrtare është Leku. Gjoja për të favorizuar vëllezërit kosovarë.

Unë s’marr pikën e respektit nga njerëzit të cilët i votoj (ose jo, ama dal!) dhe ua paguaj detyrimet me qytetari.

Dhe e di ç’më bëjnë ndodhi si kjo mua? Shto padrejtësinë çdo ditë për parkim, rritjen e çmimit në çerdhe, qenin e preferuar në lagje që zhduket në mënyrë misterioze…. S’po vazhdoj.

Kam tre alternativa:
1 – të zhytem në negativizëm vetë-urrejtës “vend kafshësh s’bëhen këta njerëz hajdutër” që ngadalë ky mentalitet do më ndikojë çdo aspekt të jetës: humorin, shëndetin mendor, harmoninë në familje, shëndetin fizik dhe paraqitjen fizike.

2 – Të bëhem dhe unë mashtruese duke hequr dorë fillimisht së qeni qytetare modele, të nxjerr hakun tim në mënyra ‘kreative’ që ndoshta mban financat lart, po më largon gjumin përjetësisht, duke degraduar humorin, shëndetin mendor e fizik.

3 – Të emigroj, e në këtë fazë kulminante të jetës të filloj tërësisht nga zero, pavarësisht përvojës, shkollimit, kapitalit shoqëror që kam këtu.

Unë kam ndenjur në Shqipëri e Kosovë nën idealin e fortë që këtë vend do e bëjnë së pari njerëz si unë, të shkolluar jashtë, optimistë, punëtorë dhe idealistë.

E ndërkohë që përpiqem shumë të mbaj ndezur dritën në fund të Kalimashit se këto që ndodhin çdo ditë janë të gjitha masa që në fakt, afat-gjatë do e bëjnë këtë vend shumë të jetueshëm (po po, e besoj ende, budallaçkë qenkam!), jap e jap taksa vu….
Po mirë, kush do më japë mua taksa që të paguaj psikologen? Se shteti s’ma mundëson! Jo shërbim profesionist, gjithsesi!
Kush do më paguajë mua produktet e fytyrës, trupit, duke qenë se po më plak stresi jo-natyral e pluhuri jashtë kontrollit, dhe jo rrjedha e moshës?

Kush do më paguajë antibiotikët që i mora se më tha doktoresha “infeksionin e ke nga ankthi stresi, ke pasur shumë punë?”

Largqoftë, ndonjë gjendje shëndetësore dhe më të rënduar, duke qenë se na është vështirësuar gjumi?

Taksa që unë të jetoj në këtë vend, tashmë u 4-fishua. Filloi më rrugën, dhe mbaroi te serumi rigjenerues. E di që shumë nga ju do thonë direkt “dashke ti, njerëzit s’kanë bukë të hanë”. Po unë ky njeri jam. S’jam ajo që s’ka bukë të ha, po jam ajo që krijoj dhe zhvilloj dhe punoj gjëra që ndryshojnë realitetet, dhe për këtë, më duhen ca standarde bazike jetese që ky vend m’i premton çdo 2 vjet sa herë ka zgjedhje.

“Shkoni studioni jashtë, se do ju mbajnë në pëllëmbë të dorës!” Tani kam unë në pëllëmbët e mia faturat e panumërta që gjysmat ende po mundohem t’i kuptoj, dhe ata që kush e di si e morën diplomën këtu se nuk janë në gjendje të artikulojnë mendim në Facebook, mbajnë diagonal çanta të vogla burrash Fendi.

Faleminderit për vlerësimin që ndenja, shtet i dashur. Falemidnerit që vetëm m’i rrit shpenzimet, dhe treçereku nuk janë ato që i sheh në TV duke u djegur si në Mesjetë.

U trashëgofshi! Po deshët.

Po ta mendosh, mashkulli me trajtat më “jo produktive” të mundshme si: vese të ndryshme, jo besnik, arrogant, është dembel… Ama! Ama fëmijët i do. Shumë fare. S’e ka problem të lërë femrat shtatzanë, dhe zakonisht është një baba i dashur, (duke përjashtuar të dhunshmit), shakaxhi, luan, bën dhurata… Këta janë meshkuj e burra që u dalin për zot edhe 4 fëmijëve, madje dhe kur nuk i kanë financat. Pse mos t’u dalin? Se mos marrin leje lindje, se mos ndërrojnë pelena, se mos desh vdesin apo operohen, apo mos vrapojnë mbas 2 vjeçares me 1 çorape pa pantallona për t’i dhënë lugën me kos. Jo o jo, ai vazhdon jetën që ka pasur, tashmë me zhurmë e gëzim në familje. Ka kush të zvetënohet.

Dhe në fakt akoma nuk kam njohur një mashkull që të thotë “unë nuk dua fëmijë”. Ndoshta në vendet ku barazia është e mirëfilltë, që numërohen me gishta dore, meshkujt e kuptojnë nivelin e përgjegjësisë dhe se si rritja e një të vogli mund t’i ngadalësojë karrierën dhe t’i kufizojë argëtimin personal. Ndoshta dhe ka shqiptarë të tillë, po ende s’kam rënë ndesh. Çfarë shoh e njoh, dhe ndoshta çfarë unë isha (deri diku) jo para shumë kohësh, janë gra e vajza që ngurtësohen nga ideja e të bërit fëmijë.

Shumica ndërrojnë temë direkt duke dashur të evitojnë gjykimin për mendimin aspak të zakontë, sepse në fakt çfarëdo argumenti të japin ato, nuk ka vlerë, ato janë “vajza të këqija dhe egoiste” në sy të shumicës që direkt veprojnë, e rrallë mendojnë.
Të tjerat, që e kanë ngrënë disa herë gjykimin, preferojnë mos të japin argumente, duke i quajtur “arsye personale” dhe që kërkojnë t’u respektohet e drejta e lindur për të bërë ç’të duan me trupin e jetën e tyre. Po, shumë fisnike. Këtu do ndalem dhe unë. Eshtë shumë e rëndësishmë që njerëzit mos të të ndërhyjnë në jetë. Po kjo është po aq e rrallë sa ata burrat që nuk duan fëmijë nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes ditore.

E një përqindje tejet e vogël, janë të zëshme dhe të sqarojnë një më një pse nuk duan fëmijë, dhe zakonisht vërtitet rreth të njëjtës gjë: kanë investuar shumë në veten e tyre, qoftë shëndet, karrierë, udhëtime, garderobë e trajtime, për t’i pezulluar të gjitha për t’u kujdesur për një qenie që ato e dinë që do e dashurojnë përjetësisht.

“Pff, egoiste!”
Po mirë, çfarë është më egoiste tani: a) të refuzosh të sjellësh në jetë dikë sepse ke mjaftushëm angazhime tashmë me një jetë, e cila t’u dha pa të pyetur, apo b) të sjellësh një jetë të re pa e pyetur ti atë, vetëm pse ti do të pasosh gjenetikën tënde? Se diskutimi i vërtetë, ky është. Po për të evituar këto tema ekzistenciale për të cilat nuk ndalemi të mendojmë, i biem shkurt me kundërpërgjigje “të mos bësh fëmijë është egoizëm”.

“S’e ke provuar, është gjëja më e bukur në botë!”

Tani, nga përvoja personale, këto që thonë tërë kohës ‘gjëja më e bukur në botë’, janë të njëjtat që kur i pyet privatisht, ose kanë qenë komplet të papërgatitura, ose kanë vuajtur përtej normales gjatë lindjes, nuk kishin asnjë ide se ç’i priste në të vërtetë dhe kanë 2 vjet që s’flenë 4 orë rresht, ose kanë shumë pak ndihmë dhe një vjehërr që vjell flakë, ose të gjitha për një herë. Nëse do japësh mendim, thuaj të vërtetën pra.

Po, pa dyshim është gjëja më e bukur në botë dhe nuk shpjegohet dot pa e provuar. Po, pa dyshim është po aq e frikshme sa është dhe e bukur. Dhe nëse do të nihmosh nënat në prespektivë, ji e sinqertë dhe e detajuar me to.

“Do zhdukemi si farë me gra si puna e kësaj”. Tani ku ta kapësh e ku ta lësh këtë fjali fataliste patetike. E para, historikishit popullsia e “fara” e sidomos njerëzve që shprehen kësisoj, nuk ka qenë në duar të grave të emancipuara, me karrierë e individualitet. Njerëzit që riprodhohen më së shumti ose janë shtresat e varfëra më pak të arsimuara, që nuk kanë njohurinë e duhur të ndalojnë së bëri fëmijë; ose janë shtresat tepër të pasura, të cilëve bërja e fëmijëve nuk u pengon asgjë, për shkak të ekonomisë së lartë që ndër të tjera, blen ndihmë pa fund. Po këta janë aq pak, që nuk ndikojnë popullsinë.

E dyta dhe e fundit: boll. Mjaft. Ndaluni tani. Ndaluni së drejtuar gishtin femrave që e dinë se ç’duan dhe që nuk janë duke cenuar absolutisht askënd në këtë proces. Mjaft kërkuat me “zoom” arsye për t’i rënë femrave të pavarura nga të cilat ndiheni aq të kërcënuar, dhe që me thënë të drejtën janë grupi më produktiv, më i shkathët dhe më progresiv në vend. Dhe nuk po u drejtohem vetëm burrave. Po u drejtohem grave, që dinë të jenë shumë të serta me femrat që kanë guximin të jenë dikushi e të shkojnë kundra rrymave.

E drejta për mos t’u riprodhuar është po aq e paprekshme sa çdo e drejtë tjetër që nuk cenon askënd kundra vullnetit. Thjesht nëse ndalesh të ngresh pikëpyetje mbi çdo të vërtetë që ti di, mbase dhe ti një ditë do jesh ai shembulli i pavarësisë mendore dhe respektit.

Nga:

Miku juaj që ju do të mirën.

Mikesha juaj, e cila ka fëmijë desha të them.

 

I dashur ditar…

 

Sa shumë ke evoluar dhe ti! Dikur të mbaja në ato blloqet me çelës, nga frika mos dikush do picërronte sytë për të deshifurar shkrimin tim të dorës aspak të bukur që të merrte vesh dërdëllitjet e pubertetit tim. Sot po të shkruaj në një tastierë me dritë, me bukurshkrim ‘Helvetica’, dhe po i jap qasje pa ekzagjerim gjithë botës.
Nejse. Më pëlqen që ke kapur ritmin e kohës.

Sot ishte një mëngjes i ftohtë. U nisa për një punë, dhe kur u ndala të marr një kafe me vete, pashë që nuk kisha portofolin. U ktheva tërë inat, e mbajta portofolin në xhep të palltos nga përtesa për ta futur në çantë, dhe dorën aty tërë kohës se mos ma merrte njeri. M’u kujtua ime më që gjithmonë më mbyll zinxhirët e çantave ndërkohë që numëron historitë e njerëzve që u kanë vjedhur kuletat e telefonët e çelësat.

Ka të drejtë.
Mamatë gjithmonë kanë të drejtë për gjëra të kësaj natyre.

Shkova në një institucion publik ku dhe kisha punë. Eshtë një ndërtesë delirante komuniste. Si e tillë, nuk ka pikën e respektit për faktorin “njeri” dhe nuk do t’ia dijë për ngrohje qendrore. Një mangësi e thekësuar që e kemi si popull. Dhe nuk pranoj “varfërinë” si arsyetim, pasi jo më larg se Kosova, zakonisht minus 10 gradë krahasuar me këtu, nuk plevitoset njeriu në këtë pikë aspak.

Mbarova punë e ika rrufe nga frika se do përfundoja me antibiotikë. M’u kujtua sesi në ato kohë kur ti ishe një bllok me çelës, shumë seriozisht i lutesha zotit të palosesha në krevat me antibiotikë. Edhe patate të gjallë kam ngrënë, se kshu plasi nami, po hëngre patate të gjallë, të hip temperatura.
Hiç fare s’më hipi. Jo atëherë të paktën.
Sot, të jesh sëmurë është trajtim spa. Të rrish shtrirë… Të të sjellin çaj, supë e lëng.
Luks që s’ia paguaj dot çmimin.

Hëngra një drekë gjatë së cilës e thava baterinë e telefonit duke parë meme. Kreva disa punë të vogla, dhe u nisa për në shtëpi në kulmin e dëborës. Po po, ra dëborë! Një gjë shumë e rrallë për Tiranën. Teksa po shijoja dendësinë e saj, e parapashë ç’do ndodhë: shumë njerëz do afishojnë diçka në media sociale (përfshi mua) dhe pastaj të tjerë do ankohen që të gjithë afishuan diçka në lidhje me borën.
Dhe ashtu ndodhi.

Unë e dua shumë borën. Në fakt, nuk besoj se ka njeri që nuk e do borën. Të paktën jo njerëz që kanë kushte ta shijojnë.

E ndërkohë që punët e mia nuk mbarojnë kur unë hyj në shtëpi, kam gjithë pasditen që i lë shenja buzëkuqi djalit dhe i flas me shpresën që do ma kthejë. Po e di që do ma kthejë kur s’e pres fare.
Po ti, ç’bëre?
xoxo

P.S.: Na një mace në borë, sepse pse jo?!

Blog at WordPress.com.

Up ↑