Bllok, rrok dhe drrok’.

Pashë  një ëndërr.
Isha e lumtur duke rrëshqitur me biçikletë në një rrugë të drejtë, e pa penguar nga makinat, nën gjethet e pemëve. Siç e kanë ëndrrat, nuk mbaj mend as nga po vija as nga po shkoja; di që po ndihesha mirë, mendimet po qarkullonin deri sa u zgjova nga mjau-itjet e Rios që i hahet gjithmonë.

Kur po përpiqesha ta zbërtheja, pata parasysh që shpesh ëndrra nuk është asgjë misterioze që po kumbon diçka të thellë në jetën time. Në fakt, në ëndërr isha duke i dhënë biçikletës në bllok, një gjë që e bëj shumë shpesh dhe me sytë shumë hapur. Dhe kohëve të fundit, kjo lloj xhiroje në bllok është vërtet e ëmbël.

Aty u kujtova se sa shokë të vjetër jemi blloku e unë, sa na kanë parë sytë, sa shumë ka ndryshuar ai, sa jam rritur unë. Duke vijuar atë që ëndrrat jo me patjetër janë letërsi ku zysha do gjejë kuptim me zor, m’u kujtua që para ca ditësh kisha parë një artikull artificial gjithë përgjithësime dhe fraza të babagjyshit të tipit “në bllok të hedhin drogë në pije”, dhe kënaqësia në ëndërr ishtë thjesht një kundër-reagim i shkrimeve pa përmbajtje për klikime.

Nuk ka nevojë të konsumosh drogë ta dish që s’ta hedh njeri në pije pa të keq. Shih Narcos apo El Chapo, për të parë sa njerëz vdesin e sa rritet çmimi që kokaina të vijë nga Amerika e Jugut deri në bllok, e jo vetëm që nuk ta sprucon njeri në pije, po kush e di në ç’qorrsokaqe duhet të futesh që ta gjesh shumë shtrenjtë.

M’u kujtua kur blloku ruhej me ushtarë tek ura e vogël dhe  te garda. Nuk të ndalonin të hyrje, por të skanonin nga këmbët te koka shoqëruar me ndonjë “koment ushtari”. Atëherë ishte një shëtitje edhe më e këndshme se sot nën pemë, ama tërësisht pa makina. Tek tuk ndonjë kafe dhe adoleshentë që po ecnin mbi tokën e ndaluar.

M’u kujtuan kur filluan lokalet e para po në këto skaje të tij dhe diskoteka ditore në hyrje të liqenit. Tanimë jo vetëm mund të shëtisnim, por dhe të pinim çaj me fruta pylli / Coca Cola me ndonjë cigare të hapur tek tuk e na dukej vetja si të pavarur. Aty dhe filluan historitë e para. “E di ti që të gjitha vilat e bllokut janë të lidhura me tunele? Pse, si e vrau Mehmet Shehun Enveri kujton ti?” “E di ti që ka një tunel që shkon drejt nga shpia e Dullës drejt e në aeroport?”
Të gjitha i besoj sot e kësaj dite, siç ka ditë që s’i besoj.

Blloku më pas nuk mbahej dot më me 2 ushtarë me kallash. U ndërtuan pallatet e para të këqija që ende të vrasin sytë. “Ky pallati u ndërtua shtrembër. Ndaj dhe po ndërtojnë të tjerët aq ngjitur tij, që mos të bjerë. S’e dije?”. U hapën agjenci e lokale në çdo rrugë, bare nate ku me thënë të drejtën, mbizotëronte ende mentaliteti ‘i motrës’ dhe ne ndiheshim të sigurta. Shpërtheu karaokja, ëmbëlsirat franceze, sanduiçet legjendare, vodka+redbull për 100 Lekë (a thua vallë do e dimë ndonjë herë çfarë përbërisish kish ajo që ata quanin ‘vodka’ apo ‘redbull’?), piktorët që bëjnë replika identike të fotove të tua. Gjatë ditës derdhej betonierja, erdhën zyrat qëndrore të kompanive të huaja, erdhën bankat, e më shumë zyra. Ne u rritëm, e tani punonim aty. Kishim mendjen të na kapte syri çdo mëngjës gratë e bukura të ish-bllokmenëve, të shihnim ndonjë biznesmen te dalë nga burgu që ndonjë herë dhe hanin dajak; artistët e përgjumur që i ka nxjerrë ndonjë punë në mëngjes mes “njerëzve katrorë”.

Dikush pastaj riktheu në modë mbjelljen e pemëve, dhe Wallstreet-i shqiptar po merrte formën e vet natyrale.

Sa marrëveshje që i kanë ndryshuar jetën këtij vendi, sa ide novatore, dhe sa nisma artikstike kanë ndodhur në bllok! Madje dita ditës merr gjithmonë e më shumë një formë më civile: me gjelbërim, biçikleta dhe profesionistë gjatë ditës, lokale kreative ku  gumëzhijnë të rinj shqiptarë, italianë që jetojnë këtu e të huaj që kanë lexuar në Trip Advisor gjatë natës.

Thoni e lexoni ç’të doni, është zona më e dashur e qytetit. Dhe si e tillë, nuk mund të presim të jetë as pa krim, as e lirë si kafja e lagjes.

Mjafton mos t’i qasesh me Ferrari duke xhiruar gomat; por të depërtohet qetësisht me këmbë apo biçikletë, dhe  gjëra shumë të bukura do të ndodhin, herët a vonë.

I dashur ditar…

 

Sa shumë ke evoluar dhe ti! Dikur të mbaja në ato blloqet me çelës, nga frika mos dikush do picërronte sytë për të deshifurar shkrimin tim të dorës aspak të bukur që të merrte vesh dërdëllitjet e pubertetit tim. Sot po të shkruaj në një tastierë me dritë, me bukurshkrim ‘Helvetica’, dhe po i jap qasje pa ekzagjerim gjithë botës.
Nejse. Më pëlqen që ke kapur ritmin e kohës.

Sot ishte një mëngjes i ftohtë. U nisa për një punë, dhe kur u ndala të marr një kafe me vete, pashë që nuk kisha portofolin. U ktheva tërë inat, e mbajta portofolin në xhep të palltos nga përtesa për ta futur në çantë, dhe dorën aty tërë kohës se mos ma merrte njeri. M’u kujtua ime më që gjithmonë më mbyll zinxhirët e çantave ndërkohë që numëron historitë e njerëzve që u kanë vjedhur kuletat e telefonët e çelësat.

Ka të drejtë.
Mamatë gjithmonë kanë të drejtë për gjëra të kësaj natyre.

Shkova në një institucion publik ku dhe kisha punë. Eshtë një ndërtesë delirante komuniste. Si e tillë, nuk ka pikën e respektit për faktorin “njeri” dhe nuk do t’ia dijë për ngrohje qendrore. Një mangësi e thekësuar që e kemi si popull. Dhe nuk pranoj “varfërinë” si arsyetim, pasi jo më larg se Kosova, zakonisht minus 10 gradë krahasuar me këtu, nuk plevitoset njeriu në këtë pikë aspak.

Mbarova punë e ika rrufe nga frika se do përfundoja me antibiotikë. M’u kujtua sesi në ato kohë kur ti ishe një bllok me çelës, shumë seriozisht i lutesha zotit të palosesha në krevat me antibiotikë. Edhe patate të gjallë kam ngrënë, se kshu plasi nami, po hëngre patate të gjallë, të hip temperatura.
Hiç fare s’më hipi. Jo atëherë të paktën.
Sot, të jesh sëmurë është trajtim spa. Të rrish shtrirë… Të të sjellin çaj, supë e lëng.
Luks që s’ia paguaj dot çmimin.

Hëngra një drekë gjatë së cilës e thava baterinë e telefonit duke parë meme. Kreva disa punë të vogla, dhe u nisa për në shtëpi në kulmin e dëborës. Po po, ra dëborë! Një gjë shumë e rrallë për Tiranën. Teksa po shijoja dendësinë e saj, e parapashë ç’do ndodhë: shumë njerëz do afishojnë diçka në media sociale (përfshi mua) dhe pastaj të tjerë do ankohen që të gjithë afishuan diçka në lidhje me borën.
Dhe ashtu ndodhi.

Unë e dua shumë borën. Në fakt, nuk besoj se ka njeri që nuk e do borën. Të paktën jo njerëz që kanë kushte ta shijojnë.

E ndërkohë që punët e mia nuk mbarojnë kur unë hyj në shtëpi, kam gjithë pasditen që i lë shenja buzëkuqi djalit dhe i flas me shpresën që do ma kthejë. Po e di që do ma kthejë kur s’e pres fare.
Po ti, ç’bëre?
xoxo

P.S.: Na një mace në borë, sepse pse jo?!

Unë, ti dhe shqiptari.

Paris, gusht 2017. Në një kafe në Montmartre janë ulur dy parizien dhe një pariziene, kanë në tavolinë espreson e dytë, një ujë pa gaz, një tavëll plot duhan të pirë, kanë rrudhur fytyrat duke parë në distancë dhe po flasin për politikë.
“Një njeri që martohet me gjyshen e vet s’bo për president”.
“Ajo është gjyshja ime në moshë po vishet më bukur se unë”.“S’ka për t’u bo ndonjëherë francezi, jo!”.

Tak, t’u pre filmi dhe ty apo jo? T’u bë ekrani i zi, pastaj dolën mizat. Piiiiiiip. Deri te e folura për poltikë sikur u shty historia, po kur thanë “s’bohet francezi njeri….” Game Over.
Sepse nuk e imagjinon dot që një shtetas perëndimor të flasë në vetën e tretë për veten e vet dhe t’i referohet me kombësi vetes në vetën e tretë.

Sepse të huajt janë perfektë, e kanë çdo gjë në terezi, s’kanë bagazh historik për t’u turpëruar apo mburrur, s’kanë fatura për të paguar (ne paguajmë energji ujë e internet, ata paguajnë minimum 3 herë më shumë fatura!!) janë të gjithë bosa, nuk kanë migrenë, kalamajtë i lindin pa vuajtje, nuk kan shefa të poshtër shfrytëzues, s’i zë vapa kurrë, etj.

Dhe mbi të gjitha, të huajt kur kanë kohë të lirë, merren me ne shqiptarët. Se unë nuk e shpjegoj dot ndryshe këtë referimin e vetes në vetë tretë.
E kanë temë të preferuar si nuk bëhemi njerëz ne. Se si nuk bëhet ky vend. Ne prej tyre mësuam të themi ‘shqiptari kshu shqiptari ashu’ se unë s’e shpejgoj dot ndryshe!
“Shqiptari s’zë mend”. “S’bohet ky popull e ka thon ai i moçmi atje” (këtu si Tyrion Lannister te Game of Thrones, çdo xhevahir të çmuar që e nxjerrim nga goja ia veshim dikujt të moçëm për ta legjitimuar).
“Çohu shqiptar nga kafja, çohu” qarkullonte para ca kohësh nëpër internet. Në fakt më dukej shumë gallatë, edhe pse nuk jam tërësisht dakord.
Nëse ti dhe familja jote jetoni në dashuri e barazi, dhe keni të ardhura të shëndetshme legjitime që vinë nga punë e sinqertë, rri sa të duash në kafe. Thyeje makinën e ekspresit, vetëm pas të tretës fillo pi dekafeinato aman.

Po s’më duket se ata që i kanë punët në terezi thonë që shqiptari s’bëhet njeri. Ajo/ai që e ka jetën në vijë, e ka sjellë në vijë duke qenë shqiptar/e vetë dhe me ndihmën e shqiptarëve të tjerë. Ajo/ai që përballet me jetën çdo ditë ka një botëkuptim më të thellë si funksionojnë gjërat dhe e di që shqiptari bëhet, por me një kusht – duhet të lëvizë të pasmen vendit.
Ka nevojë të përballet me njerëz, institucione, e situata. Të vëzhgojë çfarë nuk shkon, dhe kolektivisht të marrë pjesë në përmirësim të prapambetjeve. Të shohë ç’bëhët nëpër institucione, nesër pasnesër t’ia shprehë dikujt që ka një farë pushteti, me shpresën për përmirësim.
Ai që e ka jetën në terezi nuk ulet në kafe të thotë “s’bohet shqiptari”, po tregon çfarë i ndodhi sot dhe bluan në kokë si ta zgjidhë të nesermen. Ajo që i ka gjërat rrugës për terezi, e ka kuptuar që bëhet shqiptari, po do durim, nerva, kohë, e sidomos pjekuri. S’ka sot për nesër.
Kam pasur një palë pizhama me një breshkë të lumtur që thoshte “slowly but surely” (ngadalë, por sigurt). Gjithmonë më është dukur se i shkon ritmit të vendit tim si thënie.

E këtu dhe unë bie dakord me ‘çohu shqiptar ti nga kafja, çohu’, kur bëhet fjalë për syreshin që s’ka asgjë në terezi. Se po u çove do mësosh një gjë të re, do i japësh dhe ti jetës drejtim, e pasi ta kesh vënë në terezi, do rikthehesh në kafe, kësaj radhe për biseda më të sofistikuara, që nuk i referohen vetes me vetë të tretë dhe kombësinë përkatëse. Se jo për gjë po kur je i zënë, s’ka shumë kohë për mllef.

Nuk do thuash më ‘shqiptari kshu shqiptari ashtu’, por me shumë gjasë do bluash dinamikën e jetës në këtë vend, së bashku me një dozë humori që na karakterizon.

Kur të vijë ajo ditë thyje ekspresin, dhe mos harro dekafeinaton.