8 Marsin doni ende ta quani festë?

Shkrim nga Ami Bekteshi

Kam disa ditë që mendoj se duhet të vi me një mesazh për 8 Marsin, por sa herë u ula të shkruaj, pashë që mendimet e mia po vinin të sforcuara. Shkrime të tilla me duken kaq cliché sa nuk kuptoj më se çfarë efekti kanë.

“Femrat duhet te ndihmojnë njëra-tjetrën!”  “Vajzat duhet t’i mbajnë kurorën njëra-tjetrës!” …Shoqëria kështu, shoqëria ashtu…  Bla, bla, edhe më shumë bla!

Japim pafund mesazhe në fushata sensibilizuese, e megjithatë gruaja në Shqipëri vijon të ketë vështirësi në çdo aspekt të jetës së saj. Çfarë efekti ka ajo që themi nëse kur një grua merr kurajon të denoncojë dhunuesin, po në të njëjtën ditë merr vdekjen si dhuratë sepse askush nuk e dëgjoi? Çfarë efekti ka ajo që themi kur një grua me 2 fëmijë nuk ka ku të jetojë nëse e divorcon burrin dhunues? Çfarë efekti ka nëse një vajzë vendos të shkollohet, por babai i saj nuk e lejon dhe vendos ta martojë që15 vjeç? Çfarë efekti ka ajo që themi nëse mosdija dhe varfëria janë pjella e çdo pamundësie dhe kanë hedhur rrënjë prej vitesh në shoqërinë tonë e ndryshimet është kaq e vështire të shihen!

Shteti.
Ku është shteti?

Shteti nuk ka ngjyrë, as parti, nuk është as rozë, as blu, as lejla, as i kuq. Shteti jemi të gjithë ne me mentalitetin tonë. Shteti është ligji që nuk i del femrave të dhunuara në krah. Shteti është polici që tallet me gruan që denoncon burrin për dhunë. Shteti është gjyqtari që me qetësi olimpike merr ryshfet nga dhunuesi dhe kur e dhunuara bërtet në sallë e bën veshin shurdh. Shteti është mësuesi pervers që tenton të fusë duart te vajza 15 vjeçare në shkollë të mesme. Shteti është drejtori në administratë që nuk firmos emërimin e një gruaje pa kaluar më parë në zyrën e tij. Shteti është personi i faresfisit që i numëron dashnorët e komshies përballë. Shteti është paraziti që rri në kafe, por i kërkon llogari gruas pse bleu një bluzë të përdorur me rrogën e saj. Shteti është gruaja që bën thashetheme për një grua tjetër. Shteti është gruaja që shkruan një status frymëzues për gratë, por rrugës ka rrëzuar dhjetra gra të tjera në jetë. Shteti është ligji që nuk mbron, mentaliteti ynë prapanik, mosdija dhe varfëria.

Ndërkohë lajmet në sfond: Krimi në familje godet sërish. Një burrë ka goditur gruan e tij në banesë…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑