Hapur i kam sytë. Po ti?

Foto: Getty Images

Sille nga të duash bisedën, dhe patjetër do bjerë fjala për seri të ndryshme apo prodhime të Netflix.

“S’e ke parë Game of Thrones ti?!”

“Casa de Papel shpejt, le nam çfarë pret!!”

Kur na pëlqen diçka, e kemi me qejf të madh ta ndajmë me të gjithë. Sa më shumë të na përputhen shijet, aq më mirë.

E kur na e rekomandojnë mjaftueshëm njerëz, ulemi e gllabërojmë për 2 net një prodhim që ca studio kanë harxhuar muaj e miliona.

 
E shohim dhe pse e dimë që ka shans të mos më pëlqejë dhe pse të gjithë çmenden, por duhet provuar. Siç, fjala vjen, s’më ngjit e s’më ngjit “50 Shades of Grey”.

Dhe kështu dhe unë pardje u ula, gjysmën e syrit në Instagram, gjysmën tjetër te çuni, dhe syrin e djathtë, ai që edhe sikur sheh më mirë, te dokumentari “The Social Dilemma”, i cili flet për qëllimet dhe metodat prapa njerëzve dhe robotëve që punojnë në media sociale.

Po se c’pati diçka në tonin e dokumentarit dhe në fytyrat e atyre ish punonjësve që flisnin dhe, që thoni ju… e lashë pas 20 min.

Jo se ishte i dobët.

Jo se nuk ishte informues.

Po sepse unë pata një nga ato momentet kur të hapen sytë ndaj diçkaje që mesa duket ka kohë që të pengon. E bëra ‘pause’ dhe po mendohesha pse u tërhoq këmbëza në kokën time pikërisht tani.

Gjithë këto muaj të ngarkuar me stres të pazakontë, më ka ardhur në majë të hundës kur dikush, diku në planet, shpenzon para dhe kohë, për të më shënjestruar personalisht dhe për të “më hapur sytë” nga gjithë kjo “e keqe” që po ndodhka rreth jetës sime dhe unë s’e vikam re.

Kjo kumbesë, me temë e fytyrë të ndryshme, përsëritet pa ndalim në çdo periudhë. Mirëpo zë rrënjë mirë në rrethana ekstreme, si ky vit për shembull.

E unë u lodha.

Toni i këtij kumti me të cilin më flet, dhe qëllimi egoist, është po i njëjtë.

“Zgjohu, popull! ATA po na mashtrojnë. ATA duan të na fusin çip në gjak.
AY e shkatërroi këtë vend. Ti? Ha-ha. Ti je në kllapi. Ti fle me sy hapur.

Ia ke falur shpirtin shejtanit (ore unë shejtanit do i jap çmim surreal po ma kërkoi, e në fund s’do ia shes fare. Si u falka shpirti??)

Ti bën jetë të mërzitshme rutinë, e të gjithë, gjithkund, përballë teje e virtualisht, janë duke të mashtruar ty e duke përfituar prej teje. Po po, mos më shih ashtu. TY.”

Megjithë respektin, ik e pirdhu.

Boll.

Në fakt në fakt, pa respekt hiç. Se ti kushdo qofsh, e kudo qofsh, në radhë të parë, që përpiqesh në mënyrë konstante të më thuash mua “hapi sytë”; ti pretendon ditë për ditë që unë nuk di asgjë, që konsumoj ç’të më vijë para fytyrës, që na qenkërkan ca doktorë indianë të delegjitimuar që po më tregojnë të vërtetën se ç’po na bën perëndimi, që unë përdorkam internetin vetëm që t’u përfitoj miliarderëve, të cilët gjithashtu janë keqadashës dhe duan që njerëzimi të shuhet, që ne të sëmuremi, që të na shpërlajnë trurin, që nuk paskam lexuar dhe unë mbi vaksinat e pandemitë e mëparëshme, që nuk e kuptokam që mediat sociale kanë produkt mua.

Ti o ti, s’ke respekt fare.

Dhe mbaje vesh këtë që do të them tani: nuk u prish dynjaja sot.

Nuk janë gjërat më keq se ç’kanë qenë.

Por natyra e njeriut qenkërka e tillë, që mbulon në lavdi të kaluarën, e tashmja i duket distopi, dhe e ardhmja nuk ka për të ekzistuar.

Mba vesh dhe kujto, që gjithmonë ka pasur njerëz të pushtetshëm që duan të përfitojnë nga ne. Dikur kanë qenë mbretër, më pas eksplorues, sot janë miliarderë.  
Gjithmonë ka pasur shkencëtarë e mjekë që nuk kanë qenë dakord me zhvillimet shkencore të kohës. Sot po të pyesësh 3 doktorë të ndryshëm, a ia vlen të bëhet vaksina e gripit, do të marrësh tre mendime të ndryshme. Ama për vaksinat e detyrueshme të fëmijëve, janë unanimisht pro.

Por jo, o jo; ATA, DIKU, qoftë Silikon Vallej, Tel Aviv, Nju Dehli apo Tiranë, ngrihen çdo ditë në mëngjes, si e si të përfitojnë prej teje, të të helmojnë, mashtrojnë dhe shpërdërojnë ty.

Po mirë kaq të pazgjuar e dimë veten? Kaq superiorë, me fuqi prej zotësh, qenkan këta frymorët e panjohur atje tej?  Unë s’harroj për vete që dhe atyre u dhemb shiatiku, kanë gazra, harrojnë fjalëkalime dhe do vdesin po ashtu si ne. Ia kujtoj vetes tërë kohës.

Si mundet një njeri me respekt për veten në një vend të lirë (po, në vend të lirë je. Korea e Veriut nuk është), ta ndjejë veten kaq vulnerabël dhe pre e çdo konspiracioni dhe keqadashësi atje në botë?

Unë jo.

Refuzoj të më quash dele.

Refuzoj të më quash injorante, të kequshqyer, kavje biologjike, përdoruese pa mend e shërbimeve.

Refuzoj t’i marr paranojat e tua për të vërtetën e jetës sime.

Refuzoj të më “hapësh sytë”.

Madje unë mendoj se gjërat janë më mirë seç kanë qenë.

Unë jam pjesë thelbësore e shoqërisë.
Jam dëshmitare e ca zhvillimeve marramendëse; isha gjallë kur makina fluturoi në hapësirë, shpresoj do jem kur të ulemi në Mars, kam botën në drejtkëndëshin në duart e mia, falë tij kam receta më të sofistikuara, po rris fëmijën me shumë informacion se si bëhet kjo sipërmarrje e vështirë, rrethohem nga produkte më të mira, mund të hipi në avion lirë, kam qasje në mjekësi që vetëm përmirësohet.

Jam më e fuqizuar si njeri.

Sytë hapi vetë, se ke nevojë më shumë se unë.

Nëse do të rris ndonjëherë një vajzë…

Foto nga Alamy. Artisti: Banksy

E dashur çupkë që ke filluar të lexosh këto rreshta!

Qofsh adoleshente në fshat; qofsh grua në mes të qytetit me shkollim e karrierë; qofsh e kamur që ditën që erdhe në Tokë dhe mbase babai të thërret princeshë; jeta për ne është në 100% të rasteve me shumë më shumë gropa, ferra e tehe se për meshkujt që na rrethojnë.

Shpirti ynë e di.

Disa nga ne as jemi të vetëdijshme, e marrim këtë jetë siç na e japin, dhe pas gjimnazit koha për aktivizëm tretet me shpejtësi marramendëse. Disa nga ne të tjerat na del gjumi rëndom të mërkurën në 2 të natës, pasi na kujtohet një ndodhi në oborr të lagjes kur ishim 11 vjeç, dhe vetëm sot i japim dum se pse ka ndodhur: asgjë më shumë as më pak se dallim gjinor, mësuar që në djep.

Nëse mua sot, mbi 3 dhjetëvjeçarë në këtë Tokë, e vetëdijshme, dhe pa asnjë lloj energjie për të toleruar më diskriminim gjinor… Nëse mua do të më jepej shansi të lëmoja një vajzë gati për ta lëshuar më pas në jetë…

Do t’i çaja kokën.

Nuk do e lija rehat.

Do më mbyllte derën e dhomës me çels.

Të gjitha hilet që mësoj çdo ditë, do ia jepja pa më pyetur fare.

Do i rrija si hije nga mbrapa jo për ta ruajtur, po për t’i thënë si duhet të reagojë në këtë botë të pabarabartë.

Do e mësoja si kur t’i thonin djemtë e lagjes që futbolli nuk është për të… T’ua merrte topin e të vizatonte mbi të një penis me manikyr e t’ia mbushte me xixa.

Kur t’i thonin në park apo plazh “Ku e ke mamin?” T’i thoshte “Kam dhe baba. Ai kujdeset për mua madje më ndërron të mbathurat”.

Kur t’i thoshin mos të shëmtohej e të prishte gojën se gocave s’i ka lezet… Të lëshonte gjithë arsenalin e fjalëve të pista që do ia mësoj unë, plus ca spërdredhime mimikash.

Po t’i thonin ti s’je si gocat e tjera, je si çun… T’u thoshte “Kurse ti je identik si çunat (apo vajzat) e tjerë/a.”

Kur t’i thonin zysh-ndrikullat në shkollë “pse i ke hequr vetullat”… T’i thoshte “më trego rregulloren ku ndalohet. Për të gjitha gjinitë e klasat”.

Nëse dikush guxon ta quajë “Kur*ë”, ajo t’i thotë “Si çdo mashkull i familjes tënde”.

Do i thoja të rregullojë krevatin pasi rrëmuja di me qenë dhunë, dhe jo sepse është gocë.

Do e mësoja të gatuante e të pastrojë sepse në një pike të jetës do i duhet.

Siç po ia mësoj dhe djalit.

E nëse gatimi s’e tërheq, në dreq me të. Fito aq sa mos të kesh nevojë të gatuash kurrë, pra.

Do e mësoja që pavarësia financiare është liri thelbësore.

Kur t’i mblidheshin meshkujt si miza pas …. kur ajo del nga vendparkimi, të ulë xhamin ngadalë, dhe t’u tregojë gishtin e mesit me buzëqeshje teksa i përshëndet me dorën tjetër.

Do e mësoja të ulej nëpër dreka e darka në karriken në vendin më të palëvizhshëm, në mënyrë që mos ta thërrasë njeri lart e poshtë për të larë enë e për të shërbyer; por ajo të merrte pjesë nëse ka dëshirë.

Nëse ajo është hetero dhe i dashuri kërkon që ajo të ndryshojë qoftë dhe modelin e flokëve… Ta lërë direkt.

Nëse ai tenton të kontrollojë çfarë bën ajo dhe ku është…. Ta lërë direkt.

Nëse ai nuk tregon asnjë lloj altruizmi në shtrat… Ta lërë, e ta turpërojë publikisht.

Do e mësoja që kur t’i thoshin “Aha je me ato”, t’u thoshte “Po, o karafil pa erë që s’njeh anatominë e gruas”.


Do e mësoja të  paketonte lehtë, të mbushte çantën pas shpine pa harruar buzëkuq e parfum, dhe të bridhte të 5 kontinentet duke fishkëllyer pa gishta.
.
Do e mësoja të pyeste veten: a do martesë? A do fëmijë? Dhe nëse ka diku një zë që mezi dëgjohet dhe që thotë “jo”… Atë zë ta hipë në podium për një rrëfim të plotë.

Do e mësoja që nëse do ketë fëmijë dhe do e rrisë me dikë… Atëherë nuk ka më pak se 50/50 për ndarje detyrash.

Do e mësoja të punonte, punonte e punonte.
Të mos nënshtrohej në asnjë rrethanë, të jepte mendimin pa asnjë tremë, dhe të merrte vendime pa kthyer kokën prapa, pa u destabilizuar nga askush, përveç nga zëri i saj i brendshëm i së vërtetës.

Nëse ndonjëherë do rris ndonjë vajzë… Do i mësoj që gjinia… E çfarë është gjinia?

ASGJE.

The next right thing ~ Gjëja e duhur e radhës

 

Në një vizatimor që im bir sheh në Netflix, disa bot-a (pjesë kompjuterike) të vegjël pyeten nga fëmijë të ndryshëm lloj lloj gjërash. Siç e kanë kalamajtë pasi kalojnë fazën kur vetëm rrëzohen, ulërijnë pa asnjë arsye të identifikueshme, dhunojnë kafshët shtëpiake dhe kremin më të shtrenjtë të mamit. Kur i mërziten ato aktivitete, pyesin, pyesin prapë, e çojnë atë “pse”-në rrumbullak strumbullak deri sa vijnë te pyetja origjinale, gjithmonë në rastin kur prindi me durim vazhdon përgjigjet.

Ka shumë arsye pse dhe unë e shijoj këtë shfaqje. Produksionet më të mira nuk i bien kurrë shkurt, dhe përveç se janë të vëmendshëm ndaj çdo çështjeje madhore të epokës ku jetojmë, kujdesen që këto prodhime shumë-ngjyrëshe t’i shijojmë dhe ne prindërit. Meqë s’kemi kohë t’i hyjmë ndonjë Peaky Blinders me not zhyt, pse mos të shijoj dhe unë Story Bots?

Eshtë cool se fëmijët janë gjithmonë një racë e ndryshme. Mos të drejtojë gishtin im bir pse pa një afrikan, nesër-pasnesër. Pastaj ka personazhe të famshëm nga “rinia” ime. Pastaj kam qejf këtë dhjetëvjeçar në tërësi sepse kemi hequr dorë nga perfeksionizmi: kalamajtë nuk janë me as engjëj, as princesha, as me artikulacion perfekt. Jo o vlla, janë të pa përqëndruar, me njolla në trup, mezi i merr vesh çfarë thonë, me hundët e zëna…. Çerra, mo.

Tek kjo shfaqje pyetjet janë “sagllam”. Gjëra që ne as na i ka shpjeguar njeri, dhe me kalimin e viteve kemi pranuar shumë gjëra si “po se ashtu është” ose kemi parë realitetin shumë të rëndë me sy kur jemi rritur.

Kam pasur dikur një kolege që sa herë e pyeste fëmija diçka, i thoshte “se qishtut”.

“Ku shkojne plehrat?” pyeti një fëmijë.  E më erdhi inat. Kush na ka thënë ne, si fëmijë se ku shkojnë plehrat?

Pse të flasim për një gjë aq të pakëndshme, për dekompozimin dhe mos tretjen e gjërave që ne nuk i duam??

Pse të flasim që zgjidhja jonë, si specje, për 170 vjet (po numëroj vetëm revolucionin industrial si pikënisje) ka qenë e tillë: “shtyji larg”.

Specja që ka çuar veten në Hënë me një proçesor shumëfish më të ulët se telefoni që ke sot, plehrat i ka shtyrë.

Fillimisht jashtë qytetit, pastaj nëpër gropa, nëpër fusha, në oqean.

Hë, ku shkojnë, o të rritur e të mitur?

Hajt ta zbërthejmë.

Te koshi poshtë lavamanit.

Po pastaj?

I merr mami ose babi e mbyll qesen dhe del i hedh te ai koshi i madh me erë te lagja.

Po pastaj?

Vjen i merr kamioni plot zhurmë e rrëmujë. [Fut koment racsit këtu]

Po pastaj? Hmmmmmmm

A po, për Tiranën kam dëgjuar në Sharrë. Për të tjerët kokrrën e idesë s’kam.

E çfarë ka në Sharrë, e në shumë “sharra” të tjera në botë?

Mal me plehra. Goxha në kuptimin e parë të fjalës.

E pastaj?

Asgjë, ato kalben, në përjetësi. Disa shpërbëhen për disa orë, disa duan shekuj.

Ça do me thënë shpërbëhen?

E thënë sa më thjesht që mund të thuhet një çështje e një kompleksiteti të tillë, në rastin kur plehrat i ka marrë Sharra dhe jo era e pakujdesia e faktorit njeri nëpër lumenj e oqeane, rrinë e lëshojnë sasi të larta të dioksidit të karbonit dhe metanës, të cilat shkatërrojnë atmosferën dhe ajrin që thithim, duke vrarë mundësinë për jetë, dhe duke helmuar jetën tashmë ekzistente. Helmi shfaqet në sëmundje, shkurtim jete, stuhi.

Procese të tilla vrastare i ndodhin dhe ujit.

Vizatimori në fjalë e shpjegon shumë më bukur se unë, po tani boll i bëra reklamë.

Përgjigje të thjeshta për çështje të tilla komplekse, nuk ka. Asgjë që lidhet me mundësinë e jetës, dhe ekzistencën, nuk mund të jetë e thjeshtë.

As te vetëm 1 artikull nuk mund të jetë, As te vetëm 1 libër, jo e jo nuk mund të jetë.

Kushdo që del me postime gjoja me pika të përmbledhura pse ngrohja globale nuk po ndodhka, është thjesht një mohues/e plot mosdije e papjekuri, pasi fjalë pozitive për ta nuk kam.

Askush nuk e di si do i “vejë halli” i kësaj pune, me vargmalet e Sharrave që mban planeti Tokë, dhe me mikroplastikën që ka depërtuar thellësi të deteve e oqeaneve ku nëndetëset nuk shkojnë dot.

Por, siç thotë dhe Anna te Frozen II, kur kish ngelur tërësisht pa vullnet për të vazhduar, gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu në jetën e tij, është të bëjë gjënë e duhur të radhës (the next right thing). E cila fillon duke u menduar mbi këto çështje, duke u informuar, dhe duke marrë veprime konkrete në jetë. Si mundem unë mos të prodhoj 1kg plehra në ditë? Etj, ti je ti, unë jam unë, secili e di vetë gjëja e duhur e radhës.

Ama gjënë madhore të duhur të radhës e kemi të përbashkët, dhe nuk ka mohim e injorim që ta zhdukë nga sytë.

Ngadalësimin e ngrohjes globale.

 

 

– – – – – – –

Photo by Jon Tyson on Unsplash

Blog at WordPress.com.

Up ↑