Dërguar nga një ndjekëse speciale, redaktuar nga Laralara.

“Ky është mendimi im kam të drejtë ta jap s’ma ndalon dot ti” – tha ai, duke parë në boshllëk, me një zë që përpiqet të imponojë autoritet.
E drejtë i dashur Dori, nuk ta ndaloj dot dhe nuk më takon mua të të ndaloj. Fatmirësisht jemi në demokraci – me deformime gjenetike, po demokraci mbetet. Po duhet ta ndalosh vetë, dhe bëj durim, më dëgjo pse.
Eshtë imperative të të informoj që nuk është mendimi yt. Eshtë mendimi i gjyshërve, prindërve, mësuesve, televizionit, fesë, librave, revistave të modës, port-haleve, kushërinjve, prindërve të shoqeve te lagja, hallës, kurshqit që ti ke lozur nga ana e burrit të hallës, shitëses te marketi i lagjes.


Meqë e artikulove ti me zërin tënd dhe fjalët e tua, a quhet mendimi yt? Disa argumentojnë që asnjë mendim nuk është tërësisht origjinal, dhe po, ky argumentim është i saktë. Po do quhet origjinal, kur nuk është si shumicës dërmuese, sepse e konkludove ti në debat të fortë me veten tënde pasi u inforomove bollshëm.

E dyta Genta, ti nuk ke mjaftueshëm info mbi këtë temë dhe nuk është ofendim, pavarësisht se ti ashtu e përjeton. Nuk je përballur shpesh me mendimin kritik mbi këtë temë dhe sot këtu është ndër herët e pakëta (për mos të thënë e para) për ty sepse u hap natyralisht kjo temë.

Ti u ndjeve e detyruar të kesh një mendim (dhe pse nuk ta kërkova, thjesht shpreha veten time), dhe duke qenë se mendimet e atyre që e kanë studiuar temën janë shumë ndryshe nga mendimet e tjerëve – ti e more personale, u ndjeve sikur po të sulmon dikush, ndaj ofrove atë çka ti quan mendimin tënd.
Mirëpo personi që të erdhi me diçka (në dukje) radikale për ty, i kanë  kushtuar orë e ditë e muaj e vite të vijë me këtë mendim të gdhendur me kujdes dhe plot detaje. A i shpëton ndonjë shprehje popullore apo fakt jo rrumbullak? Patjetër, bisedë tavoline është. Po këto nuk janë baza për ta zhvleftësuar.
Ndërsa ti nuk je e/i barabartë.
Ti sapo mendove mbi këtë gjë, bëre ca konkluzione të shpejta në kokë të gjitha të mundësuara nga ide të jashtme shërbyer te ti që i vogël, dhe tani do një karrige të barabartë ne tavolinën e mendimit mbi një temë e cila përgojohet pa fund – po pak dinë mbi të.

Pastaj i dashur Anri, ti u ndjeve se ke të drejtën e mendimit tënd pasi kjo është një temë sociale që del çdo ditë në zyrë në një formë apo tjetrën, të del në feed-in tënd në Instagram me port-hale që keqformulojnë tituj me qëllim, të gjitha prej tyre. Të del në shtëpi me vjehrrit edhe me prindërit e shokëve të klasës së fëmijës tënd.

Dhe ti mendon automatikisht që ke të drejtë të japësh mendim (mbetet i njëjti mendim jo-origjinal që dhe më sipër).

Po të ishim duke folur për fizikën kuantike, nuk do jepje asnjë mendim, Klaudia.

Dhe po të informoj tani, këtu, që njohuria jote mbi fizikën kuantike dhe shëndetin mendor[1], është njësoj. Por te kjo e dyta, ti e ndjen se duhet të komentosh, dhe të merresh seriozisht nga audienca jote rastësore.

Dhe e fundit, Rea po në fakt e thashë që në fillim: të takon ty të ndalosh veten.

Autoriteti i vërtetë qëndron kur thua “nuk ia kam idenë, dhe më prezantove me ca ide të padëgjuara. Më duhet kohë ta mendoj”. Ose “Interesante. S’më kishte shkuar mendja kurrë”. Mbase “Kjo është nje temë që s’është se e kam menduar gjatë ndonjë herë ndaj nuk jam e sigurt çfarë të të them, përpos retorikës së përsëritur që të gjithë e dimë”. Apo dhe “A ka studime mjaftueshëm për këto që po thua? Statistika? E ke lexuar diku këtë fakt të frikshëm? Jo se nuk të besoj ty, por nëse ke kohë, më kalo ndonjërën”. Ose “S’jam dakord me ty, të paktën jo në pamje të parë. Duhet me u thellu mbase”. Pse jo “Ka ndodhur që kam ardhur kohë më mbrapa dhe të kam thënë kishe të drejtë mbi faktet që hodhe mbi X temë, thjesht unë nuk e dija në atë kohë”.

Kam replika pa fund për ty, Eri. Repika që të nderojnë ty, në vend se të shtysh pa lubrifikim, një mendim jo origjinal.

Dhe diçka e/i dashur Eri: unë gjithashtu s’kam njohuri bazike në plot tema. Unë s’të numëroj dot sa ministri kemi, jo mo emrat apo fytyrat apo strukturat e këtyre institucioneve. E kur ju diskutoni me njohuri të plotë, unë veç dëgjoj e bëj pyetje.


Por nuk ia thashë gjithë këto. Do e kisha humbur vëmendjen e saj/tij në fjalinë e tretë. Gjithë ky fjalim do përjetohej si arrogancë, po është thjesht e vërteta.

Egoja përcëllon në momentet më të rëndomta, e s’dua t’ia provokoj as të tjerëve, as vetes.

“Nuk po përpiqem të ta ndaloj. Thjesht e kam mendimin ndryshe nga ti – dhe di pak më shumë mbi këtë temë. As ti s’ma ndalon dot mua, apo jo”? Buzqesha dhe ia bëra “gëzuar”, dhe sigurisht ndërrova temë.


[1] Fjala vjen “shëndeti mendor”, tema ndryshon po ashtu si dhe personat në këtë monolog të brendshëm.