Çik’ mbi krenarinë

“Hë mi Tana. Mirë mirë të gjithë. Ja ashu, jemi bërë të fandaksur. Eee posi, mos e paçim kismet thuaj pa… Ju mirë të tërë? Shëndeti thuaj aman”.

Kjo është Teta Rita, mamaja e një mikut tim të vjetër. Teta Rita bën pite me gjizë si të Hyriemit, ushqen gjithë macet e lagjes rrugës për në rrobaqepësinë e saj. Ajo na flet të gjithëve ende sikur të ishim në kopsht duke i vezulluar fundi syrit kur na sheh.

Ndonjëherë mendohem ca si tepër e e më vjen si keq që brezi im u shkartis pa strukturë, dhe unë nuk kam mundësinë të jem një farë Teta Rite e kohës sime për shoqërinë e djalit tim.

“Arbëri? Ja ashtu si pa punë o Tana. Eee, po po merret me ato makinat sa për momentin, ça t’i bëjmë. Shëndeti thuaj aman. Apo s’e ka munduar dhe hemorroidja këto kohë”.

Arbërit i shpërthen kapuçino nga hundët. “O MA!!!” bërtet ai, pa zë. Mirë hemorroidja e Arbit që u bë temë publike tani nga tavolina jonë e mëngjesit, te tavolina e Tanës së mëngjesit. Por në fjalët e të ëmblës teta Rita, ka diçka që të gjithëve ne na bezdis; por nuk na takon të flasim. Sepse nuk ndërhyhet në punët familjare të të tjerëve, e para. Por dhe nuk mund të kundërshtosh kurrë atë që bën pite të arta me giizë.

Arbi, miku im i fëmijërisë, nuk është i papunë. Arbi nuk ka qenë kurrë i papunë. Ai është një njeri me duar magjike, kureshtar si një 6 vjeçar, me imagjinatë të pashterrshme, dhe i paaftë të pushojë. Gjithë këto cilësi e kanë aftësuar në një gradë që i mbijeton çfarëdolloj tërmeti e pandemie. Kur ishim 2 muaj brenda teksa unë harxhoja qeliza truri me Tiger King dhe krenohesha me quiche-t e radhës, Arbi filloi të bënte mobilje në oborrin e tij dhe na i tregonte në Whatsapp me modestinë sikur kishte mësuar nga Youtube si të paloste origami.

Arbëri ka studiuar administrim biznesi, flet 3 gjuhë rrjedhshëm, dhe dikur ka bredhur Amazonën me çantë shpine për 5 javë. Koncepti “është i papunë” nuk zbatohet dot te njerëz aq pjellorë sa ai.

Mirëpo Arbi ka punuar për herë të fundit me rrogë para 4 vjetësh në një quasi-korporatë ku i shfrytëzuan pa turp gjithë aftësitë e talentet e tij për 10-12 orë në ditë, pa rritje rroge. Dhe kur ai kërkoi 3 javë pushime pas 18 muajsh pa as edhe një ditë përveç të dielave, nuk ia dhanë. Por ia caktuan ata sa ditë, dhe kur do i merrte. Dhe Arbi të nesërmen nuk vuri alarm, dhe nuk iu përgjigj asnjë telefonate. As times, as teta Ritës, as të ish eprorit.

S’kam qenë kurrë më krenare për të.

Dhe ja kshu, Arbi është njeri i ndjeshëm dhe krenar. Koka i gumëzhin tërë kohës me idera të reja, duart i hanë të hapë ndonjë makinë a të kthejë ndonjë biçikletë me rrotat nga dielli. Nuk ka kohë as interes të përballet me ndjenjat e tij, apo t’i vendosë kufij vetes, familjes, kolegëve. Ai ose hesht, ose shpërthen në gjeste.

Dhe kështu Arbit as i shkon në mend dhe zor se do i shkojë, t’i vërë kufij njeriut më të shtrenjtë në jetën e tij – mamasë. Sepse teta Rita, duarartë e gojë mjaltë, nuk ka pasur asnjë lloj mundësie t’i bëjë bisht dogmave të brezit të saj (dhe jo vetëm brezi i saj!) mbi pritshmëritë e prindërve për fëmijët e tyre, të cilët sipas sistemit pak qindra vjeçar të ekonomisë kapitaliste, shkojnë në shkollë = marrin nota të mira = gjejnë punë të mirë = falin 50 orë në javë një kapitalisti/je = marrin rrogë fikse me tek tuk ndonjë bonus tallës = riprodhohen = dalin në pension.

Teta Rita e do si çdo nënë birin e vet. Madje mund të them që e adhuron. Po ajo s’është krenare më me të.

Arbëri kaloi verën e kaluar me turistë të huaj nëpër gjire e maja të Shqipërisë që unë s’kisha dëgjuar ndonjë herë; e kaloi vjeshtën e dimrin duke ndrequr makina që tanimë i jep me qira me biznes të zyrtarizuar. Ai flet se sapo të mbledhë pak para, ka dëshirë të rregullojë pajisje Apple dhe t’i shesë në një çmim të përballueshëm për popullin. Dhe unë e di që do e bëjë. Por jo.

Arbi është i papunë. Dhe pavarësisht se ai nuk ndihet, unë e di sa duhet ta vrasë ky imazh i nënës së tij për të. Ai vazhdon e vazhdon, edhe pse i pavlerësuar nga njeriu që ai vlerëson më së shumti. Se jo për gjë po nuk e di sa u shpjegova, por asaj i ka ngjarë. Teta Rita e quan brengë këtë gjë, mbase dhe e përjeton si të tillë. Paçka se tani ka një komo shtrembaluqe gjithë sharm që mund të shitej dhe 2000 Euro; ka kush e di sa pajisje inteligjente nëpër shtëpi, nja 2 makina paksa Retro dhe s’ka paguar fatura ka kush e di sa vjet. Arbi, nuk punon në korporatë. Pikë.

Qeshëm me hemorroiden, e puthëm në ajër Ritën, dhe u shpërndamë. Unë brengosesha nga pak rrugës duke uruar që Arbit mos t’i hyjë në gjak mosmiratimi i njeriut më të dashur, por të vazhdojë të përmirësojë këtë vend me duart e mendjen e tij galaktike. Pasi shpesh herë, pengesën kryesore për të ecur para, e marrim nga ata që u besojmë verbërisht.

Sikur të kishe dhe nja dy … palë këpucë!

Shkrim nga Vefi.

 

Atëherë po më thua që ia arrite më në fund të ulesh tek tavolina e cunave. Po, patjetër që t’u desh më shumë se një dhjetëvjeçar punë profesionale, me gjasa duke u zënë sistematikisht me burrin për qasjen tënde mashkullore me punën në krahasim me familjen. Të kushtoi ca thinja, nja tri shtresa rrudha tek sytë dhe flokë, flokë që vijojnë të bien pa fund dhe ndonjë herë kur del nga parukeria mendon “bravo më qoftë që më kanë mbetur akoma edhe ca!”

Po fundja ti nuk di se si bëhet ndryshe. Që në shkollë kur të kërkonin t’u bëje hartim atyre që rrezikonin të ngeleshin, u thoshe “aman kopjoni timin, po mos më thoni ta bëj prapë”. Jo sepse përtoje por sepse nuk mund të bëje dot diçka shkel e shko. Thjesht nuk ke ditur të marrësh kurrë rrugën e mesme. Ke qenë më e mira dhe pavarësisht sa shumë e ke dyshuar veten, pas kaq shumë e shumë njerëzish e situatash, disa herë të fshehura mes entuziazmit fillestar të të qenit mes të ngjashmish, më në fund arrite ta kuptoje, shyqyr jo në prag pensioni, që në fakt në mos më perfektja, je më e mira nga ç’të rrethon.

Kjo sa i përket punës se është dhe ajo historia me nënën tënde super intelektuale që ndërkohë që lexonte libra dhe e vinte babain të nderte të brendshmet e gjithë familjes, kur i the për vendin tënd tek tavolina e burrave e para gjë që të tha ishte “Oh të keqen mami po shtëpia s’do të të shohë më fare”! Po ti gjithsesi bëre sikur nuk u lëndove, sepse ti fundja je si burrat, që nuk merren me gjëra të vogla por ecin e shohin para sypetrita.
Saktë? Hajde tani, s’ish kaq e madhe kjo e mamit kur ke bërë kaq e kaq herë sikur nuk je lënduar. Si tani, kur burrat e tavolinës kanë  gjysmë ore që diskutojnë kush luajti më mirë në kalçeto një natë më parë e se sa birra u pinë: 30 apo 40 për kokë.

E ulur ne tavolinën rrumbullake me tabelat e ekselit në dorë i përfytyron duke shpullosur njëri-tjetrin prapanicave ndërkohë që midis vlerësimeve akademike që i jepnin asistentes së re të katit, me gjasa vendosnin me hundë fatin e tabelave të përgatitura me kaq diligjencë nga gocat e kontabilitetit. Fundja ku ta dinë të shkretat që janë departamenti më i prapambetur nga pikëpamja estetike. Si e di ti këtë?  Po patjetër që e di në fakt, sepse pardje në të njëjtën mbledhje u diskutua pikërisht për këtë, ndërkohë që me delikatesën më të madhe çunat të diferencuan nga të tjerët duke të të dhënë maksimumin e pikëve për kombinimin e truve me look-un. Fantastike kjo! Ti ke koleget më të mirë në botë: të respektojnë, të trajtojnë si shok dhe së fundmi kanë pranuar  që ty nuk të takon të mbash shënime më shumë se çdo njërit prej tyre.

E meqë nuk e bën asnjëri, atëherë keni ftuar atë asisteten e re që me këtë rast të ndihmojë dhe në zgjidhjen e dilemës së dy ditëve përpara. Shumë të mira janë tabelat që të kanë përgatitur. Gocat këtë radhë kanë ndjekur vijën logjike që u shpjegove, kanë bërë një super analizë kostosh që vë në dyshim praninë në tavolinë të së paku njërit prej çunave, qëllon që është ai që paguan gjithmonë birrat.

Dreq! E di çfarë?
Bëji mutin, thuaji ok asaj që qartazi kanë vendosur që dje dhe harroji tabelat. Fundja ka probleme më të mëdha kjo botë se frustrimi yt me tavolinën e çunave!

 

 

Harrova t’i bie bostanit.

Photo by Vidar Nordli-Mathisen

Eshtë momenti që vera i ka ditët me pikatore. Edhe pse fundi i saj do të shtyhet gjithmonë e më shumë, sepse zakonet e species sonë kanë shkaktuar një dukuri natyrore që quhet “ndryshim klime” dhe që ne e injorojmë me vendosmëri.  Në këto ditët e kësaj zagushie të pafytyrë të gjithë janë me nervat e kaçurrelepsur më keq se flokët e mi (mbase prandaj ngela duke i shtrirë) sepse çdo gjë duhej dje.

Mirëpo dje ishte vapë.
Ishim në bregdetin shqiptar duke u ankuar. Ishim në bregdetin grek duke adhuruar.
Shqiptartët  (apo ish-shqiptarët?) në emigracion erdhën, lanë ca lekë, nuk lanë dije, dhe bënë qokën e sharjes vjetore.

Gjithsesi… një mënyrë shumë e mirë për të hequr mendjen nga kjo e hëna më e gjatë e vitit – shtatori –  është të rikapitullosh si e kalove verën.

Unë e fillova me detin më blu në botë, detin Jon. Pashë çuna me muskuj e vetullprerë që futen në ujë, po lajnë krahët një herë nga frika se mos është shumë i ftohtë. Vdes për këtë specien që mund të jetë edhe kriminel, po tërë jetën e jetës çun mami. Po të kesh mendjen te detajet, çun-mamllëku del te futja në det dhe te çorapet.

Pashë vajza e gra që ia dolën të kishin mirëqenie e të uleshin në shezlone të shtrenjta dhe të futen në ujë pa lagur kurrë kokën (mos o zot luaj vendit), po prapë janë gjak-prishura kryesisht sepse ndonjë femër tjetër po ua prish terezinë dhe sepse nuk dinë të përpiqen të jenë të lumtura, edhe sepse nuk ekziston leku që t’i emancipojë – emancipimin ta sjell vetëm përballja me jetën. E se harrova, mos t’ju shkojë mendja për mbrapsht: ajo femra tjetër mund të jetë mami ose shoqja.

Eca nëpër asfaltin e thyer të kryeqytetit, e pashë burra të aftë që përpiqen të emancipohen, po që u del vetja nga kontrolli kur hasin gra të afta që s’janë me patjetër ekonomiste apo juriste. Ç’t’u thuash? Në fakt janë ca vite dritë para atyre që besojnë se femra ekziston vetëm për të nxjerrë mini-njerëz nga trupi. Por janë vite dritë larg të trajtuarit një femër si të barabartë në punë, gjithashtu. Dhe bëhen xhelozë, dhe fryjnë damarët e qafës.
Frojdi ka të drejtë; kudo ai sheh nënën.

Ndërrova kontinent në një vend ku emancipimi përfytyrohet si 2150 nga ata që s’e kanë përjetuar. Ndërkohë që thitha pluhur perëndimor e hëngra domate me muskuj si ai tipi që mezi futet në det, takova shoqe të vjetra që edhe pse shqipen e kanë pothuaj harruar, nuk kanë harruar t’u shërbejnë meshkujve të jetës së tyre me larje rrobash, gatim, pastrim shtëpie.

Plasa 9 valixhe dhe një karrocë në një Uber e pasi nuk fjeta në avion se më shihej Dumbo, palosa faqen duke fjetur në kolltukët  e aeroportit të Vjenës.

U ktheva në muajin më të tmerrshëm në Tiranë, ku truri vetëm sa rri ndezur me 7% bateri dhe zëri rrëshqet si dinozauri i Blinit kur po i mbaron bateria. Vajtova Amazonën, pastaj lexova që në fakt, ka shumë vjet që nuk është Amazona që dija unë kur isha 10 vjeç.

E vajtova gjithsesi. Atë dhe pyjet e tjera që po shuhen që ne të hamë mish.

U sëmura, u deha, dhe eca nën pishat e Gjirit të Lalzit dhe m’u kujtua sa i rëndësishëm ka qenë Adriatiku kur rriteshim.

Në ajrin e pastër, erën e pishave dhe rërën që e ndjen në mes të gishtave të këmbëve, pashë nëna e gra, duke nderur rroba e duke shpërdoruar zorrën.

Vetvetiu mendoj për verën e 2020, duke uruar të më gjejë diku që s’ma pret mendja.

Dhe duke uruar që të shoh sa më pak gra zhytur në punë të rëndomta, dhe sa më pak vajza ku u lexohet në ballë që i ka rritur një nënë që rrit ndryshe djalin nga vajza… Dhe sa më pak tipa gjoja të vështirë që çorapet i kanë të bardha deri te kyçi dhe kanë frikë nga deti Jon.

Njerëzi, o njerëz.

*Nuk kam asnjë të drejtë autoriale mbi imazhin*

Kisha ngelur në majë të kodrës për të zbritur në bregdet. Po kërkoja taksi por çik si pa sukses. Me thënë të drejtën më habit me ç’ritme të ngadalta lëvizin oportunistët në bregdet, po nejse.

Më thonë 2 zotërinj që ndoshta e bënë për humor që buron nga frustrimi, “thuaji atij burrit me xhip ai bën taksistin”. Unë zgjedh t’i besoj njerëzit jo se jam naive, po se 1) nuk ngrihem nga krevati me thikën e mprehur 2) kur të bëj një pyetje dhe nuk të njoh, nuk pres të bësh ‘humor 9 vjeçareje” . I afrohem zotërisë, dhe pas një bisede të stërzgjatur karakterizuese “jo po ku do ikësh ti” “jo po a je taksist” “moj ku do ikësh”, hipa.

Zotëria nuk ishte taksist aspak, po bëri një gjest njerëzor pasi nuk pranoi pagesën dhe as nuk donte asgjë nga unë. Mua s’më dilte e keqja, sepse vërtet nuk dal nga shpia me biçak, po fuqia e tepruar e lekut në një popull në esencë familjar dhe mikpritës, ka arritur të bëjë bullizëm te unë. Nuk më besohej që e bëri me njerëzillëk bazik.

Ata zotërinjtë lart më bënë nder, se mora taksi pa pagesë.

Besoj po ta merrnin vesh do u vinte shumë inat. Se pavarësisht se unë kam vënë një perde të trashë që më bllokon pamjen e inatit, ai qenka aty.

Dhe më erdhi pak keq për veten time po dhe për shumë të tjerë si unë. Ngrihemi në një vend përrallor çdo ditë, e fillojmë ditën ashtu… Deri sa dikush, diku, ka idenë gjeniale për të ta prishur ditën.

Në fakt duhet të jesh e vëmendshme që mos të lejosh të të prishet dita, se mënjgesi e ka vetinë që vetëm po shkele bishtin e maces, ajo ulëriu dhe ti ulërive mbrapsht, ka mundësi që edhe futja në makinë të iki mbrapsht, ndalesa në semafor, dhe gjëja zmadhohet në “butterfly effect”.

Po kjo është dukuri njerëzore kudo.

Ca nuk është dukuri njerëzore kudo, është ky instikti aq i ekzagjeruar “me ta fut”. Nuk e di nga buron, përtoj dhe ta analizoj deri në fund.

E megjithatë, përgjigja e parë më thotë që vjen nga diktatura aq kanceroze shqiptare, ku vëllai ia fuste vëllait se mbante pulë fshehurazi se ka djalin sëmurë. Po ajo është e trishtë dhe e largët.

Dhe e kam me të dëgjuar.

Mbase vjen nga sensi i humorit.

Por e refuzoj dhe atë. Edhe pse një ndër gjërat që ia dua vendit tim është humori, që nga Kosova e deri në Sarandë dhe ia mbaj vetes që kam sens humori gjenetikisht, të zi e të bardhë, të pisët e të pastër.

Humori nuk është keqadashje ku vetëm njëra palë argëtohet.

Pastaj them mos është personale – mbase më ndodh mua se nuk e kam këtë instikt “me ia fut”. Shto pastaj aty variablën ‘femër’, ‘e qeshur’, ‘buzët e kuqe’, je direkt amatore në jetë dhe ay boti që e ka IQ sa e sa më të ulët se ti, e ka të drejtë të lindur të të japë urdhra apo të tallet.

Do vazhdoj të mendohem për këtë gjë pasivisht, sepse bluja aq e thellë e detit jon, xixëlluar nga valët dhe freskuar nga flladi, hë për hë nuk më lejon të inatosem. Por do citoj një mik jo shqiptar, i cili e adhuronte këtë vend, por tani ka filluar ta lodhë.

“Kur unë pyes ç’ishte ajo sjellje egoiste me ‘ta fut’ pa arsye, më thonë me të qeshur cinike ‘ehu pse ça prite ti o plak?’ Çfarë prita?? Një marrëdhënie njerëzore motherf***er. Kaq e vështirë qenka?”

 

Sikur ça bëri.

Ah, kjo hierarkia e jetës profesionale. Kalon vitet e fëmijërise dhe të adoleshencës pa kokërr leku, duke u munduar të kuptosh se çfarë duan zyshat prej teje. Nuk është se ti nuk do t’ua japësh, thjesht nuk i merr vesh. Do kalojnë shumë vite, para se në fakt të kuptosh, që e kanë ato për detyrë të të kuptojnë ty, jo e kundërta. Po në një sistem ku shkolla fatkeqësisht nuk është në gjendje të të ngrejë lart… Ti përpëlitesh, me hormonet e tua, shpesh dhe me konflikte në familje, të bësh më të mirën, duke ëndërruar ditën që je e/i pavarur dhe merr rrogë.

E mbaron shkollën, je stazhiere, pastaj vazhdon me rrogë minimale, të rritet pak… Me shpresën që një ditë të ngrihesh e të jesh menaxher apo drejtoreshë. Atëherë hallet mbarojnë.

E jo për njerëz që s’i kanë punët mirë me sistemin. Nuk flas për kriminelë, sigurisht :) po flas për njerëz si vetja ime, që kanë nevojë për hapësirë që sistemi, ashtu me kufij siç është i ndërtuar, nuk ta lejon. Terrori im personal, pasi mbërrita deri te faza e ‘drejtuesit’, ishte që do të mbes aty gjithmonë. E paaftë për të qenë si eprori im, sepse për të qenë si ai, duhet kohë për të ideuar gjënë tënde, dhe unë 8-10 orë në ditë ia kisha taksur atij kundrejt një rroge të mirë. Gjithashtu e pa zonja për të zbritur një shkallë më poshtë: aty ku paga është më e ulët, por të mban shpresa që ka më lart, dhe liria më e madhe se e drejtueses.

Kur arrin menaxheren, duket sikur mbaroi. E kjo ide, për rebelin me ose pa arsye, është shpresë vrasëse.

Ndaj ngadalë, si me stil, fillova të nxjerr njërën këmbë nga sistemi, siç pak mësues për së mbari që kam pasur në jetë, kanë parashikuar për mua. Fillova të ndërtoj gjëra që nuk e dija as vetë ku ishin nisur; e nuk kisha as kë të pyesja.

E ndërkohë që as andej as këndej, gjithmonë në dijeni të sistemit po si jashtë tij, ndodh shpesh që kur më pyet dikush “po çfarë bën ti konkretisht në këtë projekt?” unë rri e mendohem të gjej fjalët e duhura. E kur rri e mendohem unë, që ndër të tjera paguhem për t’u shprehur, imagjino sa më të vështirë e kanë të tjerët, që truri i tyre vlen për të tjera gjëra.

Dhe momentin që disa nga këta njerëz, që janë në pozitë drejtuese po jo vizionare, nuk dinë ta materializojnë në veprime si rënie me çekan, dhe me rezultate TE MENJEHERESHME, thonë “hë mo se sikur ça bëri. E ja, e kisha bërë vetë, po nuk kam kohë.”

E kisha një problem me këtë shprehje përgjithësuese bastarde të papërgjigje, e ngjashme në natyrën e vet si “populli s’ka bukë të hajë”. Nuk e kisha dëgjuar direkt për mua, po për njerëz që unë ua vlerësoj shumë punën, thënë nga të tjerë që nuk ua kuptojnë punën, nuk kanë durim të presin rezultatet, nuk shikojnë përfitimet e tërthorta të punës së këtyre njerëzve pak më ndryshe, por që ama, kanë në duar pagën e këtyre njerëzve.

Për shembull, unë punoj me evente të ndryshme, disa prej tyre të mëdha. Ajo që bëj unë, po të filloj ta shpjegoj, është një libërth i vogël, nuk është një gjë: që nga mbledhjet krijuese ku mundohem të frymëzoj të tjerët dhe veten, mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe mbi të gjitha, detajet. Ato detajt!
Duke ndjekur detaje që dritshkrutr-a thotë shprehimisht: “Po merresh me detaje! S’kemi kohë për detaje!”

Po nuk shtrive kabllo e i re çekanit, po s’vrapove kot më kot ujë në djersë, nuk ke bërë gjë.
Pastaj edhe po i shtrive kabllo e i re çekanit, ai personi pa vizion që pastaj nuk kupton pse nuk po bëhet milioner – ki mendjen, milioner nuk bëhesh kur jep orë duke “ruajtur” të tjerët – do thotë “Do e kisha bërë vetë po nuk kam kohë”.

Të kërkosh gjëra të prekshme me rezultate të menjëhershme (“Kur duhej kjo?” – “DJE!” – shprehja e preferuar e klientëve, dhe u duket si zbulim personal) është ajo çka ty të pozicionon tipikisht në një vend të pazhvilluar pa mentalitet lideri. E nga inati që s’po ecin përpara si Elon Musk apo dhe thjesht fare si ai pronari i lokalit përballë lokalit të vet, fillojnë abuzojnë punëmarrësit gojarisht po edhe me orë pune të kota; shajnë vizionarët me “hë mo sikur ça bëri”, zihen me rojen e parkimit, ulen në kafe, dhe thonë “s’merr vesh ky popull ere jo”.

Asgjë e mirë nuk është bërë sot për nesër, asgjë e mirë nuk është bërë pa vëmendje në detaje, asgjë e mirë nuk do bëhet kurrën e kurrës, nëse nuk respekton profesionalizmin e tjetrit.

Blog at WordPress.com.

Up ↑