Mbretëria e premtuar

Herët kam lexuar diku se Mbreti Zog është shprehur se e ndjente veten si mbret i 3 milionë mbretërve. Pastaj lexova që në fakt e ka thënë Konica si diçka filozofike mbi të qeverisurit të shqiptarëve.

E unë bëj ç’bëj i rikthehem kësaj shprehjeje, çdo herë me një dimension të ri. Sepse kushdoqoftë ai që e ka thënë, është në tërësi e vërtetë.

Do cilësoj 2 dallime, ama. E para shifra 3 milionë (apo 10, megjithë diasoprë?) përgjysmohet direkt. Gjinia femër nuk është pjesë e këtij ekuacioni. Gjinia femër shërben, shërben, dhe shërben ca më shumë.

E dyta, këta mbretër që rriten në këtë territor kaq të vogël, kaq magjepsës, kaq me tehe, me kripë e diell, për fatin e tyre jo fort të mirë dhe pa as edhe një përgjegjësi personale, proçesin e mbretërimit e kanë pak për së prapthi.

Fillon nga fundi në fillim.

Si Benjamin Button, i cili lind plak, dhe ves i porsalindur.

Prindërit e rinj i gëzohen lindjes së djalit si do t’i gëzoheshin ardhjes së Mesias. (Ka ardhur apo jo ndonjë here ai, e diskutojmë një herë tjetër)  Një pjesë patjetër rrudhen kur është vajzë, e ata të paditurit fare, e abortojnë.

Që në lehoni fillon rritja e djalit sikur lindi direkt mbreti, e jo sikur lindi djali i mbretit, siç edhe ka pas shkuar ky proces në monarki. I puthin gjenitalet shkallëve, bëjnë kurban edhe kur s’kanë. Vendosin çdo femër në familje në shërbim të tij dhe teksa djaloshi rritet, i jepet në fytyrë gota e ujit, i rregullohet krevati teksa ai lan dhëmbët.

Nuk i prishen teka për objekte përtej mundësive familjare. Këta prindër, e këto nëna, pasi mua më duhet me dhimbje të drejtoj gishtin më shumë nga nënat se nga baballarët duke qenë se këta të fundit nuk para e quajnë burrëror prindërimin… Këto nëna e bëjnë këtë lloj prinërimi brez pas brezi, edhe pse nuk kanë kapitale të asnjë lloji. Nuk kanë kapital financiar, nuk kanë kapital të rrjetit të gjerë të njohjeve (kapital shoqëror), e as ndonjë kapital intelektual të spikatur.

E ndërkohë, këta djem po bëhen adoleshentë.

S’kalon shumë dhe janë burra tashmë. Çuditërisht (për mua jo!) çdo ditë më të frustruar, më topolakë, më pak gazmorë.

Ngadalë po me vendosmëri, po i kapëlon e vërteta të cilës sa më shumë të piqen nuk do i bëjnë dot bisht.

Hap pas hapi po kuptojnë që në të vërtetë, salltanetet morën fund me vaktin kur ishin në protektoriatin e plakës.

Në të vërtertë nuk kanë në pronësi asnjë pallat me 68 shërbyes që flenë nëpër bodrume.

Ishte thjesht mami, me asistencë motre, në prezencë të saj. Ato i shërbyen dhe nuk e lejuan të aftësohet, duke krijuar iluzionin që s’i duhet të bëjë shumë në jetë, dhe në mënyrë indirekte atij iu mbi ideja që do të jetë gjithmonë dikush në funksion të tij.

Mirëpo mami nuk ka ç’ofron më, dhe motra ka vazhduar përpara, sepse duke u trajtuar si dytësore, ajo në fakt ka mësuar shumë më shumë të jetë e zonja e vetes.

Nuk paskan as kapital financiar. As bota nuk është e tyrja. Dhe pa gjetur ndonjë nuse, nuk do u shërbejë njeri. E prapë, as ajo nuk shërben si plaka.
Nuk paskan kujt t’i drejtohen.

Nuk qenkërkan mbretër.

Nuk paskan asgjë përveç se jetës dhe rëndomtësisë së saj, që kur ke shëndetin, është  pasuria më e madhe në këtë planet të vetmuar.

Dhe kur nuk je pajisur që në gjenezë si të përballesh me këtë vetminë e të qenit adult, shpërthejnë jo rrallë titujt që ndosin news – feedet.

25 vjeçari vrau shokun për motive të dobëta.

28 vjeçari vret gruan, krim pasioni. (Cfarë dreqin do të thotë “krim pasioni”??)

Kapet 21 vjeçari me 18 kg kokainë.

.

.

.

Të gjithë në kërkim të mbretërisë së premtuar.

Meqë e përfunduam dhe vallen e 4543 miliardtë…

Photo by Greg Rakozy on Unsplash

Si një anëtare tipike e brezit tim dhe dhe anëtare e komunitetit që nuk beson dot se surprizat e pa kërkuara të jetës shtyhen pa humor, kaloj shumë kohë duke parë meme. Madje kur më çon të dielën iPhone raportin se sa kam ndenjur në ekran, kam filluar i kthehem “po ty kush t’pyti?”

Memet e fundvitit të preferuara janë të natyrës: “çfarëdo premtime që je duke i bërë vetes e botës për 2020, do jesh po i njëjti trashaluq (duke qenë së premtimi i parë është palestra) dhe e njëjta “rob i keq”, kshu që vazhdo ha panetone, etj.

Më pëlqen edhe sa realistë kemi filluar të bëhemi si specje, dhe si komb e kemi kapur kët’ trend. Themi të vërtetën pa të keq, sidomos në emër të humorit.

“E vërteta nuk do t’ia dijë për nevojat apo dëshirat tona. Nuk i intereson për qeveritë, ideologjitë, fetë. E vërteta do të rrijë aty duke pritur, përjetësisht.” (nga mini seria “Chernobyl”).

Humori atë ka bërë tërë jetën e vet: ka thënë të vërtetën në një mënyrë që ne mos të ofendohemi nga brutaliteti i të vërtetës.

E ndërkohë që nuk kam ndonjë plan konkret se ç’do bëj me harqet jo natyrale mbi vithet e mia, kam patjetër plan të them të vërtetën gjithmonë e më shumë, pavarësisht se sa rrudhet dëgjuesi. Pasi këto rrudhjet e dëgjuesve të ndryshëm, më mësuan të gënjej që në adoleshencën e herët, dhe gënjeshtra nuk më vjen aspak natyrale.

Dhe siç edhe memet e fundvitit  ironizojnë pa mëshirë faktin që njeriu nuk ndryshon dot brenda natës e as muajit… Edhe unë bie dakord se netët e gjata të ftohta të janarit nuk kanë aftësinë të ndryshojnë me magji në një njeri më “të mirë” – patjetër sipas përkufizimit tënd personal se çfarë të bën ty “më të mirë”. Nuk janë as ftuese të dalësh për vrap.

Por janë të mira për të ndenjur me veten tënde, dhe nëse ka ndonjë hap konkret drejt transformimit të vetes aty ku ti mendon se duhet të jesh, është reflektimi.

E për atë, ka gjithmonë kohë.

Siç ka dhe stomaku gjithmonë vend për ëmbëlsirë.

Rrotullim të lumtur rreth diellit!

Sikur të kishe dhe nja dy … palë këpucë!

Shkrim nga Vefi.

 

Atëherë po më thua që ia arrite më në fund të ulesh tek tavolina e cunave. Po, patjetër që t’u desh më shumë se një dhjetëvjeçar punë profesionale, me gjasa duke u zënë sistematikisht me burrin për qasjen tënde mashkullore me punën në krahasim me familjen. Të kushtoi ca thinja, nja tri shtresa rrudha tek sytë dhe flokë, flokë që vijojnë të bien pa fund dhe ndonjë herë kur del nga parukeria mendon “bravo më qoftë që më kanë mbetur akoma edhe ca!”

Po fundja ti nuk di se si bëhet ndryshe. Që në shkollë kur të kërkonin t’u bëje hartim atyre që rrezikonin të ngeleshin, u thoshe “aman kopjoni timin, po mos më thoni ta bëj prapë”. Jo sepse përtoje por sepse nuk mund të bëje dot diçka shkel e shko. Thjesht nuk ke ditur të marrësh kurrë rrugën e mesme. Ke qenë më e mira dhe pavarësisht sa shumë e ke dyshuar veten, pas kaq shumë e shumë njerëzish e situatash, disa herë të fshehura mes entuziazmit fillestar të të qenit mes të ngjashmish, më në fund arrite ta kuptoje, shyqyr jo në prag pensioni, që në fakt në mos më perfektja, je më e mira nga ç’të rrethon.

Kjo sa i përket punës se është dhe ajo historia me nënën tënde super intelektuale që ndërkohë që lexonte libra dhe e vinte babain të nderte të brendshmet e gjithë familjes, kur i the për vendin tënd tek tavolina e burrave e para gjë që të tha ishte “Oh të keqen mami po shtëpia s’do të të shohë më fare”! Po ti gjithsesi bëre sikur nuk u lëndove, sepse ti fundja je si burrat, që nuk merren me gjëra të vogla por ecin e shohin para sypetrita.
Saktë? Hajde tani, s’ish kaq e madhe kjo e mamit kur ke bërë kaq e kaq herë sikur nuk je lënduar. Si tani, kur burrat e tavolinës kanë  gjysmë ore që diskutojnë kush luajti më mirë në kalçeto një natë më parë e se sa birra u pinë: 30 apo 40 për kokë.

E ulur ne tavolinën rrumbullake me tabelat e ekselit në dorë i përfytyron duke shpullosur njëri-tjetrin prapanicave ndërkohë që midis vlerësimeve akademike që i jepnin asistentes së re të katit, me gjasa vendosnin me hundë fatin e tabelave të përgatitura me kaq diligjencë nga gocat e kontabilitetit. Fundja ku ta dinë të shkretat që janë departamenti më i prapambetur nga pikëpamja estetike. Si e di ti këtë?  Po patjetër që e di në fakt, sepse pardje në të njëjtën mbledhje u diskutua pikërisht për këtë, ndërkohë që me delikatesën më të madhe çunat të diferencuan nga të tjerët duke të të dhënë maksimumin e pikëve për kombinimin e truve me look-un. Fantastike kjo! Ti ke koleget më të mirë në botë: të respektojnë, të trajtojnë si shok dhe së fundmi kanë pranuar  që ty nuk të takon të mbash shënime më shumë se çdo njërit prej tyre.

E meqë nuk e bën asnjëri, atëherë keni ftuar atë asisteten e re që me këtë rast të ndihmojë dhe në zgjidhjen e dilemës së dy ditëve përpara. Shumë të mira janë tabelat që të kanë përgatitur. Gocat këtë radhë kanë ndjekur vijën logjike që u shpjegove, kanë bërë një super analizë kostosh që vë në dyshim praninë në tavolinë të së paku njërit prej çunave, qëllon që është ai që paguan gjithmonë birrat.

Dreq! E di çfarë?
Bëji mutin, thuaji ok asaj që qartazi kanë vendosur që dje dhe harroji tabelat. Fundja ka probleme më të mëdha kjo botë se frustrimi yt me tavolinën e çunave!

 

 

Si guxon të kesh emocione?

Një ndër memet e mia të preferuara nëpër internet është ajo ku Fevziu i bërtet një panelisti “Pu-sho!”.

Më pëlqen kënga që i kanë bërë, shkon në shumë situata, është simbolikë e kulturës sonë të debatit. 

Fevziun në atë video e kanë “qitë prej taktit” që thonë në Kosovë, nuk ka absolutisht asnjë faj. 

Ama edhe pse kjo video ka gjeneruar humor dhe vazhdon të jetë e gjallë mes nesh, ende nuk dëgjova askënd të thotë për Fevziun “u emocionua”.

Ishe me nerva.

E humbe i çik, Fevzo!

Dhe kur e mendon hollë e hollë, nuk e kam dëgjuar ende për asnjë zotëri që shfaq emocione në televizion, ku shpesh eskalon në agresivitet real. 
Ndoshta ju nuk e keni vrarë mendjen pse jo, ama e kam vrarë unë.

Duke qenë se jam njeri pasionant, dhe jam krenarisht e gjinisë femër, njerëzia kapëlohen vetë nga “emocione” të edukuara që në vegjëli, dhe merren me gjërat e gabuara. 
Shpesh kur kam paraqitje televizive vetë dhe debati mërr ngjyra emocionale, mua, një femër, më thuhet “u emocionove”. 
Femrave të tjera u thuhet e njëjta gjë, e nëse nuk shfaqin emocion, u thuhet “aman sa e bukur ishe bërë si kukull”.

Po si s’ju vjen zor një herë, nuk i thatë kurrë Fatos Lubonjës “Ishe bërë si kukull”! 😤

Pak rëndësi çfarë the. Rëndësi paska se çfarë transmetove te publiku, vizualisht.

Fillimisht e kam pak veshtirë të kuptoj se ç’problem ka nëse dikush shfaq emocion. Herën e fundit që kontrollova, emocionet janë tërësisht për njeriun. Më pak për kafshët, e hiç për robotët. Për më tepër debati fton 2 ose më shumë palë që kanë mendime të kundërta; emocionet vijojnë si reagim biologjik. 
Ah po, harrova: vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. Edhe u besojnë moj të varfërat u besojnë, siç edhe thotë Jovan Bregu. 
 Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, rrëzoni kranin e kamerës!

Pastaj, bravo ju qoftë që konstatuat sa emocione patën panelistet femra dhe sa kukulla ishin bërë të tjerat. Po ndonjë gjë, dëgjuat se çfarë thanë? Se fundja fundit, debatet kanë për qëllim të paraqesin të dyja palët e një argumenti, dhe në situata normale, të ftuarat e të ftuarit dinë 2-3 gjëra më shumë se ti, ndaj dhe janë aty. Kjo patjetër që ka vend për diskutim, po përgjithësisht është e saktë. Mos do ishte më mirë të hapnim veshët për të përthithur ndonjë njohuri të re, para se të hapnim sytë mbi “kukull-iz-min” dhe të konstatonim emocionet? Sepse duke u nisur nga vetja të paktën, kur ndjek ndonjë debat, preferoj të shkoj në bërthamë të çfarë ka për të thënë personi, mbaj shënim në kokë a ishte info me vlerë, dhe nëse kam dyshimet e mia, e verifikoj saktësinë. Dhe nuk mendoj që bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, se e zakonshme jam.

Por ndjej që sidomos kur ka paneliste femra, një vizë e madhe i vihet fjalimit, dhe merremi me detaje sipërfaqësore. Ah po, harrova sërish, unë e gjora! Vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. 
Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, (shyqyr armëmbajtja është e paligjshme!) rrëzoni kranin e kamerës!

Dhe e fundit: njerëzit që kanë ndryshuar botën janë karakterizuar nga pasioni. Mendoni njerëzit që adhuroni botërisht, dhe më thoni që s’kanë/kishin pasion. Dhe sipas fjalorit: pasion = emocion i fortë, gati i pakontrollueshëm. Unë kam pasion, dhe mos u merr me kromozomet e mia.

As mos u emocioni nga ky shkrim e të më thonu që u emocionova.

Harrova t’i bie bostanit.

Photo by Vidar Nordli-Mathisen

Eshtë momenti që vera i ka ditët me pikatore. Edhe pse fundi i saj do të shtyhet gjithmonë e më shumë, sepse zakonet e species sonë kanë shkaktuar një dukuri natyrore që quhet “ndryshim klime” dhe që ne e injorojmë me vendosmëri.  Në këto ditët e kësaj zagushie të pafytyrë të gjithë janë me nervat e kaçurrelepsur më keq se flokët e mi (mbase prandaj ngela duke i shtrirë) sepse çdo gjë duhej dje.

Mirëpo dje ishte vapë.
Ishim në bregdetin shqiptar duke u ankuar. Ishim në bregdetin grek duke adhuruar.
Shqiptartët  (apo ish-shqiptarët?) në emigracion erdhën, lanë ca lekë, nuk lanë dije, dhe bënë qokën e sharjes vjetore.

Gjithsesi… një mënyrë shumë e mirë për të hequr mendjen nga kjo e hëna më e gjatë e vitit – shtatori –  është të rikapitullosh si e kalove verën.

Unë e fillova me detin më blu në botë, detin Jon. Pashë çuna me muskuj e vetullprerë që futen në ujë, po lajnë krahët një herë nga frika se mos është shumë i ftohtë. Vdes për këtë specien që mund të jetë edhe kriminel, po tërë jetën e jetës çun mami. Po të kesh mendjen te detajet, çun-mamllëku del te futja në det dhe te çorapet.

Pashë vajza e gra që ia dolën të kishin mirëqenie e të uleshin në shezlone të shtrenjta dhe të futen në ujë pa lagur kurrë kokën (mos o zot luaj vendit), po prapë janë gjak-prishura kryesisht sepse ndonjë femër tjetër po ua prish terezinë dhe sepse nuk dinë të përpiqen të jenë të lumtura, edhe sepse nuk ekziston leku që t’i emancipojë – emancipimin ta sjell vetëm përballja me jetën. E se harrova, mos t’ju shkojë mendja për mbrapsht: ajo femra tjetër mund të jetë mami ose shoqja.

Eca nëpër asfaltin e thyer të kryeqytetit, e pashë burra të aftë që përpiqen të emancipohen, po që u del vetja nga kontrolli kur hasin gra të afta që s’janë me patjetër ekonomiste apo juriste. Ç’t’u thuash? Në fakt janë ca vite dritë para atyre që besojnë se femra ekziston vetëm për të nxjerrë mini-njerëz nga trupi. Por janë vite dritë larg të trajtuarit një femër si të barabartë në punë, gjithashtu. Dhe bëhen xhelozë, dhe fryjnë damarët e qafës.
Frojdi ka të drejtë; kudo ai sheh nënën.

Ndërrova kontinent në një vend ku emancipimi përfytyrohet si 2150 nga ata që s’e kanë përjetuar. Ndërkohë që thitha pluhur perëndimor e hëngra domate me muskuj si ai tipi që mezi futet në det, takova shoqe të vjetra që edhe pse shqipen e kanë pothuaj harruar, nuk kanë harruar t’u shërbejnë meshkujve të jetës së tyre me larje rrobash, gatim, pastrim shtëpie.

Plasa 9 valixhe dhe një karrocë në një Uber e pasi nuk fjeta në avion se më shihej Dumbo, palosa faqen duke fjetur në kolltukët  e aeroportit të Vjenës.

U ktheva në muajin më të tmerrshëm në Tiranë, ku truri vetëm sa rri ndezur me 7% bateri dhe zëri rrëshqet si dinozauri i Blinit kur po i mbaron bateria. Vajtova Amazonën, pastaj lexova që në fakt, ka shumë vjet që nuk është Amazona që dija unë kur isha 10 vjeç.

E vajtova gjithsesi. Atë dhe pyjet e tjera që po shuhen që ne të hamë mish.

U sëmura, u deha, dhe eca nën pishat e Gjirit të Lalzit dhe m’u kujtua sa i rëndësishëm ka qenë Adriatiku kur rriteshim.

Në ajrin e pastër, erën e pishave dhe rërën që e ndjen në mes të gishtave të këmbëve, pashë nëna e gra, duke nderur rroba e duke shpërdoruar zorrën.

Vetvetiu mendoj për verën e 2020, duke uruar të më gjejë diku që s’ma pret mendja.

Dhe duke uruar që të shoh sa më pak gra zhytur në punë të rëndomta, dhe sa më pak vajza ku u lexohet në ballë që i ka rritur një nënë që rrit ndryshe djalin nga vajza… Dhe sa më pak tipa gjoja të vështirë që çorapet i kanë të bardha deri te kyçi dhe kanë frikë nga deti Jon.

Kartën e identitetit?

 

Sa herë shoh diku idenë e drejtpardrejtë apo të nënkuptuar që ‘pamja e jashtme nuk ka rëndësi’, më vjen keq sa e pavërtetë është. Për mua është e pashëndetshme se sa shumë rëndësi ka pamja e jashtme, po të vërtetën nuk e zgjedhim dot, dhe ajo është që ka shumë, shumë rëndësi. Dhe këtë dëshirë për të kënaqur syrin para se të kënaqë shumëçka tjetër, njeriu nuk e shfaq vetëm duke dashur të ketë pranë vetes njerëz të bukur: si specje paguajmë për kafshë race, rrisim buxhetin për detin sa më blu për pushime, dhe kemi në mend estetikën e makinës para funksionit.

E unë kam ca kohë që e mendoja po nuk dija si ta shprehja pa tingëlluar si dikush që kritikon çdo gjë bashkëkohore vetëm pse përton të jetë pjesë e saj. E kam fjalën për modën dhe trendet e këtij dhjetëvjeçari në lidhje me paraqitjen fizike të kryesisht femrave, edhe pse meshkujt kanë përparuar shumë!

Këto trende e moda falë shkencës kanë shkuar më larg se “outfit”-s, make-up dhe flokë e mjekër. Siç edhe jemi dëshmitarë dita-ditës, moda ndërhyn në strukturën e fytyrës dhe trupit të gjithkujt, vetëm a ke para në bankë (edhe poshtë dyshekut bën) dhe këllqe të futesh në narkozë të plotë.

Fillova të alarmohem kur arrita në pikën që nuk po dalloja më artistet shqiptare nga njëra tjetra: femrat  të gjitha me mollëza, buzë, vetulla identike, dhe meshkujt nga mjekra hipster apo man-bun (topuz për çuna). Këtë shqetësim ma artikuloi thjesht, pastër pa gabime, jo më larg se aktorja Zoe Isabella Kravitz –  vajza e Lenny Kravitz dhe Lisa Bonet, dy ikona të viteve 90’. [Zoe është edhe protagoniste në serialin e HBO “Big Little Lies” – përkthyer pak a shumë në “Gënjeshtra të mëdha të vogla”, së bashku me Nicole Kidman, Reese Witherspoon dhe Maryl Streep. E rekomandoj fort, aq më fort për çifte apo prindër të vetëm që kanë fëmijë të vegjël.]

Dhe Zoe vijon: “Shumë njerëz janë duke ri-skulpturuar tërësisht fytyrat e tyre dhe po bën që të gjithë njerëzit të duken njësoj, që për mua është turp. Gjithkush është unik por dhe ndryshe në mënyrën e tyre, dhe unë mendoj që ajo është një gjë shumë e bukur. Make-up duhet përdorur vetëm për të nxjerrë në pah pikërisht këto vlera”.

Duke mos dashur asnjë moment të hedh poshtë risitë dhe mundësitë e sotshme, propozoj ta marrim pak ç’po ndodh sot dhe ç’ka ndodhur më parë, duke dashur të nxjerrim më të mirat e secilës epokë për t’i përdorur sa më mirë në funksion të paraqitjes personale.

Sot:

Gjithë kjo kirurgji estetike (në fakt, shpesh edhe pa ndërhyrje kirurgjike) i jep mundësinë shumë njerëzve që nuk janë rehat me një apo disa nga tiparet e veta. Fundja gjenetika është shpesh e pamëshirshme, dhe jo të gjithë lindim të bukur si Zoe. Kështu që nëse daja mund të ndihmojë të kesh hundën e ëndrrave, pse jo?  Por… A ke disiplinën të ndalesh, se! Se kemi parë hundë më të vogla se të djalit tim të porsalindur në një fytyrë me ballë të gjerë natyralisht. Dhe të gjithë e shohim që ka një gjë që nuk shkon; po personi në fjalë është pak e verbër duke qenë se ka hyrë shumë thellë në vallen e kirurgjisë.

Make-up-i ka avancuar njësoj si kirurgjia kur vjen puna për të “skulpturuar” fytyrën. (Hidhi një sy në Instagram kinezes Yuyamika për t’u shokuar sesi me thjesht fuqinë e makeup, ajo shndërrohet në Johnny Depp ose Taylor Swift). Lojërat e ndryshme të konturit bëjnë që të fsheshësh ato që nuk do të tregosh, dhe të nxjerrësh në pah ato që do. Po edhe këtu, duke u lëshuar dora pa karar, po shohim në rrugë dhjetëra ‘repilca-s’ të Kim Kardashian në çdo cep, se jo për gjë po konturimi e bën dhë ngjyrën e lëkurës si ta duash ti.

 

Burrat kanë filluar të kujdesen shumë më shumë për paraqitjen e tyre. Në rrugët tona sheh këmisha më ngjyra, tiranda, pantallona me lloj lloj stampimesh, mjekra të stër-kuruara e balluke ku është hedhur para për produkte. Në perëndim, këta meshkuj vënë dhe makeup. E para se të shash, po të them që jo me patjetër janë LBGT (po edhe po të jenë!) dhe ti as e di që kanë vënë, aq finë janë. Personalisht, këtë gjë e pëlqej. Në shumicën e specjeve të tjera, është mashkulli ai që përpiqet që të duket më bukur për të tërhequr femrën!  (Kujto: luani, dreri, zogjtë ekzotikë). Dhe e dyta, më pëlqen shumë të thyejmë stereotipet e meshkujve më higjenë minimale, me thonj të paprerë, kokën e rruar zero, mjekrën si vegjetacioni i Llogarasë.

Një herë e një kohë:
Këtu përfshihen shumë dhjetëvjeçarë por sa i përket të kaluarës, do ndalem vetëm te një argument: Sharon Stone nuk dukej si Mariah Carey dhe pastaj Whitney Houston nuk dukej si Aaliyah. Vërtetë makeup-i sidomos në fund të viteve 80’ dhe fillim 90’ ishte një vizatim i 3-vjeçarit tim –  vetulla fije peri, pudër blu deri te fija e perit, laps buzësh lejla, e buzë rozë. Por askush nuk kishte maninë të dukej identik si të tjerët.

Meryl Streep dhe Uma Thurman tërë jetën kanë pranuar shaka për hundët e tyre!

Cuna goca, burra, gra, trans e LGBT, propozoj të shfrytëzojmë gjithë shkencën dhe teknikat e sotshme në më të mirën e paraqitjes sonë tërësisht unike, duke e ruajtur atë siç ruan UNESCO Beratin.

Kjo rinia e sotshme, e pardjeshme, dhe e para erës sonë…

Para ca ditësh vizitova vendin ku kam punuar kamariere kur isha studente. Eshtë një restorant tipik amerikan “diner” ku shërbehen të gjitha vaktet dhe ka menu të larmishme. Si rrjedhojë është shumë orë hapur dhe është zakonisht plot. Ai shtet nuk ka kufizim orësh se sa do punosh, vetëm a je e zonja t’i marrësh përsipër. Unë duhet të paguaja shkollimin tim, ndaj merrja orë aq sa kishte dita nganjëherë, një maksimum prej 15.

Dhe m’u kujtua që isha 20 vjeç atë kohë, pa çka se në kokën time aq jam ende 🙃 dhe sesi njerëz të moshës sime sot, që më dukeshin shuuumë të rritur e të pjekur (ëhë) kur merrnin vesh sa vjeç isha, me thoshin gjëra të tipit “shijoje, je në kulmin e energjisë dhe rinisë, kohët ikin shpejt e nuk kthehen”.

Sigurisht askush nuk e kupton ç’ka në dorë, kurrë. Jo vetëm punoja 10-12 orë në ditë me tabaka e arka në duar, po në fund fare, hiqja përparësen me ceremoni dhe dilja me shoqet ndonjë herë dhe deri në orët e para të mëngjesit. E nesërmja pak e turbullt dhe me dhimbje koke, po asgjë që advil-i s’e rregullon.

(Sot duhet të më premtosh shkollimin e fëmijës që ta bëj.)

Aty ishin ca vajza të tjera 20 vjeçare që më dukeshin aq të freskëta. Menaxheri po i njëjti, me flokët tërësisht të bardha tashmë, në bisedë nostalgjike e sipër më tha diçka të tipit: “Kjo rinia e sotshme janë kot më kot Lura. Këto s’kanë interes për asgjë” dhe vazhdoi kështu.

Vërtet nuk jam 20, dhe shpesh e gjej veten duke zgurdulluar sytë që të mundohem të kuptoj ca trende, po e refuzoj me vendosmëri këtë shprehje. Ka shumë arsye pse nuk është ok. Sepse e para dhe më e rëndësishmja: nuk jam xheloze dhe e di që koha s’kthehet prapa. Edhe ti, nëse i jetove ato vite dhe gjithë të tjerat para e pas kulmit të rinisë, nuk ke pse të hidhërohesh që kanë ikur, përkundrazi, je i lumtur që i pate.

E dyta mendoj është fakti që çdo shoqëri, në çdo epokë e çdo lloj shteti, ndahet nga “klasa” të ndryshme dhe njerëzit në këto klasa e jetojnë jetën ndryshe. Klasat të caktuara e quajnë “shthurje dekadente” se çfarë bëjnë ata të lagjes X të rritur ndryshe, ndërsa këta të fundit i shohin ata të tjerët si alienë në atë që veshin apo muzikën që dëgjojnë. Dua thjesht t’ju përkujtoj që mbase ti nuk po kupton “rininë e sotshme” sepse vjen prej një formimi tjetër soj; po t’i kishe moshatarë, prapë s’do puqeshe plotësisht.

E treta  dhe mbase më e rëndësishmja, është refuzimi për t’u  edukuar dhe përditësuar. Kuptohet, ke arsyet e tua: të jesh e rritur është grackë të cilës vetëm i shtohen dhëmbëzat. Por prapë, askush nuk të detyrohet asgjë, e aq më pak të rinjtë e sotshëm. Nuk kupton çfarë bëjnë gjithë ditën në telefon? Pyeti. Pa tendencë, pa paragjykim.

Kur ta shpjegojnë, pyet prapë. Pyet prapë, e prapë.
Nuk i kupton flokët me ngjyra e trupin me tatuazhe? S’ke nevojë. Moshatarët e tu në Woodstock 1969 merrnin kalori vetëm nga drogërat e larmishme dhe bënin seks në grupe të mëdha në publik. Nuk je ti më i mirë e më i moralshëm me patjetër; ti qëllove në vend komunist.
Rrinë gjithë ditën me lojëra në kompjuter ndërkohë që ti vidhje kumbullat e Nafijes e të
zhdëpte në dajak çuni i vet krejt pa nevojë? Ulu. Kërko të ta tregojë lojën. Kërko të mësosh historinë dhe pyete pse i pëlqen aq shumë.

Siç edhe u tha; njerëz të ndryshëm kanë formim të ndryshëm dhe ndoshta disa prej tyre kanë pak personalitet me varësi apo kanë probleme me depresionin. Jo se brezi yt s’ka pasur, po ti s’ke ditur çfarë është shëndeti mendor. Asgjë për t’u krenuar.

Ky keqkuptim i ka bazat universale të çdo keqkuptim dhe keqinformim me dashje:

Nuk e kuptoj, ndaj e shaj.

Nuk mund ta kem, ndaj e shaj.

Për ta mbyllur desha dhe t’ju kujtoj që nuk është as ndonjë thënie origjinale meqë pretendoni që e ka fajin ky brez specifikisht.
Ky paragraf është marrë nga një libër i 1790 që quhet “Kujtimet e Familjes Bloomsgrove” ku Enos Hitchcock shkruan:
“Qasja falas që rinia e sotshme ka në novela dhe shfaqje romantike ua ka helmuar mendjen dhe korruptuar moralin shumë prej të rinjve me të ardhme premtuese; dhe ka ndaluar të tjerët që ta përmirësojnë mendjen me njohuri të vyera. Prindërit janë shume të shqetësuar që t’i ushqejnë fëmijët me një dietë të gjithëpërfshirëse, dhe nuk po shqetësohen për mendien e cila po mbushet me ushqim, plehra apo helm?”

Nuk ka rifreskim më të madh se të kalosh kohë me të rinj.

Njerëzi, o njerëz.

*Nuk kam asnjë të drejtë autoriale mbi imazhin*

Kisha ngelur në majë të kodrës për të zbritur në bregdet. Po kërkoja taksi por çik si pa sukses. Me thënë të drejtën më habit me ç’ritme të ngadalta lëvizin oportunistët në bregdet, po nejse.

Më thonë 2 zotërinj që ndoshta e bënë për humor që buron nga frustrimi, “thuaji atij burrit me xhip ai bën taksistin”. Unë zgjedh t’i besoj njerëzit jo se jam naive, po se 1) nuk ngrihem nga krevati me thikën e mprehur 2) kur të bëj një pyetje dhe nuk të njoh, nuk pres të bësh ‘humor 9 vjeçareje” . I afrohem zotërisë, dhe pas një bisede të stërzgjatur karakterizuese “jo po ku do ikësh ti” “jo po a je taksist” “moj ku do ikësh”, hipa.

Zotëria nuk ishte taksist aspak, po bëri një gjest njerëzor pasi nuk pranoi pagesën dhe as nuk donte asgjë nga unë. Mua s’më dilte e keqja, sepse vërtet nuk dal nga shpia me biçak, po fuqia e tepruar e lekut në një popull në esencë familjar dhe mikpritës, ka arritur të bëjë bullizëm te unë. Nuk më besohej që e bëri me njerëzillëk bazik.

Ata zotërinjtë lart më bënë nder, se mora taksi pa pagesë.

Besoj po ta merrnin vesh do u vinte shumë inat. Se pavarësisht se unë kam vënë një perde të trashë që më bllokon pamjen e inatit, ai qenka aty.

Dhe më erdhi pak keq për veten time po dhe për shumë të tjerë si unë. Ngrihemi në një vend përrallor çdo ditë, e fillojmë ditën ashtu… Deri sa dikush, diku, ka idenë gjeniale për të ta prishur ditën.

Në fakt duhet të jesh e vëmendshme që mos të lejosh të të prishet dita, se mënjgesi e ka vetinë që vetëm po shkele bishtin e maces, ajo ulëriu dhe ti ulërive mbrapsht, ka mundësi që edhe futja në makinë të iki mbrapsht, ndalesa në semafor, dhe gjëja zmadhohet në “butterfly effect”.

Po kjo është dukuri njerëzore kudo.

Ca nuk është dukuri njerëzore kudo, është ky instikti aq i ekzagjeruar “me ta fut”. Nuk e di nga buron, përtoj dhe ta analizoj deri në fund.

E megjithatë, përgjigja e parë më thotë që vjen nga diktatura aq kanceroze shqiptare, ku vëllai ia fuste vëllait se mbante pulë fshehurazi se ka djalin sëmurë. Po ajo është e trishtë dhe e largët.

Dhe e kam me të dëgjuar.

Mbase vjen nga sensi i humorit.

Por e refuzoj dhe atë. Edhe pse një ndër gjërat që ia dua vendit tim është humori, që nga Kosova e deri në Sarandë dhe ia mbaj vetes që kam sens humori gjenetikisht, të zi e të bardhë, të pisët e të pastër.

Humori nuk është keqadashje ku vetëm njëra palë argëtohet.

Pastaj them mos është personale – mbase më ndodh mua se nuk e kam këtë instikt “me ia fut”. Shto pastaj aty variablën ‘femër’, ‘e qeshur’, ‘buzët e kuqe’, je direkt amatore në jetë dhe ay boti që e ka IQ sa e sa më të ulët se ti, e ka të drejtë të lindur të të japë urdhra apo të tallet.

Do vazhdoj të mendohem për këtë gjë pasivisht, sepse bluja aq e thellë e detit jon, xixëlluar nga valët dhe freskuar nga flladi, hë për hë nuk më lejon të inatosem. Por do citoj një mik jo shqiptar, i cili e adhuronte këtë vend, por tani ka filluar ta lodhë.

“Kur unë pyes ç’ishte ajo sjellje egoiste me ‘ta fut’ pa arsye, më thonë me të qeshur cinike ‘ehu pse ça prite ti o plak?’ Çfarë prita?? Një marrëdhënie njerëzore motherf***er. Kaq e vështirë qenka?”

 

Çfarë çmimi ka më e çmuara?

Shumica e kryeqytetasve kanë një histori të lezetshme për të treguar. Bëhet fjalë për historinë e zhvillimit të bregdetit Jon, një det që unë nuk e ndërroj me asgjë që kam parë. E dashuroj si kodrat e djerra bien tangent në guralecët e bardhë, si shfaqen në mirazh ishuj që mendojmë se duhet të ishin tanët, dhe si ndërron blu-ja në aq shumë gradientë, që nuk ka kamerë që tregon dot të vërtetën.

 

Nuk di ç’bëhej në vitet 90’, por di që nga Vlora e tutje fshatrat kishin shumë pak lidhje me Tiranën dhe di historira allasoj kur shqiptarët e vizitonin atë zonë, ndiheshin sikur po shklenin në një Greqi të pa zhvilluar.

Duhet të kenë qenë fillimet e viteve ’00 kur bar-et e plazheve morën hov 90% e historitë janë kështu:

“Mbaj mend verën e parë që u hap XX. Njerëzit ishin të shlirë, muzika ishte super, çmimet shumë të përballueshme. Kërcenim deri në mëngjes rreth banakut dhe na zinte dhe gjumi te shezlonët, edhe pse kishim çadër”.

Mbaj mend… Por tani kam 6 vjet pa shkelur. Isha se më çoi kushëriri nga Amerika, dhe u trishtova.”

Prapë, nuk dua të ndalem të shaj jugun. Ua kam lënë gjithë portaleve dhe të mllefosurve që rrugën e famës në internet e bëjnë duke sharë e pështyrë mbi çdo gjë. Unë e shoh vetë që ka alternativa e organizime të mira, çdo vit e më shumë.

Por po mendoja për ëndrrat e njerëzve që nuk rrinë dot pa krijuar diçka. Dikur dhe këta njerëz, që më së shumti kanë punuar në emigracion, kishin ëndrrën e tyre të barit në plazh. Teksa lanin gota për dikë tjetër e dinin fort mirë ç’bregdet kemi ne, dhe çdo ditë atë ëndrrën e tyre e pasuronin si apartamentin e ri. Sot vëmë banakun… Imagjinojmë pozicionin… Me se do e dekorojmë… Si do vëmë dhe një dyqan të vogël ku do shesim syze e kremëra… Si do t’i lemë çadrat larg njëra tjetrës dhe që të gjithë të kenë pamje të mirë nga deti…

Ata që ia dalin, e hapin. Vitin e parë është një shëmbëlltyrë e mirë e ëndrrës po jo tamam aty.

Vitin e dytë i afrohet shumë.

Vitin e tretë e arrin…. Me ca surpriza të mëdha. Vjen dhe vulgu i njerëzve. Se kot e kemi, produktin origjinal të mirë menduar, e duan të gjithë.

E aty plas pastaj… Paratë fluturojnë mbi banak, njerëzit rreshtohen se duan një copëz, gangsterrat e institucionalizuar duan haraçin, presioni arrin kulmin, dhe hap pas hapi fillon shitja e shpirtit tek shejtani. Jo nga të gjithë, të kuptohemi. Por nga shumë.

Shejtani ka emër lek i pisët, në formën e lacit që nuk ka shije. Kështu që lokali ndërron interiorin, është më solid por i humbet fryma autentike, që do të thotë shëmtohet.

Shejtani vjen në formë të muzikës që dhunon veshin e shpirtin. Muzika free style nuk pranohet më. Duhet muzika më e pakuptimtë, e vjedhur, sa më shumë “autotune” dhe fjalë që përsëriten deri në psikopati.

Shejtani vjen në koktej hiper të shtrenjtë krahasuar me strukturën e tij të lodhur, alkolin e keq dhe shurupet mediokre.

Të gjitha këto, sepse ai pronari ëndërrimtar shiti shpirtin që strehonte ëndrrën.

Njerëzimi ka monetarizuar çdo të mirë materiale, por iluzionohet thellësisht nëse mendon se ëndrra shitet me kartmonedha. Jo o jo, as me Lekë, as Euro, as Bitcoin.

Mirëpo “Leku” te ne është një kodosh që s’di kufijtë e veta. Plus presioni i një vendi të egër në zhvillim e bën të vetën, dhe ai pronari i vë çmim monetar ëndrrës së vet. Vit pas viti hyn në perandorinë e tij, ndoshta në sipërfaqe duke u ndier krenar për famën dhe lluksin sipërfaqësor…

Po a i gëzohesh detit siç i gëzoheshe, mik? Në fakt, sa ke pa u larë?

A je i lumtur tani që dhe ti ke një çantë burri me shkronja që duan të thonë “unë kushtova 1500 Euro”? A ndalesh dhe mendon për atë ëndrrën tënde kur ishe akoma në Greqi? A e kujton, apo e ke varrosur me lekë? Lekë që hollë e hollë, as janë të tuat.

Unë për vete kam një ëndërr të re.
Që ëndrrat dhe vizionet e mia të kem fuqinë mos t’i shes.

Që të rrethohem nga njerëzit e duhur që më cytin para, dhe nuk bien pre e kënaqësive afat shkurtër.

Që të jem në gjendje të shijoj gjërat gjatë gjithë procesit, e jo për instagram.

Dhe që mbi të gjitha, “leku” të jetë partner jete, jo qëllimi final.

R.I.P. gjithë vendeve cool në Tiranë e bregdet.

 

 

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑