Një llaf të mirë desha.

Kur kam shkuar për herë të parë në Amerikë, nuk kishte se si mos të më linte përshtypje pritja spektaklore në biznesin më të rëndomtë nga një njeri që s’e kisha takuar kurrë në jetë e me siguri s’do e takoja më.
“Hi sweety how are you? You look wonderful today!”
“Mirëdita zemër si je? Dukesh e mrekullueshme sot!”

Shumë shqiptarë atje akoma s’mësoheshin dot me këtë mënyrë komunikimi, dhe më të papjekurit ndër ta dhe ua kthenin me shaka shqip, çka mua më dukej e panevojshme. U dukej ‘amerikanizëm’, ‘furrçe’, ‘servilizëm’ e fjalë të tjera që lëri fare. Ishte një trend që dhe te ne, sapo kish filluar. Ndërkohë që në vitet 90’ na u desh ta kalonim duke u çmësuar me ‘shoqe, shok, xhaxhi, teta’, në fillimet e 00’ në rrethe të caktuara rifilloi ‘zemra, ylli, shpirti’. Mua s’më ka bezdisur kurrë kjo gjë, e si në Amerikë si këtu nuk e quaj dot furrçe, se jo për gjë po “furrçe”-n besoj se di ta dalloj mirë.

Furrçja është forma më e ulët e të marrit me të mira, për të marrë mbrapsht atë që të duhet. Kjo me të vërtetë di të jetë e bezdisshme, dhe vjen nga njerëz me ngrohtësi të kufizuar dhe pikërisht pse ata e dinë këtë gjë, të bëjnë dush që me mëngjes me lëvdata se çfarë njeriu je ti, si krahasohesh me perënditë dhe me eliksiret e planetit Tokë. Herët e para të lezeton, kush nuk i do fjalët e mira? (Përveç atij shqiptarit në Amerikë që zgërdhihet me sy në tokë). Po pastaj ia pi lëngun. Pastaj përton t’i përgjigjesh në telefon, rrotullon sytë teksa personi në fjalë rreshton fjalimet, dhe të vjen t’i thuash direkt “ça halli ke dil në temë”.

Po kjo nuk është e njëjta gjë si kur hyn në bankë apo në kafe, dhe personi që do të të shërbejë të pret me buzëqeshje, të bën një kompliment gjenerik ose dhe personal, dhe pastaj vazhdon marrëdhënia e ëmbël e cila filloi siç duhet, me këmbën e djathtë.

Po te ne ndodh ende shumë pak. S’krahasohet me 15 vjet më parë, po prapë ti je vetull ngrysur se si do komunikosh me dikë që po komunikon për herë të parë. Mbase sepse jemi shumë të përfshirë vetëm te vetja jonë dhe hallet tona, këtë temë e kam cekur dhe më herët ne fakt. Por cilado qoftë arsyeja, ka ardhur koha, siç e do dhe viti 2018, të piqemi “komunikimisht”. Buzëqeshja  dhe përgjigja kur të kërkohet, nuk ka pse të jetë as luks e as “me tip”. Atë e vesh në mëngjes si rrobat. Kur ti si shërbim dhënës bën një gabim, para se të arrish ta korrigjosh ose të thuash pse nuk e korrigjove, duhet të marrësh me të mira, të kërkosh falje. Jo të fillojë faji zinxhir “pse u derdh makiato mbi sheqer e tabaka” me fytyrë të shqetësuar që nga baristi te makina e espresos e shoferit që solli pakot e kafes në mëngjes.

Komunikimi është edukatë me pahir, nuk është me “tip”. Përgjigja, fjalët e mirësjelljes, sqarimi dinjitoz pa kaluar degë më degë, buzëqeshja, e sërish përgjigja, përgjigja… Janë detyrime adultësh. Edhe nëse nuk ta mësoi familja, duhet të ta mësojë puna e jeta me zor.

Lindja e Largët ka një thënie të lezetshme: “Kujdes mendimet, ato bëhen fjalë. Kujdes fjalët, ato bëhen zakone. Kujdes zakonet, ato bëhen karakteri yt. Kujdes karakterin, bëhet fati yt”.

E kuptoj që një thënie e tillë do ndryshim radikal të mënyrës së jetesës, po mund të fillohet në gjysëm të saj: Kujdes komunikimin: zbërthyer në fjalët e buzëqeshjen.

Besomëni, bën magjira. Jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por me veten.

Nuk të lexoj po nuk shave njeri!

Tekstualisht këto fjalë m’i tha një miku im para ca ditësh. Jo që nuk e dija, se fundja artikujt që bëhen më viralë në newsfeed-in tim janë sigurisht kur përmendet fjala “ku..vë” kot më kot (zakonisht kundra ndonjë femre të suksesshme ose kundra nënës së një biri të suksesshëm). U çua ai boti mbrapsht dhe vendosi të shajë me emra. Ndërsa një tjetër vendosi të shkelë parimet për t’ia dalë, por nuk ia doli, dhe kjo gjë e ka tërbuar, se kuptoi që dhe dallaverja ka shkollën e vet. Dhe i japin penës me furi, kryesisht fjalën ‘k..vë” me qejf të madh duke e shkruar, por dhe plot gjëra të tjera aspak interesante.

Këto artikuj, me mbidozë dufi e xhelozie i sheh kudo, me njerëz që i shpërndajnë me diçitura të tipit “hë më të lumtë pena!”

Por unë e kam të pamundur të kem respekt për mllefin që mundohet medomos të gjejë problemin sa më larg vetes, duke evituar në mënyrë spektakolare pasqyrën, ndonjë herë dhe më kuptimin e parë të fjalës.

E dimë ç’politikanë kemi.

I zgjodhëm vetë, dolën nga ne. Mendon që mund të bësh punë më të mirë? Fillo nga fisi, lagjja, TV e nëse e mban dot në kurriz atë lloj përgjegjësie super-natyrale pa cenuar as edhe një grimë integritetin e parimet e tua, dhe ia del të marrësh gjithmonë vendimin më të duhur për çdo qytetar që merr frymë, jepi se do të të japim një shans.

E dimë ç’institucione kemi.
Ata që punojnë aty janë rrasur në të prapmet e fistarit të vet politikan, ose ia falën shpirtin partisë hyjnore që i trokiti në derë duke ofruar vend pune në këmbim të votës, dhe është investimi i vetëm që kanë bërë, në vend se të përmirësonin veten e tyre, të mësonin diçka të re, apo të zhvillonin një pasion.

E dimë ç’shoqata kemi.

Janë kapur me një temë të caktuar, marrin ato fonde për atë temë, e më shumë risi ke në projektet e studentëve (nëse i lexoi njeri) sesa nga projektet e zbatuara të këtyre shoqatave.

E dimë ç’mësuesë kemi. Në gjimnaz u trondit kolektivi i mësuesve se unë ofrova një prespektivë ndryshe mbi një personazh letrar të rëndësishëm. Mendim i lirë? Ulu, 6! Vetëm meqë e ke lexuar librin, se për 4 me xhufkë je me këto që the!

E dimë ç’policë kemi.

Parkojnë shtrembër ndërkohë që s’kishin rripin lidhur, për të dalë e për të gjobitur ata që s’kishin rripin lidhur e që kanë parkuar shtrembër. Unë për vete për 2 lekë i bëj, dhe zakonisht përfundon ata duke më kërkuar falje mua. (Kam dëshmitarë!)

E patë sa kollaj për të sharë?

Tani këtij policit po i vë një emër, politikanit emër mbiemër edhe emër nëne, asaj drejtoreshës së instituit emër, mbiemër vajzërie, emër fëmije, sha e mallko, quaji k..va të gjithë dhe ja ku e ke, mijëra klikime me “hë më të lumtë pena”.
Po jo, nuk funksionon ashtu.

Refuzoj t’i personalizoj gjërat. Refuzoj të mishëroj barcoletat ku Nastradini nuk kërkon pasuri për vete, po kërkon t’i hiqet komshiut. Refuzoj dhe më fort të bie pre e diskutimeve politike, ku djalli është gjithmonë tjetri, e partia jote është shenjtore. Jo o zonjë jo. Aspak zotëri, nuk ecet para ashtu.

Unë e shoh të pasqyruar te radha e furrës deputetin X, te roja e parkimit policin Y, te dadoja ime mësuesen Z. Nuk ranë nga qielli këta njerëz që duhet të shajmë, dolën nga këto radha e pazare e kafe. Edhe nëse do shaj ndonjë person publik, nuk do bëj vetëm për të turpëruar atë, po në përpjekje për të ndërgjegjësuar ty e mua që gjejmë veten në sjelljen e saj/tij.
Jo, nuk e kam personale me askënd, dhe e kam personale me të gjithë.

Janë mekanizmat e mërzitshme të përditshmërisë që vënë në lëvizje turbinën madhore që duhet ta shajmë për popullaritet. Kushdo që është në majë të turbinës që ia vleka për t’u përmendur, ka qenë këtu në dhé një herë, pastaj është ngritur një shkallë, pastaj dhjetë për një herë, deri sa hipi në majë.

Kështu që preferoj të dal në rrugë me pasqyrë, të shoh veten dhe t’ua tregoj të tjerëve herë pas here. E nëse aty reflektohet dhe Pop Star-ja më e klikuar apo politikani më i sharë, do ia drejtoj pasqyrën përballë. Dhe ashtu nxirren në pah dukuri, ndizen motorët e humorit, i bihet fort tastierës dhe afishohet shkrimi.

E meqë e lexove deri në fund, urdhëro një dhuratë: fjala “k..vë” për të katërtën herë 🙂

 

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑