Vizitorët kundrojnë me mosbesim godinën *si e goditur* ku ndodhet apartamenti i tyre aq i bukur në aplikacion.
Ca më tutje po thonë që plazhet janë bosh.
Grupe të shoqëruara dëgjojnë histori të ish vilës së diktatorit, teksa pasardhësit e tij kalojnë qetë rrugën.
Muzeu është mbyllur, Valbona gjelbëron, deti Jon mbetet i pa shqetësuar nga gjithë thashethemet e dy-këmbëshave.
Si një vendalie me një fare krenarie, kisha disa vëzhgime për vizitorët, sipas shikimit tim periferik.
~ ~
Një shoku im më pat treguar se nëse dua të vizitoj Indinë, shokimi më i madh do të ishte që qytetet nuk mbizotërohen nga njeriu. Elefanti, majmuni, lopa, e kanë qytetin të tyren po aq sa ne njerëzit.
Vizitore e dashur, as Tirana nuk mbizotërohet nga njeriu.
Të drejtat parësore i kanë makinat, dhe dytësoret lokalet.
Ndaj uroj mos të jesh me karrocë pasi do bësh një farë rrugëtimi të lojërave pa kufinj – ndonjë here kapu për hekura dritaresh të katit të parë, futu mespërmes “llaunxh”-it me vegjetacion plastik, hip nëpër gurë, ose jepi “free-style” mes makinave.
Disa prej jush keni hezituar të vini. Keni parë që jemi ndër vendet më të varfëra të Europës, dhe natyralisht keni menduar, “kjo sjell dhe krim të lartë”.
Po ju s’e dini që në masë, mikpritjen e vëmë para përkujdesjes së njëri-tjetrit. Me krenari themi që lëmë pa ngrënë fëmijën, e mikun jo. Ndërkohë që mua s’më duket zbavitëse kjo logjikë, ti je shumë në rregull vëlla.
Sepse dhe krimin e kemi për njëri-tjetrin, jo për ju.
Gjithashtu, te ne s’ka vjedhje thuajse kurrë. “Xhepistët” janë në zhdukje, dhe thyerje brenda shtëpive janë aq të rralla që unë s’di a u besoj më që ndodhin vërtet, apo portalet rrenacake që vazhdojnë rrejnë.
Dhe si grua vetë, ju tregoj që dhe sulme të vajzave të panjohura, nuk ka.
Ashtu si bota e zhvilluar, vajzat te ne i sulmojnë të afërmit e tyre.
Ndaj thuaja dhe miqve kur të kthehesh.
Ju kanë thënë që jemi myslimanë, dhe me sa duket kjo përbëka problem (?). Unë s’po ju them as që jemi, as që nuk jemi. Po provën e bën lehtësisht duke pyetur të parin shqiptar: “çfarë janë hadith-et”?
I mban mend lokalet që t’i përmenda si me më shumë të drejta se njerëzit? Tani, patjetër, si specie superiore që janë, kanë nën-specjet e tyre. Njëra ndër to janë “burr’toret”. Grupime meshkujsh që rrinë në kafe meshkujsh. Nuk janë me patjetër të pirë ose të rrezikshëm; por janë patriarko-bizantinë – nuk marrin pjesë fare në shtëpi, edhe pse gratë punojnë me kohë të plotë që prej komunizmit tashmë. Ata rrinë me njëri-tjetrin, rrotullojnë kanotjeret mbi barkun e dhjamosur, dhe nëse je e/i ngarkuar nuk çohen të të ndihmojnë.
Po ishe grua në timon duke parkuar, do vijnë me vrap pa ftuar, po.
Nuk i kemi punët dhe aq mirë me fitness-in, e vure re? Jemi të bekuar me ushqim nga klima, traditat aq të larmishme, dhe traditat moderne – ish emigrantët sot kuzhinierë të ardhur nga Italia dhe Greqia kanë pasuruar kulinarinë tonë një pikë që shumë prej jush, për atë arsye keni ardhur.
Po ne vetë ende nuk i kemi të shëndetshme raportet me konsumimin. As nuk mbajmë marrëdhënie me sportet.
Kemi për të kuptuar që sa më i emancipuar një popull, aq më pak e manifeston në pamje fizike.
Do hasësh qen e mace nëpër rrugë, dhe jo aq nëpër shtëpia. Dhe kjo lidhet dhe me papastërtine e gjetur në rrugë, dhe aspak nëpër shtëpia. Në të vërtetë edhe ne vuajmë nga sindroma e “mamasë së Ballkanit” e cila rrezikon jetën e saj duke bërë akrobacira jo në përputhje me fitnesin e saj, për të pastruar cepat e dritareve nga jashtë. Shtëpitë brenda kanë një pastërti e rregull gati-gati armiqësor, ndaj dhe s’para mbajmë kafshë.
Por sapo nxjerr këmbën jashtë pragut, fillon papastërtia.
Na e bëj hallall, s’e kemi kuptuar që vendi është i yni.
Ende nuk e trajtojmë me të njëjtën dashuri si shtëpinë.
Nëper cepa trotuaresh do të kapë syri shishe Coca Cola mbushur me ullinj, uthull apo vasketa gjalpi plot me mana. I shet ndonjë grua a burrë që i është dashur të largohet për nevoja vetjake. Ah, këta janë realisht të varfër, ndaj një blerje do ua ndryshonte ditën.
Sapo t’i kalosh, siç je duke ecur trotuarëve, do të pikojë diçka në ballë.
Shshsh mos bëj pyetje thjesht vazhdo.
Dhe një sekret të fundit prej profesionistësh: nëse je në Tiranë dhe kalon nga tregu i Medresesë me makinë, një burrë do përpiqet t’i shesë banane shoferit. Super përmbajtje për Tik Tok.
Ika, se vapa dikton ditën time.
Kalofsh bukur në këto 29 mijë metra katrorë magjikë – nga alpet me dëborë në ishull mesdhetar, një rrugë që mund ta përshkosh brenda ditës.