Sikur të kishe dhe nja dy … palë këpucë!

Shkrim nga Vefi.

 

Atëherë po më thua që ia arrite më në fund të ulesh tek tavolina e cunave. Po, patjetër që t’u desh më shumë se një dhjetëvjeçar punë profesionale, me gjasa duke u zënë sistematikisht me burrin për qasjen tënde mashkullore me punën në krahasim me familjen. Të kushtoi ca thinja, nja tri shtresa rrudha tek sytë dhe flokë, flokë që vijojnë të bien pa fund dhe ndonjë herë kur del nga parukeria mendon “bravo më qoftë që më kanë mbetur akoma edhe ca!”

Po fundja ti nuk di se si bëhet ndryshe. Që në shkollë kur të kërkonin t’u bëje hartim atyre që rrezikonin të ngeleshin, u thoshe “aman kopjoni timin, po mos më thoni ta bëj prapë”. Jo sepse përtoje por sepse nuk mund të bëje dot diçka shkel e shko. Thjesht nuk ke ditur të marrësh kurrë rrugën e mesme. Ke qenë më e mira dhe pavarësisht sa shumë e ke dyshuar veten, pas kaq shumë e shumë njerëzish e situatash, disa herë të fshehura mes entuziazmit fillestar të të qenit mes të ngjashmish, më në fund arrite ta kuptoje, shyqyr jo në prag pensioni, që në fakt në mos më perfektja, je më e mira nga ç’të rrethon.

Kjo sa i përket punës se është dhe ajo historia me nënën tënde super intelektuale që ndërkohë që lexonte libra dhe e vinte babain të nderte të brendshmet e gjithë familjes, kur i the për vendin tënd tek tavolina e burrave e para gjë që të tha ishte “Oh të keqen mami po shtëpia s’do të të shohë më fare”! Po ti gjithsesi bëre sikur nuk u lëndove, sepse ti fundja je si burrat, që nuk merren me gjëra të vogla por ecin e shohin para sypetrita.
Saktë? Hajde tani, s’ish kaq e madhe kjo e mamit kur ke bërë kaq e kaq herë sikur nuk je lënduar. Si tani, kur burrat e tavolinës kanë  gjysmë ore që diskutojnë kush luajti më mirë në kalçeto një natë më parë e se sa birra u pinë: 30 apo 40 për kokë.

E ulur ne tavolinën rrumbullake me tabelat e ekselit në dorë i përfytyron duke shpullosur njëri-tjetrin prapanicave ndërkohë që midis vlerësimeve akademike që i jepnin asistentes së re të katit, me gjasa vendosnin me hundë fatin e tabelave të përgatitura me kaq diligjencë nga gocat e kontabilitetit. Fundja ku ta dinë të shkretat që janë departamenti më i prapambetur nga pikëpamja estetike. Si e di ti këtë?  Po patjetër që e di në fakt, sepse pardje në të njëjtën mbledhje u diskutua pikërisht për këtë, ndërkohë që me delikatesën më të madhe çunat të diferencuan nga të tjerët duke të të dhënë maksimumin e pikëve për kombinimin e truve me look-un. Fantastike kjo! Ti ke koleget më të mirë në botë: të respektojnë, të trajtojnë si shok dhe së fundmi kanë pranuar  që ty nuk të takon të mbash shënime më shumë se çdo njërit prej tyre.

E meqë nuk e bën asnjëri, atëherë keni ftuar atë asisteten e re që me këtë rast të ndihmojë dhe në zgjidhjen e dilemës së dy ditëve përpara. Shumë të mira janë tabelat që të kanë përgatitur. Gocat këtë radhë kanë ndjekur vijën logjike që u shpjegove, kanë bërë një super analizë kostosh që vë në dyshim praninë në tavolinë të së paku njërit prej çunave, qëllon që është ai që paguan gjithmonë birrat.

Dreq! E di çfarë?
Bëji mutin, thuaji ok asaj që qartazi kanë vendosur që dje dhe harroji tabelat. Fundja ka probleme më të mëdha kjo botë se frustrimi yt me tavolinën e çunave!

 

 

Si guxon të kesh emocione?

Një ndër memet e mia të preferuara nëpër internet është ajo ku Fevziu i bërtet një panelisti “Pu-sho!”.

Më pëlqen kënga që i kanë bërë, shkon në shumë situata, është simbolikë e kulturës sonë të debatit. 

Fevziun në atë video e kanë “qitë prej taktit” që thonë në Kosovë, nuk ka absolutisht asnjë faj. 

Ama edhe pse kjo video ka gjeneruar humor dhe vazhdon të jetë e gjallë mes nesh, ende nuk dëgjova askënd të thotë për Fevziun “u emocionua”.

Ishe me nerva.

E humbe i çik, Fevzo!

Dhe kur e mendon hollë e hollë, nuk e kam dëgjuar ende për asnjë zotëri që shfaq emocione në televizion, ku shpesh eskalon në agresivitet real. 
Ndoshta ju nuk e keni vrarë mendjen pse jo, ama e kam vrarë unë.

Duke qenë se jam njeri pasionant, dhe jam krenarisht e gjinisë femër, njerëzia kapëlohen vetë nga “emocione” të edukuara që në vegjëli, dhe merren me gjërat e gabuara. 
Shpesh kur kam paraqitje televizive vetë dhe debati mërr ngjyra emocionale, mua, një femër, më thuhet “u emocionove”. 
Femrave të tjera u thuhet e njëjta gjë, e nëse nuk shfaqin emocion, u thuhet “aman sa e bukur ishe bërë si kukull”.

Po si s’ju vjen zor një herë, nuk i thatë kurrë Fatos Lubonjës “Ishe bërë si kukull”! 😤

Pak rëndësi çfarë the. Rëndësi paska se çfarë transmetove te publiku, vizualisht.

Fillimisht e kam pak veshtirë të kuptoj se ç’problem ka nëse dikush shfaq emocion. Herën e fundit që kontrollova, emocionet janë tërësisht për njeriun. Më pak për kafshët, e hiç për robotët. Për më tepër debati fton 2 ose më shumë palë që kanë mendime të kundërta; emocionet vijojnë si reagim biologjik. 
Ah po, harrova: vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. Edhe u besojnë moj të varfërat u besojnë, siç edhe thotë Jovan Bregu. 
 Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, rrëzoni kranin e kamerës!

Pastaj, bravo ju qoftë që konstatuat sa emocione patën panelistet femra dhe sa kukulla ishin bërë të tjerat. Po ndonjë gjë, dëgjuat se çfarë thanë? Se fundja fundit, debatet kanë për qëllim të paraqesin të dyja palët e një argumenti, dhe në situata normale, të ftuarat e të ftuarit dinë 2-3 gjëra më shumë se ti, ndaj dhe janë aty. Kjo patjetër që ka vend për diskutim, po përgjithësisht është e saktë. Mos do ishte më mirë të hapnim veshët për të përthithur ndonjë njohuri të re, para se të hapnim sytë mbi “kukull-iz-min” dhe të konstatonim emocionet? Sepse duke u nisur nga vetja të paktën, kur ndjek ndonjë debat, preferoj të shkoj në bërthamë të çfarë ka për të thënë personi, mbaj shënim në kokë a ishte info me vlerë, dhe nëse kam dyshimet e mia, e verifikoj saktësinë. Dhe nuk mendoj që bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, se e zakonshme jam.

Por ndjej që sidomos kur ka paneliste femra, një vizë e madhe i vihet fjalimit, dhe merremi me detaje sipërfaqësore. Ah po, harrova sërish, unë e gjora! Vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. 
Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, (shyqyr armëmbajtja është e paligjshme!) rrëzoni kranin e kamerës!

Dhe e fundit: njerëzit që kanë ndryshuar botën janë karakterizuar nga pasioni. Mendoni njerëzit që adhuroni botërisht, dhe më thoni që s’kanë/kishin pasion. Dhe sipas fjalorit: pasion = emocion i fortë, gati i pakontrollueshëm. Unë kam pasion, dhe mos u merr me kromozomet e mia.

As mos u emocioni nga ky shkrim e të më thonu që u emocionova.

Sikur ça bëri.

Ah, kjo hierarkia e jetës profesionale. Kalon vitet e fëmijërise dhe të adoleshencës pa kokërr leku, duke u munduar të kuptosh se çfarë duan zyshat prej teje. Nuk është se ti nuk do t’ua japësh, thjesht nuk i merr vesh. Do kalojnë shumë vite, para se në fakt të kuptosh, që e kanë ato për detyrë të të kuptojnë ty, jo e kundërta. Po në një sistem ku shkolla fatkeqësisht nuk është në gjendje të të ngrejë lart… Ti përpëlitesh, me hormonet e tua, shpesh dhe me konflikte në familje, të bësh më të mirën, duke ëndërruar ditën që je e/i pavarur dhe merr rrogë.

E mbaron shkollën, je stazhiere, pastaj vazhdon me rrogë minimale, të rritet pak… Me shpresën që një ditë të ngrihesh e të jesh menaxher apo drejtoreshë. Atëherë hallet mbarojnë.

E jo për njerëz që s’i kanë punët mirë me sistemin. Nuk flas për kriminelë, sigurisht :) po flas për njerëz si vetja ime, që kanë nevojë për hapësirë që sistemi, ashtu me kufij siç është i ndërtuar, nuk ta lejon. Terrori im personal, pasi mbërrita deri te faza e ‘drejtuesit’, ishte që do të mbes aty gjithmonë. E paaftë për të qenë si eprori im, sepse për të qenë si ai, duhet kohë për të ideuar gjënë tënde, dhe unë 8-10 orë në ditë ia kisha taksur atij kundrejt një rroge të mirë. Gjithashtu e pa zonja për të zbritur një shkallë më poshtë: aty ku paga është më e ulët, por të mban shpresa që ka më lart, dhe liria më e madhe se e drejtueses.

Kur arrin menaxheren, duket sikur mbaroi. E kjo ide, për rebelin me ose pa arsye, është shpresë vrasëse.

Ndaj ngadalë, si me stil, fillova të nxjerr njërën këmbë nga sistemi, siç pak mësues për së mbari që kam pasur në jetë, kanë parashikuar për mua. Fillova të ndërtoj gjëra që nuk e dija as vetë ku ishin nisur; e nuk kisha as kë të pyesja.

E ndërkohë që as andej as këndej, gjithmonë në dijeni të sistemit po si jashtë tij, ndodh shpesh që kur më pyet dikush “po çfarë bën ti konkretisht në këtë projekt?” unë rri e mendohem të gjej fjalët e duhura. E kur rri e mendohem unë, që ndër të tjera paguhem për t’u shprehur, imagjino sa më të vështirë e kanë të tjerët, që truri i tyre vlen për të tjera gjëra.

Dhe momentin që disa nga këta njerëz, që janë në pozitë drejtuese po jo vizionare, nuk dinë ta materializojnë në veprime si rënie me çekan, dhe me rezultate TE MENJEHERESHME, thonë “hë mo se sikur ça bëri. E ja, e kisha bërë vetë, po nuk kam kohë.”

E kisha një problem me këtë shprehje përgjithësuese bastarde të papërgjigje, e ngjashme në natyrën e vet si “populli s’ka bukë të hajë”. Nuk e kisha dëgjuar direkt për mua, po për njerëz që unë ua vlerësoj shumë punën, thënë nga të tjerë që nuk ua kuptojnë punën, nuk kanë durim të presin rezultatet, nuk shikojnë përfitimet e tërthorta të punës së këtyre njerëzve pak më ndryshe, por që ama, kanë në duar pagën e këtyre njerëzve.

Për shembull, unë punoj me evente të ndryshme, disa prej tyre të mëdha. Ajo që bëj unë, po të filloj ta shpjegoj, është një libërth i vogël, nuk është një gjë: që nga mbledhjet krijuese ku mundohem të frymëzoj të tjerët dhe veten, mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe mbi të gjitha, detajet. Ato detajt!
Duke ndjekur detaje që dritshkrutr-a thotë shprehimisht: “Po merresh me detaje! S’kemi kohë për detaje!”

Po nuk shtrive kabllo e i re çekanit, po s’vrapove kot më kot ujë në djersë, nuk ke bërë gjë.
Pastaj edhe po i shtrive kabllo e i re çekanit, ai personi pa vizion që pastaj nuk kupton pse nuk po bëhet milioner – ki mendjen, milioner nuk bëhesh kur jep orë duke “ruajtur” të tjerët – do thotë “Do e kisha bërë vetë po nuk kam kohë”.

Të kërkosh gjëra të prekshme me rezultate të menjëhershme (“Kur duhej kjo?” – “DJE!” – shprehja e preferuar e klientëve, dhe u duket si zbulim personal) është ajo çka ty të pozicionon tipikisht në një vend të pazhvilluar pa mentalitet lideri. E nga inati që s’po ecin përpara si Elon Musk apo dhe thjesht fare si ai pronari i lokalit përballë lokalit të vet, fillojnë abuzojnë punëmarrësit gojarisht po edhe me orë pune të kota; shajnë vizionarët me “hë mo sikur ça bëri”, zihen me rojen e parkimit, ulen në kafe, dhe thonë “s’merr vesh ky popull ere jo”.

Asgjë e mirë nuk është bërë sot për nesër, asgjë e mirë nuk është bërë pa vëmendje në detaje, asgjë e mirë nuk do bëhet kurrën e kurrës, nëse nuk respekton profesionalizmin e tjetrit.

Mbi ilaçin e enëve.

Shkrim nga Dori Peristeri, mikeshë e Larlara. 

Mirëmëngjes, mirëdita ose mirëmbrëma – sipas vaktit.

Bashkë nuk jemi takuar kurrë; të paktën jo me vetëdije që po takoheshim unë dhe ti. Ndoshta rastësisht jemi shkëmbyer rrugëve ose diku tjetër dhe jam e sigurt që ti ke menduar se kishe përpara një qenie pak qesharake me flokët e pakrehura si kaktus në lulëzim. Pikërisht ai kaktusi gazmor isha unë. Që mos të zgjatem më (njohjen tonë t’ia lëmë pak kohës) po të tregoj një histori të lezetshme…

Vinit (Vini është shoku im i jetës, një topolak sybojëqiell me flokë të dendura kaçurrel) kishte ca kohë që kishte vënë re te gishti i madh i dorës së djathtë një si tip ekzeme që vetëm sa bëhej më keq. Çfarë nuk provoi derëziu burrë – pomada, melheme të bëra vetë, lëkura bananeje sa kur hidhnim plehrat na vinte zor se kujtonin dynjaja se kishim marrë majmunë (ose ndonjë skenar dhe më të mbrapshtë që … nejse). Pas disa javësh që bënim eksperimente më në fund e ndau mendjen dhe, si hipokondriak i pashërueshëm (e qëllimshme kjo) që është, vendosi të shkonte tek një specialist i fushës, një dermatolog/e. Ky vendim na kushtoi një muaj kërkimesh – siç ndodh rëndom këtu te ne ku dhe për të shtrydhur një puçërr duhet të pyesësh 100 vetë se s’ke besim as te dora jote e majtë. Më në fund pasi pyetëm gjithë dynjanë (për 1 cm katror ekzemë) gjetëm një dermatologe që ishte e re në moshë (dhe për rrjedhojë, menduam të dy, bashkëkokohore) dhe shkuam si çift i lumtur për vizitën e ekzemës. Plani ishte që nëse doktoresha na e mbushte mendjen, mund të shkonim dhe për problem më madhore me të cilat nuk po jua lodh kokën tani.

E kështu unë dhe Vini pritëm në korridorin si prej haremi të spitalit, hymë në studion e saj dhe u rehatuam gjithë kërshëri. 100 pyetje në kokën tonë derisa filluan pyetjet e saj të radhës: kur e vure re (duhej ta kisha shënuar në ditar?), kështu ka qenë që në fillim (pse dreqin nuk i bëra ca foto po merresha me selfie), çfarë pune bën (dhe pse është relevante kjo), çfarë prek çdo ditë (sikur vetëm ta dije) e gjëra si këto që mendja e mbrapshtë e Vinit ishte gati t’i përçonte tek goja e tij nga ku do dilnin bashkë me të qeshurën e tij kumbuese. Po prisja momentin… e dija që ai nuk do duronte dhe do të fillonte të ironizonte. Ndërkohë që ajo e gjora bënte breshëri pyetjesh, ai mezi po priste… dhe ja ku e shkrepi:
– Ndoshta e kam nga ilaçi i enëve që përdor për larjen e pjatave?

… 1 minutë qetësi, dhe zëri i saj i sjellshëm dhe i ftohtë:

– Ah, punoni ne kuzhinë?

Unë thuajse rashë nga karrigia. Jo tha Vini thjesht në shtëpi merrem unë me larjen e enëve. (hahahahahaaaa, mendo Dorina për climate change që po na vjen dhe mos shpërthe këtu i thashë vetes). Ajo ngriti kokën nga eczema ku ishte kredhur me një teleskop dhe një vështrim i akullt më kryqëzoi në karrige, dhe ajo u kollit pak…

Unë pak a shumë e përktheva situatën kështu: “Aha, epo kjo e shpjegon problemin. Po mirë o grua, ti ç’bën gjithë ditën që lë këtë të shkretin të lajë enët? Çfarë gruaje je ti një here, që e vë burrin të bëjë nga këto punë!” – apo prit mos e ngatërrova gjë me mamanë time?

Pas kollitjes, ajo i rekomandoi Vinit të mbante dorashka kur të lante enët këtej e tutje….

Pas nja 30 minutash, kur mbaroi vizita dhe ne të dy dolëm, mezi mbanim lotët nga të qeshurat dhe m’u desh të shkoja në banjë se fshikëza nuk më mban më pas dy lindjesh. Nuk mendoj se do të kthehem më tek doktoresha në fjalë, nuk e di sesi mund t’ja shpjegoj asaj ca problem të tjera që do të më fusnin thellë në gropën e mëkatareve heretike. Fundi i historisë.

Të lutem, ty që sot më njohe pak më shumë, dëgjo rekomandimin e doktoreshës dhe mbaj doreza se pastaj mund të të shpifet një ekzemë që të sjell dilema ekzistenciale: A më pranon shoqëria edhe pse ndihmoj gruan duke vënë enët në pjatalarëse çdo ditë? Eh Vini, Vini – nuk thonë kot më mirë syri sesa nami.

Tani po iki t’i blej Vinit dorezat e radhës se ai sikur i ha me dhëmbë ato apo ndoshta nga gërryerja e tenxhereve… Të uroj një vakt të mbarë dhe mirë u takofshim.

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑