Je Suis S’Më Kanë Fikur Cigare Në Ballë

Nëse ke gjetur një moment të hedhësh sytë në telefon këto ditë, e di shumë mirë për çfarë po flas: për abuzimin seksual dhe fizik që i është bërë një vajze pa mbrojtje, nga një djalë me mbrojtje.

Meqenëse dhuna dhe seksi listohen në majë për ngjarje bombastike ndërmjet species sonë propagandistike, të gjithë jemi çakorduar: Njerëzit më të arsyeshëm janë të terrorizuar dhe ngrenë sytë nga qielli; troll-at e internetit mprefin gishtat  dhe i ngjeshin ato fort në ekranet me prekje pa parë analfabetizmin e tyre duke thënë se si ajo e kokrra k***ës e ka bërë për famë e lekë, dhe si feminizmi nuk ekziston e gratë “bëjnë kot” – e njëjta këngë që i këndohet çdo komuniteti të shtypur.

Ata që ndihen të pafuqishëm komentojnë himnin jo zyrtar: “S’bohet mo ky ven”.

Nuk po ndodh vetëm në Shqipëri. Në shtetet më të emancipuara kulturalisht ke abuzime seksuale sistematike, ka burra që nuk ndëshkohen, dhe gra të plagosura që përpiqen të vënë të kaluarën prapa dhe të shohin drejt. Madje siç edhe e dimë të gjithë, në SHBA një syresh i tillë është president.

Nuk u ndodh vetëm të varfërave. Botërisht, 1/3 e grave kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale nga një mashkull partner ose jo partner. Statistika është e njëjtjë për Shqipërinë, me disa zona rurale ku statistika është 1/1.

Edhe në mes të këtij tranzicioni botëror aspak të lehtë, ku femrat po përpiqen të mos heshtin më, jam edhe unë.

Ne jemi plot.

Ne, vajzat e qytetit, të rritura me dashuri e pa dhunë (më duhet ta theksoj, sepse shpesh dhuna ndodh dhe në ambiente ku ka dashuri, duke krijuar varësi toksike) dhe me të mira materiale, të shkolluara dhe të shëtitura.

Burrat abuzivë nuk kanë arritur të na afrohen tepër. Nuk para na ka kërkuar njeri ndere seksuale haptazi në shkëmbim të provimit apo karrierës. Nuk jemi fiks pjesë e #metoo, po jemi në prag.

Si për çudi, ne përbuzemi gjithashtu. Ç’dreqin dashkemi ne pra? Hajt të mbyllim gojën aty, jemi princesha përderi sa nuk na fik njeri cigaren në ballë!

Uau! Ku e kam Pallatin Mbretëror të lutem?

Do jap 2 argumente se ç’dreq duam ne: njëri pragmatik dhe tjetri thjesht njerëzor. Pa dhunë, pa gjak. Ka dhe ashtu.

Eshtë mëse e vërtetë që unë si shumë, kam vetëm imagjinatën për të përfytyruar ç’do të thotë fikja e cigares në ballë. Dhe duke qenë se nuk jetoj në një makth të tillë, kam luksin të flas në emër të këtyre vajzave. Dhe gëzoj dhe respekt e njohje më shumë se to, fatkeqësisht. Dhe kështu është pragmatike, unë i ndihmoj çështjes.

Argumenti njerëzor ka të bëjë me frustrimin e akumuluar në dhjetëvjeçarë.

Unë që e vogël jam përjashtuar nga bisedat ku çunat ishin ulur rreth e qeshnin me zë. Afrohesha, se jo për gjë po s’jetoj dot pa humor dhe nuk më interesojnë fare gjenitalet e atyre që po e bëjnë, po grupi ose shpërbëhej ose më përzinin duke më fyer. Gjejeni pse.

Sa herë bëja paralele apo hipja mbi mure, prindërve të mi do u binte telefoni. Shokëve të mi nuk u binte telefoni. Gjejeni pse.

Kur përdorja fjalë të pista në sherre me çunat e klasës, prindërve të mi u binte telefoni. Prindërve të çunave nuk u binte telefoni. Pse vallë?

Ditën që mua dhe motrave te mia na shpërtheu pubertieti, ime më merrte regullisht raport  të pa kërkuar se ku gjendemi e me kë po rrimë.
Jetën ulur e kam kaluar me frikën mos kam këmbët hapur.

Në rreth gjysmën e mbledhjeve profesionale kam parë se si fjala e një mashkulli tërësisht të papërgatitur a) ose respektohet para fjalës së një femre të përgatitur b) ose merret ideja e saj dhe i jepet atij për zbatim.

Kam dëgjuar drejtoreshën t’i referohet gjithë departamentit të shitjeve me femra shumë të afta si “ato k***at”.
Eshtë e pamundur të hipësh në biçikletë me fustan, se do dëgjosh të të thirren gjenitalet nga të panjohur çdo 5 minuta.
Eshtë e pamundur  të më kalojë java pa të thënë të paktën 3 burra të ndryshëm (ndër ta dhe kolegë) “qetësohu”, kur unë thjesht po flas.

Eshtë e pamundur të kalojë muaji  pa dëgjuar që po flitet për njërën “e mos u merr si i kanë ardh’ ato”, kur as kanë informacion të tillë.

Eshtë e pamundur të kalojë java pa të treguar parazitët e lagjeve se si të parkosh.

Dhe kur je nënë, merr tmerrësisht pak ndihmë me karrocën apo vështirësitë që sjell mbajtja e një fëmije, madje merr dhe menddhënie nga burra që nuk dinë si ngjitet një pelenë në trup.

Dhe kam një jetë të tërë që dëgjoj burrat rreth meje se si ata e dinë me mirë se unë si po ndihem, si kam reaguar kot dhe keq, dhe se si ndihem gabim.

Po i dëgjoj në kokë zërat cinikë se si nuk më paska gjetur asgjë, gjëra të vogla. E po të dashur, pika pika mbushet pusi.  Mbase nuk është cilësia kësaj radhe, po është sasia që fiton. 7 të tilla në ditë mesatarisht për 20 vjet…. i thonë 50 mijë herë që pengohem e fyhem vetëm e vetëm pse u linda femër. Dhe çdo ditë është e njëjta luftë, unë nuk e di nga do më vijë: nga një burrë i frustruar në rrugë, nga komshija mizogjene apo nga të njohur në Facebook? Kush e di ç’surpriza më presin nesër!
Dhe herë pas here ka dhe abuzime e diskriminime serioze që të fyejnë thellësisht  personalitetin apo të rrezikojnë jetën profesionale. Po  prapë ato nuk i afrohen përdhunimit dhe dhunës fizike ndaj për respekt të Xhiselave të kësaj bote, po i përjashtoj nga përllogaritja dhe po merrem me pikat e pusit.

Neve vërtet nuk na fik njeri cigaret në lëkurë, por po na shkundin hirin që kur jemi klasifikuar si individë.

Thjesht nuk durohet më. Dhe nuk është këtu diskutimi a janë burrat keqadashës ndaj grave a priori.  Jo nuk janë.  Ashtu i kanë mësuar, ashtu janë rrethuar tërë jetën, dhe shpesh as janë të vetëdijshëm se si po shprehen apo nga se motivohen veprimet e tyre.
Ky shkrim e shumë të tjera të kësaj natyre le t’ju shërbejë si vetëdijësim: jemi të gjithë njerëz para se të kemi perioda apo ereksion të pakontrolluar.
Nisur nga ato  sfera ku unë gëzoj barazi e harmoni të plotë, ju garantoj që jeta është shumë më e bukur kur thjesht shihemi dhë dëgjojmë  me sinqeritet tjetrën/in.

Eshtë vetëm një kromozom!