Reflektime të një «emigranteje» që e ka jetën rehat

Shkrim nga Lirëza Elezaj

 

Ky ështe shkëmbimi më tipik që kam kur kthehem në Tiranë:

– Hë, kur erdhe? Si ke qenë?

– Dje ! Në 12 të natës ! Mirë më shumë mirë. Ja, më kishte marrë shumë malli.

– Aman më se s’ke ç’e do, je shumë më mirë andej.

E kam shumë qejf këtë lloj dialogu se është bëre si rit zbarkimi në vendin tim të preferuar. Riti është goxha i njohur, kam parë edhe ca T-shirte me rreshtin e parë të printuar (plus me vazhdimin «Sa do rrish?»). Është një lloj small talk-u specifik me jashtështetsat. Fillimin e dua shumë se siç e shpjegova e lidh me kthimin në shtëpi. Ama ai rreshti i tretë më brengos çdo herë nga pak. Pikë-pikë dhe ajo brengosje është akumuluar dhe transformuar në qëndrim. Dhe pikërisht për ate rreshtin e tretë do të doja të flisja.

Besoj se e kuptoj se pse bie ajo fjali. E thënë thjeshtë, më shprehe që nuk je i/e kënaqur me jetën tënde në Tiranë. Është gjëja e parë që the për veten tënde. Hyre direkt në temë. Si pasojë hapësira e lirë që gjendej në bisedën tonë, hapësirë që ekziston falë një të kaluare që kemi bashkë dhe muhabetit që na hahet, u mbush plot me këtë që sapo u tha. Do të më shprehësh frustrimet e tua reale, faktin që përballesh përditë me një kontekst që funksionon kundër teje dhe jo me ty. Je i/e zhgënjyer se përdite i thua vetes, «Ore të isha në një kontekst më fertil do kisha lulëzuar në kush e di se çfarë!». Ndërkohë që të degjoj, unë gradualisht filloj ndihem në faj kur dua të tregoj gjëra për jetën time. I them vetes «Mbylle gojën me problemet e tua luksi» dhe kjo gjë më largon nga ti. Ndihem sikur po e shoh skenën me dylbi mbrapsht. Puna është që mendoj se të kuptoj, ose më saktë, ma ndien zemra. Edhe unë e dalloj që jeta këtu nuk është e kollajtë. Po mos ta dalloja do isha kthyer në mëmëdhe sa sytë këmbët. Po në përgjithësi nuk para guxoj ta shpreh me zë të lartë. Kur e kam bërë një gjë të tillë më përpara kam marrë surratit një shikim pak tallës, shpërfilles e protestues për të me thënë pa dashje me qëllim se unë gjallë në botë nuk mund t’ia kem idenë. Imagjino të guxoja të shprehja që madje madje nganjëherë të kam zili që jeton në Tiranë! Përfytyro reagimin që do merrja në fytyrë në atë rast. S’ka emoji që e përshkruan.

 

Çfarë dua të tregoj është se në momentin që unë shpreh se më merr malli për Tiranën dhe ti më thua «që s’kam ç’e dua», ndodhin të paktën tre fenomene.

I pari është qe ndihem me një etiketë në ballë, jashtështetsja. Kjo etiketë thotë se e kam jetën fushë me lule dhe jam super naive sepse mendoj që Shqipëria është mojito dhe chaise-longues nga mëngjesi deri në darkë. Mbi të gjitha, çdo gjë që ecën në jetën time, nuk e kam arritur vetë po ma ka bërë vendi ku kam fatin të jetoj.

I dyti fenomen, ështe shfaqia e etiketës në ballin tënd, naaa sa një tavolinë. Je shqiptari/ja qe për shkak të një konteksti nuk ka lulëzuar. Është absolutisht e kotë qoftë edhe të ëndërrojme se si mund të përmirësohet situata jote personale. Në këtë perspektivë ti je tërësisht i/e pafuqishëm/me dhe kjo është depresionuese.

Duke qenë se te dy/ja kemi nga nje post-it ne ball dhe jemi tashmë dy etiketa me lloj-lloj ngarkesash dhe me nga dy këmbë, fillon loja dhe mbërrijmë te fenomeni i tretë. Hapësira që e kam me ty për të bëre muhabet sapo u zhduk. E kemi të pamundur të krijojmë një shkëmbim me substancë ose me pak fjalë kjo bisedë mori fund.

 

Prandaj do të doja të përshkruaja çfarë endërroj për një situatë të tillë, çfarë do të më bënte të lumtur sado pak, dhe ato lumturi te vogla do të akumuloheshin dhe do të shndërroheshin në prirje.

Unë i di avantazhet e mia kur jetoj jashtetit dhe ti i njeh disavantazhet e tua duke ndenjur në Shqipëri. Por nuk dua të flas më për vlera absolute, dua të flas për përjetime se nuk ka gjë më të çmuar se subjektiviteti. Nga ana ime, dua të them se e kam ditur kur e lashë Tiranën dhe e di edhe sot: asgjë nuk e zëvëndëson atë ndienjën që kam kur zbarkoj ne Rinas dhe atë gjumin që bëj natën e parë në shtëpi. Kjo është e vërteta pak tragjike. Ndienja është si ajo pjesa e një puzzle të vështirë që më në fund ia gjete vendin dhe kur e vë te boshlliku të vjen një si kënaqsi shqisore. Kurse ndienja konstante që kam duke qenë jashtë ështe më shumë si ajo copëza që edhe pse hyn në një puzzle, dihet që nuk shkon aty sepse në fakt e kanë përzier nga një kuti tjetër. Ky puzzle është riprodhim i «Vajza me vathin perlë» kur copëza vjen nga puzzle «Motra Tone».  Këtu është e bardhe syri po copëza është e bardhe velloje. Ka diçka që nuk kalon në mënyrë të shkrifët dhe nuk ështe diçka e vogël. Është vendimi im a do jetoj përherë kështu dhe dua shumë ta ndaj me ty pa dëgjuar që mirë jam andej. Po të lutem.

Nuk mund të flas për ty. Nuk e di se çfarë do të më thoshe po të fillonim të flisnim pa post-itet në ball. Ama një gjë është e sigurt, besoj se diçka do merrje nga rrëfimet e mia dhe unë do merrja shumë nga rrëfimet e tua. Ndoshta do hapeshin perspektiva të reja, stile te pa imagjinuara ekzistencë! Ndoshta unë do ndihesha më mirë si copëz e endur, e ti më mire si copëz e palëvizur. Ndoshta do ndiheshim më keq. Ndoshta as njëra as tjetra, po diçka do vinte, dhe mbi të gjitha do ishim bashkë, dhe mbi të gjitha të gjithave, unë do bëhesha më shumë tiranse e ti më shumë jashtetës/e !

I gjithë ky bla-bla ishte një ftesë për të filluar procesin e heqjes së etiketave dhe të kufijve midis nesh, por në rastin konkret të heqjes së një etikete specifike e një kufiri të caktuar. Përdoret aq shumë togfjalëshi «ne shqiptarët» sa lodhem shpirtërisht. Unë lodhem edhe kur e dëgjoj për diçka pozitive. Ajo lodhje është akumuluar e shndërruar në dëm. Është strapacuese kur e kategorizon veten sepse të gjithë/a duam të jemi të lirë/a dhe jo në një jetë të paravendosur. Gjithashtu kategorizimi bën që je o brenda o jashtë e unë dua të jemi bashkë. Unë dua të kem një ekzistencë si shqiptare përtej jashteshtetëses, edhe pse glamuri që sjell ky rol është i parezistueshëm, sigurisht. Besoj se edhe ti do një ekzistence si shqiptar/e përtej një vendi që të vë shkopat nën rrota.

Liria mësohet dhe të ftoj ta fillojmë mësimin me shqyrtimin e subjektiviteteve tona. Që të hapim derën e këtyre subjektiviteteve, duhet të hedhim etiketat shuk në plehra dhe të endemi si njerëz të lirë që jemi, si të sëmurë si me shëndet. Kur etiketat janë në plehra, fillon krijimi dhe ulemi te vendi i timonit. Kur ulemi te vendi i timonit, ç’të të them tjetër përveç se aty fillon aventura.

Princeshat gërhasin

Nëse më duhët një ekzorsist për të ndaluar tim bir së derdhuri shampo apo së vrapuari me garuzhde, e kam gjetur: vendos në TV një nga këngët e Frozen dhe Frozen II: Ose Let It Go ose Into the Unknown, dhe ai vjen gozhdohet në divan, duke shtyrë dhe macen që i ka zënë vendin.

Duhet ta përdor me kujdes e di, se pastaj edhe kësaj metode fillon t’i venitet efekti.

Edhe nipat e mi, njësoj. Bashkë me 2 motrat e mia morëm dhe çunakët e vegjël për të parë Frozen II në kinema, ku të gjithë dolëm prej saj duke kënduar e duke ëndërruar.

Cdo gjë ok deri  sa filloi të dilte natyrshëm jashtë familjes së ngushtë fakti se im bir vdes për Elsën. Aty filloi nuk e di as vetë ç’ta quaj.
Herën e parë ngela pak pa fjalë; herët e tjera fillova të vras mendjen shumë seriozisht.

“UA HAHA çuni yt pëlqen Frozen?? Po ai është për goca!!!”

Qyqja unë, po më çburrërohej djali e s’e dija.

Anna dhe Elsa janë 2 super motra princesha që jo vetëm s’kanë prindër, po as që presin t’ua zgjidhë hallet ndonjë princ a mashkull. Më duket se Disney po na lë të nënkuptojmë që nuk duhet aspak prezenca e një të tilli, përkundrazi, shpesh tenton të prishë punë.

 

Madje një herë Anna mendoi se u  dashurua e do martohej me një princ pasi e njohu një darkë, dhe aq shumë e “tall” e motra saqë ky shpërthim adoleshentësh e përndjek edhe në filmin e dytë.

Anna dhe Elsa dalin në mes të malit, dëborës, oqeanit, për të zgjidhur vetë hallet e tyre.

Më vjen shumë mirë për ata që kanë vajza. Modele si këto të dyja janë ideale për vajza të vogla. Tërësisht në kundërshtim me teksa rritesha unë psh, dhe edhe më në kundërshtim me Disney të viteve 60. Unë adhuroja Ariel nga Sirena e Vogël. Ishte rebele, aventuriere, jashtë normave, kokëkuqe… Deri sa gjeti mashkull.

Po djali im pse nuk u dashka të shohë “filma gocash”? Do i rriten cica? Do çburrërohet? Apo do bëhet gej?

Apo më keq akoma: do shikojë një model femre që ende nuk është “mainstream”?

Ik o Blin shih filma me karate, makina, e gangsterra.

Pasi që kjo formulë, na ka treguar sukses të paparë në marrëdhëniet me njerëzit dhe gjinitë e tjera. S’e ke idenë bir, vetëm hap lajmet.

Po e drejtë, mbase Frozen nuk është për këdo. Nuk është për ata njerëz që e përqafojnë të renë, të panjohurën duke mposhtur frika personale, siç bën Elsa.

Nëse nuk doni me dalë nga zona e rehatisë, rritini djemtë si “djem”, e vajzat “si vajza”.

Unë, djali e nipat e mi po provojmë të ikim drejt të panjohurës. Into the Unknown.

Vitin tjetër me fustan, biles.

Mbretëria e premtuar

Herët kam lexuar diku se Mbreti Zog është shprehur se e ndjente veten si mbret i 3 milionë mbretërve. Pastaj lexova që në fakt e ka thënë Konica si diçka filozofike mbi të qeverisurit të shqiptarëve.

E unë bëj ç’bëj i rikthehem kësaj shprehjeje, çdo herë me një dimension të ri. Sepse kushdoqoftë ai që e ka thënë, është në tërësi e vërtetë.

Do cilësoj 2 dallime, ama. E para shifra 3 milionë (apo 10, megjithë diasoprë?) përgjysmohet direkt. Gjinia femër nuk është pjesë e këtij ekuacioni. Gjinia femër shërben, shërben, dhe shërben ca më shumë.

E dyta, këta mbretër që rriten në këtë territor kaq të vogël, kaq magjepsës, kaq me tehe, me kripë e diell, për fatin e tyre jo fort të mirë dhe pa as edhe një përgjegjësi personale, proçesin e mbretërimit e kanë pak për së prapthi.

Fillon nga fundi në fillim.

Si Benjamin Button, i cili lind plak, dhe ves i porsalindur.

Prindërit e rinj i gëzohen lindjes së djalit si do t’i gëzoheshin ardhjes së Mesias. (Ka ardhur apo jo ndonjë here ai, e diskutojmë një herë tjetër)  Një pjesë patjetër rrudhen kur është vajzë, e ata të paditurit fare, e abortojnë.

Që në lehoni fillon rritja e djalit sikur lindi direkt mbreti, e jo sikur lindi djali i mbretit, siç edhe ka pas shkuar ky proces në monarki. I puthin gjenitalet shkallëve, bëjnë kurban edhe kur s’kanë. Vendosin çdo femër në familje në shërbim të tij dhe teksa djaloshi rritet, i jepet në fytyrë gota e ujit, i rregullohet krevati teksa ai lan dhëmbët.

Nuk i prishen teka për objekte përtej mundësive familjare. Këta prindër, e këto nëna, pasi mua më duhet me dhimbje të drejtoj gishtin më shumë nga nënat se nga baballarët duke qenë se këta të fundit nuk para e quajnë burrëror prindërimin… Këto nëna e bëjnë këtë lloj prinërimi brez pas brezi, edhe pse nuk kanë kapitale të asnjë lloji. Nuk kanë kapital financiar, nuk kanë kapital të rrjetit të gjerë të njohjeve (kapital shoqëror), e as ndonjë kapital intelektual të spikatur.

E ndërkohë, këta djem po bëhen adoleshentë.

S’kalon shumë dhe janë burra tashmë. Çuditërisht (për mua jo!) çdo ditë më të frustruar, më topolakë, më pak gazmorë.

Ngadalë po me vendosmëri, po i kapëlon e vërteta të cilës sa më shumë të piqen nuk do i bëjnë dot bisht.

Hap pas hapi po kuptojnë që në të vërtetë, salltanetet morën fund me vaktin kur ishin në protektoriatin e plakës.

Në të vërtertë nuk kanë në pronësi asnjë pallat me 68 shërbyes që flenë nëpër bodrume.

Ishte thjesht mami, me asistencë motre, në prezencë të saj. Ato i shërbyen dhe nuk e lejuan të aftësohet, duke krijuar iluzionin që s’i duhet të bëjë shumë në jetë, dhe në mënyrë indirekte atij iu mbi ideja që do të jetë gjithmonë dikush në funksion të tij.

Mirëpo mami nuk ka ç’ofron më, dhe motra ka vazhduar përpara, sepse duke u trajtuar si dytësore, ajo në fakt ka mësuar shumë më shumë të jetë e zonja e vetes.

Nuk paskan as kapital financiar. As bota nuk është e tyrja. Dhe pa gjetur ndonjë nuse, nuk do u shërbejë njeri. E prapë, as ajo nuk shërben si plaka.
Nuk paskan kujt t’i drejtohen.

Nuk qenkërkan mbretër.

Nuk paskan asgjë përveç se jetës dhe rëndomtësisë së saj, që kur ke shëndetin, është  pasuria më e madhe në këtë planet të vetmuar.

Dhe kur nuk je pajisur që në gjenezë si të përballesh me këtë vetminë e të qenit adult, shpërthejnë jo rrallë titujt që ndosin news – feedet.

25 vjeçari vrau shokun për motive të dobëta.

28 vjeçari vret gruan, krim pasioni. (Cfarë dreqin do të thotë “krim pasioni”??)

Kapet 21 vjeçari me 18 kg kokainë.

.

.

.

Të gjithë në kërkim të mbretërisë së premtuar.

Si guxon të kesh emocione?

Një ndër memet e mia të preferuara nëpër internet është ajo ku Fevziu i bërtet një panelisti “Pu-sho!”.

Më pëlqen kënga që i kanë bërë, shkon në shumë situata, është simbolikë e kulturës sonë të debatit. 

Fevziun në atë video e kanë “qitë prej taktit” që thonë në Kosovë, nuk ka absolutisht asnjë faj. 

Ama edhe pse kjo video ka gjeneruar humor dhe vazhdon të jetë e gjallë mes nesh, ende nuk dëgjova askënd të thotë për Fevziun “u emocionua”.

Ishe me nerva.

E humbe i çik, Fevzo!

Dhe kur e mendon hollë e hollë, nuk e kam dëgjuar ende për asnjë zotëri që shfaq emocione në televizion, ku shpesh eskalon në agresivitet real. 
Ndoshta ju nuk e keni vrarë mendjen pse jo, ama e kam vrarë unë.

Duke qenë se jam njeri pasionant, dhe jam krenarisht e gjinisë femër, njerëzia kapëlohen vetë nga “emocione” të edukuara që në vegjëli, dhe merren me gjërat e gabuara. 
Shpesh kur kam paraqitje televizive vetë dhe debati mërr ngjyra emocionale, mua, një femër, më thuhet “u emocionove”. 
Femrave të tjera u thuhet e njëjta gjë, e nëse nuk shfaqin emocion, u thuhet “aman sa e bukur ishe bërë si kukull”.

Po si s’ju vjen zor një herë, nuk i thatë kurrë Fatos Lubonjës “Ishe bërë si kukull”! 😤

Pak rëndësi çfarë the. Rëndësi paska se çfarë transmetove te publiku, vizualisht.

Fillimisht e kam pak veshtirë të kuptoj se ç’problem ka nëse dikush shfaq emocion. Herën e fundit që kontrollova, emocionet janë tërësisht për njeriun. Më pak për kafshët, e hiç për robotët. Për më tepër debati fton 2 ose më shumë palë që kanë mendime të kundërta; emocionet vijojnë si reagim biologjik. 
Ah po, harrova: vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. Edhe u besojnë moj të varfërat u besojnë, siç edhe thotë Jovan Bregu. 
 Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, rrëzoni kranin e kamerës!

Pastaj, bravo ju qoftë që konstatuat sa emocione patën panelistet femra dhe sa kukulla ishin bërë të tjerat. Po ndonjë gjë, dëgjuat se çfarë thanë? Se fundja fundit, debatet kanë për qëllim të paraqesin të dyja palët e një argumenti, dhe në situata normale, të ftuarat e të ftuarit dinë 2-3 gjëra më shumë se ti, ndaj dhe janë aty. Kjo patjetër që ka vend për diskutim, po përgjithësisht është e saktë. Mos do ishte më mirë të hapnim veshët për të përthithur ndonjë njohuri të re, para se të hapnim sytë mbi “kukull-iz-min” dhe të konstatonim emocionet? Sepse duke u nisur nga vetja të paktën, kur ndjek ndonjë debat, preferoj të shkoj në bërthamë të çfarë ka për të thënë personi, mbaj shënim në kokë a ishte info me vlerë, dhe nëse kam dyshimet e mia, e verifikoj saktësinë. Dhe nuk mendoj që bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, se e zakonshme jam.

Por ndjej që sidomos kur ka paneliste femra, një vizë e madhe i vihet fjalimit, dhe merremi me detaje sipërfaqësore. Ah po, harrova sërish, unë e gjora! Vajzave u thuhet të mos qajnë, të mos shfaqin emocione, e të rrinë si kukulla. 
Burrat? Rrihuni, nxirrni shkopinjtë, (shyqyr armëmbajtja është e paligjshme!) rrëzoni kranin e kamerës!

Dhe e fundit: njerëzit që kanë ndryshuar botën janë karakterizuar nga pasioni. Mendoni njerëzit që adhuroni botërisht, dhe më thoni që s’kanë/kishin pasion. Dhe sipas fjalorit: pasion = emocion i fortë, gati i pakontrollueshëm. Unë kam pasion, dhe mos u merr me kromozomet e mia.

As mos u emocioni nga ky shkrim e të më thonu që u emocionova.

Harrova t’i bie bostanit.

Photo by Vidar Nordli-Mathisen

Eshtë momenti që vera i ka ditët me pikatore. Edhe pse fundi i saj do të shtyhet gjithmonë e më shumë, sepse zakonet e species sonë kanë shkaktuar një dukuri natyrore që quhet “ndryshim klime” dhe që ne e injorojmë me vendosmëri.  Në këto ditët e kësaj zagushie të pafytyrë të gjithë janë me nervat e kaçurrelepsur më keq se flokët e mi (mbase prandaj ngela duke i shtrirë) sepse çdo gjë duhej dje.

Mirëpo dje ishte vapë.
Ishim në bregdetin shqiptar duke u ankuar. Ishim në bregdetin grek duke adhuruar.
Shqiptartët  (apo ish-shqiptarët?) në emigracion erdhën, lanë ca lekë, nuk lanë dije, dhe bënë qokën e sharjes vjetore.

Gjithsesi… një mënyrë shumë e mirë për të hequr mendjen nga kjo e hëna më e gjatë e vitit – shtatori –  është të rikapitullosh si e kalove verën.

Unë e fillova me detin më blu në botë, detin Jon. Pashë çuna me muskuj e vetullprerë që futen në ujë, po lajnë krahët një herë nga frika se mos është shumë i ftohtë. Vdes për këtë specien që mund të jetë edhe kriminel, po tërë jetën e jetës çun mami. Po të kesh mendjen te detajet, çun-mamllëku del te futja në det dhe te çorapet.

Pashë vajza e gra që ia dolën të kishin mirëqenie e të uleshin në shezlone të shtrenjta dhe të futen në ujë pa lagur kurrë kokën (mos o zot luaj vendit), po prapë janë gjak-prishura kryesisht sepse ndonjë femër tjetër po ua prish terezinë dhe sepse nuk dinë të përpiqen të jenë të lumtura, edhe sepse nuk ekziston leku që t’i emancipojë – emancipimin ta sjell vetëm përballja me jetën. E se harrova, mos t’ju shkojë mendja për mbrapsht: ajo femra tjetër mund të jetë mami ose shoqja.

Eca nëpër asfaltin e thyer të kryeqytetit, e pashë burra të aftë që përpiqen të emancipohen, po që u del vetja nga kontrolli kur hasin gra të afta që s’janë me patjetër ekonomiste apo juriste. Ç’t’u thuash? Në fakt janë ca vite dritë para atyre që besojnë se femra ekziston vetëm për të nxjerrë mini-njerëz nga trupi. Por janë vite dritë larg të trajtuarit një femër si të barabartë në punë, gjithashtu. Dhe bëhen xhelozë, dhe fryjnë damarët e qafës.
Frojdi ka të drejtë; kudo ai sheh nënën.

Ndërrova kontinent në një vend ku emancipimi përfytyrohet si 2150 nga ata që s’e kanë përjetuar. Ndërkohë që thitha pluhur perëndimor e hëngra domate me muskuj si ai tipi që mezi futet në det, takova shoqe të vjetra që edhe pse shqipen e kanë pothuaj harruar, nuk kanë harruar t’u shërbejnë meshkujve të jetës së tyre me larje rrobash, gatim, pastrim shtëpie.

Plasa 9 valixhe dhe një karrocë në një Uber e pasi nuk fjeta në avion se më shihej Dumbo, palosa faqen duke fjetur në kolltukët  e aeroportit të Vjenës.

U ktheva në muajin më të tmerrshëm në Tiranë, ku truri vetëm sa rri ndezur me 7% bateri dhe zëri rrëshqet si dinozauri i Blinit kur po i mbaron bateria. Vajtova Amazonën, pastaj lexova që në fakt, ka shumë vjet që nuk është Amazona që dija unë kur isha 10 vjeç.

E vajtova gjithsesi. Atë dhe pyjet e tjera që po shuhen që ne të hamë mish.

U sëmura, u deha, dhe eca nën pishat e Gjirit të Lalzit dhe m’u kujtua sa i rëndësishëm ka qenë Adriatiku kur rriteshim.

Në ajrin e pastër, erën e pishave dhe rërën që e ndjen në mes të gishtave të këmbëve, pashë nëna e gra, duke nderur rroba e duke shpërdoruar zorrën.

Vetvetiu mendoj për verën e 2020, duke uruar të më gjejë diku që s’ma pret mendja.

Dhe duke uruar që të shoh sa më pak gra zhytur në punë të rëndomta, dhe sa më pak vajza ku u lexohet në ballë që i ka rritur një nënë që rrit ndryshe djalin nga vajza… Dhe sa më pak tipa gjoja të vështirë që çorapet i kanë të bardha deri te kyçi dhe kanë frikë nga deti Jon.

Kartën e identitetit?

 

Sa herë shoh diku idenë e drejtpardrejtë apo të nënkuptuar që ‘pamja e jashtme nuk ka rëndësi’, më vjen keq sa e pavërtetë është. Për mua është e pashëndetshme se sa shumë rëndësi ka pamja e jashtme, po të vërtetën nuk e zgjedhim dot, dhe ajo është që ka shumë, shumë rëndësi. Dhe këtë dëshirë për të kënaqur syrin para se të kënaqë shumëçka tjetër, njeriu nuk e shfaq vetëm duke dashur të ketë pranë vetes njerëz të bukur: si specje paguajmë për kafshë race, rrisim buxhetin për detin sa më blu për pushime, dhe kemi në mend estetikën e makinës para funksionit.

E unë kam ca kohë që e mendoja po nuk dija si ta shprehja pa tingëlluar si dikush që kritikon çdo gjë bashkëkohore vetëm pse përton të jetë pjesë e saj. E kam fjalën për modën dhe trendet e këtij dhjetëvjeçari në lidhje me paraqitjen fizike të kryesisht femrave, edhe pse meshkujt kanë përparuar shumë!

Këto trende e moda falë shkencës kanë shkuar më larg se “outfit”-s, make-up dhe flokë e mjekër. Siç edhe jemi dëshmitarë dita-ditës, moda ndërhyn në strukturën e fytyrës dhe trupit të gjithkujt, vetëm a ke para në bankë (edhe poshtë dyshekut bën) dhe këllqe të futesh në narkozë të plotë.

Fillova të alarmohem kur arrita në pikën që nuk po dalloja më artistet shqiptare nga njëra tjetra: femrat  të gjitha me mollëza, buzë, vetulla identike, dhe meshkujt nga mjekra hipster apo man-bun (topuz për çuna). Këtë shqetësim ma artikuloi thjesht, pastër pa gabime, jo më larg se aktorja Zoe Isabella Kravitz –  vajza e Lenny Kravitz dhe Lisa Bonet, dy ikona të viteve 90’. [Zoe është edhe protagoniste në serialin e HBO “Big Little Lies” – përkthyer pak a shumë në “Gënjeshtra të mëdha të vogla”, së bashku me Nicole Kidman, Reese Witherspoon dhe Maryl Streep. E rekomandoj fort, aq më fort për çifte apo prindër të vetëm që kanë fëmijë të vegjël.]

Dhe Zoe vijon: “Shumë njerëz janë duke ri-skulpturuar tërësisht fytyrat e tyre dhe po bën që të gjithë njerëzit të duken njësoj, që për mua është turp. Gjithkush është unik por dhe ndryshe në mënyrën e tyre, dhe unë mendoj që ajo është një gjë shumë e bukur. Make-up duhet përdorur vetëm për të nxjerrë në pah pikërisht këto vlera”.

Duke mos dashur asnjë moment të hedh poshtë risitë dhe mundësitë e sotshme, propozoj ta marrim pak ç’po ndodh sot dhe ç’ka ndodhur më parë, duke dashur të nxjerrim më të mirat e secilës epokë për t’i përdorur sa më mirë në funksion të paraqitjes personale.

Sot:

Gjithë kjo kirurgji estetike (në fakt, shpesh edhe pa ndërhyrje kirurgjike) i jep mundësinë shumë njerëzve që nuk janë rehat me një apo disa nga tiparet e veta. Fundja gjenetika është shpesh e pamëshirshme, dhe jo të gjithë lindim të bukur si Zoe. Kështu që nëse daja mund të ndihmojë të kesh hundën e ëndrrave, pse jo?  Por… A ke disiplinën të ndalesh, se! Se kemi parë hundë më të vogla se të djalit tim të porsalindur në një fytyrë me ballë të gjerë natyralisht. Dhe të gjithë e shohim që ka një gjë që nuk shkon; po personi në fjalë është pak e verbër duke qenë se ka hyrë shumë thellë në vallen e kirurgjisë.

Make-up-i ka avancuar njësoj si kirurgjia kur vjen puna për të “skulpturuar” fytyrën. (Hidhi një sy në Instagram kinezes Yuyamika për t’u shokuar sesi me thjesht fuqinë e makeup, ajo shndërrohet në Johnny Depp ose Taylor Swift). Lojërat e ndryshme të konturit bëjnë që të fsheshësh ato që nuk do të tregosh, dhe të nxjerrësh në pah ato që do. Po edhe këtu, duke u lëshuar dora pa karar, po shohim në rrugë dhjetëra ‘repilca-s’ të Kim Kardashian në çdo cep, se jo për gjë po konturimi e bën dhë ngjyrën e lëkurës si ta duash ti.

 

Burrat kanë filluar të kujdesen shumë më shumë për paraqitjen e tyre. Në rrugët tona sheh këmisha më ngjyra, tiranda, pantallona me lloj lloj stampimesh, mjekra të stër-kuruara e balluke ku është hedhur para për produkte. Në perëndim, këta meshkuj vënë dhe makeup. E para se të shash, po të them që jo me patjetër janë LBGT (po edhe po të jenë!) dhe ti as e di që kanë vënë, aq finë janë. Personalisht, këtë gjë e pëlqej. Në shumicën e specjeve të tjera, është mashkulli ai që përpiqet që të duket më bukur për të tërhequr femrën!  (Kujto: luani, dreri, zogjtë ekzotikë). Dhe e dyta, më pëlqen shumë të thyejmë stereotipet e meshkujve më higjenë minimale, me thonj të paprerë, kokën e rruar zero, mjekrën si vegjetacioni i Llogarasë.

Një herë e një kohë:
Këtu përfshihen shumë dhjetëvjeçarë por sa i përket të kaluarës, do ndalem vetëm te një argument: Sharon Stone nuk dukej si Mariah Carey dhe pastaj Whitney Houston nuk dukej si Aaliyah. Vërtetë makeup-i sidomos në fund të viteve 80’ dhe fillim 90’ ishte një vizatim i 3-vjeçarit tim –  vetulla fije peri, pudër blu deri te fija e perit, laps buzësh lejla, e buzë rozë. Por askush nuk kishte maninë të dukej identik si të tjerët.

Meryl Streep dhe Uma Thurman tërë jetën kanë pranuar shaka për hundët e tyre!

Cuna goca, burra, gra, trans e LGBT, propozoj të shfrytëzojmë gjithë shkencën dhe teknikat e sotshme në më të mirën e paraqitjes sonë tërësisht unike, duke e ruajtur atë siç ruan UNESCO Beratin.

Kjo rinia e sotshme, e pardjeshme, dhe e para erës sonë…

Para ca ditësh vizitova vendin ku kam punuar kamariere kur isha studente. Eshtë një restorant tipik amerikan “diner” ku shërbehen të gjitha vaktet dhe ka menu të larmishme. Si rrjedhojë është shumë orë hapur dhe është zakonisht plot. Ai shtet nuk ka kufizim orësh se sa do punosh, vetëm a je e zonja t’i marrësh përsipër. Unë duhet të paguaja shkollimin tim, ndaj merrja orë aq sa kishte dita nganjëherë, një maksimum prej 15.

Dhe m’u kujtua që isha 20 vjeç atë kohë, pa çka se në kokën time aq jam ende 🙃 dhe sesi njerëz të moshës sime sot, që më dukeshin shuuumë të rritur e të pjekur (ëhë) kur merrnin vesh sa vjeç isha, me thoshin gjëra të tipit “shijoje, je në kulmin e energjisë dhe rinisë, kohët ikin shpejt e nuk kthehen”.

Sigurisht askush nuk e kupton ç’ka në dorë, kurrë. Jo vetëm punoja 10-12 orë në ditë me tabaka e arka në duar, po në fund fare, hiqja përparësen me ceremoni dhe dilja me shoqet ndonjë herë dhe deri në orët e para të mëngjesit. E nesërmja pak e turbullt dhe me dhimbje koke, po asgjë që advil-i s’e rregullon.

(Sot duhet të më premtosh shkollimin e fëmijës që ta bëj.)

Aty ishin ca vajza të tjera 20 vjeçare që më dukeshin aq të freskëta. Menaxheri po i njëjti, me flokët tërësisht të bardha tashmë, në bisedë nostalgjike e sipër më tha diçka të tipit: “Kjo rinia e sotshme janë kot më kot Lura. Këto s’kanë interes për asgjë” dhe vazhdoi kështu.

Vërtet nuk jam 20, dhe shpesh e gjej veten duke zgurdulluar sytë që të mundohem të kuptoj ca trende, po e refuzoj me vendosmëri këtë shprehje. Ka shumë arsye pse nuk është ok. Sepse e para dhe më e rëndësishmja: nuk jam xheloze dhe e di që koha s’kthehet prapa. Edhe ti, nëse i jetove ato vite dhe gjithë të tjerat para e pas kulmit të rinisë, nuk ke pse të hidhërohesh që kanë ikur, përkundrazi, je i lumtur që i pate.

E dyta mendoj është fakti që çdo shoqëri, në çdo epokë e çdo lloj shteti, ndahet nga “klasa” të ndryshme dhe njerëzit në këto klasa e jetojnë jetën ndryshe. Klasat të caktuara e quajnë “shthurje dekadente” se çfarë bëjnë ata të lagjes X të rritur ndryshe, ndërsa këta të fundit i shohin ata të tjerët si alienë në atë që veshin apo muzikën që dëgjojnë. Dua thjesht t’ju përkujtoj që mbase ti nuk po kupton “rininë e sotshme” sepse vjen prej një formimi tjetër soj; po t’i kishe moshatarë, prapë s’do puqeshe plotësisht.

E treta  dhe mbase më e rëndësishmja, është refuzimi për t’u  edukuar dhe përditësuar. Kuptohet, ke arsyet e tua: të jesh e rritur është grackë të cilës vetëm i shtohen dhëmbëzat. Por prapë, askush nuk të detyrohet asgjë, e aq më pak të rinjtë e sotshëm. Nuk kupton çfarë bëjnë gjithë ditën në telefon? Pyeti. Pa tendencë, pa paragjykim.

Kur ta shpjegojnë, pyet prapë. Pyet prapë, e prapë.
Nuk i kupton flokët me ngjyra e trupin me tatuazhe? S’ke nevojë. Moshatarët e tu në Woodstock 1969 merrnin kalori vetëm nga drogërat e larmishme dhe bënin seks në grupe të mëdha në publik. Nuk je ti më i mirë e më i moralshëm me patjetër; ti qëllove në vend komunist.
Rrinë gjithë ditën me lojëra në kompjuter ndërkohë që ti vidhje kumbullat e Nafijes e të
zhdëpte në dajak çuni i vet krejt pa nevojë? Ulu. Kërko të ta tregojë lojën. Kërko të mësosh historinë dhe pyete pse i pëlqen aq shumë.

Siç edhe u tha; njerëz të ndryshëm kanë formim të ndryshëm dhe ndoshta disa prej tyre kanë pak personalitet me varësi apo kanë probleme me depresionin. Jo se brezi yt s’ka pasur, po ti s’ke ditur çfarë është shëndeti mendor. Asgjë për t’u krenuar.

Ky keqkuptim i ka bazat universale të çdo keqkuptim dhe keqinformim me dashje:

Nuk e kuptoj, ndaj e shaj.

Nuk mund ta kem, ndaj e shaj.

Për ta mbyllur desha dhe t’ju kujtoj që nuk është as ndonjë thënie origjinale meqë pretendoni që e ka fajin ky brez specifikisht.
Ky paragraf është marrë nga një libër i 1790 që quhet “Kujtimet e Familjes Bloomsgrove” ku Enos Hitchcock shkruan:
“Qasja falas që rinia e sotshme ka në novela dhe shfaqje romantike ua ka helmuar mendjen dhe korruptuar moralin shumë prej të rinjve me të ardhme premtuese; dhe ka ndaluar të tjerët që ta përmirësojnë mendjen me njohuri të vyera. Prindërit janë shume të shqetësuar që t’i ushqejnë fëmijët me një dietë të gjithëpërfshirëse, dhe nuk po shqetësohen për mendien e cila po mbushet me ushqim, plehra apo helm?”

Nuk ka rifreskim më të madh se të kalosh kohë me të rinj.

Njerëzi, o njerëz.

*Nuk kam asnjë të drejtë autoriale mbi imazhin*

Kisha ngelur në majë të kodrës për të zbritur në bregdet. Po kërkoja taksi por çik si pa sukses. Me thënë të drejtën më habit me ç’ritme të ngadalta lëvizin oportunistët në bregdet, po nejse.

Më thonë 2 zotërinj që ndoshta e bënë për humor që buron nga frustrimi, “thuaji atij burrit me xhip ai bën taksistin”. Unë zgjedh t’i besoj njerëzit jo se jam naive, po se 1) nuk ngrihem nga krevati me thikën e mprehur 2) kur të bëj një pyetje dhe nuk të njoh, nuk pres të bësh ‘humor 9 vjeçareje” . I afrohem zotërisë, dhe pas një bisede të stërzgjatur karakterizuese “jo po ku do ikësh ti” “jo po a je taksist” “moj ku do ikësh”, hipa.

Zotëria nuk ishte taksist aspak, po bëri një gjest njerëzor pasi nuk pranoi pagesën dhe as nuk donte asgjë nga unë. Mua s’më dilte e keqja, sepse vërtet nuk dal nga shpia me biçak, po fuqia e tepruar e lekut në një popull në esencë familjar dhe mikpritës, ka arritur të bëjë bullizëm te unë. Nuk më besohej që e bëri me njerëzillëk bazik.

Ata zotërinjtë lart më bënë nder, se mora taksi pa pagesë.

Besoj po ta merrnin vesh do u vinte shumë inat. Se pavarësisht se unë kam vënë një perde të trashë që më bllokon pamjen e inatit, ai qenka aty.

Dhe më erdhi pak keq për veten time po dhe për shumë të tjerë si unë. Ngrihemi në një vend përrallor çdo ditë, e fillojmë ditën ashtu… Deri sa dikush, diku, ka idenë gjeniale për të ta prishur ditën.

Në fakt duhet të jesh e vëmendshme që mos të lejosh të të prishet dita, se mënjgesi e ka vetinë që vetëm po shkele bishtin e maces, ajo ulëriu dhe ti ulërive mbrapsht, ka mundësi që edhe futja në makinë të iki mbrapsht, ndalesa në semafor, dhe gjëja zmadhohet në “butterfly effect”.

Po kjo është dukuri njerëzore kudo.

Ca nuk është dukuri njerëzore kudo, është ky instikti aq i ekzagjeruar “me ta fut”. Nuk e di nga buron, përtoj dhe ta analizoj deri në fund.

E megjithatë, përgjigja e parë më thotë që vjen nga diktatura aq kanceroze shqiptare, ku vëllai ia fuste vëllait se mbante pulë fshehurazi se ka djalin sëmurë. Po ajo është e trishtë dhe e largët.

Dhe e kam me të dëgjuar.

Mbase vjen nga sensi i humorit.

Por e refuzoj dhe atë. Edhe pse një ndër gjërat që ia dua vendit tim është humori, që nga Kosova e deri në Sarandë dhe ia mbaj vetes që kam sens humori gjenetikisht, të zi e të bardhë, të pisët e të pastër.

Humori nuk është keqadashje ku vetëm njëra palë argëtohet.

Pastaj them mos është personale – mbase më ndodh mua se nuk e kam këtë instikt “me ia fut”. Shto pastaj aty variablën ‘femër’, ‘e qeshur’, ‘buzët e kuqe’, je direkt amatore në jetë dhe ay boti që e ka IQ sa e sa më të ulët se ti, e ka të drejtë të lindur të të japë urdhra apo të tallet.

Do vazhdoj të mendohem për këtë gjë pasivisht, sepse bluja aq e thellë e detit jon, xixëlluar nga valët dhe freskuar nga flladi, hë për hë nuk më lejon të inatosem. Por do citoj një mik jo shqiptar, i cili e adhuronte këtë vend, por tani ka filluar ta lodhë.

“Kur unë pyes ç’ishte ajo sjellje egoiste me ‘ta fut’ pa arsye, më thonë me të qeshur cinike ‘ehu pse ça prite ti o plak?’ Çfarë prita?? Një marrëdhënie njerëzore motherf***er. Kaq e vështirë qenka?”

 

Çfarë çmimi ka më e çmuara?

Shumica e kryeqytetasve kanë një histori të lezetshme për të treguar. Bëhet fjalë për historinë e zhvillimit të bregdetit Jon, një det që unë nuk e ndërroj me asgjë që kam parë. E dashuroj si kodrat e djerra bien tangent në guralecët e bardhë, si shfaqen në mirazh ishuj që mendojmë se duhet të ishin tanët, dhe si ndërron blu-ja në aq shumë gradientë, që nuk ka kamerë që tregon dot të vërtetën.

 

Nuk di ç’bëhej në vitet 90’, por di që nga Vlora e tutje fshatrat kishin shumë pak lidhje me Tiranën dhe di historira allasoj kur shqiptarët e vizitonin atë zonë, ndiheshin sikur po shklenin në një Greqi të pa zhvilluar.

Duhet të kenë qenë fillimet e viteve ’00 kur bar-et e plazheve morën hov 90% e historitë janë kështu:

“Mbaj mend verën e parë që u hap XX. Njerëzit ishin të shlirë, muzika ishte super, çmimet shumë të përballueshme. Kërcenim deri në mëngjes rreth banakut dhe na zinte dhe gjumi te shezlonët, edhe pse kishim çadër”.

Mbaj mend… Por tani kam 6 vjet pa shkelur. Isha se më çoi kushëriri nga Amerika, dhe u trishtova.”

Prapë, nuk dua të ndalem të shaj jugun. Ua kam lënë gjithë portaleve dhe të mllefosurve që rrugën e famës në internet e bëjnë duke sharë e pështyrë mbi çdo gjë. Unë e shoh vetë që ka alternativa e organizime të mira, çdo vit e më shumë.

Por po mendoja për ëndrrat e njerëzve që nuk rrinë dot pa krijuar diçka. Dikur dhe këta njerëz, që më së shumti kanë punuar në emigracion, kishin ëndrrën e tyre të barit në plazh. Teksa lanin gota për dikë tjetër e dinin fort mirë ç’bregdet kemi ne, dhe çdo ditë atë ëndrrën e tyre e pasuronin si apartamentin e ri. Sot vëmë banakun… Imagjinojmë pozicionin… Me se do e dekorojmë… Si do vëmë dhe një dyqan të vogël ku do shesim syze e kremëra… Si do t’i lemë çadrat larg njëra tjetrës dhe që të gjithë të kenë pamje të mirë nga deti…

Ata që ia dalin, e hapin. Vitin e parë është një shëmbëlltyrë e mirë e ëndrrës po jo tamam aty.

Vitin e dytë i afrohet shumë.

Vitin e tretë e arrin…. Me ca surpriza të mëdha. Vjen dhe vulgu i njerëzve. Se kot e kemi, produktin origjinal të mirë menduar, e duan të gjithë.

E aty plas pastaj… Paratë fluturojnë mbi banak, njerëzit rreshtohen se duan një copëz, gangsterrat e institucionalizuar duan haraçin, presioni arrin kulmin, dhe hap pas hapi fillon shitja e shpirtit tek shejtani. Jo nga të gjithë, të kuptohemi. Por nga shumë.

Shejtani ka emër lek i pisët, në formën e lacit që nuk ka shije. Kështu që lokali ndërron interiorin, është më solid por i humbet fryma autentike, që do të thotë shëmtohet.

Shejtani vjen në formë të muzikës që dhunon veshin e shpirtin. Muzika free style nuk pranohet më. Duhet muzika më e pakuptimtë, e vjedhur, sa më shumë “autotune” dhe fjalë që përsëriten deri në psikopati.

Shejtani vjen në koktej hiper të shtrenjtë krahasuar me strukturën e tij të lodhur, alkolin e keq dhe shurupet mediokre.

Të gjitha këto, sepse ai pronari ëndërrimtar shiti shpirtin që strehonte ëndrrën.

Njerëzimi ka monetarizuar çdo të mirë materiale, por iluzionohet thellësisht nëse mendon se ëndrra shitet me kartmonedha. Jo o jo, as me Lekë, as Euro, as Bitcoin.

Mirëpo “Leku” te ne është një kodosh që s’di kufijtë e veta. Plus presioni i një vendi të egër në zhvillim e bën të vetën, dhe ai pronari i vë çmim monetar ëndrrës së vet. Vit pas viti hyn në perandorinë e tij, ndoshta në sipërfaqe duke u ndier krenar për famën dhe lluksin sipërfaqësor…

Po a i gëzohesh detit siç i gëzoheshe, mik? Në fakt, sa ke pa u larë?

A je i lumtur tani që dhe ti ke një çantë burri me shkronja që duan të thonë “unë kushtova 1500 Euro”? A ndalesh dhe mendon për atë ëndrrën tënde kur ishe akoma në Greqi? A e kujton, apo e ke varrosur me lekë? Lekë që hollë e hollë, as janë të tuat.

Unë për vete kam një ëndërr të re.
Që ëndrrat dhe vizionet e mia të kem fuqinë mos t’i shes.

Që të rrethohem nga njerëzit e duhur që më cytin para, dhe nuk bien pre e kënaqësive afat shkurtër.

Që të jem në gjendje të shijoj gjërat gjatë gjithë procesit, e jo për instagram.

Dhe që mbi të gjitha, “leku” të jetë partner jete, jo qëllimi final.

R.I.P. gjithë vendeve cool në Tiranë e bregdet.

 

 

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑