Sikur ça bëri.

Ah, kjo hierarkia e jetës profesionale. Kalon vitet e fëmijërise dhe të adoleshencës pa kokërr leku, duke u munduar të kuptosh se çfarë duan zyshat prej teje. Nuk është se ti nuk do t’ua japësh, thjesht nuk i merr vesh. Do kalojnë shumë vite, para se në fakt të kuptosh, që e kanë ato për detyrë të të kuptojnë ty, jo e kundërta. Po në një sistem ku shkolla fatkeqësisht nuk është në gjendje të të ngrejë lart… Ti përpëlitesh, me hormonet e tua, shpesh dhe me konflikte në familje, të bësh më të mirën, duke ëndërruar ditën që je e/i pavarur dhe merr rrogë.

E mbaron shkollën, je stazhiere, pastaj vazhdon me rrogë minimale, të rritet pak… Me shpresën që një ditë të ngrihesh e të jesh menaxher apo drejtoreshë. Atëherë hallet mbarojnë.

E jo për njerëz që s’i kanë punët mirë me sistemin. Nuk flas për kriminelë, sigurisht :) po flas për njerëz si vetja ime, që kanë nevojë për hapësirë që sistemi, ashtu me kufij siç është i ndërtuar, nuk ta lejon. Terrori im personal, pasi mbërrita deri te faza e ‘drejtuesit’, ishte që do të mbes aty gjithmonë. E paaftë për të qenë si eprori im, sepse për të qenë si ai, duhet kohë për të ideuar gjënë tënde, dhe unë 8-10 orë në ditë ia kisha taksur atij kundrejt një rroge të mirë. Gjithashtu e pa zonja për të zbritur një shkallë më poshtë: aty ku paga është më e ulët, por të mban shpresa që ka më lart, dhe liria më e madhe se e drejtueses.

Kur arrin menaxheren, duket sikur mbaroi. E kjo ide, për rebelin me ose pa arsye, është shpresë vrasëse.

Ndaj ngadalë, si me stil, fillova të nxjerr njërën këmbë nga sistemi, siç pak mësues për së mbari që kam pasur në jetë, kanë parashikuar për mua. Fillova të ndërtoj gjëra që nuk e dija as vetë ku ishin nisur; e nuk kisha as kë të pyesja.

E ndërkohë që as andej as këndej, gjithmonë në dijeni të sistemit po si jashtë tij, ndodh shpesh që kur më pyet dikush “po çfarë bën ti konkretisht në këtë projekt?” unë rri e mendohem të gjej fjalët e duhura. E kur rri e mendohem unë, që ndër të tjera paguhem për t’u shprehur, imagjino sa më të vështirë e kanë të tjerët, që truri i tyre vlen për të tjera gjëra.

Dhe momentin që disa nga këta njerëz, që janë në pozitë drejtuese po jo vizionare, nuk dinë ta materializojnë në veprime si rënie me çekan, dhe me rezultate TE MENJEHERESHME, thonë “hë mo se sikur ça bëri. E ja, e kisha bërë vetë, po nuk kam kohë.”

E kisha një problem me këtë shprehje përgjithësuese bastarde të papërgjigje, e ngjashme në natyrën e vet si “populli s’ka bukë të hajë”. Nuk e kisha dëgjuar direkt për mua, po për njerëz që unë ua vlerësoj shumë punën, thënë nga të tjerë që nuk ua kuptojnë punën, nuk kanë durim të presin rezultatet, nuk shikojnë përfitimet e tërthorta të punës së këtyre njerëzve pak më ndryshe, por që ama, kanë në duar pagën e këtyre njerëzve.

Për shembull, unë punoj me evente të ndryshme, disa prej tyre të mëdha. Ajo që bëj unë, po të filloj ta shpjegoj, është një libërth i vogël, nuk është një gjë: që nga mbledhjet krijuese ku mundohem të frymëzoj të tjerët dhe veten, mbajtja e marrëdhënieve të mira dhe mbi të gjitha, detajet. Ato detajt!
Duke ndjekur detaje që dritshkrutr-a thotë shprehimisht: “Po merresh me detaje! S’kemi kohë për detaje!”

Po nuk shtrive kabllo e i re çekanit, po s’vrapove kot më kot ujë në djersë, nuk ke bërë gjë.
Pastaj edhe po i shtrive kabllo e i re çekanit, ai personi pa vizion që pastaj nuk kupton pse nuk po bëhet milioner – ki mendjen, milioner nuk bëhesh kur jep orë duke “ruajtur” të tjerët – do thotë “Do e kisha bërë vetë po nuk kam kohë”.

Të kërkosh gjëra të prekshme me rezultate të menjëhershme (“Kur duhej kjo?” – “DJE!” – shprehja e preferuar e klientëve, dhe u duket si zbulim personal) është ajo çka ty të pozicionon tipikisht në një vend të pazhvilluar pa mentalitet lideri. E nga inati që s’po ecin përpara si Elon Musk apo dhe thjesht fare si ai pronari i lokalit përballë lokalit të vet, fillojnë abuzojnë punëmarrësit gojarisht po edhe me orë pune të kota; shajnë vizionarët me “hë mo sikur ça bëri”, zihen me rojen e parkimit, ulen në kafe, dhe thonë “s’merr vesh ky popull ere jo”.

Asgjë e mirë nuk është bërë sot për nesër, asgjë e mirë nuk është bërë pa vëmendje në detaje, asgjë e mirë nuk do bëhet kurrën e kurrës, nëse nuk respekton profesionalizmin e tjetrit.

Mbi ilaçin e enëve.

Shkrim nga Dori Peristeri, mikeshë e Larlara. 

Mirëmëngjes, mirëdita ose mirëmbrëma – sipas vaktit.

Bashkë nuk jemi takuar kurrë; të paktën jo me vetëdije që po takoheshim unë dhe ti. Ndoshta rastësisht jemi shkëmbyer rrugëve ose diku tjetër dhe jam e sigurt që ti ke menduar se kishe përpara një qenie pak qesharake me flokët e pakrehura si kaktus në lulëzim. Pikërisht ai kaktusi gazmor isha unë. Që mos të zgjatem më (njohjen tonë t’ia lëmë pak kohës) po të tregoj një histori të lezetshme…

Vinit (Vini është shoku im i jetës, një topolak sybojëqiell me flokë të dendura kaçurrel) kishte ca kohë që kishte vënë re te gishti i madh i dorës së djathtë një si tip ekzeme që vetëm sa bëhej më keq. Çfarë nuk provoi derëziu burrë – pomada, melheme të bëra vetë, lëkura bananeje sa kur hidhnim plehrat na vinte zor se kujtonin dynjaja se kishim marrë majmunë (ose ndonjë skenar dhe më të mbrapshtë që … nejse). Pas disa javësh që bënim eksperimente më në fund e ndau mendjen dhe, si hipokondriak i pashërueshëm (e qëllimshme kjo) që është, vendosi të shkonte tek një specialist i fushës, një dermatolog/e. Ky vendim na kushtoi një muaj kërkimesh – siç ndodh rëndom këtu te ne ku dhe për të shtrydhur një puçërr duhet të pyesësh 100 vetë se s’ke besim as te dora jote e majtë. Më në fund pasi pyetëm gjithë dynjanë (për 1 cm katror ekzemë) gjetëm një dermatologe që ishte e re në moshë (dhe për rrjedhojë, menduam të dy, bashkëkokohore) dhe shkuam si çift i lumtur për vizitën e ekzemës. Plani ishte që nëse doktoresha na e mbushte mendjen, mund të shkonim dhe për problem më madhore me të cilat nuk po jua lodh kokën tani.

E kështu unë dhe Vini pritëm në korridorin si prej haremi të spitalit, hymë në studion e saj dhe u rehatuam gjithë kërshëri. 100 pyetje në kokën tonë derisa filluan pyetjet e saj të radhës: kur e vure re (duhej ta kisha shënuar në ditar?), kështu ka qenë që në fillim (pse dreqin nuk i bëra ca foto po merresha me selfie), çfarë pune bën (dhe pse është relevante kjo), çfarë prek çdo ditë (sikur vetëm ta dije) e gjëra si këto që mendja e mbrapshtë e Vinit ishte gati t’i përçonte tek goja e tij nga ku do dilnin bashkë me të qeshurën e tij kumbuese. Po prisja momentin… e dija që ai nuk do duronte dhe do të fillonte të ironizonte. Ndërkohë që ajo e gjora bënte breshëri pyetjesh, ai mezi po priste… dhe ja ku e shkrepi:
– Ndoshta e kam nga ilaçi i enëve që përdor për larjen e pjatave?

… 1 minutë qetësi, dhe zëri i saj i sjellshëm dhe i ftohtë:

– Ah, punoni ne kuzhinë?

Unë thuajse rashë nga karrigia. Jo tha Vini thjesht në shtëpi merrem unë me larjen e enëve. (hahahahahaaaa, mendo Dorina për climate change që po na vjen dhe mos shpërthe këtu i thashë vetes). Ajo ngriti kokën nga eczema ku ishte kredhur me një teleskop dhe një vështrim i akullt më kryqëzoi në karrige, dhe ajo u kollit pak…

Unë pak a shumë e përktheva situatën kështu: “Aha, epo kjo e shpjegon problemin. Po mirë o grua, ti ç’bën gjithë ditën që lë këtë të shkretin të lajë enët? Çfarë gruaje je ti një here, që e vë burrin të bëjë nga këto punë!” – apo prit mos e ngatërrova gjë me mamanë time?

Pas kollitjes, ajo i rekomandoi Vinit të mbante dorashka kur të lante enët këtej e tutje….

Pas nja 30 minutash, kur mbaroi vizita dhe ne të dy dolëm, mezi mbanim lotët nga të qeshurat dhe m’u desh të shkoja në banjë se fshikëza nuk më mban më pas dy lindjesh. Nuk mendoj se do të kthehem më tek doktoresha në fjalë, nuk e di sesi mund t’ja shpjegoj asaj ca problem të tjera që do të më fusnin thellë në gropën e mëkatareve heretike. Fundi i historisë.

Të lutem, ty që sot më njohe pak më shumë, dëgjo rekomandimin e doktoreshës dhe mbaj doreza se pastaj mund të të shpifet një ekzemë që të sjell dilema ekzistenciale: A më pranon shoqëria edhe pse ndihmoj gruan duke vënë enët në pjatalarëse çdo ditë? Eh Vini, Vini – nuk thonë kot më mirë syri sesa nami.

Tani po iki t’i blej Vinit dorezat e radhës se ai sikur i ha me dhëmbë ato apo ndoshta nga gërryerja e tenxhereve… Të uroj një vakt të mbarë dhe mirë u takofshim.

 

Të dëgjosh a të përgjigjesh?

Duhet të kem qenë në klasë të gjashtë, kur një ditë im atë tenton të ulet të punojë në kompjuter në shtëpi. E hapi kompjuterin vetëm për të parë që çdo dokument e aplikacion kishte shenjën e drynit.

Nuk ishte virus. Isha unë që eksperimentoja orë e pa orë. E pasi e zgjidha këtë problem, më doli nami që marr vesh nga teknologjia (imagjino, e shkaktova vetë!) dhe në fakt, marr.

Mirëpo çunat te servisi i kompjuterave nuk e dinë dhe preferojnë të marrin të mirëqenë që ata e dinë ku e kam hallin unë.

Dita X

– Mirëdita. Ky karikuesi ka 2 pjesë siç e dini, nuk më punon gjysma që lidhet me kompjuterin. Shoh që shisni pjesë, a keni një të tillë?

– Po ti paske prizë amerikane.

– Nuk është aty problemi, është pjesa tjetër.

– Mos e ke rrëzu në tokë?

U futa vetë te koshi i kabllove, kërkova 20 min, sa e gjeta çfarë desha, e bleva, dola.

Nuk dua të ndalem kësaj radhe te fakti që jam femër dhe apriori pa hyrë në derë akoma ai e ka idenë që unë kompjuterin e kam makineri Facebook-u. Fatkeqësisht dukuria përsëritet kudo në industrinë e shërbimit. Domosdo shërbimit; ajo është e vështira, ajo do përkushtim, dhe do një talent që pak e kanë, po shumë mund ta mësojnë, të dëgjosh çfarë po të thonë. Dhe nëse është e paqartë, të bësh pyetje për të larguar mjegullën.

Dita Y

E kundërta, një fushë që s’marr vesh fare: shtrim parketi. Unë di që janë ca copa druri delikate – mora vesh që merrkan sëmundje! Thërras profesionistin i cili pasi u sigurua që parketi është në shtëpi, vjen për ta shtruar. Sheh sendet, dhe i indinjuar pyet:

– Ku e ke %^&*&^?

– Cfarë është ajo?

– Duhet për ta vënë midis &^& dhe *&&* që pastaj ta lyejmë me $%^%.

– Unë i marr ato?

– Po sigurisht o goc.

– Ja t’i shkruaj. A ka tjetër?

– Në fund fare do blesh &))*&. S’të tha ajo te dyqani?

– As ti kur folëm.

Tund kokën i frustruar si unë jam kaq e paaftë në një profesion aq specifik.
Një herë, 2 herë, 10 herë e humbur komplet në keqkuptime me industrinë e shërbimit të çfarëdo: nga ato që përmenda e deri te riparimi i këpucës apo rripit të orës. Një miku im zbavitej shumë pastaj kur më kalonte damari dhe i fusja ndonjë të bërtitur, pasi është e vetmja mënyrë që t’i shkundësh nga përgjigjet dhe pyetjet aq robotike, ose në shumë raste dhe mungesa e tyre tërësisht dhe e marra e mirëqenë që unë duhet të marr vesh nga zanati i tjetrit.

Deri sa mendoj se kuptova ku qëndron problemi, që shfaqet edhe në kulturën se si komunikojmë e deri si debatojmë në televizor: dëgjojmë atë që duam të dëgjojmë, dhe jo atë që po thotë personi në fjalë. Industria e shërbimit prandaj është e pasur dhe e lodhshme: ka një grup problemesh gjenerike, po çdokush është i ndryshëm pavarësisht etikës dhe kulturës së njëjtë që ka një popull. Ajo që s’ta mbush syrin ka njohuri në teknologji e ai që s’i ndihet zëri kurrë ka në fakt ide shumë të qarta se si e do këmishën të qepur te qafa.

Askush nuk do përmirësohet në atë që ofron duke trajtuar çdo kërkesë si rutinë, duke marrë gjëra të mirëqena sepse ashtu është më rehat, dhe duke dhënë përgjigje gjenerike. Ju siguroj që të gjithë idhujt tuaj në fushën e shërbimit e fillojnë komunikimin në një faqe të bardhë, pa paragjykim, pa përgjigje prêt-à-porter, pa indinjatë që ti s’ia njeh fushën.

E tani e gjej veten duke paragjykuar unë, kur hyj për herë të parë në një vend që pres një shërbim.

Mirëdita, të lutem më dëgjo me vëmendje. Po më dëgjon?

 

Kulla e tjetrit më e lartë

Ka dy lloje njerëzish në këtë botë në lidhje me metropolin më “organik” në botë, Nju Jorkun: ata që e kanë parë, dhe ata që nuk e kanë parë, ende.

Dhe nga ata që e kanë parë ndahen në 2 kategori të tjera madhore (me nën-nuanca, patjetër): 1: interesant por i frikshëm, nuk do jetoja dot. 2: dua t’ia puth trotutuarin e qelbur.

Kot sa ta them po jam kategoria e dytë. Sapo hedh hapin e parë në qytet brenda, fillon kolona zanore e ndonjë ambulance apo policie, shoqëruar me kantiere dhe rikonstruksione që nuk mbarojnë kurrë. Në rrugë qarkullojnë vetëm taksi, autobusa dhe limuzina, apo turistë të paditur që nuk i kanë bërë mirë llogaritë se sa të bie kokës të qarkullosh me makinë në një qytet ku ka mbi 10 milionë njerëz që nusërojnë në të çdo ditë.

Nuk di ku t’i mbash sytë më parë: në tokë, te njerëzit aq pabesueshmërisht të larmishëm, apo te ndërtesat që rrinë ngjitur me njëra-tjetrën me aq respekt, duke të mbuluar ty diellin në shumë prej rrugëve.

Apo te kullat moderne që nuk ka iPhone X që t’ia përthekojë gjithë dimensionet dhe magjinë që rrezatojnë? Ups, kujdes çantën ama. Uhhh… Mi ishte ai? Po ishte sa macja ime!

Aq shumë zgedhje, që papritur nuk dëgjon më mendimet e tua, dhe ajo sjell një paqe të re, ndërkohë që truri përpiqet të regjistrojë shpejt gjithë këtë informacion të ri.

Se jo për gjë, por ka çdo ditë informacion të ri, edhe nëse jeton aty.

Sheh dikë që të kujton tezen në Fier nga praqitja? No problem. Qyteti i shkon shumë.

Ndonjë aktor nga Game of Thrones që as e kishe imagjinuar që është i vërtetë, jo mo po ndan të njëjtën pllakë trotuari me ty? No problem, qyteti i shkon shumë dhe as që ke kohë të shokohesh.

Ti je me gojë hapur nga përqëndrimi, duke mbajtur fort sendet e vyera, flokët jashtë orbite, duke kërrusur qafën të kuptosh sa lart shkon ajo kulla mbas asaj kullës gjithashtu tejet të lartë, që duket si transparente? No problem, qyteti të shkon shumë.

Sheh një njeri tmerrësisht tërheqës dhe nuk po e kupton dot çfarë race është se njohuria jote mbaron me 5 raca kryesore? No problem, të dyve ju qyteti ju shkon shumë.

Askush nuk gjykon. Të gjithë vëzhgojnë.

I gjithë qytetërimi i qenies njeri, qoftë nga cilado gungë e planetit tokë, merr kuptim në këtë ishull. Çdo novacion merr fluturim që aty, dhe nuk ndjej se ka një metropol tjetër që i përfshin të gjithë njerëzit bashkë me shkencë e art me sytë nga qielli dhe drejt së ardhmes në një mënyrë kaq origjinale, kaq perfekte, dhe me kaq rregull (xhungle, sigurisht).

Nuk ka rëndësi kush ishe aty nga erdhe. Këtu ji kush të duash dhe çfarë të duash, vetëm me një kusht: duhet të japësh rezultate origjinale.

E pasi eca 12 km në ditë për 3 ditë, duke injoruar komplet gishtin e vogël që bërtiste në dhimbje e chat-et që po shpërthenin me 243 njoftime, u ula në ballkonin e vogël të disa shqiptarëve (i vogël i vogël, po pamjen llahtar!) që jetonin një një apartament të vogël 1+1, paguanin 4800 $ qira mujore për të, 2000$ kopësht për fëmijën, e sa shpenzime të tjera që ne nuk i përkthejmë dot se çfarë janë duke qenë se vetë kemi vetëm tre në muaj: ujë, energji, internet/tv.

U ula dhe ndëshkova veten që nuk ika kur isha më e re, që nuk ndenja aty kur shkela për herë të parë, 20 vjeç.

E teksa po flisnim për gjëra të ndryshme, kryesisht si po ia çoja unë, bashkëfolësi që jetonte në katin e 22 në Manhattan, më tha:

“Lum ti që jeton në Tiranë!”

Qesha, por fjalia më ra kokës. Ishte fjali e sinqertë.

Ju thashë vetëm 2 fatura të sipërfolësve, dhe “e më mirë se kanë lekë ata”, do thoni ju. Jo, nuk janë të pasur.

Përkundër si mendojnë shumë njerëz që nuk kanë emigruar kurrë, nuk të paguan njeri 8,000 $ në muaj vetëm pse është “Amerikë”. Nëse i je afruar një shifre të tillë, nga e cila 70% të ikin fatura gjithsesi, do të thotë që e ke paguar faturën tënde me gjak në të kaluarën, ose ke një biznes që nuk të mundëson as të shijosh diellin, në kuptimin e parë të fjalës. Këta njerëz nuk e dinë çfarë është të dalësh në punë për të dalë prapë menjëherë për të pirë kafen e mëngjesit dhe për t’i mbajtur “takimet” po në kafe ku 90% fliten teorira të paverifikuara dhe 10% punë.

Këto janë thjesht mendimet e mia. Po ata ndjenin se u mungonin shumë gjëra që “shtëpia”, a.k.a Shqipëria t’i dhuron pa shumë mund. Ata ndjenin se lumturia nuk matet me një pasaportë “me reputacion”, e as me një rrogë të madhe që siç e merr, e shpërbën direkt, jo vetëm pa asnjë kursim, po me borxhe deri ditën e fundit të jetës. Ata ndjenin se jeta është më e shijuar në “shtëpi” dhe se tani ata ishin tepër të zhytur në sistem për të marrë guximin e çmendur për t’u kthyer.

Kurse unë mendoja se sa më mirë do e kisha gjetur veten profesionalisht në një vend ku askush nuk paragjykon por vetëm ekzekutojnë. Cfarë kënaqësie të zgjoheshe çdo ditë në qytetin më “hot” në botë. Të kishe kaq shumë zgjedhje për të mira materiale, me çmime ndoshta dhe më të lira se në shtëpi. Të ishe pjesë e së ardhmes së planetit dhe pionier i çdo gjëje të re që hidhet në publikun e gjerë.

Aty e pashë që ky diskutim është tërësisht i kotë, sepse në përgjithësi, është pjesë thelbësore e qenies së njeriut të lakmojë atë që nuk kemi. Ajo do Tiranë, unë dua Nju Jork!

Ta zëmë erdha në Nju Jork. Nja 1-3 vjet do hiqja të stabilizohesha, që do më plakte një çikë para kohe, siç ndodh kudo kur je i rritur me përgjegjësi. Po pastaj, do bija në rutinë, dhe do qaja për Tiranën time.

Kafet e mira në diell. Karkalecat në bregdet. Koktejet e papara, të lira. Restorantet të cilësisë Michellin, po jo me çmime Michellin. Shoqërinë që ka kohë për ty e nuk ke nevojë t’i thuash 1 muaj para një “brunch”. Familja e ngushtë, e gjerë, fisi. Deti. Europa mu aty.

Deti prapë.

Dhe aty fillova të këndoj në kokë një këngë të vjetër të Travis, që e kisha pothuaj harruar, por m’u kujtua e gjitha:

The grass is always greener on the other side / Bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër
The neighbor’s got a new car that you want to drive / Komshiu ka një makinë e re që do ta ngasësh
And when time is running out you want to stay alive / Dhe kur po ikën koha, ti do thjesht të jesh gjallë

We all live under the same sky / Të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell
We all will live we all will die / Të gjithë do jetojmë, të gjithë do vdesim
There is no wrong / S’ka të gabuar
There is no right / S’ka të drejtë
The circle only has one side / Rrethi ka vetëm një anë.

Të dua Tiranë.
Të dua Nju Jork.

 

 

 

 

 

 

 

Sa thotë ora jote?

– Më fal, linja numër 1 ishte kjo se nuk e pashë?

– Ku do vesh o çupë?

– Të takoj Edën.

* Heshtje *

– Po ku do ndalosh o çupë?

– Po  unë di që më duhet linja nr 1. Do ndaloj te 11 Janari.

– Ca thotë kjo 11 Janari o Berti?

Berti: 11 Janari???

– Aa te Juvenilja. Ajde moj yp edhe thoj që doje Kristalin.

– Doja linjën nr 1.

Kjo më kujtoi atë barcoletën kur kam qenë fëmijë:

“Futet kali në furrë të bukës.

– Përshëndetje, një bukë doja!

– Bukë të bardhë apo të zezë?

– E s’ka gjë, se me biçikletë jam.”

Nuk di a ishte shumë popullore si barcoletë por që për mua ishte kulmi i absurditetit dhe sot e kësaj dite më qeshet shumë me të. Si kali si faturino o kërkojnë o japin detaje personale që s’i hyjnë në punë askujt. E unë, që e di që para se të marr përgjigjen që dua duhet patjetër të kaloj në ndonjë detaj të tillë, jap “ takimin me Edën” që as do e takoj fare; po me këtë rast zbavis veten.

Mirëpo për zbavitje apo për kulturë të thellë pune, këto janë detajet që devijojnë bisedën e vonojnë transaksionin, dhe që na bëjnë ne në fund të ditës të shfryjmë frazën aq jo origjinale po që të gjithë e marrim personale sikur e kemi shpikur vetë:

S’bohet mo ky ven.
S’bahet ky ven’.

Z’bëet ky vend ‘gjo mua.

S’beet qy vend e.

E pastaj janë të gjithë vonë, medoemos.

Vonë autobusat që kur i sheh që larg janë një llamarinë madhe e shpejtë e xhindosur me sytë ndezur. Ti futesh me shkathtësi dhe një zonjë  – gjithashtu vonë – të rrëzohet në këmbë që ti s’di të qeshësh a të qash, po s’ka kohë kështu që e ndihmon vrap. “Ore pusht! Po si s’të vjen rëndë një herë, jemi me tension!”

Vonë ata burrat në makina të vogla me lloj lloj sendesh mbrapa ose me bagazh të hapur me një karrige që varet gjoja e lidhur me fije plastike.  Disa prej tyre kanë plaka me shami të bardhë në vend të parë, pa rrip sigurimi asnjëri. Ndaj për këtë arsye e shumë të tjera, ia lejojnë vetes të parakalojnë në trafik dhe t’ia zënë rrugën kahut të kundërt; duke krijuar kështu një situatë koti në rrugicën X  me dalje në rrugë kryesore 12 herë vetëm në mëngjes.

Vonë ato zonjat me xhupa të zi – ndonjëra e ka vishnje – që po ikin me ndonjë qokë dhe e kalojnë rrugën ku t’u teket e si t’u teket, duke nxjerrë dorën në shenjë “prit” a thua se ajo është e barabartë me dritën dhe alarmin e ambulancës dhe gjithë jeta duhet të ndalojë si rrjedhojë.

Vonë fugoni i qumështit që i jep makinës sikur mos të ketë të nesërme dhe sikur nuk përfaqëson një institucion me logot me të cilat fugoni është i veshur. Kështu ai të bllokon daljen nga rrugica duke ta bërë me gisht ‘1 minutë’ pa të parë në sy fare. S’ka gjë se ti je e lidhur e gati për t’u nisur. Duro! Duro 1 minutë! Pfff, çar’ njerëzish që nuk durojnë.

Vonë unë, që jam me ndonjë qorrsokak duke kërkuar biçikletë, ku sigurisht patjetër 100% ka ndonjë lloto dhe 5 burra po shohin e njëri pyet “kë kërkon moj vajzë”?

A t’i them “Jarin”? Me siguri ka 1 të tillë.

Të gjithë jemi vonë. Të gjithë jemi nisur nëpër “situata” ku 70% të kohës do ngatërrohemi në biseda pa krye dhe detaje personale;  15% të kohës njëri do nxehet e do thotë “shtet legen” ose “ja, shqiptarët!”, 10% të kohës do fillojnë më në fund të takohen frekuencat ku do sillemi sikur kemi vite që njihemi dhe do zbuten tërësisht tonet, dhe ndoshta kismet pthu zëre me dorë, me 5% fillon zgjidhja.

95% e kohës është e humbur në një vrimë të zezë ballkanase/mesdhetare/shqiptaro-pellazge.

Po hej, së paku na jep material zbavitës dhe u mundëson jetë dhjetëra faqeve me meme në Instagram.

Bllok, rrok dhe drrok’.

Pashë  një ëndërr.
Isha e lumtur duke rrëshqitur me biçikletë në një rrugë të drejtë, e pa penguar nga makinat, nën gjethet e pemëve. Siç e kanë ëndrrat, nuk mbaj mend as nga po vija as nga po shkoja; di që po ndihesha mirë, mendimet po qarkullonin deri sa u zgjova nga mjau-itjet e Rios që i hahet gjithmonë.

Kur po përpiqesha ta zbërtheja, pata parasysh që shpesh ëndrra nuk është asgjë misterioze që po kumbon diçka të thellë në jetën time. Në fakt, në ëndërr isha duke i dhënë biçikletës në bllok, një gjë që e bëj shumë shpesh dhe me sytë shumë hapur. Dhe kohëve të fundit, kjo lloj xhiroje në bllok është vërtet e ëmbël.

Aty u kujtova se sa shokë të vjetër jemi blloku e unë, sa na kanë parë sytë, sa shumë ka ndryshuar ai, sa jam rritur unë. Duke vijuar atë që ëndrrat jo me patjetër janë letërsi ku zysha do gjejë kuptim me zor, m’u kujtua që para ca ditësh kisha parë një artikull artificial gjithë përgjithësime dhe fraza të babagjyshit të tipit “në bllok të hedhin drogë në pije”, dhe kënaqësia në ëndërr ishtë thjesht një kundër-reagim i shkrimeve pa përmbajtje për klikime.

Nuk ka nevojë të konsumosh drogë ta dish që s’ta hedh njeri në pije pa të keq. Shih Narcos apo El Chapo, për të parë sa njerëz vdesin e sa rritet çmimi që kokaina të vijë nga Amerika e Jugut deri në bllok, e jo vetëm që nuk ta sprucon njeri në pije, po kush e di në ç’qorrsokaqe duhet të futesh që ta gjesh shumë shtrenjtë.

M’u kujtua kur blloku ruhej me ushtarë tek ura e vogël dhe  te garda. Nuk të ndalonin të hyrje, por të skanonin nga këmbët te koka shoqëruar me ndonjë “koment ushtari”. Atëherë ishte një shëtitje edhe më e këndshme se sot nën pemë, ama tërësisht pa makina. Tek tuk ndonjë kafe dhe adoleshentë që po ecnin mbi tokën e ndaluar.

M’u kujtuan kur filluan lokalet e para po në këto skaje të tij dhe diskoteka ditore në hyrje të liqenit. Tanimë jo vetëm mund të shëtisnim, por dhe të pinim çaj me fruta pylli / Coca Cola me ndonjë cigare të hapur tek tuk e na dukej vetja si të pavarur. Aty dhe filluan historitë e para. “E di ti që të gjitha vilat e bllokut janë të lidhura me tunele? Pse, si e vrau Mehmet Shehun Enveri kujton ti?” “E di ti që ka një tunel që shkon drejt nga shpia e Dullës drejt e në aeroport?”
Të gjitha i besoj sot e kësaj dite, siç ka ditë që s’i besoj.

Blloku më pas nuk mbahej dot më me 2 ushtarë me kallash. U ndërtuan pallatet e para të këqija që ende të vrasin sytë. “Ky pallati u ndërtua shtrembër. Ndaj dhe po ndërtojnë të tjerët aq ngjitur tij, që mos të bjerë. S’e dije?”. U hapën agjenci e lokale në çdo rrugë, bare nate ku me thënë të drejtën, mbizotëronte ende mentaliteti ‘i motrës’ dhe ne ndiheshim të sigurta. Shpërtheu karaokja, ëmbëlsirat franceze, sanduiçet legjendare, vodka+redbull për 100 Lekë (a thua vallë do e dimë ndonjë herë çfarë përbërisish kish ajo që ata quanin ‘vodka’ apo ‘redbull’?), piktorët që bëjnë replika identike të fotove të tua. Gjatë ditës derdhej betonierja, erdhën zyrat qëndrore të kompanive të huaja, erdhën bankat, e më shumë zyra. Ne u rritëm, e tani punonim aty. Kishim mendjen të na kapte syri çdo mëngjës gratë e bukura të ish-bllokmenëve, të shihnim ndonjë biznesmen te dalë nga burgu që ndonjë herë dhe hanin dajak; artistët e përgjumur që i ka nxjerrë ndonjë punë në mëngjes mes “njerëzve katrorë”.

Dikush pastaj riktheu në modë mbjelljen e pemëve, dhe Wallstreet-i shqiptar po merrte formën e vet natyrale.

Sa marrëveshje që i kanë ndryshuar jetën këtij vendi, sa ide novatore, dhe sa nisma artikstike kanë ndodhur në bllok! Madje dita ditës merr gjithmonë e më shumë një formë më civile: me gjelbërim, biçikleta dhe profesionistë gjatë ditës, lokale kreative ku  gumëzhijnë të rinj shqiptarë, italianë që jetojnë këtu e të huaj që kanë lexuar në Trip Advisor gjatë natës.

Thoni e lexoni ç’të doni, është zona më e dashur e qytetit. Dhe si e tillë, nuk mund të presim të jetë as pa krim, as e lirë si kafja e lagjes.

Mjafton mos t’i qasesh me Ferrari duke xhiruar gomat; por të depërtohet qetësisht me këmbë apo biçikletë, dhe  gjëra shumë të bukura do të ndodhin, herët a vonë.

Je Suis S’Më Kanë Fikur Cigare Në Ballë

Nëse ke gjetur një moment të hedhësh sytë në telefon këto ditë, e di shumë mirë për çfarë po flas: për abuzimin seksual dhe fizik që i është bërë një vajze pa mbrojtje, nga një djalë me mbrojtje.

Meqenëse dhuna dhe seksi listohen në majë për ngjarje bombastike ndërmjet species sonë propagandistike, të gjithë jemi çakorduar: Njerëzit më të arsyeshëm janë të terrorizuar dhe ngrenë sytë nga qielli; troll-at e internetit mprefin gishtat  dhe i ngjeshin ato fort në ekranet me prekje pa parë analfabetizmin e tyre duke thënë se si ajo e kokrra k***ës e ka bërë për famë e lekë, dhe si feminizmi nuk ekziston e gratë “bëjnë kot” – e njëjta këngë që i këndohet çdo komuniteti të shtypur.

Ata që ndihen të pafuqishëm komentojnë himnin jo zyrtar: “S’bohet mo ky ven”.

Nuk po ndodh vetëm në Shqipëri. Në shtetet më të emancipuara kulturalisht ke abuzime seksuale sistematike, ka burra që nuk ndëshkohen, dhe gra të plagosura që përpiqen të vënë të kaluarën prapa dhe të shohin drejt. Madje siç edhe e dimë të gjithë, në SHBA një syresh i tillë është president.

Nuk u ndodh vetëm të varfërave. Botërisht, 1/3 e grave kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale nga një mashkull partner ose jo partner. Statistika është e njëjtjë për Shqipërinë, me disa zona rurale ku statistika është 1/1.

Edhe në mes të këtij tranzicioni botëror aspak të lehtë, ku femrat po përpiqen të mos heshtin më, jam edhe unë.

Ne jemi plot.

Ne, vajzat e qytetit, të rritura me dashuri e pa dhunë (më duhet ta theksoj, sepse shpesh dhuna ndodh dhe në ambiente ku ka dashuri, duke krijuar varësi toksike) dhe me të mira materiale, të shkolluara dhe të shëtitura.

Burrat abuzivë nuk kanë arritur të na afrohen tepër. Nuk para na ka kërkuar njeri ndere seksuale haptazi në shkëmbim të provimit apo karrierës. Nuk jemi fiks pjesë e #metoo, po jemi në prag.

Si për çudi, ne përbuzemi gjithashtu. Ç’dreqin dashkemi ne pra? Hajt të mbyllim gojën aty, jemi princesha përderi sa nuk na fik njeri cigaren në ballë!

Uau! Ku e kam Pallatin Mbretëror të lutem?

Do jap 2 argumente se ç’dreq duam ne: njëri pragmatik dhe tjetri thjesht njerëzor. Pa dhunë, pa gjak. Ka dhe ashtu.

Eshtë mëse e vërtetë që unë si shumë, kam vetëm imagjinatën për të përfytyruar ç’do të thotë fikja e cigares në ballë. Dhe duke qenë se nuk jetoj në një makth të tillë, kam luksin të flas në emër të këtyre vajzave. Dhe gëzoj dhe respekt e njohje më shumë se to, fatkeqësisht. Dhe kështu është pragmatike, unë i ndihmoj çështjes.

Argumenti njerëzor ka të bëjë me frustrimin e akumuluar në dhjetëvjeçarë.

Unë që e vogël jam përjashtuar nga bisedat ku çunat ishin ulur rreth e qeshnin me zë. Afrohesha, se jo për gjë po s’jetoj dot pa humor dhe nuk më interesojnë fare gjenitalet e atyre që po e bëjnë, po grupi ose shpërbëhej ose më përzinin duke më fyer. Gjejeni pse.

Sa herë bëja paralele apo hipja mbi mure, prindërve të mi do u binte telefoni. Shokëve të mi nuk u binte telefoni. Gjejeni pse.

Kur përdorja fjalë të pista në sherre me çunat e klasës, prindërve të mi u binte telefoni. Prindërve të çunave nuk u binte telefoni. Pse vallë?

Ditën që mua dhe motrave te mia na shpërtheu pubertieti, ime më merrte regullisht raport  të pa kërkuar se ku gjendemi e me kë po rrimë.
Jetën ulur e kam kaluar me frikën mos kam këmbët hapur.

Në rreth gjysmën e mbledhjeve profesionale kam parë se si fjala e një mashkulli tërësisht të papërgatitur a) ose respektohet para fjalës së një femre të përgatitur b) ose merret ideja e saj dhe i jepet atij për zbatim.

Kam dëgjuar drejtoreshën t’i referohet gjithë departamentit të shitjeve me femra shumë të afta si “ato k***at”.
Eshtë e pamundur të hipësh në biçikletë me fustan, se do dëgjosh të të thirren gjenitalet nga të panjohur çdo 5 minuta.
Eshtë e pamundur  të më kalojë java pa të thënë të paktën 3 burra të ndryshëm (ndër ta dhe kolegë) “qetësohu”, kur unë thjesht po flas.

Eshtë e pamundur të kalojë muaji  pa dëgjuar që po flitet për njërën “e mos u merr si i kanë ardh’ ato”, kur as kanë informacion të tillë.

Eshtë e pamundur të kalojë java pa të treguar parazitët e lagjeve se si të parkosh.

Dhe kur je nënë, merr tmerrësisht pak ndihmë me karrocën apo vështirësitë që sjell mbajtja e një fëmije, madje merr dhe menddhënie nga burra që nuk dinë si ngjitet një pelenë në trup.

Dhe kam një jetë të tërë që dëgjoj burrat rreth meje se si ata e dinë me mirë se unë si po ndihem, si kam reaguar kot dhe keq, dhe se si ndihem gabim.

Po i dëgjoj në kokë zërat cinikë se si nuk më paska gjetur asgjë, gjëra të vogla. E po të dashur, pika pika mbushet pusi.  Mbase nuk është cilësia kësaj radhe, po është sasia që fiton. 7 të tilla në ditë mesatarisht për 20 vjet…. i thonë 50 mijë herë që pengohem e fyhem vetëm e vetëm pse u linda femër. Dhe çdo ditë është e njëjta luftë, unë nuk e di nga do më vijë: nga një burrë i frustruar në rrugë, nga komshija mizogjene apo nga të njohur në Facebook? Kush e di ç’surpriza më presin nesër!
Dhe herë pas here ka dhe abuzime e diskriminime serioze që të fyejnë thellësisht  personalitetin apo të rrezikojnë jetën profesionale. Po  prapë ato nuk i afrohen përdhunimit dhe dhunës fizike ndaj për respekt të Xhiselave të kësaj bote, po i përjashtoj nga përllogaritja dhe po merrem me pikat e pusit.

Neve vërtet nuk na fik njeri cigaret në lëkurë, por po na shkundin hirin që kur jemi klasifikuar si individë.

Thjesht nuk durohet më. Dhe nuk është këtu diskutimi a janë burrat keqadashës ndaj grave a priori.  Jo nuk janë.  Ashtu i kanë mësuar, ashtu janë rrethuar tërë jetën, dhe shpesh as janë të vetëdijshëm se si po shprehen apo nga se motivohen veprimet e tyre.
Ky shkrim e shumë të tjera të kësaj natyre le t’ju shërbejë si vetëdijësim: jemi të gjithë njerëz para se të kemi perioda apo ereksion të pakontrolluar.
Nisur nga ato  sfera ku unë gëzoj barazi e harmoni të plotë, ju garantoj që jeta është shumë më e bukur kur thjesht shihemi dhë dëgjojmë  me sinqeritet tjetrën/in.

Eshtë vetëm një kromozom!

 

 

Klientja nga Ferri

Eshtë një pasdite e ngrohtë si gjithë të tjerat. Hipën në autobus, dhe e sheh veten duke përqafuar një hekur sepse shoferi dhe faturino kanë orare për të kapur; orare që ti as nuk i di se nuk janë të publikuara askund. Teksa përpiqesh të marrësh veten, për të parë a ke telefonin dhe kuletën në vend fillimisht, një oportunist i kaosit tregohet finok dhe përpiqet të të fusë duart me stil. Pa energji për t’u marrë me atë allasoj zvarraniku, zbret në stacionin tjetër, për të parë një pseudo zonjë (në shtëpi është nikoqirja më me nam e fisit!) e cila hedh facoletën e pisët mu në mes të trotuarit.
Nuk e di ty po për mua mjaftuan këto që të më prishen ekuilibrat. E në atë moment të pa barazpeshuar, m’u kujtua që operatori im më ka borxh ca lekë që m’i zhvati në roaming herën e fundit dhe që duhet ta kishte zgjidhur si çështje që para 2 javësh.
– Alo mirëdita, më keni vjedhur herën e fundit që udhëtova.

Ajo dëgjon ç’do të dëgjojë ajo, jo çfarë po i them unë.
– Më dëgjo me vëmendje dhe shih mirë se e ke rastin e hapur, fut emrin.
E kështu fillon saga, që kush ka kaluar kohë me mua në 8 vitet e fundit ku dhe jam rivendosur me kohë të plotë në Tiranë si një e rritur që përballet me jetën në në çdo dimension të saj: që nga mjediset e përbashkëta si autobusi deri në ambiente eksluzive, më ka parë “në aksion” ku rrënoj në debat atë strukturë që më ka bërë padrejtësi. Disa tremben prej meje, të tjerë marrin kokoshkat dhe argëtohen me shfaqjen. Personi përballë ose në anën tjetër të telefonit zakonisht përfundon duke thënë se si është thjesht një punonjës/e dhe unë regjistrohem si klientja nga Ferri.

Njësoj si kur të ka ngelur një nofkë krejt kot, që ti e di që është ekzagjeruar dhe ti nuk je aspak ashtu… Por vjen një pikë dhe e përqafon se sa të rrish të bindësh njerëzit për të kundërtën, që ka vetëm kundra-efekt.

Edhe unë e përqafoj këtë “klienten nga Ferri” jo se jam e tillë, dhe as së më jep kënaqësi të bëj “si dreq” me punonjës që janë aq të keqtrajnuar e mbase dhe keqtrajtuar, që mendojnë që dalja nga çdo situatë është ose justifikimi irrelevant (mos u lodh nuk jam mamaja jote) ose lëshimi i dinjitetit profesional duke thënë “unë thjesht punoj këtu”. Ok, meqë thjesht sa punon më nxirr bosin e madh se ia tregoj dhe atij talentet e mia të debatit.
Nuk e bëj as për ato 1000 Lekë që m’i grinë. Se jo për gjë, po aq i gjeta para 1 jave në tokë në taksi. Gjërat e përditshme barazohen vetë.
Puna është që e vetmja mënyrë që t’i tregosh ‘forcave më të mëdha’ në këtë vend që nuk të trajtonë dot ty si një barcode, është duke i zënë ngushtë, duke i çuar në një cep rrethuar nga argumente që janë të gjitha të drejta: nuk janë teka, nuk janë abuzime, as dëngla. Jo jo, në një vend si i yni, kur të abuzojnë institucionet nuk ua kthen dot me “trajtim të heshtur” as me çrekomandim. Duke qenë se çfarëdo shërbimi të jesh duke marrë, zakonisht është pjesë e ndonjë monopoli ose oligopoli ose e administratës që nuk para ka respekt për ty, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të tregosh se ke kthetra dhe mbi të gjitha, nuk po të bën njeri për idiot dhe se ti e di vlerën që ke në atë strukturë X.

Po shumica dërrmuese vuajnë nga apatia dhe nënshtrimi, nuk marrin atë që u takon. Ndaj klientja nga Ferri jam unë, dhe pse klientja e vërtetë nga Ferri është gjithashtu abuzive, ndërsa unë vetëm kërkoj çka është e imja, me insistim.

Dhe ky nuk është proçes i këndshëm. Dhe as mua nuk më vjen natyrshëm çdo herë që ndhodh diçka e tillë, se ka shumë brenda një dite. (ndryshe do më kishit parë duke folur me vete në bulevard!), kam nevojë të më mblidhen disa, dhe do hakërrehem te më e rëndësishmja për mua dhe që ka një vesh funksional. Dhe të jemi të sinqertë, rrallë do marësh atë që të takon, në më pak se gjysmat e rasteve. T’i bësh për 2 lekë nuk është nga ato gjërat terapuetike apo shkarkuese siç është t’i biesh me grushte një thesi apo dhe të këndosh me sa të ha fyti e të kërcesh sa mos të lëvizësh dot të nesërmen. Për një njeri me mendje të shëndoshë dhe pozitivitet, është përçudnim dhe dalje nga lëkura.

Mua më rraskapit.

Mirëpo unë nuk shoh asnjë mënyrë tjetër për të marrë çka është e jotja duke mos u bërë dhe ti abuzive. Nuk e kuptoj nga se kanë frikë njerëzit në mënyrë kaq kolektive. Sepse kur e provon të mbash mjekrën lart e të artikulohesh qartë me zë potent, e sheh që nuk ke nga se dhe nga kush të kesh frikë.

Duhet thjesht ta provosh, më beso.

Mos harro kurrë pushtetin që ke ndaj çdo ‘force madhore’ që varet nga kontributi yt. Ata pa ty janë komplet pa pushtet, kurse ti do kalosh nga njëri te tjetri duke qenë kjo/ky që je.

  • Alo, zjarrfiksi?
  • Po?
  • M’u dogj pitja.

 

U trashëgofshi! Po deshët.

Po ta mendosh, mashkulli me trajtat më “jo produktive” të mundshme si: vese të ndryshme, jo besnik, arrogant, është dembel… Ama! Ama fëmijët i do. Shumë fare. S’e ka problem të lërë femrat shtatzanë, dhe zakonisht është një baba i dashur, (duke përjashtuar të dhunshmit), shakaxhi, luan, bën dhurata… Këta janë meshkuj e burra që u dalin për zot edhe 4 fëmijëve, madje dhe kur nuk i kanë financat. Pse mos t’u dalin? Se mos marrin leje lindje, se mos ndërrojnë pelena, se mos desh vdesin apo operohen, apo mos vrapojnë mbas 2 vjeçares me 1 çorape pa pantallona për t’i dhënë lugën me kos. Jo o jo, ai vazhdon jetën që ka pasur, tashmë me zhurmë e gëzim në familje. Ka kush të zvetënohet.

Dhe në fakt akoma nuk kam njohur një mashkull që të thotë “unë nuk dua fëmijë”. Ndoshta në vendet ku barazia është e mirëfilltë, që numërohen me gishta dore, meshkujt e kuptojnë nivelin e përgjegjësisë dhe se si rritja e një të vogli mund t’i ngadalësojë karrierën dhe t’i kufizojë argëtimin personal. Ndoshta dhe ka shqiptarë të tillë, po ende s’kam rënë ndesh. Çfarë shoh e njoh, dhe ndoshta çfarë unë isha (deri diku) jo para shumë kohësh, janë gra e vajza që ngurtësohen nga ideja e të bërit fëmijë.

Shumica ndërrojnë temë direkt duke dashur të evitojnë gjykimin për mendimin aspak të zakontë, sepse në fakt çfarëdo argumenti të japin ato, nuk ka vlerë, ato janë “vajza të këqija dhe egoiste” në sy të shumicës që direkt veprojnë, e rrallë mendojnë.
Të tjerat, që e kanë ngrënë disa herë gjykimin, preferojnë mos të japin argumente, duke i quajtur “arsye personale” dhe që kërkojnë t’u respektohet e drejta e lindur për të bërë ç’të duan me trupin e jetën e tyre. Po, shumë fisnike. Këtu do ndalem dhe unë. Eshtë shumë e rëndësishmë që njerëzit mos të të ndërhyjnë në jetë. Po kjo është po aq e rrallë sa ata burrat që nuk duan fëmijë nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes ditore.

E një përqindje tejet e vogël, janë të zëshme dhe të sqarojnë një më një pse nuk duan fëmijë, dhe zakonisht vërtitet rreth të njëjtës gjë: kanë investuar shumë në veten e tyre, qoftë shëndet, karrierë, udhëtime, garderobë e trajtime, për t’i pezulluar të gjitha për t’u kujdesur për një qenie që ato e dinë që do e dashurojnë përjetësisht.

“Pff, egoiste!”
Po mirë, çfarë është më egoiste tani: a) të refuzosh të sjellësh në jetë dikë sepse ke mjaftushëm angazhime tashmë me një jetë, e cila t’u dha pa të pyetur, apo b) të sjellësh një jetë të re pa e pyetur ti atë, vetëm pse ti do të pasosh gjenetikën tënde? Se diskutimi i vërtetë, ky është. Po për të evituar këto tema ekzistenciale për të cilat nuk ndalemi të mendojmë, i biem shkurt me kundërpërgjigje “të mos bësh fëmijë është egoizëm”.

“S’e ke provuar, është gjëja më e bukur në botë!”

Tani, nga përvoja personale, këto që thonë tërë kohës ‘gjëja më e bukur në botë’, janë të njëjtat që kur i pyet privatisht, ose kanë qenë komplet të papërgatitura, ose kanë vuajtur përtej normales gjatë lindjes, nuk kishin asnjë ide se ç’i priste në të vërtetë dhe kanë 2 vjet që s’flenë 4 orë rresht, ose kanë shumë pak ndihmë dhe një vjehërr që vjell flakë, ose të gjitha për një herë. Nëse do japësh mendim, thuaj të vërtetën pra.

Po, pa dyshim është gjëja më e bukur në botë dhe nuk shpjegohet dot pa e provuar. Po, pa dyshim është po aq e frikshme sa është dhe e bukur. Dhe nëse do të nihmosh nënat në prespektivë, ji e sinqertë dhe e detajuar me to.

“Do zhdukemi si farë me gra si puna e kësaj”. Tani ku ta kapësh e ku ta lësh këtë fjali fataliste patetike. E para, historikishit popullsia e “fara” e sidomos njerëzve që shprehen kësisoj, nuk ka qenë në duar të grave të emancipuara, me karrierë e individualitet. Njerëzit që riprodhohen më së shumti ose janë shtresat e varfëra më pak të arsimuara, që nuk kanë njohurinë e duhur të ndalojnë së bëri fëmijë; ose janë shtresat tepër të pasura, të cilëve bërja e fëmijëve nuk u pengon asgjë, për shkak të ekonomisë së lartë që ndër të tjera, blen ndihmë pa fund. Po këta janë aq pak, që nuk ndikojnë popullsinë.

E dyta dhe e fundit: boll. Mjaft. Ndaluni tani. Ndaluni së drejtuar gishtin femrave që e dinë se ç’duan dhe që nuk janë duke cenuar absolutisht askënd në këtë proces. Mjaft kërkuat me “zoom” arsye për t’i rënë femrave të pavarura nga të cilat ndiheni aq të kërcënuar, dhe që me thënë të drejtën janë grupi më produktiv, më i shkathët dhe më progresiv në vend. Dhe nuk po u drejtohem vetëm burrave. Po u drejtohem grave, që dinë të jenë shumë të serta me femrat që kanë guximin të jenë dikushi e të shkojnë kundra rrymave.

E drejta për mos t’u riprodhuar është po aq e paprekshme sa çdo e drejtë tjetër që nuk cenon askënd kundra vullnetit. Thjesht nëse ndalesh të ngresh pikëpyetje mbi çdo të vërtetë që ti di, mbase dhe ti një ditë do jesh ai shembulli i pavarësisë mendore dhe respektit.

Nga:

Miku juaj që ju do të mirën.

Mikesha juaj, e cila ka fëmijë desha të them.

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑