I dashur mbajtës i 83 mandateve!
Thashë ta filloj me një kuriozitet për veten dhe brezin tim, je gati?
Dimë të fyejmë edhe lezetshëm edhe rëndë.
Se shiko, zoti kryeministër, kur je nga vendi më magjik në planet, që ka dhe flamingo, dhe deputete analfabete, dhe një specje predatoriale në zhdukje që quhen “patronazhisti”, burra vrasës që dalin herët nga burgu, portokalle dhe ullinj, ka kryetar artist po s’ka teatër, ka muzikantë e shkrimtarë të kalibrit botëror, dhe gjuhën më unike në Europë…
Bëhesh jashtëzakonisht kreative në fyerje, kryeministër.
Nëse do uleshim përballë, ajo nofulla që ti mban hapur me cinizëm herë pas here kinse i shokuar, në fakt do të binte realisht, pa mendje, siç u bie punëtorëve të ndërtimit të kullave në autobus tullë gjumë, teksa kthehen pasi desh vdiqën, edhe sot.
Por nuk do të ta jap atë qerasje, të dëgjosh analizën për kushtëzimet dhe çrregullimet e shumëfishta mendore – hajt mos u mërzit, gjithkush ka ndonjë gjë të tillë. Fakti që ti i ke pak më shumë vetëm të bën kaq të veçantë.
As nuk do të them sesi simpatizantët e vetëm që të kanë mbetur janë zonja dhe zotërinj në moshë, po s’mbaron te “mosha” përshkrimi i kategorisë. Sidomos zonjat janë të skamura, mendërisht të tredhura, rritur me dhunë, me vuajtje, me shpresën e vrarë – të ngjashme me atë zonjën që kërkon snajper – vetëm se këto të tjerat kanë fantazira mbase dhe seksuale me ty, se s’kanë vetëdije për diçka që quhet “Sindroma e Stokholimit”.
Kullerat. Artistët. Gen Z-ers. Gen X. Millennials. DJ-ët. Sportistët. Profesionistët e lirë.
Shkrimtarët. Libra dashësit. Ekspertët e shëndetit mendor e s’po vazhdoj më… Po të shohim vëngër, i dashur Edi.
Shumë vëngër. Nga ai shikimi me gjykim. Nga ai shikimi “huh”? Po pse mor zot (“modo di dire”, se as me fé nuk merremi) pse është i prerë kështu ky? Mos ka nevojë për ndihmë? Mos ta nxjerrim një herë për një dorë bilardo, apo t’i tregojmë memet e preferuara e si na qeshin sytë?
Po po ne na qeshin sytë, ato xixat që bëhen në qosh të syrit. Që tregojnë mirësi, zell për të bukurën, dashuri për ekzistencën rastësore në këtë planet – edhe më absurde në cepin tonë me alpe dhe dete e tunele me para të nyta – e qeshura e gajasur ku na duken mbushjet e zeza të dhëmballave se na i kanë bërë si nallbanë në fëmijëri…
Na thuaj vëlla. Se të nxjerrim.
Ne jemi prerje tjetër nga e cila do mësoje shumë, jam e sigurt.
Ne i shohim teorirat “sundo duke përçarë” si kuriozitete mesjetare.
Ne shohim praktikat “sundo duke pasur frikë për të ardhurat financiare” si paragrafe të librave të historisë.
Komentet seksiste na duken sikur foli gjyshi me alzheimer që mendon se po flet me ballistët.
Se kemi aq aftësi, talente, dhe zemërgjerësi, dhe mbi të gjitha SHPRESË… Që ende nuk i jemi dorëzuar frikës.
Se mungesa e shpresës sjell frikën. Dhe siç e ke parë këto ditë, se i numërove vetë, 12 veta sa kemi dalë në shesh, nuk kemi frikë nga asgjë.
Marrim foshnjet, kafshët dhe të moshuarit me vete.
Ndaj nuk do të të shaj, ty që deshe të asgjësoje termin Partia Socialiste.
Do të të ftoj megjithë 10 mijë bashkëatdhetarët e mi marshues, për një kafe turke, të cilën do ta derdh e sigurt, se do hutohem me bisedime.
Se mbase 4 mandate në pushtet (puuuu po ç’pate?) je hutuar dhe ti, dhe s’e ke kuptuar fare fare se ç’drejtim kemi marrë ne, populli shqiptar.
Të vërehet që të ka humbur çdo kimi me ne. Dhe kur përballesh me flamingot që këndojnë Vaçe Zelën, pikturojnë fytyrat, printojnë meme me 100 lekë te lagjja, ti i dashur fillon performon ca shfaqje pak si “out of touch”, se ke harruar ç’do të thotë të ulesh ballë për ballë me njeriun e gjallë.
Të flasësh si shoqet / shokët e vërteta.
Të thuash gjëra të tipit “Xhiron tjetër e keni nga unë”. “Po që s’më kishte shkuar mendja?? Hmm”. “E di dhe ti ndonjë gjë o goc, toke!”.
Hajde mor, pi kafe me ne.
Ke nevojë.

