Klientja nga Ferri

Eshtë një pasdite e ngrohtë si gjithë të tjerat. Hipën në autobus, dhe e sheh veten duke përqafuar një hekur sepse shoferi dhe faturino kanë orare për të kapur; orare që ti as nuk i di se nuk janë të publikuara askund. Teksa përpiqesh të marrësh veten, për të parë a ke telefonin dhe kuletën në vend fillimisht, një oportunist i kaosit tregohet finok dhe përpiqet të të fusë duart me stil. Pa energji për t’u marrë me atë allasoj zvarraniku, zbret në stacionin tjetër, për të parë një pseudo zonjë (në shtëpi është nikoqirja më me nam e fisit!) e cila hedh facoletën e pisët mu në mes të trotuarit.
Nuk e di ty po për mua mjaftuan këto që të më prishen ekuilibrat. E në atë moment të pa barazpeshuar, m’u kujtua që operatori im më ka borxh ca lekë që m’i zhvati në roaming herën e fundit dhe që duhet ta kishte zgjidhur si çështje që para 2 javësh.
– Alo mirëdita, më keni vjedhur herën e fundit që udhëtova.

Ajo dëgjon ç’do të dëgjojë ajo, jo çfarë po i them unë.
– Më dëgjo me vëmendje dhe shih mirë se e ke rastin e hapur, fut emrin.
E kështu fillon saga, që kush ka kaluar kohë me mua në 8 vitet e fundit ku dhe jam rivendosur me kohë të plotë në Tiranë si një e rritur që përballet me jetën në në çdo dimension të saj: që nga mjediset e përbashkëta si autobusi deri në ambiente eksluzive, më ka parë “në aksion” ku rrënoj në debat atë strukturë që më ka bërë padrejtësi. Disa tremben prej meje, të tjerë marrin kokoshkat dhe argëtohen me shfaqjen. Personi përballë ose në anën tjetër të telefonit zakonisht përfundon duke thënë se si është thjesht një punonjës/e dhe unë regjistrohem si klientja nga Ferri.

Njësoj si kur të ka ngelur një nofkë krejt kot, që ti e di që është ekzagjeruar dhe ti nuk je aspak ashtu… Por vjen një pikë dhe e përqafon se sa të rrish të bindësh njerëzit për të kundërtën, që ka vetëm kundra-efekt.

Edhe unë e përqafoj këtë “klienten nga Ferri” jo se jam e tillë, dhe as së më jep kënaqësi të bëj “si dreq” me punonjës që janë aq të keqtrajnuar e mbase dhe keqtrajtuar, që mendojnë që dalja nga çdo situatë është ose justifikimi irrelevant (mos u lodh nuk jam mamaja jote) ose lëshimi i dinjitetit profesional duke thënë “unë thjesht punoj këtu”. Ok, meqë thjesht sa punon më nxirr bosin e madh se ia tregoj dhe atij talentet e mia të debatit.
Nuk e bëj as për ato 1000 Lekë që m’i grinë. Se jo për gjë, po aq i gjeta para 1 jave në tokë në taksi. Gjërat e përditshme barazohen vetë.
Puna është që e vetmja mënyrë që t’i tregosh ‘forcave më të mëdha’ në këtë vend që nuk të trajtonë dot ty si një barcode, është duke i zënë ngushtë, duke i çuar në një cep rrethuar nga argumente që janë të gjitha të drejta: nuk janë teka, nuk janë abuzime, as dëngla. Jo jo, në një vend si i yni, kur të abuzojnë institucionet nuk ua kthen dot me “trajtim të heshtur” as me çrekomandim. Duke qenë se çfarëdo shërbimi të jesh duke marrë, zakonisht është pjesë e ndonjë monopoli ose oligopoli ose e administratës që nuk para ka respekt për ty, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të tregosh se ke kthetra dhe mbi të gjitha, nuk po të bën njeri për idiot dhe se ti e di vlerën që ke në atë strukturë X.

Po shumica dërrmuese vuajnë nga apatia dhe nënshtrimi, nuk marrin atë që u takon. Ndaj klientja nga Ferri jam unë, dhe pse klientja e vërtetë nga Ferri është gjithashtu abuzive, ndërsa unë vetëm kërkoj çka është e imja, me insistim.

Dhe ky nuk është proçes i këndshëm. Dhe as mua nuk më vjen natyrshëm çdo herë që ndhodh diçka e tillë, se ka shumë brenda një dite. (ndryshe do më kishit parë duke folur me vete në bulevard!), kam nevojë të më mblidhen disa, dhe do hakërrehem te më e rëndësishmja për mua dhe që ka një vesh funksional. Dhe të jemi të sinqertë, rrallë do marësh atë që të takon, në më pak se gjysmat e rasteve. T’i bësh për 2 lekë nuk është nga ato gjërat terapuetike apo shkarkuese siç është t’i biesh me grushte një thesi apo dhe të këndosh me sa të ha fyti e të kërcesh sa mos të lëvizësh dot të nesërmen. Për një njeri me mendje të shëndoshë dhe pozitivitet, është përçudnim dhe dalje nga lëkura.

Mua më rraskapit.

Mirëpo unë nuk shoh asnjë mënyrë tjetër për të marrë çka është e jotja duke mos u bërë dhe ti abuzive. Nuk e kuptoj nga se kanë frikë njerëzit në mënyrë kaq kolektive. Sepse kur e provon të mbash mjekrën lart e të artikulohesh qartë me zë potent, e sheh që nuk ke nga se dhe nga kush të kesh frikë.

Duhet thjesht ta provosh, më beso.

Mos harro kurrë pushtetin që ke ndaj çdo ‘force madhore’ që varet nga kontributi yt. Ata pa ty janë komplet pa pushtet, kurse ti do kalosh nga njëri te tjetri duke qenë kjo/ky që je.

  • Alo, zjarrfiksi?
  • Po?
  • M’u dogj pitja.

 

Taksa për të mos ikur nga mendtë.

(Imazhit të përzgjedhur nuk po i gjej autorin, të drejtat nuk janë të miat)

 

Kur isha shtatzanë, bëja shaka me bashkëshortin tim, që nëse është vajzë, do ia lëmë emrin ‘Rruga e Kombit’. Jo që s’ka shqiptarë me emra më absurdë se kaq! Po sepse ajo rrugë i ka mundësuar lehtësira të mëdha çifteve të pakëta – por në rritje – si ne: njëra nga Shqipëria tjetri nga Kosova, të lidhur fort me vendet e tyre, që nuk e kanë dhe aq lehtë të shpërngulen në njërin vend.

Kështu që prej 2007 e ndiqja zhvillimin e rrugës si serinë e preferuar. Ndërkohë ky popull që e ka pak zanat gjenetik të mos i gëzohet asgjëje, s’la fjalë pa thënë për atë rrugë, e njerëz të emancipuar kishin kokërisjen të thonin “e kujt i plasi? E ç’ka andej në veri që të hidhen kaq shumë lekë?”

Kur është aq e logjishkme sa 1+1 bëjnë 2, që arsyeja që “s’ka asgjë andej në veri” është se nuk ka rrugë.

Disa herë m’u desh t’i bija nga Maqedonia ndërkohë, me aventurat e veta, përfshi dhe helmim serioz që e dha kulmin e krizës në mes të maleve të një shteti të huaj ku njerëzit i kanë ende WC jashtë. (Po po, s’kemi vetëm ne brirë e WC jashtë, kanë plot rreth nesh!) Të paktën të isha në Kukës!

Prej nja 6 vjetësh Rruga e Kombit na ka mundësuar Bashkëjetesën e Kombit, çdo vit duke degraduar pak më shumë, deri sa vitin e kaluar i shkaktoi disa dëme serioze makinës sonë, dhe na vuri gishtin mbi kokë që edhe sa do shtyhet kështu?

Një rrugë e standardeve europiane, në terrenin më të vështirë të Shqiptarisë, pa mirëmbajtje.

Mos prisni që t’i futem argumenteve politike tani. Atë e bën kushdo tjetër më mirë se unë, e të vjen të mbyllësh Facebook kur shikon sa i zgjuar është kushdo që e di ç’po ndodh e nuk merren me asnjë problematikë tjetër që lidhet me rrugën.

Po, çmimi është i lartë e i papritur.
Po, rrugën e kemi paguar tashmë, dhe e paguajmë çdo vit me taksat tona.
Po, është sërish, për të disatën herë në historinë e shqiptarëve, politikë diskriminatore për veriun.

Po, është për të dalë për të protestuar çdo ditë deri sa të na jepet përgjgije një më një e të na kthehet diku tjetër kjo para që po na merret kështu si pa dashje.

Jo, as kishte për ta rregulluar e mirëmbajtur njeri, nëse nuk do vilej para e re.
E këtu qëndron gjithë kurthi, drita e vakët ne fund të Kalimashit, që mbase tani, më në fund do mirëmbahet.

E nisur nga kjo shpresë që duhet të ishte fakt, shto dhe sasinë e meshkujve të etur për dhunë që përqafojnë këtë kauzë jo me patjetër sepse i ndikon kjo gjë, unë nuk dola të protestoj për shpenzimet që më erdhën krejt papritur fytyrës. Dhe arsyeja që vijnë papritur, nuk është se nuk ishin në plan.

Po nuk të mban njeri të informuar.

Unë, qytetarja tipike që paguan çdo detyrim, që as i shkon mendja për hile, që qëndron optimiste kundër fakteve e shoqërisë, unë nuk meritoj dinjitet të informohem hap pas hapi!

Që nga nënshrkimi i marrëveshjes e deri te vendosja e kabinave të pagesës, të cilat as abonim nuk mundësojnë ende, dhe konceptojnë tarifa Euro në një shtet ku monedha zyrtare është Leku. Gjoja për të favorizuar vëllezërit kosovarë.

Unë s’marr pikën e respektit nga njerëzit të cilët i votoj (ose jo, ama dal!) dhe ua paguaj detyrimet me qytetari.

Dhe e di ç’më bëjnë ndodhi si kjo mua? Shto padrejtësinë çdo ditë për parkim, rritjen e çmimit në çerdhe, qenin e preferuar në lagje që zhduket në mënyrë misterioze…. S’po vazhdoj.

Kam tre alternativa:
1 – të zhytem në negativizëm vetë-urrejtës “vend kafshësh s’bëhen këta njerëz hajdutër” që ngadalë ky mentalitet do më ndikojë çdo aspekt të jetës: humorin, shëndetin mendor, harmoninë në familje, shëndetin fizik dhe paraqitjen fizike.

2 – Të bëhem dhe unë mashtruese duke hequr dorë fillimisht së qeni qytetare modele, të nxjerr hakun tim në mënyra ‘kreative’ që ndoshta mban financat lart, po më largon gjumin përjetësisht, duke degraduar humorin, shëndetin mendor e fizik.

3 – Të emigroj, e në këtë fazë kulminante të jetës të filloj tërësisht nga zero, pavarësisht përvojës, shkollimit, kapitalit shoqëror që kam këtu.

Unë kam ndenjur në Shqipëri e Kosovë nën idealin e fortë që këtë vend do e bëjnë së pari njerëz si unë, të shkolluar jashtë, optimistë, punëtorë dhe idealistë.

E ndërkohë që përpiqem shumë të mbaj ndezur dritën në fund të Kalimashit se këto që ndodhin çdo ditë janë të gjitha masa që në fakt, afat-gjatë do e bëjnë këtë vend shumë të jetueshëm (po po, e besoj ende, budallaçkë qenkam!), jap e jap taksa vu….
Po mirë, kush do më japë mua taksa që të paguaj psikologen? Se shteti s’ma mundëson! Jo shërbim profesionist, gjithsesi!
Kush do më paguajë mua produktet e fytyrës, trupit, duke qenë se po më plak stresi jo-natyral e pluhuri jashtë kontrollit, dhe jo rrjedha e moshës?

Kush do më paguajë antibiotikët që i mora se më tha doktoresha “infeksionin e ke nga ankthi stresi, ke pasur shumë punë?”

Largqoftë, ndonjë gjendje shëndetësore dhe më të rënduar, duke qenë se na është vështirësuar gjumi?

Taksa që unë të jetoj në këtë vend, tashmë u 4-fishua. Filloi më rrugën, dhe mbaroi te serumi rigjenerues. E di që shumë nga ju do thonë direkt “dashke ti, njerëzit s’kanë bukë të hanë”. Po unë ky njeri jam. S’jam ajo që s’ka bukë të ha, po jam ajo që krijoj dhe zhvilloj dhe punoj gjëra që ndryshojnë realitetet, dhe për këtë, më duhen ca standarde bazike jetese që ky vend m’i premton çdo 2 vjet sa herë ka zgjedhje.

“Shkoni studioni jashtë, se do ju mbajnë në pëllëmbë të dorës!” Tani kam unë në pëllëmbët e mia faturat e panumërta që gjysmat ende po mundohem t’i kuptoj, dhe ata që kush e di si e morën diplomën këtu se nuk janë në gjendje të artikulojnë mendim në Facebook, mbajnë diagonal çanta të vogla burrash Fendi.

Faleminderit për vlerësimin që ndenja, shtet i dashur. Falemidnerit që vetëm m’i rrit shpenzimet, dhe treçereku nuk janë ato që i sheh në TV duke u djegur si në Mesjetë.

U trashëgofshi! Po deshët.

Po ta mendosh, mashkulli me trajtat më “jo produktive” të mundshme si: vese të ndryshme, jo besnik, arrogant, është dembel… Ama! Ama fëmijët i do. Shumë fare. S’e ka problem të lërë femrat shtatzanë, dhe zakonisht është një baba i dashur, (duke përjashtuar të dhunshmit), shakaxhi, luan, bën dhurata… Këta janë meshkuj e burra që u dalin për zot edhe 4 fëmijëve, madje dhe kur nuk i kanë financat. Pse mos t’u dalin? Se mos marrin leje lindje, se mos ndërrojnë pelena, se mos desh vdesin apo operohen, apo mos vrapojnë mbas 2 vjeçares me 1 çorape pa pantallona për t’i dhënë lugën me kos. Jo o jo, ai vazhdon jetën që ka pasur, tashmë me zhurmë e gëzim në familje. Ka kush të zvetënohet.

Dhe në fakt akoma nuk kam njohur një mashkull që të thotë “unë nuk dua fëmijë”. Ndoshta në vendet ku barazia është e mirëfilltë, që numërohen me gishta dore, meshkujt e kuptojnë nivelin e përgjegjësisë dhe se si rritja e një të vogli mund t’i ngadalësojë karrierën dhe t’i kufizojë argëtimin personal. Ndoshta dhe ka shqiptarë të tillë, po ende s’kam rënë ndesh. Çfarë shoh e njoh, dhe ndoshta çfarë unë isha (deri diku) jo para shumë kohësh, janë gra e vajza që ngurtësohen nga ideja e të bërit fëmijë.

Shumica ndërrojnë temë direkt duke dashur të evitojnë gjykimin për mendimin aspak të zakontë, sepse në fakt çfarëdo argumenti të japin ato, nuk ka vlerë, ato janë “vajza të këqija dhe egoiste” në sy të shumicës që direkt veprojnë, e rrallë mendojnë.
Të tjerat, që e kanë ngrënë disa herë gjykimin, preferojnë mos të japin argumente, duke i quajtur “arsye personale” dhe që kërkojnë t’u respektohet e drejta e lindur për të bërë ç’të duan me trupin e jetën e tyre. Po, shumë fisnike. Këtu do ndalem dhe unë. Eshtë shumë e rëndësishmë që njerëzit mos të të ndërhyjnë në jetë. Po kjo është po aq e rrallë sa ata burrat që nuk duan fëmijë nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes ditore.

E një përqindje tejet e vogël, janë të zëshme dhe të sqarojnë një më një pse nuk duan fëmijë, dhe zakonisht vërtitet rreth të njëjtës gjë: kanë investuar shumë në veten e tyre, qoftë shëndet, karrierë, udhëtime, garderobë e trajtime, për t’i pezulluar të gjitha për t’u kujdesur për një qenie që ato e dinë që do e dashurojnë përjetësisht.

“Pff, egoiste!”
Po mirë, çfarë është më egoiste tani: a) të refuzosh të sjellësh në jetë dikë sepse ke mjaftushëm angazhime tashmë me një jetë, e cila t’u dha pa të pyetur, apo b) të sjellësh një jetë të re pa e pyetur ti atë, vetëm pse ti do të pasosh gjenetikën tënde? Se diskutimi i vërtetë, ky është. Po për të evituar këto tema ekzistenciale për të cilat nuk ndalemi të mendojmë, i biem shkurt me kundërpërgjigje “të mos bësh fëmijë është egoizëm”.

“S’e ke provuar, është gjëja më e bukur në botë!”

Tani, nga përvoja personale, këto që thonë tërë kohës ‘gjëja më e bukur në botë’, janë të njëjtat që kur i pyet privatisht, ose kanë qenë komplet të papërgatitura, ose kanë vuajtur përtej normales gjatë lindjes, nuk kishin asnjë ide se ç’i priste në të vërtetë dhe kanë 2 vjet që s’flenë 4 orë rresht, ose kanë shumë pak ndihmë dhe një vjehërr që vjell flakë, ose të gjitha për një herë. Nëse do japësh mendim, thuaj të vërtetën pra.

Po, pa dyshim është gjëja më e bukur në botë dhe nuk shpjegohet dot pa e provuar. Po, pa dyshim është po aq e frikshme sa është dhe e bukur. Dhe nëse do të nihmosh nënat në prespektivë, ji e sinqertë dhe e detajuar me to.

“Do zhdukemi si farë me gra si puna e kësaj”. Tani ku ta kapësh e ku ta lësh këtë fjali fataliste patetike. E para, historikishit popullsia e “fara” e sidomos njerëzve që shprehen kësisoj, nuk ka qenë në duar të grave të emancipuara, me karrierë e individualitet. Njerëzit që riprodhohen më së shumti ose janë shtresat e varfëra më pak të arsimuara, që nuk kanë njohurinë e duhur të ndalojnë së bëri fëmijë; ose janë shtresat tepër të pasura, të cilëve bërja e fëmijëve nuk u pengon asgjë, për shkak të ekonomisë së lartë që ndër të tjera, blen ndihmë pa fund. Po këta janë aq pak, që nuk ndikojnë popullsinë.

E dyta dhe e fundit: boll. Mjaft. Ndaluni tani. Ndaluni së drejtuar gishtin femrave që e dinë se ç’duan dhe që nuk janë duke cenuar absolutisht askënd në këtë proces. Mjaft kërkuat me “zoom” arsye për t’i rënë femrave të pavarura nga të cilat ndiheni aq të kërcënuar, dhe që me thënë të drejtën janë grupi më produktiv, më i shkathët dhe më progresiv në vend. Dhe nuk po u drejtohem vetëm burrave. Po u drejtohem grave, që dinë të jenë shumë të serta me femrat që kanë guximin të jenë dikushi e të shkojnë kundra rrymave.

E drejta për mos t’u riprodhuar është po aq e paprekshme sa çdo e drejtë tjetër që nuk cenon askënd kundra vullnetit. Thjesht nëse ndalesh të ngresh pikëpyetje mbi çdo të vërtetë që ti di, mbase dhe ti një ditë do jesh ai shembulli i pavarësisë mendore dhe respektit.

Nga:

Miku juaj që ju do të mirën.

Mikesha juaj, e cila ka fëmijë desha të them.

 

I dashur ditar…

 

Sa shumë ke evoluar dhe ti! Dikur të mbaja në ato blloqet me çelës, nga frika mos dikush do picërronte sytë për të deshifurar shkrimin tim të dorës aspak të bukur që të merrte vesh dërdëllitjet e pubertetit tim. Sot po të shkruaj në një tastierë me dritë, me bukurshkrim ‘Helvetica’, dhe po i jap qasje pa ekzagjerim gjithë botës.
Nejse. Më pëlqen që ke kapur ritmin e kohës.

Sot ishte një mëngjes i ftohtë. U nisa për një punë, dhe kur u ndala të marr një kafe me vete, pashë që nuk kisha portofolin. U ktheva tërë inat, e mbajta portofolin në xhep të palltos nga përtesa për ta futur në çantë, dhe dorën aty tërë kohës se mos ma merrte njeri. M’u kujtua ime më që gjithmonë më mbyll zinxhirët e çantave ndërkohë që numëron historitë e njerëzve që u kanë vjedhur kuletat e telefonët e çelësat.

Ka të drejtë.
Mamatë gjithmonë kanë të drejtë për gjëra të kësaj natyre.

Shkova në një institucion publik ku dhe kisha punë. Eshtë një ndërtesë delirante komuniste. Si e tillë, nuk ka pikën e respektit për faktorin “njeri” dhe nuk do t’ia dijë për ngrohje qendrore. Një mangësi e thekësuar që e kemi si popull. Dhe nuk pranoj “varfërinë” si arsyetim, pasi jo më larg se Kosova, zakonisht minus 10 gradë krahasuar me këtu, nuk plevitoset njeriu në këtë pikë aspak.

Mbarova punë e ika rrufe nga frika se do përfundoja me antibiotikë. M’u kujtua sesi në ato kohë kur ti ishe një bllok me çelës, shumë seriozisht i lutesha zotit të palosesha në krevat me antibiotikë. Edhe patate të gjallë kam ngrënë, se kshu plasi nami, po hëngre patate të gjallë, të hip temperatura.
Hiç fare s’më hipi. Jo atëherë të paktën.
Sot, të jesh sëmurë është trajtim spa. Të rrish shtrirë… Të të sjellin çaj, supë e lëng.
Luks që s’ia paguaj dot çmimin.

Hëngra një drekë gjatë së cilës e thava baterinë e telefonit duke parë meme. Kreva disa punë të vogla, dhe u nisa për në shtëpi në kulmin e dëborës. Po po, ra dëborë! Një gjë shumë e rrallë për Tiranën. Teksa po shijoja dendësinë e saj, e parapashë ç’do ndodhë: shumë njerëz do afishojnë diçka në media sociale (përfshi mua) dhe pastaj të tjerë do ankohen që të gjithë afishuan diçka në lidhje me borën.
Dhe ashtu ndodhi.

Unë e dua shumë borën. Në fakt, nuk besoj se ka njeri që nuk e do borën. Të paktën jo njerëz që kanë kushte ta shijojnë.

E ndërkohë që punët e mia nuk mbarojnë kur unë hyj në shtëpi, kam gjithë pasditen që i lë shenja buzëkuqi djalit dhe i flas me shpresën që do ma kthejë. Po e di që do ma kthejë kur s’e pres fare.
Po ti, ç’bëre?
xoxo

P.S.: Na një mace në borë, sepse pse jo?!

Kokë poshtë me Anjën.

Një ndër blogeret e para shqiptare të modës, Anja është duke bredhur botën me punë, sepse është një ndër njerëzit e paktë që e ka kthyer pasionin e saj – modën – në para të vërteta.

Unë e kam ditur që do bënte zhurmë. Në një epokë tjeter, kur ishim shoqe në një shkollë me uniforma në konvikt/kapanon dhe me pjesëmarrëse të vetëm gjinisë sonë, trashja arrihej që në orët e para të mëngjesit dhe shpesh kuptoheshim thjesht me sy për prapësinë e radhës.
Një herë i vodhëm topin e miut (po, kohët kur miu i kompjuterit ka pasur top!!) profesorit të informatikës. U nxeh. Kërcënoi. Kërcënoi edhe më shumë. Ia lamë në mes të dhomës pa e ditur ai se kush/kur. U nxeh edhe më shumë. Janë këta njerëz që ndryshojnë botën dhe kanë jetë super interesante. Ja disa copëza.
Ndiqni Anjezën në Facebook: The Dolls Factory by Anja Tufina
Instagram: anjatufina
1. Cfarë gjëje ta dha buzëqeshjen e parë sot?
Cdo mengjes është Fuji qenushja ime e vogël që më jep buzëqeshjen e parë. Vetëm për atë pozitivitet me të cilin te ndihmon të fillosh ditën, çdo person duhet të ketë një kafshë shtepiake. (Jo oborri)

2. Vetëm e vogël që nuk është qenushja jote. Gjëja e pare që bën sa shkon në shtëpi…?
Kur në shtëpi ke dhe zyrën, ulesh në tavolinë dhe fillon punën. Gjë që bën që shpesh ta kem të vështirë të ndaj punën nga relaksi.
3. Çfarë është një gjë që të gjithë vdesin po ti e urren?
Kardashians 🙂 dhe të shoh televizor. Ideja e konsumimit pasiv të programeve televizive dhe shpenzimi i kohës para ekranit në mënyrë jo produktive është arsyeja pse unë televizorin e parë e kam blerë vetëm në 2017. Ndodhi pasi u bë e mundur të shoh programe në ‘streaming’ në mënyrë më të personalizuar. Fakti që në çdo shtëpi shqiptare televizori është gjithmonë i hapur, e urrej. Duket sikur njerëzit kanë frikë të rrinë vetëm dhe duan nje shoqërues të zhurmshëm.
4. Po si t’ia bëjmë Kardashians që dhe unë i urrej! Nëse do të duhej të jetoje vetëm me 2 lloje ushqimesh, cilat do të ishin?
Bamje dhe speca te mbushur.
5. Shqiptare 100%. A të ka kapur ndonjëherë e qeshura pa kontroll në moment aspak të përshtatshëm? Trego.
Historia me qeshjen më të gjatë ka qenë gjatë një provimi me shkrim. Po lexoja pyetjen me mendje dhe një frazë e lexova gabim, sikur të ishte një fjalë e pisët shqip, ndërkohë që pyetja ishte e shkruar në anglisht. Aty më kapi keq në një auditor me 120 studentë, në provimin më të vështirë: statistika. Ishe provimi i fundit pas një lodhje të gjatë dhe gjendja ime mendore të linte për të dëshiruar. Profesori më nxori që të qetësohesha, nuk kam pushuar për 30 min aq sa më merrej fryma!
6. Një gjë që ke qejf ta provosh po s’ta mban.
Bungee jumping dhe sky diving. Por edhe një udhëtim ne Indi nuk ma mban sepse India nuk është shtet, është shumë shtete edhe kultura bashkë, por nuk është një vend i sigurt sidomos kur je femër dhe dëshiron të bësh një udhëtim jashtë paketave turistike.
7. Tri gjërat që të pëlqejnë më së shumti në këtë qytet.
Arkitektura e lënë pas nga Mussolini sepse është e vetmja pjesë e qytetit që na ka dhënë rregull urbanistik, ndërkohë që përreth po krijojmë një xhungël urbane. … U mundova të gjej 3, por mendja filloi të fluturojë në 100 problemet e tjera. Tirana është si ai filmi ‘Unë, Ti dhe Kasandra’. Unë e dashuroj, por ajo ka hyrë në një spirale vetëshkatërrimi dhe unë akoma mendoj se dashuria ime bashkë me dashurinë e shumë të rinjve të tjerë do mjaftojë per ta nxjerrë nga kjo spirale. E dimë të gjithë si mbaroi filmi. Shpresojmë që ne të jemi më të suksesshëm se Teuta.
8. Cilësia jote më e mirë dhe cilësia jote më e keqe.
Cilësia ime më e mirë është që jam e hapur për te provuar çdo eksperiencë, për të folur me çdo person. E filloj ditën me një ‘Can Do Attitude’ dhe kjo gjë më ka sjellë shumë aventura pozitive por edhe falimentime. Një shprehje që me pelqen të ndjek është: ‘ Nëse nuk ke arritur suksesin, do të thotë qe nuk ke dështuar mjaftueshëm’. Cilësia më e keqe është menaxhimi i kohës. Jam e shpërndarë në shumë projekte pune dhe jete, dhe shpesh diçka më rrëshket.
9. Kënga jote e preferuar e viteve 90’.
Creep – Radiohead
10. Ke pasur ndonjëherë ndonjë nofkë në çfarëdo pike të jetës?
Përpara se te njihja ty Lura dhe grupin tonë të kolegjit dhe vendosët të më quanit ‘Qime’, lista e nofkave ishte: pilivesë ose qorre. Të përdorura kryesisht nga familjarët tregon se si në Shqipëri është familja që të bën bullying nuk ke nevojë për shoqërinë ;).
11. Vizatimori yt i preferuar.
Sailor Moon si fëmijë, Family Guy si e rritur.
12. Cilin film mund ta shikosh pa fund dhe pse.
‘Across the Universe’ është filmi që shoh çdo vit dhe kolona zanore e të cilit është në listën time muzikore të zgjimit. Eshtë një film jo shumë impenjativ por energjik. Ana vizuale më pëlqen jashtë mase.
13. Në çfarë vendi e ke fiksim të shkosh dhe pse.
Udhëtimin e radhes dua ta bëj në Japoni në pranverë gjate lulëzimit të pemëve të qershisë.
14. Ah, Japanese Cherry Blossom… Mësuesi/ja më i çuditshëm që ke pasur, dhe pse?
Të gjithë mësuesit turq të kolegjit? U mungonte përgatitja akademike mbi psikologjinë e adoleshencës (si të gjithë mësuesve në gjimnazet shqiptare të asaj kohe besoj) Fakti që çuditeshin që një person mund të kishte të dashur, ose që një adoleshente është në fazë eksperimentale të jetës, tregonte që jetonin ne nje planet tjetër nga ai i imi. Shyqyr që kishim ato librat dhe mësonim vetë.
15. Larg planetit tim gjithashtu. Gjëja më e shtrenjtë që ke shkatërruar.
Unë gjërat e shtrenjta i humb, nuk i shkatërroj. Për këtë nuk do të më shohësh kurrë me sende me vlerë si ora ose bizhuteri. Në familje më kanë hequr të drejtën e të pasurit çelësa të shtëpisë, i dashuri më ndalon të marr çadra ose shaje nga gardaroba e tij. Dhe shpesh më ndjekin nga mbrapa sepse kam lënë çantën ose celularin në ndonjë tavolinë. Fatmirësisht bota ka shumë njerëz të drejtë dhe gjithmonë me janë kthyer celularët të paktën.
16. Ja të shohim a po harron sot ☺. Cili nga theksat e shqipes të pëlqen më shumë?
Mua më pëlqen jashte mase dialekti i Kosoves. Nuk i dalloj dot krahinat ama. Me pëlqen gjithashtu edhe theksi nga Shkodra.
17. Ca doje të bëheshe kur ishe e vogël?
Astronaute si të gjithë fëmijët. Misioni ishte të shkoja ne hapësirë. Tani po pres që Richard Branson ose Elon Musk ta realizojnë më në fund këtë ‘agjencinë turistike’ për në hapësirë.
18. Fëmijët që lindin sot, do rriten më mirë a më keq se ne?
Cdo fëmijë që lind sot lind 30 vet pas nesh, dhe vetëm të mendojmë sa arritje sociale kanë ndodhur ndërkohë. Ne jemi gjenerata Millenials, ata janë Gjenerata Z. Gjenerata jonë ka bërë dhe po bën ende luftëra sociale për të cilat fëmijët e sotshëm nuk do duhet të shqetësohen më. Nëse 30 vjet para lindjes sonë po luftonin akoma për të drejtat mbi divorcin, mos diskriminimin racial, fetar the seksual, ose mbi të drejtën e gruas mbi trupin e saj, sot ne po luftojmë mbi barazinë e plotë seksuale, të drejtat e kafshëve etj. Edhe kjo gjenerate do të këtë sfidat e saj, një e rëndësishme do të jetë mbrojtja e planetit dhe natyrës. Nuk është luftë e lehtë.
19. Cilin shqiptari të famshëm gjallë ose vdekur, që nuk ke takuar që ke shumë dëshirë ta takosh.
Erion Veliaj. Eshtë politikan i brezit tonë dhe do të doja shumë të dija se çfarë kompromisesh politike i është dashur të bëjë me brezin përpara që të realizojë sado pak vizionin e tij mbi Tiranën. Por kam frikë se politika shqiptare të korruption shumë shpirtin.
20. Barsaleta / shakaja jote e preferuar.
‘Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara te Amerikës’
Pak më lehtshëm:
Doktori – Më vjen keq, ke vetëm 10 të mbetura në jetë’
Pacienti – Cfarë?? Javë?!! Muaj???
Doktori – 9

Nuk të lexoj po nuk shave njeri!

Tekstualisht këto fjalë m’i tha një miku im para ca ditësh. Jo që nuk e dija, se fundja artikujt që bëhen më viralë në newsfeed-in tim janë sigurisht kur përmendet fjala “ku..vë” kot më kot (zakonisht kundra ndonjë femre të suksesshme ose kundra nënës së një biri të suksesshëm). U çua ai boti mbrapsht dhe vendosi të shajë me emra. Ndërsa një tjetër vendosi të shkelë parimet për t’ia dalë, por nuk ia doli, dhe kjo gjë e ka tërbuar, se kuptoi që dhe dallaverja ka shkollën e vet. Dhe i japin penës me furi, kryesisht fjalën ‘k..vë” me qejf të madh duke e shkruar, por dhe plot gjëra të tjera aspak interesante.

Këto artikuj, me mbidozë dufi e xhelozie i sheh kudo, me njerëz që i shpërndajnë me diçitura të tipit “hë më të lumtë pena!”

Por unë e kam të pamundur të kem respekt për mllefin që mundohet medomos të gjejë problemin sa më larg vetes, duke evituar në mënyrë spektakolare pasqyrën, ndonjë herë dhe më kuptimin e parë të fjalës.

E dimë ç’politikanë kemi.

I zgjodhëm vetë, dolën nga ne. Mendon që mund të bësh punë më të mirë? Fillo nga fisi, lagjja, TV e nëse e mban dot në kurriz atë lloj përgjegjësie super-natyrale pa cenuar as edhe një grimë integritetin e parimet e tua, dhe ia del të marrësh gjithmonë vendimin më të duhur për çdo qytetar që merr frymë, jepi se do të të japim një shans.

E dimë ç’institucione kemi.
Ata që punojnë aty janë rrasur në të prapmet e fistarit të vet politikan, ose ia falën shpirtin partisë hyjnore që i trokiti në derë duke ofruar vend pune në këmbim të votës, dhe është investimi i vetëm që kanë bërë, në vend se të përmirësonin veten e tyre, të mësonin diçka të re, apo të zhvillonin një pasion.

E dimë ç’shoqata kemi.

Janë kapur me një temë të caktuar, marrin ato fonde për atë temë, e më shumë risi ke në projektet e studentëve (nëse i lexoi njeri) sesa nga projektet e zbatuara të këtyre shoqatave.

E dimë ç’mësuesë kemi. Në gjimnaz u trondit kolektivi i mësuesve se unë ofrova një prespektivë ndryshe mbi një personazh letrar të rëndësishëm. Mendim i lirë? Ulu, 6! Vetëm meqë e ke lexuar librin, se për 4 me xhufkë je me këto që the!

E dimë ç’policë kemi.

Parkojnë shtrembër ndërkohë që s’kishin rripin lidhur, për të dalë e për të gjobitur ata që s’kishin rripin lidhur e që kanë parkuar shtrembër. Unë për vete për 2 lekë i bëj, dhe zakonisht përfundon ata duke më kërkuar falje mua. (Kam dëshmitarë!)

E patë sa kollaj për të sharë?

Tani këtij policit po i vë një emër, politikanit emër mbiemër edhe emër nëne, asaj drejtoreshës së instituit emër, mbiemër vajzërie, emër fëmije, sha e mallko, quaji k..va të gjithë dhe ja ku e ke, mijëra klikime me “hë më të lumtë pena”.
Po jo, nuk funksionon ashtu.

Refuzoj t’i personalizoj gjërat. Refuzoj të mishëroj barcoletat ku Nastradini nuk kërkon pasuri për vete, po kërkon t’i hiqet komshiut. Refuzoj dhe më fort të bie pre e diskutimeve politike, ku djalli është gjithmonë tjetri, e partia jote është shenjtore. Jo o zonjë jo. Aspak zotëri, nuk ecet para ashtu.

Unë e shoh të pasqyruar te radha e furrës deputetin X, te roja e parkimit policin Y, te dadoja ime mësuesen Z. Nuk ranë nga qielli këta njerëz që duhet të shajmë, dolën nga këto radha e pazare e kafe. Edhe nëse do shaj ndonjë person publik, nuk do bëj vetëm për të turpëruar atë, po në përpjekje për të ndërgjegjësuar ty e mua që gjejmë veten në sjelljen e saj/tij.
Jo, nuk e kam personale me askënd, dhe e kam personale me të gjithë.

Janë mekanizmat e mërzitshme të përditshmërisë që vënë në lëvizje turbinën madhore që duhet ta shajmë për popullaritet. Kushdo që është në majë të turbinës që ia vleka për t’u përmendur, ka qenë këtu në dhé një herë, pastaj është ngritur një shkallë, pastaj dhjetë për një herë, deri sa hipi në majë.

Kështu që preferoj të dal në rrugë me pasqyrë, të shoh veten dhe t’ua tregoj të tjerëve herë pas here. E nëse aty reflektohet dhe Pop Star-ja më e klikuar apo politikani më i sharë, do ia drejtoj pasqyrën përballë. Dhe ashtu nxirren në pah dukuri, ndizen motorët e humorit, i bihet fort tastierës dhe afishohet shkrimi.

E meqë e lexove deri në fund, urdhëro një dhuratë: fjala “k..vë” për të katërtën herë 🙂

 

 

Unë, ti dhe shqiptari.

Paris, gusht 2017. Në një kafe në Montmartre janë ulur dy parizien dhe një pariziene, kanë në tavolinë espreson e dytë, një ujë pa gaz, një tavëll plot duhan të pirë, kanë rrudhur fytyrat duke parë në distancë dhe po flasin për politikë.
“Një njeri që martohet me gjyshen e vet s’bo për president”.
“Ajo është gjyshja ime në moshë po vishet më bukur se unë”.“S’ka për t’u bo ndonjëherë francezi, jo!”.

Tak, t’u pre filmi dhe ty apo jo? T’u bë ekrani i zi, pastaj dolën mizat. Piiiiiiip. Deri te e folura për poltikë sikur u shty historia, po kur thanë “s’bohet francezi njeri….” Game Over.
Sepse nuk e imagjinon dot që një shtetas perëndimor të flasë në vetën e tretë për veten e vet dhe t’i referohet me kombësi vetes në vetën e tretë.

Sepse të huajt janë perfektë, e kanë çdo gjë në terezi, s’kanë bagazh historik për t’u turpëruar apo mburrur, s’kanë fatura për të paguar (ne paguajmë energji ujë e internet, ata paguajnë minimum 3 herë më shumë fatura!!) janë të gjithë bosa, nuk kanë migrenë, kalamajtë i lindin pa vuajtje, nuk kan shefa të poshtër shfrytëzues, s’i zë vapa kurrë, etj.

Dhe mbi të gjitha, të huajt kur kanë kohë të lirë, merren me ne shqiptarët. Se unë nuk e shpjegoj dot ndryshe këtë referimin e vetes në vetë tretë.
E kanë temë të preferuar si nuk bëhemi njerëz ne. Se si nuk bëhet ky vend. Ne prej tyre mësuam të themi ‘shqiptari kshu shqiptari ashu’ se unë s’e shpejgoj dot ndryshe!
“Shqiptari s’zë mend”. “S’bohet ky popull e ka thon ai i moçmi atje” (këtu si Tyrion Lannister te Game of Thrones, çdo xhevahir të çmuar që e nxjerrim nga goja ia veshim dikujt të moçëm për ta legjitimuar).
“Çohu shqiptar nga kafja, çohu” qarkullonte para ca kohësh nëpër internet. Në fakt më dukej shumë gallatë, edhe pse nuk jam tërësisht dakord.
Nëse ti dhe familja jote jetoni në dashuri e barazi, dhe keni të ardhura të shëndetshme legjitime që vinë nga punë e sinqertë, rri sa të duash në kafe. Thyeje makinën e ekspresit, vetëm pas të tretës fillo pi dekafeinato aman.

Po s’më duket se ata që i kanë punët në terezi thonë që shqiptari s’bëhet njeri. Ajo/ai që e ka jetën në vijë, e ka sjellë në vijë duke qenë shqiptar/e vetë dhe me ndihmën e shqiptarëve të tjerë. Ajo/ai që përballet me jetën çdo ditë ka një botëkuptim më të thellë si funksionojnë gjërat dhe e di që shqiptari bëhet, por me një kusht – duhet të lëvizë të pasmen vendit.
Ka nevojë të përballet me njerëz, institucione, e situata. Të vëzhgojë çfarë nuk shkon, dhe kolektivisht të marrë pjesë në përmirësim të prapambetjeve. Të shohë ç’bëhët nëpër institucione, nesër pasnesër t’ia shprehë dikujt që ka një farë pushteti, me shpresën për përmirësim.
Ai që e ka jetën në terezi nuk ulet në kafe të thotë “s’bohet shqiptari”, po tregon çfarë i ndodhi sot dhe bluan në kokë si ta zgjidhë të nesermen. Ajo që i ka gjërat rrugës për terezi, e ka kuptuar që bëhet shqiptari, po do durim, nerva, kohë, e sidomos pjekuri. S’ka sot për nesër.
Kam pasur një palë pizhama me një breshkë të lumtur që thoshte “slowly but surely” (ngadalë, por sigurt). Gjithmonë më është dukur se i shkon ritmit të vendit tim si thënie.

E këtu dhe unë bie dakord me ‘çohu shqiptar ti nga kafja, çohu’, kur bëhet fjalë për syreshin që s’ka asgjë në terezi. Se po u çove do mësosh një gjë të re, do i japësh dhe ti jetës drejtim, e pasi ta kesh vënë në terezi, do rikthehesh në kafe, kësaj radhe për biseda më të sofistikuara, që nuk i referohen vetes me vetë të tretë dhe kombësinë përkatëse. Se jo për gjë po kur je i zënë, s’ka shumë kohë për mllef.

Nuk do thuash më ‘shqiptari kshu shqiptari ashtu’, por me shumë gjasë do bluash dinamikën e jetës në këtë vend, së bashku me një dozë humori që na karakterizon.

Kur të vijë ajo ditë thyje ekspresin, dhe mos harro dekafeinaton.