U trashëgofshi! Po deshët.

Po ta mendosh, mashkulli me trajtat më “jo produktive” të mundshme si: vese të ndryshme, jo besnik, arrogant, është dembel… Ama! Ama fëmijët i do. Shumë fare. S’e ka problem të lërë femrat shtatzanë, dhe zakonisht është një baba i dashur, (duke përjashtuar të dhunshmit), shakaxhi, luan, bën dhurata… Këta janë meshkuj e burra që u dalin për zot edhe 4 fëmijëve, madje dhe kur nuk i kanë financat. Pse mos t’u dalin? Se mos marrin leje lindje, se mos ndërrojnë pelena, se mos desh vdesin apo operohen, apo mos vrapojnë mbas 2 vjeçares me 1 çorape pa pantallona për t’i dhënë lugën me kos. Jo o jo, ai vazhdon jetën që ka pasur, tashmë me zhurmë e gëzim në familje. Ka kush të zvetënohet.

Dhe në fakt akoma nuk kam njohur një mashkull që të thotë “unë nuk dua fëmijë”. Ndoshta në vendet ku barazia është e mirëfilltë, që numërohen me gishta dore, meshkujt e kuptojnë nivelin e përgjegjësisë dhe se si rritja e një të vogli mund t’i ngadalësojë karrierën dhe t’i kufizojë argëtimin personal. Ndoshta dhe ka shqiptarë të tillë, po ende s’kam rënë ndesh. Çfarë shoh e njoh, dhe ndoshta çfarë unë isha (deri diku) jo para shumë kohësh, janë gra e vajza që ngurtësohen nga ideja e të bërit fëmijë.

Shumica ndërrojnë temë direkt duke dashur të evitojnë gjykimin për mendimin aspak të zakontë, sepse në fakt çfarëdo argumenti të japin ato, nuk ka vlerë, ato janë “vajza të këqija dhe egoiste” në sy të shumicës që direkt veprojnë, e rrallë mendojnë.
Të tjerat, që e kanë ngrënë disa herë gjykimin, preferojnë mos të japin argumente, duke i quajtur “arsye personale” dhe që kërkojnë t’u respektohet e drejta e lindur për të bërë ç’të duan me trupin e jetën e tyre. Po, shumë fisnike. Këtu do ndalem dhe unë. Eshtë shumë e rëndësishmë që njerëzit mos të të ndërhyjnë në jetë. Po kjo është po aq e rrallë sa ata burrat që nuk duan fëmijë nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes ditore.

E një përqindje tejet e vogël, janë të zëshme dhe të sqarojnë një më një pse nuk duan fëmijë, dhe zakonisht vërtitet rreth të njëjtës gjë: kanë investuar shumë në veten e tyre, qoftë shëndet, karrierë, udhëtime, garderobë e trajtime, për t’i pezulluar të gjitha për t’u kujdesur për një qenie që ato e dinë që do e dashurojnë përjetësisht.

“Pff, egoiste!”
Po mirë, çfarë është më egoiste tani: a) të refuzosh të sjellësh në jetë dikë sepse ke mjaftushëm angazhime tashmë me një jetë, e cila t’u dha pa të pyetur, apo b) të sjellësh një jetë të re pa e pyetur ti atë, vetëm pse ti do të pasosh gjenetikën tënde? Se diskutimi i vërtetë, ky është. Po për të evituar këto tema ekzistenciale për të cilat nuk ndalemi të mendojmë, i biem shkurt me kundërpërgjigje “të mos bësh fëmijë është egoizëm”.

“S’e ke provuar, është gjëja më e bukur në botë!”

Tani, nga përvoja personale, këto që thonë tërë kohës ‘gjëja më e bukur në botë’, janë të njëjtat që kur i pyet privatisht, ose kanë qenë komplet të papërgatitura, ose kanë vuajtur përtej normales gjatë lindjes, nuk kishin asnjë ide se ç’i priste në të vërtetë dhe kanë 2 vjet që s’flenë 4 orë rresht, ose kanë shumë pak ndihmë dhe një vjehërr që vjell flakë, ose të gjitha për një herë. Nëse do japësh mendim, thuaj të vërtetën pra.

Po, pa dyshim është gjëja më e bukur në botë dhe nuk shpjegohet dot pa e provuar. Po, pa dyshim është po aq e frikshme sa është dhe e bukur. Dhe nëse do të nihmosh nënat në prespektivë, ji e sinqertë dhe e detajuar me to.

“Do zhdukemi si farë me gra si puna e kësaj”. Tani ku ta kapësh e ku ta lësh këtë fjali fataliste patetike. E para, historikishit popullsia e “fara” e sidomos njerëzve që shprehen kësisoj, nuk ka qenë në duar të grave të emancipuara, me karrierë e individualitet. Njerëzit që riprodhohen më së shumti ose janë shtresat e varfëra më pak të arsimuara, që nuk kanë njohurinë e duhur të ndalojnë së bëri fëmijë; ose janë shtresat tepër të pasura, të cilëve bërja e fëmijëve nuk u pengon asgjë, për shkak të ekonomisë së lartë që ndër të tjera, blen ndihmë pa fund. Po këta janë aq pak, që nuk ndikojnë popullsinë.

E dyta dhe e fundit: boll. Mjaft. Ndaluni tani. Ndaluni së drejtuar gishtin femrave që e dinë se ç’duan dhe që nuk janë duke cenuar absolutisht askënd në këtë proces. Mjaft kërkuat me “zoom” arsye për t’i rënë femrave të pavarura nga të cilat ndiheni aq të kërcënuar, dhe që me thënë të drejtën janë grupi më produktiv, më i shkathët dhe më progresiv në vend. Dhe nuk po u drejtohem vetëm burrave. Po u drejtohem grave, që dinë të jenë shumë të serta me femrat që kanë guximin të jenë dikushi e të shkojnë kundra rrymave.

E drejta për mos t’u riprodhuar është po aq e paprekshme sa çdo e drejtë tjetër që nuk cenon askënd kundra vullnetit. Thjesht nëse ndalesh të ngresh pikëpyetje mbi çdo të vërtetë që ti di, mbase dhe ti një ditë do jesh ai shembulli i pavarësisë mendore dhe respektit.

Nga:

Miku juaj që ju do të mirën.

Mikesha juaj, e cila ka fëmijë desha të them.

 

Dashuria që zgjat një jetë

Nëse ka diçka mbi të tjerat që balancon dhimbjen që bart ky planeti ynë plot jetë, janë këngët, poezitë, filmat, buzëqeshjet me bisht të syrit, fluturat në stomak, karagjozllëqet dhe sparkatat… Në emër të dashurisë.

Në emër të fiksimit.

Të asaj/atij që ty të duket njeriu më i bukur në botë.

Të atij/asaj që ti para se të identifikosh rrezikun, e ke identifikuar a ndodhet në të njëjtin ambient me ty. Të gjithë e kemi provuar, pasi ndjenja më superiore në planet nuk njeh moshë.

Ah, sa goca kanë qarë për Great Gatsby apo The Notebook. Sa çuna kanë qarë “Adrienne!” (fshehurazi, të shkretët meshkuj sa vuajnë në emër të macho-izmit!), apo me Good Will Hunting… Të gjithë pa përjashtim, në emër të dashurisë. Që dy persona që janë duke u përvëluar për njëri-tjetrin, të jetojnë të lumtur përgjithmonë.
Aty më rri. “Përgjithmonë”.

Pak vepra madhore, për mos të thënë hiç, flasin se ç’bëhet X vjet pasi çifiti që takohej fshehurazi, po bashkëjetojnë. Pothuaj asnjë film, asnjë këngë, ndoshta disa poezi përkushtuar njeriut me të cilin ke ndarë jetën… Sepse dashuria, po ashtu si lumturia, nuk është qëllim, nuk është fundi. Dashuria fillimisht piketohet si ‘fiksimi’, pranohet që është më e thellë se aq, kur arrihet, përjetohet me zjarr, të nxjerr jashtë Rrugës së Qumshtit, të kthen ngadalë në Tokë… Dhe një mëngjes, kohë pas udhëtimit kozmik, ti ngrihesh ngjitur dashurisë tënde, e acaruar që ai nuk ka derdhur plehrat mbrëmë, që nuk të bën më aq shumë për të qeshur si në fillim, i acaruar që ajo ta ka zënë 80% të krevatit me gjumin e saj dhe që ajo nuk buzëqesh aq shumë sa në fillim…
Duhet blerë kos, letër higjenike, duhet thirrur hidrauliku dhe duhen sinkronizuar pushimet.

Dashuria aty është, mos më keqkupto. Po disa njerëz nuk e kuptojnë këtë gjë, trashen, duan prapë xixëllonjat e 2 viteve të para… Dhe ose i vënë shkelmin, e dashurohen me dikë tjetër, duke ribërë të njëjtën gjë deri sa të vijë fatura e internetit dhe të thirret hidrauliku… Ose harrojnë kush ishin, nuk shprehin më dashuri, ndërrojnë pamje dhe i dorëzohen tërësisht rutinës ashtu si dikur i dorëzoheshin tërësisht epshit.
Dhe janë të tjerët pastaj, heronjtë e këtij artikulli, për të cilët nuk para flet kush. Ato/a që e dinë që janë të dashuruar, po e dinë dhe që dashuria s’është kaktus që mbijeton pa ujë dhe 2 vjet rresht. Çdo mëngjes është lufta Iliro-Romake: ngrihu atëherë kur nuk do, merr mburojën dhe përballu me fëmijët (kur i ke) që duhen bërë gati, merr shtizën për t’u përballur me kuzhinën nga dje, merr kurajo për t’i dalë para pasqyës që të shpenzosh disa minuta për t’u dukur njeri dhe jo skllav, dhe pasi je nisur për nga dera, mos të harrosh kurrë, ama kurrë, t’i buzëqeshësh partnerit/es siç i buzëqeshje kur gjuheshit, e t’i thuash të dua.
T’i thuash “je bërë shumë e bukur sot”.
T’i thuash “kur do ikim pak larg vetëm ne të dy një fundjavë?” Ndodh apo s’ndodh, pak rëndësi ka.
T’i çosh një sms me zemra gjatë ditës.
T’i bërtasësh në darkë që edhe pse i the 5 herë ç’të blinte, i ka ngatërruar.

Natën t’i thuash ‘natën shpirt’.

T’i blesh një dhuratë që s’është nevojë e përditshme.

T’i thuash “ik dil me shoqet se je lodhur”.

Të bësh dashuri dhe jo detyrim martesor.

Kjo është dashuria e vërtetë. Ndoshta nuk je i zoti/e zonja me fjalë; ka plot mënyra. Ajo që ushqehet çdo ditë me një shikim, me fjalë, e me vepra aty-këtu. Kjo ka garanci mbase dhe sa vetë jeta. Kjo dashuri është e shoqëruar me një rutinë të mërzitshme dhe sigurisht, në 100% të rasteve, me më pak përvëlim se në fillim. Po kjo do kurajo dhe pjekuri për të kuptuar që jeta për askënd në botë nuk është 60 vjet pasion pa ndalim, po është një punë e bukur, që ju mban ju të bukur.

Gëzuar gjithë çifteve që kanë shumë gjatë bashkë, dhe akoma u qeshin sytë kur shohin njëri tjetrin.