Duhet të kem qenë në klasë të gjashtë, kur një ditë im atë tenton të ulet të punojë në kompjuter në shtëpi. E hapi kompjuterin vetëm për të parë që çdo dokument e aplikacion kishte shenjën e drynit.

Nuk ishte virus. Isha unë që eksperimentoja orë e pa orë. E pasi e zgjidha këtë problem, më doli nami që marr vesh nga teknologjia (imagjino, e shkaktova vetë!) dhe në fakt, marr.

Mirëpo çunat te servisi i kompjuterave nuk e dinë dhe preferojnë të marrin të mirëqenë që ata e dinë ku e kam hallin unë.

Dita X

– Mirëdita. Ky karikuesi ka 2 pjesë siç e dini, nuk më punon gjysma që lidhet me kompjuterin. Shoh që shisni pjesë, a keni një të tillë?

– Po ti paske prizë amerikane.

– Nuk është aty problemi, është pjesa tjetër.

– Mos e ke rrëzu në tokë?

U futa vetë te koshi i kabllove, kërkova 20 min, sa e gjeta çfarë desha, e bleva, dola.

Nuk dua të ndalem kësaj radhe te fakti që jam femër dhe apriori pa hyrë në derë akoma ai e ka idenë që unë kompjuterin e kam makineri Facebook-u. Fatkeqësisht dukuria përsëritet kudo në industrinë e shërbimit. Domosdo shërbimit; ajo është e vështira, ajo do përkushtim, dhe do një talent që pak e kanë, po shumë mund ta mësojnë, të dëgjosh çfarë po të thonë. Dhe nëse është e paqartë, të bësh pyetje për të larguar mjegullën.

Dita Y

E kundërta, një fushë që s’marr vesh fare: shtrim parketi. Unë di që janë ca copa druri delikate – mora vesh që merrkan sëmundje! Thërras profesionistin i cili pasi u sigurua që parketi është në shtëpi, vjen për ta shtruar. Sheh sendet, dhe i indinjuar pyet:

– Ku e ke %^&*&^?

– Cfarë është ajo?

– Duhet për ta vënë midis &^& dhe *&&* që pastaj ta lyejmë me $%^%.

– Unë i marr ato?

– Po sigurisht o goc.

– Ja t’i shkruaj. A ka tjetër?

– Në fund fare do blesh &))*&. S’të tha ajo te dyqani?

– As ti kur folëm.

Tund kokën i frustruar si unë jam kaq e paaftë në një profesion aq specifik.
Një herë, 2 herë, 10 herë e humbur komplet në keqkuptime me industrinë e shërbimit të çfarëdo: nga ato që përmenda e deri te riparimi i këpucës apo rripit të orës. Një miku im zbavitej shumë pastaj kur më kalonte damari dhe i fusja ndonjë të bërtitur, pasi është e vetmja mënyrë që t’i shkundësh nga përgjigjet dhe pyetjet aq robotike, ose në shumë raste dhe mungesa e tyre tërësisht dhe e marra e mirëqenë që unë duhet të marr vesh nga zanati i tjetrit.

Deri sa mendoj se kuptova ku qëndron problemi, që shfaqet edhe në kulturën se si komunikojmë e deri si debatojmë në televizor: dëgjojmë atë që duam të dëgjojmë, dhe jo atë që po thotë personi në fjalë. Industria e shërbimit prandaj është e pasur dhe e lodhshme: ka një grup problemesh gjenerike, po çdokush është i ndryshëm pavarësisht etikës dhe kulturës së njëjtë që ka një popull. Ajo që s’ta mbush syrin ka njohuri në teknologji e ai që s’i ndihet zëri kurrë ka në fakt ide shumë të qarta se si e do këmishën të qepur te qafa.

Askush nuk do përmirësohet në atë që ofron duke trajtuar çdo kërkesë si rutinë, duke marrë gjëra të mirëqena sepse ashtu është më rehat, dhe duke dhënë përgjigje gjenerike. Ju siguroj që të gjithë idhujt tuaj në fushën e shërbimit e fillojnë komunikimin në një faqe të bardhë, pa paragjykim, pa përgjigje prêt-à-porter, pa indinjatë që ti s’ia njeh fushën.

E tani e gjej veten duke paragjykuar unë, kur hyj për herë të parë në një vend që pres një shërbim.

Mirëdita, të lutem më dëgjo me vëmendje. Po më dëgjon?

 

Leave a comment