Shkrim nga Dori Peristeri, mikeshë e Larlara. 

Mirëmëngjes, mirëdita ose mirëmbrëma – sipas vaktit.

Bashkë nuk jemi takuar kurrë; të paktën jo me vetëdije që po takoheshim unë dhe ti. Ndoshta rastësisht jemi shkëmbyer rrugëve ose diku tjetër dhe jam e sigurt që ti ke menduar se kishe përpara një qenie pak qesharake me flokët e pakrehura si kaktus në lulëzim. Pikërisht ai kaktusi gazmor isha unë. Që mos të zgjatem më (njohjen tonë t’ia lëmë pak kohës) po të tregoj një histori të lezetshme…

Vinit (Vini është shoku im i jetës, një topolak sybojëqiell me flokë të dendura kaçurrel) kishte ca kohë që kishte vënë re te gishti i madh i dorës së djathtë një si tip ekzeme që vetëm sa bëhej më keq. Çfarë nuk provoi derëziu burrë – pomada, melheme të bëra vetë, lëkura bananeje sa kur hidhnim plehrat na vinte zor se kujtonin dynjaja se kishim marrë majmunë (ose ndonjë skenar dhe më të mbrapshtë që … nejse). Pas disa javësh që bënim eksperimente më në fund e ndau mendjen dhe, si hipokondriak i pashërueshëm (e qëllimshme kjo) që është, vendosi të shkonte tek një specialist i fushës, një dermatolog/e. Ky vendim na kushtoi një muaj kërkimesh – siç ndodh rëndom këtu te ne ku dhe për të shtrydhur një puçërr duhet të pyesësh 100 vetë se s’ke besim as te dora jote e majtë. Më në fund pasi pyetëm gjithë dynjanë (për 1 cm katror ekzemë) gjetëm një dermatologe që ishte e re në moshë (dhe për rrjedhojë, menduam të dy, bashkëkokohore) dhe shkuam si çift i lumtur për vizitën e ekzemës. Plani ishte që nëse doktoresha na e mbushte mendjen, mund të shkonim dhe për problem më madhore me të cilat nuk po jua lodh kokën tani.

E kështu unë dhe Vini pritëm në korridorin si prej haremi të spitalit, hymë në studion e saj dhe u rehatuam gjithë kërshëri. 100 pyetje në kokën tonë derisa filluan pyetjet e saj të radhës: kur e vure re (duhej ta kisha shënuar në ditar?), kështu ka qenë që në fillim (pse dreqin nuk i bëra ca foto po merresha me selfie), çfarë pune bën (dhe pse është relevante kjo), çfarë prek çdo ditë (sikur vetëm ta dije) e gjëra si këto që mendja e mbrapshtë e Vinit ishte gati t’i përçonte tek goja e tij nga ku do dilnin bashkë me të qeshurën e tij kumbuese. Po prisja momentin… e dija që ai nuk do duronte dhe do të fillonte të ironizonte. Ndërkohë që ajo e gjora bënte breshëri pyetjesh, ai mezi po priste… dhe ja ku e shkrepi:
– Ndoshta e kam nga ilaçi i enëve që përdor për larjen e pjatave?

… 1 minutë qetësi, dhe zëri i saj i sjellshëm dhe i ftohtë:

– Ah, punoni ne kuzhinë?

Unë thuajse rashë nga karrigia. Jo tha Vini thjesht në shtëpi merrem unë me larjen e enëve. (hahahahahaaaa, mendo Dorina për climate change që po na vjen dhe mos shpërthe këtu i thashë vetes). Ajo ngriti kokën nga eczema ku ishte kredhur me një teleskop dhe një vështrim i akullt më kryqëzoi në karrige, dhe ajo u kollit pak…

Unë pak a shumë e përktheva situatën kështu: “Aha, epo kjo e shpjegon problemin. Po mirë o grua, ti ç’bën gjithë ditën që lë këtë të shkretin të lajë enët? Çfarë gruaje je ti një here, që e vë burrin të bëjë nga këto punë!” – apo prit mos e ngatërrova gjë me mamanë time?

Pas kollitjes, ajo i rekomandoi Vinit të mbante dorashka kur të lante enët këtej e tutje….

Pas nja 30 minutash, kur mbaroi vizita dhe ne të dy dolëm, mezi mbanim lotët nga të qeshurat dhe m’u desh të shkoja në banjë se fshikëza nuk më mban më pas dy lindjesh. Nuk mendoj se do të kthehem më tek doktoresha në fjalë, nuk e di sesi mund t’ja shpjegoj asaj ca problem të tjera që do të më fusnin thellë në gropën e mëkatareve heretike. Fundi i historisë.

Të lutem, ty që sot më njohe pak më shumë, dëgjo rekomandimin e doktoreshës dhe mbaj doreza se pastaj mund të të shpifet një ekzemë që të sjell dilema ekzistenciale: A më pranon shoqëria edhe pse ndihmoj gruan duke vënë enët në pjatalarëse çdo ditë? Eh Vini, Vini – nuk thonë kot më mirë syri sesa nami.

Tani po iki t’i blej Vinit dorezat e radhës se ai sikur i ha me dhëmbë ato apo ndoshta nga gërryerja e tenxhereve… Të uroj një vakt të mbarë dhe mirë u takofshim.

 

Leave a comment