Sa fillon pranvera të japë shfaqjet e para të sezonit, vendi ynë praruar me klimë mesdhetare bëhet edhe më mikpritës. Shqiptarë të ikur apo dhe të huaj gjejnë arsyet për vizitën e parë të vitit.
Të gjithë, kush më afër e kush më larg, ka familjarë e miq që kanë ikur në fillim të viteve 90’ deri tek eksodi i Gjermanisë vitet e fundit. Me këta të viteve 90’ sidomos, një dinamikë delikate qëndron mes nesh. Ata, tendosur midis identietit shqiptar dhe të vendit pashaportën e të cilit kanë përqafuar. Ne këtu, që kemi parë me piksela si kanë ndryshuar gjërat, sepse ne jemi vetë pikselat.
Unë e gjej veten në vështirësi mbi çfarë do të bisedojmë, sidomos me ata të ikurit kur unë kam qenë thjesht fëmijë.
Çfarë është të jesh shqiptare, për ata është diçka ndryshe nga e imja. Ndaj pasi kemi rrahur ato konceptet bazë të shqiptarisë (dëshira për të ndihmuar familjarët e të afërmit, trashëgimia e gjuhës, diaspora) duhet ndërruar temë. Kalojmë te zhvillimi – e unë aty duhet të thërras anën e qetë të qenësisë sime, atë që më thotë në vesh “nuk ia vlen, lëre”, pasi, sidomos të ikurit herët, u duket se po vijnë në fushat me kallam sheqeri – kënetë, jetë skllavi, mushkonja, ushqim jo i mirë. Andaj dhe pse menaxherë të mirë të parasë në vendin ku jetojnë, këtu rrallojnë vizitat nga shpenzimet e paarsyeshme që mendojnë se duhet të bëjnë – hotele me 7 yje, dhurata për gjithë fisin, qerasje me sherr.
Për ca nga vërejtjet kanë të drejtë, se jo për gjësend por ato të vërteta janë duke të ulërirë në fytyrë, siç janë plehrat në rrëke, pemë e bulevard. Për disa të tjera nuk e dinë mirë ç’po flasin dhe ashtu si pa dashje bëhen dhe fyes, tipit na shpjegojnë ç’është Spotify dhe Netflix, apo si funksionojnë linjat ajrore low-cost.
E tani dashur pa dashur kemi kaluar në atë pjesën e bisedës ku duhet të flasim jo mirë për Shqipërine dhe vlerat lokale
– Si është puna me Berluskonin? Pse sa herë vi këtu njerëzit më tregojnë video për të qeshur me Berluskonin.
Këtu ma ka kapur dhe mua vëmendjen. Sepse kam filluar ta humb pak durimin me këto tema. I përgjigjem sa më thjesht:
– Sepse me pak fjalë, figurat që ne adhurojmë, politikë apo art, nuk janë ata që na pasuruan ne mendjen, shpirtin apo mënyrën e jetesës – po janë ata që u pasuruan vetë, shpesh në kurrizin të të tjerëve. Adhurojmë Berluskonin, Donald Trump, Fatos Nanon. Burra barkalecë famëkeq në abuzimin e vajzave të reja, por që u falet, se kanë para. Sepse po ishe burrë dhe u bëre shumë i pasur, do marrësh vetëm respekt e adhurim nga ne.
Ajo pastaj vijoji të tregonte se sa herë që vijnë verave me fëmijët, këta të fundit gjenden në pozita të pakëndshme me moshatarët vendas, të cilët fillojnë shikojnë etiketat e veshjeve, skanojnë kode, dhe u tregojnë sesi kompleti NIKE nuk është i 2022, sesi vajzat vendase kanë çanta të brendeve sa rroga e prindërve të vet, e sesi u dashka të blesh hoodie-t e fundit të Noizyt ose ndryshe nuk je “in”.
Dhe nuk po flasim për zonat luksoze të vendit, ku ka para të pronarëve legjitimë të bizneseve, para droge apo para zyrtarësh të korruptuar. Po flitet për familje me të ardhura mesatare.
Po Enkelejda, s’të kundërshtoj dot këtu.
Shumë nga ne përpiqemi të bëjmë pjesën tonë, për të futur pak e nga pak vlera që nuk kanë të bëjnë me veshmbathje të shtrenjta jo cilësore, prodhimi i të cilave po e bëjnë planetin të pabanueshëm për specjen tonë. Po përpiqemi që të hapim një bisedë tërheqëse pikërisht mbi këtë, mbi prodhimtarinë e tyre – shembull.
Por nuk po fitojmë dot me këto tema.
Narrativat kryesore i vendosin të tjerë. Dhe ata, ashtu si Berluskoni, duan thjesht të ulen në frone imagjinare parash dhe prandaj nuk kanë asnjë interes në përmbajtje cilësore për ne, teksa presin ndonjë sulm në zemër nga të mbigrënit.
Po unë nuk dorëzohem Kela. Se ditën që do të dorëzohem, do bëj valixhen e do të kërkoj ty, në emër të shqiptarisë, të më ndihmosh në vendin tënd.
*Imazhi marrë nga The Sunday Times*