“Është vajzë e mirë kshu’, por ka probleme me varësi nga substancat” thotë një e njohura jonë teksa më flet për një personazh të ri në qarqet tona, të cilës ia dimë vetëm emrin.
Dimë jashtë vullnetit histori të tjera për të; shumë prej të të cilave përveçse duhet të jenë të pasakta, s’më interesojnë.
Sot ajo ka bërë një truk me penelin e zi mbi tulin e syrit, ndejkur nga një vijë e kuqe. Të njëjtën gjë ka bërë me buzët – gradient kuq e zi.
Unë mundohem ta shikoj kur nuk e ka mendjen, pasi nuk është aq komplimentuese sa e bëjnë kur të panjohur t’i qepin sytë. E teksa dëgjoj tingujt e parë të Valles së Tropojës, u humba në veçoritë e saj fizike.
Duhet ta shihni që ta kuptoni. Ajo flet, qesh, lëviz duart. Dhe ky manifestim i saj i të qenit gjallë ka edhe veçori malësoreje, edhe trajta cigane, ka shprehi perëndimore dhe gjestikulacion ballkanas.
Është shqiptare, ndaj, mendoj vetvetiu.
Se çfarë i bie të jesh shqiptare, kam disa dhjetra nëntore që dua të zbërthej. Dal me intepretime romantike, të zemëruara, krenare, inatçore dhe hera herës indiferente.
I bie të jesh lindur në lagje të pasur () po jo në ndërtesë të tillë.
Të kesh alpe, dete, florë e faunë kaq të larmishme brenda 29 mijë kilometrave katrorë (40 mijë megjithë Kosovë) por ta kesh njohur thuajse hiç, se nuk ke pasur infrastrukturë dhe bashkëpunim për një kohë tepër të gjatë.
Të kesh kaq shumë etnicitete, kultura e fe për kaq pak banorë, por të dish përciptazi mbi to.
Pak di dhe për përkatësitë e mia.
Sa dialekte për një vend të cilin e përshkon për 7 orë! Dhe duhet të përqëndrohesh fort për t’u marrë vesh.
Sa personazhe me famë botërore në raport me sa pak jemi! Sa banditë ndërkombëtarë, në raport me sa pak jemi.
Më shumë histori të pashkruar se të shkruar.
Mikpritje mburrëse.
Hostilitet. Ndaj njëri-tjetrit, kryesisht.
“Gëzuar 111 vjetorin! Ku e ke mendjen?”
Tanimë e kam te ky përvjetor që sapo m’u rikujtua. Sa numër i këndshëm kur e vizualizon.
Në bestytni të ndryshme, 111 ndriçon kalimin në një etapë të re të përparimit, hap rrugëtimin drejt vetes, dhe rilidhjen me universin.
“Gëzuar! Më gjeni një shami shpejt!”