Imazhi i përket librit “Le Petit Nicolas” nga René Goscinny / ilustrimet Jean-Jacques Sempé, 1959

E di si është puna? Sytë tanë në ekranet e vogla – ca e shohin si transformim të kobshëm – unë përpiqem ta shoh si thjesht transformim, me të mirat e me të këqijat e veta.

Jo më larg se para 10 vjetësh të hyje në zyrat tona vinte era duhan madje edhe qeni i një kolegu. Tani zyra nuk vjen më era duhan (as qeni), po janë të gjithë me sytë tek “aY”, duke shtyrë me gisht lart njerëzit e lajmet pa skandal brenda, e duke ndaluar për të qeshur me mace me theks beratas apo te ndonjë çizme okazion. Krahasuar me duhanin, ky është përparim.

Tek tuk dëgjohet ndonjë kor që  nuk po këndon por po deliron; janë insert-et e këtyre “talk shows” në çdo cep. Njëra po bën monolog, tjetri po bërtet, një tjetër vazhdon “e ke shumë gabim po t’them”, ekrani ndahet në 5 pjesë, 17,654 shikime në kët’ rills-in.

Rewind nja 20 vjet, në Klubin e Debatit në gjimnaz. Çfarë privilegji të ishe në të! Udhëtime nëpër Shqipëri ku çka duhet të bëje, është të merrje një temë për debat që të jepej, ta ndërprisje tjetrin me edukatë po ia dole, të gjeje ca argumente mundësisht nga humnera, e nëse dilje në finale, hipje dhe në avion për të bërë të njëjtën gjë me nxënës “të huaj” në hotele jashtë shtetit.

Natyrisht kishte nga ata nxënës që sakrifikonin thirrjet e hormoneve dhe rrinin studionin vërtet temën; por të jemi të sinqertë, të përzgjedhurit në këto klube ishin nxënësit me nota të mira që ishim pak më pak të turpshëm, kishin retorikë të pranueshme apo talent për të shkruar.

Materiali i temës nga shumica studiohej diagonal me 1 sy nga dritarja; qejfi ishte te pishina kur kishte, apo ai çuni i shkollës tjetër që është king dhe dëgjon Oasis.

Rewind dhe nja 2 vjet, ora e letërsisë, po diskutohet letërsi e huaj. Një nxënës zakonisht origjinal në mendime, po i ngrinte pyetje mësueses se si mund të nxirret thellësi filozofike nga dikush që martohet vetëm se i pëlqyen gishtat e kandidatit për burrë. Mësuesja, e pamësuar me kundërshtime nga këta çerra, flet për kuptimin e ngjyrës së perdeve në sallonin e librit. Debati mori qorrskak në pikën që mësuesja e mori personale opinionin e dikujt 30 vjet më të ri, dhe turfulloi se nuk ia mbyti dot mendimin me argumente.

Shpesh të rriturit i shohin fëmijët dhe adoleshentët si adultë dashakeqës në trupa rioshash. Andaj ua marrin personale çdo gjë.

Me siguri ia ka nxjerrë inatin me ndonjë hartim.
“Bukur po në Tiranë ka 8 vjet që nuk bie dëborë! 7-8.”

E kush mbeti pa gjumë për gishtat e atij, apo për ngjyrën e perdeve, se? Askush, po ta mendojmë hollë e hollë.

Nëse nxënësit e kanë lexuar vërtet librin, kjo është fitorja jote, zysh-e. Diskutimet duhet të jenë thjesht kënaqësi dhe vlerë e shtuar.

Teksa e shtyva lart atë postimin me ato çizmet “okazion”, më del një nga terapistet e mia të preferuara amerikane, që diskuton imtësisht “healing” – një proçes “shërimi” ku njeriu mundet, dhe duhet, të çmësojë plot gjëra që i ka ditur për të vërteta absolute që në fëmijërinë e hershme, dhe rrjedhimisht i ka interpretuar si shtytës suksesi në jetë.

Ndër mijëra të pavërteta të tjera, kolektivisht, të paktën brezit tim, i është mësuar që po e munde tjetrën në debat, do çash në jetë.

Sa jo e lehtë qenka për ta çmësuar këtë të pavërtetë, se.

Debati, ashpërsimi i tonit, të kërkuarit llogari, hera herës dhe poshtërimi, janë përbërës thelbësorë të kulturës sonë.

Sepse çfarë ndodh është kjo: sa më shumë aftësohesh në debat, aq më shumë e ke humbur fillin e temës, e pikpamjes dhe njohurisë që ka personi përballë apo në krah, instiktin tënd primar mbi temën, je nisur drejt abis-it, larg vetes, vrimë e zezë është kjo?

Ule ore zërin, tërr tërr tërr.

Çfarë fitova?

Debatin?

*Duartrokitje super e ngadaltë*

Çfarë humba?

“Problemi më i madh i komunikimit është se nuk dëgjojmë për të kuptuar.

Dëgjojmë për t’u përgjigjur.” -Stephen R. Covey.

Shumëçka për t’u listuar. Po mbi të gjitha, kuptimin e vërtetë të të dëgjuarit.

Në këto “talk shows” njerëzia do mbajnë mend a u duke bukur kur je grua “ah ylli i hallës ti”, a je burrë alfa që nëpërmjet gjuhës trupore po dhe asaj të folur, tregove sundim, dhe njerëzit do të flasin në rrugë, krejt kot, herë pas here me ndonjë “he ç’ia bone mirë atij kastravecit”.

Mirë ia bëri o teta Leta po çfarë shërbeu se? Çfarë. Askush nuk dëgjoi askënd.
Askush nuk mësoi asgjë.
Rrahëm me shpatë erën, si D’Artagnan.

Leave a comment