Shkrim për “Koha Ditore”, Prishtinë, edicioni i 8 Mars 2024, “Koha për Gratë”.
– Do të shkosh tek emisioni “Prespektiva”?! Vish patjetër taka. Dhe ki parasysh, kur të jesh ulur këmbë përmbi këmbë, e vendos njërin gju mbi tjetrin, shtrëngoi pulpat me njëra-tjetrën dhe ooop… pak diagonal, kupton? – Viola shpjegonte me shumë seriozitet, duke e paraqitur pozën në trupin e saj.
– Edhe shpatullat drejt. S’ka si Kazimodo aty. Ua çfarë qejfi. Do ta bëjnë atje në TV makeup? Apo do shkosh te Make Up by Sandra. – vazhdon Lira.
– Sandra e ka 60 Euro një makeup të thjeshtë…
– Po si bën dhe ti, je duke dalë në TV!
Lindës filluan t’i mjegulloheshin mendimet. S’kishte 2 muaj që ishte kthyer nga studimet e saj mbi Gratë dhe Drejtësinë Sociale nga një shkollë me reputacion në Europën perëndimore. Muajin e fundit kish filluar të aplikonte për punë; një sfidë e gurtë dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me interesin që tregonin njerëzit për përvojën e saj 2 vjeçare në atë institucion.
Çka e kishte befasuar më së shumti, ishin kërkesat e pa rreshtura nga televizionet që ajo të merrte pjesë në emisione të ndryshme. Sa herë ndodhte diçka si vrasje grash apo abuzim të miturash – fatkeqësisht, aspak në rrallim në trevat shqiptare – telefoni i Lindës ishte shumë i gjallë.
“Po unë nuk jam eksperte ligjore, as punoj në drejtësi” u thoshte me mirësjellje ajo, por gazetarëve kjo u dukej thjesht një pasiguri apo detaj i parëndësishëm që Linda, për të cilën nuk dinin as edhe një lloj gjëje, po u jepte si justifikim.
Ky interes jo natyral që Linda të dilte në TV ishte bërë i bezdisshëm. E vetëdijshme që për të dalë në programin “Prespektiva” kishte rënë pre e presionit, po mundohej të përqëndrohej se për çka do të fliste në emisionin më të ndjekur në botën shqiptare.
Linda donte të fokusohej në sa pak gra marrin pjesë në diskutime publike, dhe sa e pakëndshme është situata në prag zgjedhjesh, ku çdo sferë publike përmbytet me burra në ekrane që vetëm dëgjojnë veten e tyre, ndërpresin njëri-tjetrin, qëndrojnë me gjymtyrë të shpërndara, dhe në mënyrë krejt rastësore lëshojnë ofendime ndaj grave që nuk kanë të bëjnë fare me përgatitjen e tyre politike; por me paraqitjen, lehonitë, zërat e tyre apo dhe kush janë bashkshortët e tyre.
– Nuk shkoj tek Sandra jo. As në TV nuk do përdor make up, i ndreqin të gjitha njësoj. Do ndreqem vetë.
Linda e bllokoi mendërisht zhgënjimin e shoqeve dhe nxori telefonin e filloi të mbante shënime për çfarë do të fliste sot në darkë.
**
Ftohtësia e studios ndërthurur me dritat verbuese dhe gratë 55 vjeç + që ishin ulur si publik patën efekt tronditës. Ajo ishte rritur duke ndjekur “Prespektivën” dhe nuk dinte ç’të priste, por sigurisht nuk mendoi që studio do të ishte kaq joftuese. Menjëherë u pendua për takat; por nuk ia vlente stresi të kthehej deri në makinë për të riveshur këpucët e saj të dashura “oxofords”.
– Këto gratë? Kanë ardhur për këtë temë?
– Oh jo. I paguajmë 5 Euro të ulen aty. Çdo ditë.
U përpoq të merrte pozicionin e gjunjve siç i tha Viola, por harroi shpejt – në studio mësynë 5 të ftuarit e tjerë, dhe vetëm 2 ishin personat që gazetari i kish premtuar. Tre të tjerët ishin 2 pjesëmarrës nga një reality show i stër-fryrë dhe i dëmshëm për ndjekësit, si dhe 1 influencere produktesh. Këta të gjithë kishin ardhur për të folur për progresin e barazisë gjinore në vend.
“It is what it is” – Eshtë kjo që është (situata); iu kujtua shprehja që e thoshtë shumë shpesh Lakshmi, shoqja e saj në shkollë.
Emisioni filloi. Në ekran dolën rastet më të fundit të femicidit, shoqëruar me statistika të pasakta. Dhe jo sepse redaksia nuk i kish marrë saktë; po se realiteti i pa raportuar është diku 4-fish më i madh. Linda u munda të merrte fjalën, por moderatori i bëri me shenjë të priste. E ftuara X foli për 6 minuta, dhe Linda nuk kuptoi ku deshi të dilte.
Pas nuk di sa minutash pati publicitet. Gazetari vrapoi në skenë drejt saj.
– Hë si të duket? Eshtë pak “kështu” këtu. Po dëgjo mua: ndërpriti. Ndërpriti e hiç mos të vijë keq. Thuaj çfarë ke për të thënë.
Pjesa e dytë rifilloi. E mori fjalën psikoterapistja, e cila po fliste gjëra të vërteta dhe të kuptueshme për publikun. Mirëpo si intelektuale, ajo zhytej në mendimet e veta, humbiste sensin e kohës dhe fliste ngadalë. Moderatori e ndërpreu për t’i dhënë fjalën influenceres, e cila vijoi të fliste për përvojën e saj në një qytezë të vogël me gratë e dhunuara. Madje në ekran dolën ajo dhe gratë e dhunuara.
Linda e gjeti një vakum në copëzat e fjalimit të saj për të marrë fjalën më në fund.
Nuk dinte ç’po thoshte, po nënvetëdija po e qetësonte që po fliste për gjërat me të cilat kishte marrë shënime. Foli pak për sa pak gra ftohen në emisione televizive çkado qoftë tema, dhe kaloi ngadalë të situatat prag zgjedhjeve dhe sesi i gjithë opinion publik uzurpohet nga burra. Nuk dinte në ç’pikë të fjalimit ishte, kur “ylli i emisionit reality show” e ndërpreu për të thënë se 2 gra specifike që ai kish parë një herë në parlament qenkërkan të paafta dhe janë aty prej “kuotës”.
Linda buzëqeshi me ironi. “Po patjetër që kështu do përfundonte ky diskutim”, mendoi. E pyeti këtë yllin se ç’mendim kishte pra, për një zotëri Y në parlament, që flet vetëm për klube stripper-ash?
Dhe nga ai moment, filluan të flasin 3-4 persona për një herë. Ajo u shkëput tërësisht mendërisht dhe mori vendimin mos të fliste më për atë darkë.
U largua pa u përshëndetur me gazetarin.
Hipi në makinë, dhe hapi aplikacionin e bisedave me plot dritare të reja.
“Yll ishe bërë shpirti i tezes!”
“Ku i kishe gjetur ato këpucë o shtrigë?”
“Vetëm ti i dhe dritë asaj studioje!”
Dhe nëpër to shumë kërkesa për miqësi dhe një mesazh nga një shok i gjimnazit i cili me vetëbesim marramendës gjykonte ato çka ajo tha, plus pamjen e saj.
E lodhur, veshi “oxfords” dhe telefonoi mamin.
- O mam. A thua dëgjoi kush çfarë thashë?