Je shumë plot!

Imazhi nuk më përket mua, marrë nga Shaytards

M’u kujtua ajo shprehja “gjërat më të mira në jetë janë falas”. Nuk jam e sigurt  për cilat nuk duhet prerë kupon, po patjetër që i referohet puthjes, kridhjes në det, aromës së blinit nën qiell blu… Dhe një mace që bën ‘hrrr’. Mirëpo dihet që këto eliksire nuk sigurojnë jetesën dhe të mirat materiale. Dhe kush thotë që të mirat materiale nuk janë të rëndësishme, i ka me tepri dhe ka mangësi mirëkuptimi.

Për shumicën dërrmuese kudo në botë, duhet të punosh 40-50 orë në javë për të pasur minimumin/mesataren e atyre që do. Dhe gjatë këtij vrapi herë pas here takohemi me njerëz që janë në pozitë më të mirë se ne që në lindje (ose jo).

Ca kanë trashëguar biznese, të tjerë janë lindur të pashëm, disa kanë shkollim të mirë – e të tjerë dhe thjesht kanë familje për së mbari. Dhe lakmia ëshë emocion natyral; ajo shfaqet dhe te qentë endacakë kur shikojnë një qen të pastër shtëpie duke u shëtitur në rrugën e tyre.

Mirëpo sa shumë ofendohemi ne si specie kur krahasohemi me kafshën! Sa ndryshe e dimë veten! Për dallim nga nga Roki, bubi trim i lagjes që nxjerr dhëmbët që i kanë mbetur kur kalon Fufi, ne nxjerrim teknologjinë nga xhepi, dhe gjithë helmin që ka prodhuar truri gjysëm pa vetëdije, e shtyjmë në gishta dhe themi gjëra shumë të shëmtuara në platformën tonë të përbashkët që së fundmi meriton të quhet Mllefbook. Kur nuk kemi ç’të themi më, ndajmë ç’ka thënë ay boti, me të cilin nuk na lidh asgjë përpos mllefit. E kur edhe kjo mbaron, mallkojmë çdo ditë kryeministra e ministra e opozitëra e biznesmenë. Që të jemi të sinqertë – jo sepse nuk po na japin ne krah. Po sepse kanë lekë pa fund, thjesht fare. E vërteta qëndron se nëse ndonjëri nga ne do shkëmbehej me ta, zor se do sillej më mirë. Madje disa nga këta që lehin fort, ua kam drojën në atë gradë që falënderohem që nuk jetojmë më në epoka distopike alla Xhorxh Oruell, se dyshoj se do më kishin lënë “sagllam”.

Gjithsesi… Gjithë kjo shfryrje helmon shpirtin, mendjen, shfaq sëmundje she shëmton fytyrën.

Dhe këtu hyn arsyeja, ajo që vërtet na dallon ne nga çdo specje tjetër. Duke lënë emocionet dhe instiktet mënjanë, kemi shansin ta ndajmë veten nga kafsha: pse të kalosh vitet më të bukura (po dhe ato më pak të bukura) në inat dhe shëmti?

Momentin që je në moshë për t’u pavarësuar ke disa cilësi në përdorim që janë falas: rinia, karakteri, dija. Shto dhe talentet e tua personale. Nëse miksohen si duhet gjithmonë në funksion të mirëmbajtjes tënde  mendore e fizike, mendoj se ia hudhe. Antidoden e ke tundur mirë dhe e ke përbrenda, dhe helmi që të rrethon vetëm sa të turbullon.

Por nuk duhen ndarë të gjitha këto cilësi, aty është hilja. Ata që i ndajnë me thikë i njohim të gjithë dhe mbase jemi dhe vetë të tillë.  Dikush është mësuar t’i japë krah bukurisë, tjetri fuqisë; dhe kur këto veniten, ngelet një “na ishte një herë”. Pastaj është ajo më e zgjuara, po që rrezikon që pas 5 minutash bëhet paksa e mërzitshme. Pastaj është ai karagjozi që ti kurrë nuk e lexon dot se ç’mendon apo ndjen në të vërtetë dhe jo gjithmonë ia ke terezinë. E ai që është marrë aq shumë me politikë, që e vetmja e vërtetë sot ështe konspirative.
Ndaj mëso barcaleta, mëso të reja kur ato bëhen bajat, ndiq meme, lexo mbi të rejat në shkencë, shih dokumentarë e seri (nuk thashë telenovela!) dhe mbi të gjitha ngri pikpytje për çdo gjë që mëson, duke u thelluar edhe më shumë. Mbaj në xhep një plan B, te tjetri një plan C, dhe ndiq rutinën po mos u bë ti rutina. Dhe ndër të preferuarat e mia vjen nga Uorren Bafet:  shiko si mund të fitosh të ardhurat nga më shumë se një burim.

Në të vërtetë ti je falas, vetëm për veten tënde. E ku ka dhuratë më të personalizuar se kaq? Përdore mirë dhe mbi të gjitha, mirëmbaje si brenda dhe jashtë!

 

Klientja nga Ferri

Eshtë një pasdite e ngrohtë si gjithë të tjerat. Hipën në autobus, dhe e sheh veten duke përqafuar një hekur sepse shoferi dhe faturino kanë orare për të kapur; orare që ti as nuk i di se nuk janë të publikuara askund. Teksa përpiqesh të marrësh veten, për të parë a ke telefonin dhe kuletën në vend fillimisht, një oportunist i kaosit tregohet finok dhe përpiqet të të fusë duart me stil. Pa energji për t’u marrë me atë allasoj zvarraniku, zbret në stacionin tjetër, për të parë një pseudo zonjë (në shtëpi është nikoqirja më me nam e fisit!) e cila hedh facoletën e pisët mu në mes të trotuarit.
Nuk e di ty po për mua mjaftuan këto që të më prishen ekuilibrat. E në atë moment të pa barazpeshuar, m’u kujtua që operatori im më ka borxh ca lekë që m’i zhvati në roaming herën e fundit dhe që duhet ta kishte zgjidhur si çështje që para 2 javësh.
– Alo mirëdita, më keni vjedhur herën e fundit që udhëtova.

Ajo dëgjon ç’do të dëgjojë ajo, jo çfarë po i them unë.
– Më dëgjo me vëmendje dhe shih mirë se e ke rastin e hapur, fut emrin.
E kështu fillon saga, që kush ka kaluar kohë me mua në 8 vitet e fundit ku dhe jam rivendosur me kohë të plotë në Tiranë si një e rritur që përballet me jetën në në çdo dimension të saj: që nga mjediset e përbashkëta si autobusi deri në ambiente eksluzive, më ka parë “në aksion” ku rrënoj në debat atë strukturë që më ka bërë padrejtësi. Disa tremben prej meje, të tjerë marrin kokoshkat dhe argëtohen me shfaqjen. Personi përballë ose në anën tjetër të telefonit zakonisht përfundon duke thënë se si është thjesht një punonjës/e dhe unë regjistrohem si klientja nga Ferri.

Njësoj si kur të ka ngelur një nofkë krejt kot, që ti e di që është ekzagjeruar dhe ti nuk je aspak ashtu… Por vjen një pikë dhe e përqafon se sa të rrish të bindësh njerëzit për të kundërtën, që ka vetëm kundra-efekt.

Edhe unë e përqafoj këtë “klienten nga Ferri” jo se jam e tillë, dhe as së më jep kënaqësi të bëj “si dreq” me punonjës që janë aq të keqtrajnuar e mbase dhe keqtrajtuar, që mendojnë që dalja nga çdo situatë është ose justifikimi irrelevant (mos u lodh nuk jam mamaja jote) ose lëshimi i dinjitetit profesional duke thënë “unë thjesht punoj këtu”. Ok, meqë thjesht sa punon më nxirr bosin e madh se ia tregoj dhe atij talentet e mia të debatit.
Nuk e bëj as për ato 1000 Lekë që m’i grinë. Se jo për gjë, po aq i gjeta para 1 jave në tokë në taksi. Gjërat e përditshme barazohen vetë.
Puna është që e vetmja mënyrë që t’i tregosh ‘forcave më të mëdha’ në këtë vend që nuk të trajtonë dot ty si një barcode, është duke i zënë ngushtë, duke i çuar në një cep rrethuar nga argumente që janë të gjitha të drejta: nuk janë teka, nuk janë abuzime, as dëngla. Jo jo, në një vend si i yni, kur të abuzojnë institucionet nuk ua kthen dot me “trajtim të heshtur” as me çrekomandim. Duke qenë se çfarëdo shërbimi të jesh duke marrë, zakonisht është pjesë e ndonjë monopoli ose oligopoli ose e administratës që nuk para ka respekt për ty, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të tregosh se ke kthetra dhe mbi të gjitha, nuk po të bën njeri për idiot dhe se ti e di vlerën që ke në atë strukturë X.

Po shumica dërrmuese vuajnë nga apatia dhe nënshtrimi, nuk marrin atë që u takon. Ndaj klientja nga Ferri jam unë, dhe pse klientja e vërtetë nga Ferri është gjithashtu abuzive, ndërsa unë vetëm kërkoj çka është e imja, me insistim.

Dhe ky nuk është proçes i këndshëm. Dhe as mua nuk më vjen natyrshëm çdo herë që ndhodh diçka e tillë, se ka shumë brenda një dite. (ndryshe do më kishit parë duke folur me vete në bulevard!), kam nevojë të më mblidhen disa, dhe do hakërrehem te më e rëndësishmja për mua dhe që ka një vesh funksional. Dhe të jemi të sinqertë, rrallë do marësh atë që të takon, në më pak se gjysmat e rasteve. T’i bësh për 2 lekë nuk është nga ato gjërat terapuetike apo shkarkuese siç është t’i biesh me grushte një thesi apo dhe të këndosh me sa të ha fyti e të kërcesh sa mos të lëvizësh dot të nesërmen. Për një njeri me mendje të shëndoshë dhe pozitivitet, është përçudnim dhe dalje nga lëkura.

Mua më rraskapit.

Mirëpo unë nuk shoh asnjë mënyrë tjetër për të marrë çka është e jotja duke mos u bërë dhe ti abuzive. Nuk e kuptoj nga se kanë frikë njerëzit në mënyrë kaq kolektive. Sepse kur e provon të mbash mjekrën lart e të artikulohesh qartë me zë potent, e sheh që nuk ke nga se dhe nga kush të kesh frikë.

Duhet thjesht ta provosh, më beso.

Mos harro kurrë pushtetin që ke ndaj çdo ‘force madhore’ që varet nga kontributi yt. Ata pa ty janë komplet pa pushtet, kurse ti do kalosh nga njëri te tjetri duke qenë kjo/ky që je.

  • Alo, zjarrfiksi?
  • Po?
  • M’u dogj pitja.

 

Taksa për të mos ikur nga mendtë.

(Imazhit të përzgjedhur nuk po i gjej autorin, të drejtat nuk janë të miat)

 

Kur isha shtatzanë, bëja shaka me bashkëshortin tim, që nëse është vajzë, do ia lëmë emrin ‘Rruga e Kombit’. Jo që s’ka shqiptarë me emra më absurdë se kaq! Po sepse ajo rrugë i ka mundësuar lehtësira të mëdha çifteve të pakëta – por në rritje – si ne: njëra nga Shqipëria tjetri nga Kosova, të lidhur fort me vendet e tyre, që nuk e kanë dhe aq lehtë të shpërngulen në njërin vend.

Kështu që prej 2007 e ndiqja zhvillimin e rrugës si serinë e preferuar. Ndërkohë ky popull që e ka pak zanat gjenetik të mos i gëzohet asgjëje, s’la fjalë pa thënë për atë rrugë, e njerëz të emancipuar kishin kokërisjen të thonin “e kujt i plasi? E ç’ka andej në veri që të hidhen kaq shumë lekë?”

Kur është aq e logjishkme sa 1+1 bëjnë 2, që arsyeja që “s’ka asgjë andej në veri” është se nuk ka rrugë.

Disa herë m’u desh t’i bija nga Maqedonia ndërkohë, me aventurat e veta, përfshi dhe helmim serioz që e dha kulmin e krizës në mes të maleve të një shteti të huaj ku njerëzit i kanë ende WC jashtë. (Po po, s’kemi vetëm ne brirë e WC jashtë, kanë plot rreth nesh!) Të paktën të isha në Kukës!

Prej nja 6 vjetësh Rruga e Kombit na ka mundësuar Bashkëjetesën e Kombit, çdo vit duke degraduar pak më shumë, deri sa vitin e kaluar i shkaktoi disa dëme serioze makinës sonë, dhe na vuri gishtin mbi kokë që edhe sa do shtyhet kështu?

Një rrugë e standardeve europiane, në terrenin më të vështirë të Shqiptarisë, pa mirëmbajtje.

Mos prisni që t’i futem argumenteve politike tani. Atë e bën kushdo tjetër më mirë se unë, e të vjen të mbyllësh Facebook kur shikon sa i zgjuar është kushdo që e di ç’po ndodh e nuk merren me asnjë problematikë tjetër që lidhet me rrugën.

Po, çmimi është i lartë e i papritur.
Po, rrugën e kemi paguar tashmë, dhe e paguajmë çdo vit me taksat tona.
Po, është sërish, për të disatën herë në historinë e shqiptarëve, politikë diskriminatore për veriun.

Po, është për të dalë për të protestuar çdo ditë deri sa të na jepet përgjgije një më një e të na kthehet diku tjetër kjo para që po na merret kështu si pa dashje.

Jo, as kishte për ta rregulluar e mirëmbajtur njeri, nëse nuk do vilej para e re.
E këtu qëndron gjithë kurthi, drita e vakët ne fund të Kalimashit, që mbase tani, më në fund do mirëmbahet.

E nisur nga kjo shpresë që duhet të ishte fakt, shto dhe sasinë e meshkujve të etur për dhunë që përqafojnë këtë kauzë jo me patjetër sepse i ndikon kjo gjë, unë nuk dola të protestoj për shpenzimet që më erdhën krejt papritur fytyrës. Dhe arsyeja që vijnë papritur, nuk është se nuk ishin në plan.

Po nuk të mban njeri të informuar.

Unë, qytetarja tipike që paguan çdo detyrim, që as i shkon mendja për hile, që qëndron optimiste kundër fakteve e shoqërisë, unë nuk meritoj dinjitet të informohem hap pas hapi!

Që nga nënshrkimi i marrëveshjes e deri te vendosja e kabinave të pagesës, të cilat as abonim nuk mundësojnë ende, dhe konceptojnë tarifa Euro në një shtet ku monedha zyrtare është Leku. Gjoja për të favorizuar vëllezërit kosovarë.

Unë s’marr pikën e respektit nga njerëzit të cilët i votoj (ose jo, ama dal!) dhe ua paguaj detyrimet me qytetari.

Dhe e di ç’më bëjnë ndodhi si kjo mua? Shto padrejtësinë çdo ditë për parkim, rritjen e çmimit në çerdhe, qenin e preferuar në lagje që zhduket në mënyrë misterioze…. S’po vazhdoj.

Kam tre alternativa:
1 – të zhytem në negativizëm vetë-urrejtës “vend kafshësh s’bëhen këta njerëz hajdutër” që ngadalë ky mentalitet do më ndikojë çdo aspekt të jetës: humorin, shëndetin mendor, harmoninë në familje, shëndetin fizik dhe paraqitjen fizike.

2 – Të bëhem dhe unë mashtruese duke hequr dorë fillimisht së qeni qytetare modele, të nxjerr hakun tim në mënyra ‘kreative’ që ndoshta mban financat lart, po më largon gjumin përjetësisht, duke degraduar humorin, shëndetin mendor e fizik.

3 – Të emigroj, e në këtë fazë kulminante të jetës të filloj tërësisht nga zero, pavarësisht përvojës, shkollimit, kapitalit shoqëror që kam këtu.

Unë kam ndenjur në Shqipëri e Kosovë nën idealin e fortë që këtë vend do e bëjnë së pari njerëz si unë, të shkolluar jashtë, optimistë, punëtorë dhe idealistë.

E ndërkohë që përpiqem shumë të mbaj ndezur dritën në fund të Kalimashit se këto që ndodhin çdo ditë janë të gjitha masa që në fakt, afat-gjatë do e bëjnë këtë vend shumë të jetueshëm (po po, e besoj ende, budallaçkë qenkam!), jap e jap taksa vu….
Po mirë, kush do më japë mua taksa që të paguaj psikologen? Se shteti s’ma mundëson! Jo shërbim profesionist, gjithsesi!
Kush do më paguajë mua produktet e fytyrës, trupit, duke qenë se po më plak stresi jo-natyral e pluhuri jashtë kontrollit, dhe jo rrjedha e moshës?

Kush do më paguajë antibiotikët që i mora se më tha doktoresha “infeksionin e ke nga ankthi stresi, ke pasur shumë punë?”

Largqoftë, ndonjë gjendje shëndetësore dhe më të rënduar, duke qenë se na është vështirësuar gjumi?

Taksa që unë të jetoj në këtë vend, tashmë u 4-fishua. Filloi më rrugën, dhe mbaroi te serumi rigjenerues. E di që shumë nga ju do thonë direkt “dashke ti, njerëzit s’kanë bukë të hanë”. Po unë ky njeri jam. S’jam ajo që s’ka bukë të ha, po jam ajo që krijoj dhe zhvilloj dhe punoj gjëra që ndryshojnë realitetet, dhe për këtë, më duhen ca standarde bazike jetese që ky vend m’i premton çdo 2 vjet sa herë ka zgjedhje.

“Shkoni studioni jashtë, se do ju mbajnë në pëllëmbë të dorës!” Tani kam unë në pëllëmbët e mia faturat e panumërta që gjysmat ende po mundohem t’i kuptoj, dhe ata që kush e di si e morën diplomën këtu se nuk janë në gjendje të artikulojnë mendim në Facebook, mbajnë diagonal çanta të vogla burrash Fendi.

Faleminderit për vlerësimin që ndenja, shtet i dashur. Falemidnerit që vetëm m’i rrit shpenzimet, dhe treçereku nuk janë ato që i sheh në TV duke u djegur si në Mesjetë.

U trashëgofshi! Po deshët.

Po ta mendosh, mashkulli me trajtat më “jo produktive” të mundshme si: vese të ndryshme, jo besnik, arrogant, është dembel… Ama! Ama fëmijët i do. Shumë fare. S’e ka problem të lërë femrat shtatzanë, dhe zakonisht është një baba i dashur, (duke përjashtuar të dhunshmit), shakaxhi, luan, bën dhurata… Këta janë meshkuj e burra që u dalin për zot edhe 4 fëmijëve, madje dhe kur nuk i kanë financat. Pse mos t’u dalin? Se mos marrin leje lindje, se mos ndërrojnë pelena, se mos desh vdesin apo operohen, apo mos vrapojnë mbas 2 vjeçares me 1 çorape pa pantallona për t’i dhënë lugën me kos. Jo o jo, ai vazhdon jetën që ka pasur, tashmë me zhurmë e gëzim në familje. Ka kush të zvetënohet.

Dhe në fakt akoma nuk kam njohur një mashkull që të thotë “unë nuk dua fëmijë”. Ndoshta në vendet ku barazia është e mirëfilltë, që numërohen me gishta dore, meshkujt e kuptojnë nivelin e përgjegjësisë dhe se si rritja e një të vogli mund t’i ngadalësojë karrierën dhe t’i kufizojë argëtimin personal. Ndoshta dhe ka shqiptarë të tillë, po ende s’kam rënë ndesh. Çfarë shoh e njoh, dhe ndoshta çfarë unë isha (deri diku) jo para shumë kohësh, janë gra e vajza që ngurtësohen nga ideja e të bërit fëmijë.

Shumica ndërrojnë temë direkt duke dashur të evitojnë gjykimin për mendimin aspak të zakontë, sepse në fakt çfarëdo argumenti të japin ato, nuk ka vlerë, ato janë “vajza të këqija dhe egoiste” në sy të shumicës që direkt veprojnë, e rrallë mendojnë.
Të tjerat, që e kanë ngrënë disa herë gjykimin, preferojnë mos të japin argumente, duke i quajtur “arsye personale” dhe që kërkojnë t’u respektohet e drejta e lindur për të bërë ç’të duan me trupin e jetën e tyre. Po, shumë fisnike. Këtu do ndalem dhe unë. Eshtë shumë e rëndësishmë që njerëzit mos të të ndërhyjnë në jetë. Po kjo është po aq e rrallë sa ata burrat që nuk duan fëmijë nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes ditore.

E një përqindje tejet e vogël, janë të zëshme dhe të sqarojnë një më një pse nuk duan fëmijë, dhe zakonisht vërtitet rreth të njëjtës gjë: kanë investuar shumë në veten e tyre, qoftë shëndet, karrierë, udhëtime, garderobë e trajtime, për t’i pezulluar të gjitha për t’u kujdesur për një qenie që ato e dinë që do e dashurojnë përjetësisht.

“Pff, egoiste!”
Po mirë, çfarë është më egoiste tani: a) të refuzosh të sjellësh në jetë dikë sepse ke mjaftushëm angazhime tashmë me një jetë, e cila t’u dha pa të pyetur, apo b) të sjellësh një jetë të re pa e pyetur ti atë, vetëm pse ti do të pasosh gjenetikën tënde? Se diskutimi i vërtetë, ky është. Po për të evituar këto tema ekzistenciale për të cilat nuk ndalemi të mendojmë, i biem shkurt me kundërpërgjigje “të mos bësh fëmijë është egoizëm”.

“S’e ke provuar, është gjëja më e bukur në botë!”

Tani, nga përvoja personale, këto që thonë tërë kohës ‘gjëja më e bukur në botë’, janë të njëjtat që kur i pyet privatisht, ose kanë qenë komplet të papërgatitura, ose kanë vuajtur përtej normales gjatë lindjes, nuk kishin asnjë ide se ç’i priste në të vërtetë dhe kanë 2 vjet që s’flenë 4 orë rresht, ose kanë shumë pak ndihmë dhe një vjehërr që vjell flakë, ose të gjitha për një herë. Nëse do japësh mendim, thuaj të vërtetën pra.

Po, pa dyshim është gjëja më e bukur në botë dhe nuk shpjegohet dot pa e provuar. Po, pa dyshim është po aq e frikshme sa është dhe e bukur. Dhe nëse do të nihmosh nënat në prespektivë, ji e sinqertë dhe e detajuar me to.

“Do zhdukemi si farë me gra si puna e kësaj”. Tani ku ta kapësh e ku ta lësh këtë fjali fataliste patetike. E para, historikishit popullsia e “fara” e sidomos njerëzve që shprehen kësisoj, nuk ka qenë në duar të grave të emancipuara, me karrierë e individualitet. Njerëzit që riprodhohen më së shumti ose janë shtresat e varfëra më pak të arsimuara, që nuk kanë njohurinë e duhur të ndalojnë së bëri fëmijë; ose janë shtresat tepër të pasura, të cilëve bërja e fëmijëve nuk u pengon asgjë, për shkak të ekonomisë së lartë që ndër të tjera, blen ndihmë pa fund. Po këta janë aq pak, që nuk ndikojnë popullsinë.

E dyta dhe e fundit: boll. Mjaft. Ndaluni tani. Ndaluni së drejtuar gishtin femrave që e dinë se ç’duan dhe që nuk janë duke cenuar absolutisht askënd në këtë proces. Mjaft kërkuat me “zoom” arsye për t’i rënë femrave të pavarura nga të cilat ndiheni aq të kërcënuar, dhe që me thënë të drejtën janë grupi më produktiv, më i shkathët dhe më progresiv në vend. Dhe nuk po u drejtohem vetëm burrave. Po u drejtohem grave, që dinë të jenë shumë të serta me femrat që kanë guximin të jenë dikushi e të shkojnë kundra rrymave.

E drejta për mos t’u riprodhuar është po aq e paprekshme sa çdo e drejtë tjetër që nuk cenon askënd kundra vullnetit. Thjesht nëse ndalesh të ngresh pikëpyetje mbi çdo të vërtetë që ti di, mbase dhe ti një ditë do jesh ai shembulli i pavarësisë mendore dhe respektit.

Nga:

Miku juaj që ju do të mirën.

Mikesha juaj, e cila ka fëmijë desha të them.

 

I dashur ditar…

 

Sa shumë ke evoluar dhe ti! Dikur të mbaja në ato blloqet me çelës, nga frika mos dikush do picërronte sytë për të deshifurar shkrimin tim të dorës aspak të bukur që të merrte vesh dërdëllitjet e pubertetit tim. Sot po të shkruaj në një tastierë me dritë, me bukurshkrim ‘Helvetica’, dhe po i jap qasje pa ekzagjerim gjithë botës.
Nejse. Më pëlqen që ke kapur ritmin e kohës.

Sot ishte një mëngjes i ftohtë. U nisa për një punë, dhe kur u ndala të marr një kafe me vete, pashë që nuk kisha portofolin. U ktheva tërë inat, e mbajta portofolin në xhep të palltos nga përtesa për ta futur në çantë, dhe dorën aty tërë kohës se mos ma merrte njeri. M’u kujtua ime më që gjithmonë më mbyll zinxhirët e çantave ndërkohë që numëron historitë e njerëzve që u kanë vjedhur kuletat e telefonët e çelësat.

Ka të drejtë.
Mamatë gjithmonë kanë të drejtë për gjëra të kësaj natyre.

Shkova në një institucion publik ku dhe kisha punë. Eshtë një ndërtesë delirante komuniste. Si e tillë, nuk ka pikën e respektit për faktorin “njeri” dhe nuk do t’ia dijë për ngrohje qendrore. Një mangësi e thekësuar që e kemi si popull. Dhe nuk pranoj “varfërinë” si arsyetim, pasi jo më larg se Kosova, zakonisht minus 10 gradë krahasuar me këtu, nuk plevitoset njeriu në këtë pikë aspak.

Mbarova punë e ika rrufe nga frika se do përfundoja me antibiotikë. M’u kujtua sesi në ato kohë kur ti ishe një bllok me çelës, shumë seriozisht i lutesha zotit të palosesha në krevat me antibiotikë. Edhe patate të gjallë kam ngrënë, se kshu plasi nami, po hëngre patate të gjallë, të hip temperatura.
Hiç fare s’më hipi. Jo atëherë të paktën.
Sot, të jesh sëmurë është trajtim spa. Të rrish shtrirë… Të të sjellin çaj, supë e lëng.
Luks që s’ia paguaj dot çmimin.

Hëngra një drekë gjatë së cilës e thava baterinë e telefonit duke parë meme. Kreva disa punë të vogla, dhe u nisa për në shtëpi në kulmin e dëborës. Po po, ra dëborë! Një gjë shumë e rrallë për Tiranën. Teksa po shijoja dendësinë e saj, e parapashë ç’do ndodhë: shumë njerëz do afishojnë diçka në media sociale (përfshi mua) dhe pastaj të tjerë do ankohen që të gjithë afishuan diçka në lidhje me borën.
Dhe ashtu ndodhi.

Unë e dua shumë borën. Në fakt, nuk besoj se ka njeri që nuk e do borën. Të paktën jo njerëz që kanë kushte ta shijojnë.

E ndërkohë që punët e mia nuk mbarojnë kur unë hyj në shtëpi, kam gjithë pasditen që i lë shenja buzëkuqi djalit dhe i flas me shpresën që do ma kthejë. Po e di që do ma kthejë kur s’e pres fare.
Po ti, ç’bëre?
xoxo

P.S.: Na një mace në borë, sepse pse jo?!

Dashuria që zgjat një jetë

Nëse ka diçka mbi të tjerat që balancon dhimbjen që bart ky planeti ynë plot jetë, janë këngët, poezitë, filmat, buzëqeshjet me bisht të syrit, fluturat në stomak, karagjozllëqet dhe sparkatat… Në emër të dashurisë.

Në emër të fiksimit.

Të asaj/atij që ty të duket njeriu më i bukur në botë.

Të atij/asaj që ti para se të identifikosh rrezikun, e ke identifikuar a ndodhet në të njëjtin ambient me ty. Të gjithë e kemi provuar, pasi ndjenja më superiore në planet nuk njeh moshë.

Ah, sa goca kanë qarë për Great Gatsby apo The Notebook. Sa çuna kanë qarë “Adrienne!” (fshehurazi, të shkretët meshkuj sa vuajnë në emër të macho-izmit!), apo me Good Will Hunting… Të gjithë pa përjashtim, në emër të dashurisë. Që dy persona që janë duke u përvëluar për njëri-tjetrin, të jetojnë të lumtur përgjithmonë.
Aty më rri. “Përgjithmonë”.

Pak vepra madhore, për mos të thënë hiç, flasin se ç’bëhet X vjet pasi çifiti që takohej fshehurazi, po bashkëjetojnë. Pothuaj asnjë film, asnjë këngë, ndoshta disa poezi përkushtuar njeriut me të cilin ke ndarë jetën… Sepse dashuria, po ashtu si lumturia, nuk është qëllim, nuk është fundi. Dashuria fillimisht piketohet si ‘fiksimi’, pranohet që është më e thellë se aq, kur arrihet, përjetohet me zjarr, të nxjerr jashtë Rrugës së Qumshtit, të kthen ngadalë në Tokë… Dhe një mëngjes, kohë pas udhëtimit kozmik, ti ngrihesh ngjitur dashurisë tënde, e acaruar që ai nuk ka derdhur plehrat mbrëmë, që nuk të bën më aq shumë për të qeshur si në fillim, i acaruar që ajo ta ka zënë 80% të krevatit me gjumin e saj dhe që ajo nuk buzëqesh aq shumë sa në fillim…
Duhet blerë kos, letër higjenike, duhet thirrur hidrauliku dhe duhen sinkronizuar pushimet.

Dashuria aty është, mos më keqkupto. Po disa njerëz nuk e kuptojnë këtë gjë, trashen, duan prapë xixëllonjat e 2 viteve të para… Dhe ose i vënë shkelmin, e dashurohen me dikë tjetër, duke ribërë të njëjtën gjë deri sa të vijë fatura e internetit dhe të thirret hidrauliku… Ose harrojnë kush ishin, nuk shprehin më dashuri, ndërrojnë pamje dhe i dorëzohen tërësisht rutinës ashtu si dikur i dorëzoheshin tërësisht epshit.
Dhe janë të tjerët pastaj, heronjtë e këtij artikulli, për të cilët nuk para flet kush. Ato/a që e dinë që janë të dashuruar, po e dinë dhe që dashuria s’është kaktus që mbijeton pa ujë dhe 2 vjet rresht. Çdo mëngjes është lufta Iliro-Romake: ngrihu atëherë kur nuk do, merr mburojën dhe përballu me fëmijët (kur i ke) që duhen bërë gati, merr shtizën për t’u përballur me kuzhinën nga dje, merr kurajo për t’i dalë para pasqyës që të shpenzosh disa minuta për t’u dukur njeri dhe jo skllav, dhe pasi je nisur për nga dera, mos të harrosh kurrë, ama kurrë, t’i buzëqeshësh partnerit/es siç i buzëqeshje kur gjuheshit, e t’i thuash të dua.
T’i thuash “je bërë shumë e bukur sot”.
T’i thuash “kur do ikim pak larg vetëm ne të dy një fundjavë?” Ndodh apo s’ndodh, pak rëndësi ka.
T’i çosh një sms me zemra gjatë ditës.
T’i bërtasësh në darkë që edhe pse i the 5 herë ç’të blinte, i ka ngatërruar.

Natën t’i thuash ‘natën shpirt’.

T’i blesh një dhuratë që s’është nevojë e përditshme.

T’i thuash “ik dil me shoqet se je lodhur”.

Të bësh dashuri dhe jo detyrim martesor.

Kjo është dashuria e vërtetë. Ndoshta nuk je i zoti/e zonja me fjalë; ka plot mënyra. Ajo që ushqehet çdo ditë me një shikim, me fjalë, e me vepra aty-këtu. Kjo ka garanci mbase dhe sa vetë jeta. Kjo dashuri është e shoqëruar me një rutinë të mërzitshme dhe sigurisht, në 100% të rasteve, me më pak përvëlim se në fillim. Po kjo do kurajo dhe pjekuri për të kuptuar që jeta për askënd në botë nuk është 60 vjet pasion pa ndalim, po është një punë e bukur, që ju mban ju të bukur.

Gëzuar gjithë çifteve që kanë shumë gjatë bashkë, dhe akoma u qeshin sytë kur shohin njëri tjetrin.

Një llaf të mirë desha.

Kur kam shkuar për herë të parë në Amerikë, nuk kishte se si mos të më linte përshtypje pritja spektaklore në biznesin më të rëndomtë nga një njeri që s’e kisha takuar kurrë në jetë e me siguri s’do e takoja më.
“Hi sweety how are you? You look wonderful today!”
“Mirëdita zemër si je? Dukesh e mrekullueshme sot!”

Shumë shqiptarë atje akoma s’mësoheshin dot me këtë mënyrë komunikimi, dhe më të papjekurit ndër ta dhe ua kthenin me shaka shqip, çka mua më dukej e panevojshme. U dukej ‘amerikanizëm’, ‘furrçe’, ‘servilizëm’ e fjalë të tjera që lëri fare. Ishte një trend që dhe te ne, sapo kish filluar. Ndërkohë që në vitet 90’ na u desh ta kalonim duke u çmësuar me ‘shoqe, shok, xhaxhi, teta’, në fillimet e 00’ në rrethe të caktuara rifilloi ‘zemra, ylli, shpirti’. Mua s’më ka bezdisur kurrë kjo gjë, e si në Amerikë si këtu nuk e quaj dot furrçe, se jo për gjë po “furrçe”-n besoj se di ta dalloj mirë.

Furrçja është forma më e ulët e të marrit me të mira, për të marrë mbrapsht atë që të duhet. Kjo me të vërtetë di të jetë e bezdisshme, dhe vjen nga njerëz me ngrohtësi të kufizuar dhe pikërisht pse ata e dinë këtë gjë, të bëjnë dush që me mëngjes me lëvdata se çfarë njeriu je ti, si krahasohesh me perënditë dhe me eliksiret e planetit Tokë. Herët e para të lezeton, kush nuk i do fjalët e mira? (Përveç atij shqiptarit në Amerikë që zgërdhihet me sy në tokë). Po pastaj ia pi lëngun. Pastaj përton t’i përgjigjesh në telefon, rrotullon sytë teksa personi në fjalë rreshton fjalimet, dhe të vjen t’i thuash direkt “ça halli ke dil në temë”.

Po kjo nuk është e njëjta gjë si kur hyn në bankë apo në kafe, dhe personi që do të të shërbejë të pret me buzëqeshje, të bën një kompliment gjenerik ose dhe personal, dhe pastaj vazhdon marrëdhënia e ëmbël e cila filloi siç duhet, me këmbën e djathtë.

Po te ne ndodh ende shumë pak. S’krahasohet me 15 vjet më parë, po prapë ti je vetull ngrysur se si do komunikosh me dikë që po komunikon për herë të parë. Mbase sepse jemi shumë të përfshirë vetëm te vetja jonë dhe hallet tona, këtë temë e kam cekur dhe më herët ne fakt. Por cilado qoftë arsyeja, ka ardhur koha, siç e do dhe viti 2018, të piqemi “komunikimisht”. Buzëqeshja  dhe përgjigja kur të kërkohet, nuk ka pse të jetë as luks e as “me tip”. Atë e vesh në mëngjes si rrobat. Kur ti si shërbim dhënës bën një gabim, para se të arrish ta korrigjosh ose të thuash pse nuk e korrigjove, duhet të marrësh me të mira, të kërkosh falje. Jo të fillojë faji zinxhir “pse u derdh makiato mbi sheqer e tabaka” me fytyrë të shqetësuar që nga baristi te makina e espresos e shoferit që solli pakot e kafes në mëngjes.

Komunikimi është edukatë me pahir, nuk është me “tip”. Përgjigja, fjalët e mirësjelljes, sqarimi dinjitoz pa kaluar degë më degë, buzëqeshja, e sërish përgjigja, përgjigja… Janë detyrime adultësh. Edhe nëse nuk ta mësoi familja, duhet të ta mësojë puna e jeta me zor.

Lindja e Largët ka një thënie të lezetshme: “Kujdes mendimet, ato bëhen fjalë. Kujdes fjalët, ato bëhen zakone. Kujdes zakonet, ato bëhen karakteri yt. Kujdes karakterin, bëhet fati yt”.

E kuptoj që një thënie e tillë do ndryshim radikal të mënyrës së jetesës, po mund të fillohet në gjysëm të saj: Kujdes komunikimin: zbërthyer në fjalët e buzëqeshjen.

Besomëni, bën magjira. Jo vetëm në marrëdhënie me të tjerët, por me veten.

Unë, ti dhe shqiptari.

Paris, gusht 2017. Në një kafe në Montmartre janë ulur dy parizien dhe një pariziene, kanë në tavolinë espreson e dytë, një ujë pa gaz, një tavëll plot duhan të pirë, kanë rrudhur fytyrat duke parë në distancë dhe po flasin për politikë.
“Një njeri që martohet me gjyshen e vet s’bo për president”.
“Ajo është gjyshja ime në moshë po vishet më bukur se unë”.“S’ka për t’u bo ndonjëherë francezi, jo!”.

Tak, t’u pre filmi dhe ty apo jo? T’u bë ekrani i zi, pastaj dolën mizat. Piiiiiiip. Deri te e folura për poltikë sikur u shty historia, po kur thanë “s’bohet francezi njeri….” Game Over.
Sepse nuk e imagjinon dot që një shtetas perëndimor të flasë në vetën e tretë për veten e vet dhe t’i referohet me kombësi vetes në vetën e tretë.

Sepse të huajt janë perfektë, e kanë çdo gjë në terezi, s’kanë bagazh historik për t’u turpëruar apo mburrur, s’kanë fatura për të paguar (ne paguajmë energji ujë e internet, ata paguajnë minimum 3 herë më shumë fatura!!) janë të gjithë bosa, nuk kanë migrenë, kalamajtë i lindin pa vuajtje, nuk kan shefa të poshtër shfrytëzues, s’i zë vapa kurrë, etj.

Dhe mbi të gjitha, të huajt kur kanë kohë të lirë, merren me ne shqiptarët. Se unë nuk e shpjegoj dot ndryshe këtë referimin e vetes në vetë tretë.
E kanë temë të preferuar si nuk bëhemi njerëz ne. Se si nuk bëhet ky vend. Ne prej tyre mësuam të themi ‘shqiptari kshu shqiptari ashu’ se unë s’e shpejgoj dot ndryshe!
“Shqiptari s’zë mend”. “S’bohet ky popull e ka thon ai i moçmi atje” (këtu si Tyrion Lannister te Game of Thrones, çdo xhevahir të çmuar që e nxjerrim nga goja ia veshim dikujt të moçëm për ta legjitimuar).
“Çohu shqiptar nga kafja, çohu” qarkullonte para ca kohësh nëpër internet. Në fakt më dukej shumë gallatë, edhe pse nuk jam tërësisht dakord.
Nëse ti dhe familja jote jetoni në dashuri e barazi, dhe keni të ardhura të shëndetshme legjitime që vinë nga punë e sinqertë, rri sa të duash në kafe. Thyeje makinën e ekspresit, vetëm pas të tretës fillo pi dekafeinato aman.

Po s’më duket se ata që i kanë punët në terezi thonë që shqiptari s’bëhet njeri. Ajo/ai që e ka jetën në vijë, e ka sjellë në vijë duke qenë shqiptar/e vetë dhe me ndihmën e shqiptarëve të tjerë. Ajo/ai që përballet me jetën çdo ditë ka një botëkuptim më të thellë si funksionojnë gjërat dhe e di që shqiptari bëhet, por me një kusht – duhet të lëvizë të pasmen vendit.
Ka nevojë të përballet me njerëz, institucione, e situata. Të vëzhgojë çfarë nuk shkon, dhe kolektivisht të marrë pjesë në përmirësim të prapambetjeve. Të shohë ç’bëhët nëpër institucione, nesër pasnesër t’ia shprehë dikujt që ka një farë pushteti, me shpresën për përmirësim.
Ai që e ka jetën në terezi nuk ulet në kafe të thotë “s’bohet shqiptari”, po tregon çfarë i ndodhi sot dhe bluan në kokë si ta zgjidhë të nesermen. Ajo që i ka gjërat rrugës për terezi, e ka kuptuar që bëhet shqiptari, po do durim, nerva, kohë, e sidomos pjekuri. S’ka sot për nesër.
Kam pasur një palë pizhama me një breshkë të lumtur që thoshte “slowly but surely” (ngadalë, por sigurt). Gjithmonë më është dukur se i shkon ritmit të vendit tim si thënie.

E këtu dhe unë bie dakord me ‘çohu shqiptar ti nga kafja, çohu’, kur bëhet fjalë për syreshin që s’ka asgjë në terezi. Se po u çove do mësosh një gjë të re, do i japësh dhe ti jetës drejtim, e pasi ta kesh vënë në terezi, do rikthehesh në kafe, kësaj radhe për biseda më të sofistikuara, që nuk i referohen vetes me vetë të tretë dhe kombësinë përkatëse. Se jo për gjë po kur je i zënë, s’ka shumë kohë për mllef.

Nuk do thuash më ‘shqiptari kshu shqiptari ashtu’, por me shumë gjasë do bluash dinamikën e jetës në këtë vend, së bashku me një dozë humori që na karakterizon.

Kur të vijë ajo ditë thyje ekspresin, dhe mos harro dekafeinaton.

 

 

Blog at WordPress.com.

Up ↑