Nëse ka diçka mbi të tjerat që balancon dhimbjen që bart ky planeti ynë plot jetë, janë këngët, poezitë, filmat, buzëqeshjet me bisht të syrit, fluturat në stomak, karagjozllëqet dhe sparkatat… Në emër të dashurisë.

Në emër të fiksimit.

Të asaj/atij që ty të duket njeriu më i bukur në botë.

Të atij/asaj që ti para se të identifikosh rrezikun, e ke identifikuar a ndodhet në të njëjtin ambient me ty. Të gjithë e kemi provuar, pasi ndjenja më superiore në planet nuk njeh moshë.

Ah, sa goca kanë qarë për Great Gatsby apo The Notebook. Sa çuna kanë qarë “Adrienne!” (fshehurazi, të shkretët meshkuj sa vuajnë në emër të macho-izmit!), apo me Good Will Hunting… Të gjithë pa përjashtim, në emër të dashurisë. Që dy persona që janë duke u përvëluar për njëri-tjetrin, të jetojnë të lumtur përgjithmonë.
Aty më rri. “Përgjithmonë”.

Pak vepra madhore, për mos të thënë hiç, flasin se ç’bëhet X vjet pasi çifiti që takohej fshehurazi, po bashkëjetojnë. Pothuaj asnjë film, asnjë këngë, ndoshta disa poezi përkushtuar njeriut me të cilin ke ndarë jetën… Sepse dashuria, po ashtu si lumturia, nuk është qëllim, nuk është fundi. Dashuria fillimisht piketohet si ‘fiksimi’, pranohet që është më e thellë se aq, kur arrihet, përjetohet me zjarr, të nxjerr jashtë Rrugës së Qumshtit, të kthen ngadalë në Tokë… Dhe një mëngjes, kohë pas udhëtimit kozmik, ti ngrihesh ngjitur dashurisë tënde, e acaruar që ai nuk ka derdhur plehrat mbrëmë, që nuk të bën më aq shumë për të qeshur si në fillim, i acaruar që ajo ta ka zënë 80% të krevatit me gjumin e saj dhe që ajo nuk buzëqesh aq shumë sa në fillim…
Duhet blerë kos, letër higjenike, duhet thirrur hidrauliku dhe duhen sinkronizuar pushimet.

Dashuria aty është, mos më keqkupto. Po disa njerëz nuk e kuptojnë këtë gjë, trashen, duan prapë xixëllonjat e 2 viteve të para… Dhe ose i vënë shkelmin, e dashurohen me dikë tjetër, duke ribërë të njëjtën gjë deri sa të vijë fatura e internetit dhe të thirret hidrauliku… Ose harrojnë kush ishin, nuk shprehin më dashuri, ndërrojnë pamje dhe i dorëzohen tërësisht rutinës ashtu si dikur i dorëzoheshin tërësisht epshit.
Dhe janë të tjerët pastaj, heronjtë e këtij artikulli, për të cilët nuk para flet kush. Ato/a që e dinë që janë të dashuruar, po e dinë dhe që dashuria s’është kaktus që mbijeton pa ujë dhe 2 vjet rresht. Çdo mëngjes është lufta Iliro-Romake: ngrihu atëherë kur nuk do, merr mburojën dhe përballu me fëmijët (kur i ke) që duhen bërë gati, merr shtizën për t’u përballur me kuzhinën nga dje, merr kurajo për t’i dalë para pasqyës që të shpenzosh disa minuta për t’u dukur njeri dhe jo skllav, dhe pasi je nisur për nga dera, mos të harrosh kurrë, ama kurrë, t’i buzëqeshësh partnerit/es siç i buzëqeshje kur gjuheshit, e t’i thuash të dua.
T’i thuash “je bërë shumë e bukur sot”.
T’i thuash “kur do ikim pak larg vetëm ne të dy një fundjavë?” Ndodh apo s’ndodh, pak rëndësi ka.
T’i çosh një sms me zemra gjatë ditës.
T’i bërtasësh në darkë që edhe pse i the 5 herë ç’të blinte, i ka ngatërruar.

Natën t’i thuash ‘natën shpirt’.

T’i blesh një dhuratë që s’është nevojë e përditshme.

T’i thuash “ik dil me shoqet se je lodhur”.

Të bësh dashuri dhe jo detyrim martesor.

Kjo është dashuria e vërtetë. Ndoshta nuk je i zoti/e zonja me fjalë; ka plot mënyra. Ajo që ushqehet çdo ditë me një shikim, me fjalë, e me vepra aty-këtu. Kjo ka garanci mbase dhe sa vetë jeta. Kjo dashuri është e shoqëruar me një rutinë të mërzitshme dhe sigurisht, në 100% të rasteve, me më pak përvëlim se në fillim. Po kjo do kurajo dhe pjekuri për të kuptuar që jeta për askënd në botë nuk është 60 vjet pasion pa ndalim, po është një punë e bukur, që ju mban ju të bukur.

Gëzuar gjithë çifteve që kanë shumë gjatë bashkë, dhe akoma u qeshin sytë kur shohin njëri tjetrin.

Leave a comment