Tregim nga Dr. Liri Bele

Njeriu, përgjatë gjithë jetës së vet, pavarësisht vendlindjes, vendbanimit, mënyrës së jetesës, përjeton ngjarje të panumërta, tërësia e të cilave e koncentruar në një tërësi të vetme e përmbush atë, por, nëse kohë më vonë do të donte të kujtonte dhe të përcaktonte njërën prej tyre si më të veçantën, të papërsëritshmen apo më të afërtën me fundin e jetës, nuk e ka të vështirë, sepse pikërisht ajo mbetet e freskët, e detajuar, e plotë brenda vetes si të ishte duke e rijetuar përsëri.

Për sa u shpreha më lart, dua të rikujtoj më të vështirin e jetës sime:

Vite më parë, në njërën nga ditët e mesmuajit shtator 1998, si  zakonisht, isha  duke kryer punën e  mjekut kardiolog, ndodhesha pranë një të sëmure me probleme kardiake në gjendje të rënduar; sigurisht e përqendrur për shkak të situatës, kur papritur dera e dhomës hapet nga kolegu im i cili, në ato çaste duhet të ishte duke kryer vizita ambulatore, mbasi puna e përditshme, konform një grafiku të paracaktuar, ishte e organizuar në mënyrë të tillë: zëvendësonim njëri-tjetrin nga spitali në poliklinikë me rigorozitet, përgjatë orëve të paradites . Sapo ngrita kokën drejt tij, u habita pa masë. Nuk po e kuptoja pse ishte larguar nga shërbimi ambulator rreth ores 11. 00, pasi njihej si njeri korrekt. Për më tepër, në ato çaste nuk ishte shtruar asnjë pacient kardiak në situatë kritike. Shpejt e mësova arsyen e ndërprerjes së punës.

Më shpjegoi që, sa më shpejt të ishte e mundur, na duhej të shkonim të dy për një konsultë të përbashkët kardiologjike. Një person në moshë të re me origjinë nga qyteti ynë, po kryente dënimin në burgun e qytetit të Vlorës. Ai pretendonte se vuante nga një sëmundje zemre serioze, për të cilën ishte ndjekur nga mjekët specialistë të qytetit dhe kërkonte me këmbëngulje për një konsultë të përbashkët të dy mjekëve kardiologë. Kolegu përmendi identitetin, të dhënat përkatëse të personit në fjalë, duke pritur ta aprovoja kërkesën dhe të niseshim së bashku. E përpunova në mendje disa minuta, por e refuzova duke u mbështetur në disa argument. Kryesorja prej tyre bazohej në faktin se nuk kisha pasur rastin ta njihja pacientin dhe problemet e tij, por, gjithashtu, nuk e shihja të arsyeshme këtë kërkesë gati të çuditshme, sepse kolegët në qytetin fqinj i kishin zgjidhur problemet e punës së tyre përherë pa na kërkuar ndihmën tonë, sikurse edhe ne në atë mënyrë. Nga ana tjetër, probleme mund të krijoja në familjen time; ndërsa më prisnin për vaktin e drekës, papritur do të ndodhesha në një qytet tjetër. Pikërisht saje arsyetimeve të përmendura, e kundërshtova sugjerimin e  kolegut. Ai e përsëriti kërkesën me këmbëngulje, si asnjëherë tjetër më parë në marrëdhëniet e punës sonë shumëvjeçare. Mua më mbetën në kujtesë këto fjalë:

– Po bën shumë gabim! Qëndrimi yt kundërshtues… Mendoje mirë…

Më përshëndeti dhe u largua disi i shqetësuar dhe i pakënaqur, gjë që nuk ishte e vështirë ta kuptoja, por pa mundur ta justifikoja brenda vetes.

Puna vazhdonte në ritmikën e saj të zakonshme, duke zëvendësuar shoku-shokun në spital dhe poliklinikë. Dy ditë më pas, në respektim të orarit të paracaktur, ishte radha ime të bëja punën e kardiologut në poliklinikë. Në shtratin e vizitës qëndronte e shtrirë një paciente e re në moshë. Po i dëgjoja ritmin e zemrës, e përqendruar me stetoskopin të vendosur në të dy veshët, në pjesën e majtë të gjoksit, përkatësisht pozicionit të zemrës  në kraharor, ndërsa ajo, konform rekomandimit tim, ishte kthyer brinjas, pothuajse e zhveshur nga mesi e lart. Kohëzgjatjen e punës me të e kisha të detyruar, për shkak se njëra nga valvulat e zemrës ishte e dëmtuar keqas dhe për kontrollin e saj nevojitej përqendrim, vëmendje, durim.

Papritur, mbas meje dëgjova të hapej apo, më saktë, të përplasnin derën e dhomës së vizitave. Ktheva në çast kokën dhe u shtanga teksa shihja të futeshin me vrull dy meshkuj me pamje të pazakonshme. Kisha dëgjuar kohëve të fundit që tipa të tillë të etiketoheshin “gangster”. ishin të moshës 30-35 vjeç, në përputhje të plotë me prezantimin. U gjendën në mes të dhomës, mospërfillës ndaj gjithë sa ndodheshim aty. E kthyer drejtpërdrejt nga ta, u fola me ashpërsi:

– Kush jeni ju që silleni në këtë mënyrë të paedukatë? E para:, çdokush duhet të trokasë në derën e dhomës ku ai mendon të futet, të vendosë dorën mbi dorezën e saj për të hyrë brenda, pasi të ketë marrë më parë aprovimin, nëpërmjet dëgjimit  të zërit nga personi brenda saj; e dyta: këtu është një mjedis pune jo i zakonshëm, sepse bëhen vizita mjekësore dhe askush nuk ka të drejtë të shohë të zhveshur një person, për më tepër një grua në çaste të veçanta, sikundër koha gjatë vizitës mjekësore.

U afrova drejt tyre, që t’i nxirrja jashtë sa më parë, por më penguin të lëvizja më tej. Po i vështroja me ashpërsi. Nisur nga mënyra e sjelljes  së tyre, fillova të dyshoj se kishin ardhur si  kërcënues…

– Duke qenë se po na tregon për një mjedis mjekësor, mbase edhe jemi të sëmurë e na duhet të takojmë një mjeke kardiologe…

Në më të shpejtin çast të mundur, reagova përsëri me zë më të lartë:

– Largohuni, jeni të detyruar të pranoni rregullat. Vizitat bëhen sipas radhës së ardhjes së pacientëve, duke përjashtuar rastet e veçanta të ndonjërit në gjendje të rënduar, të cilit edhe të sëmurët i hapin derën për ta ndihmuar. Jam pothuajse e sigurt se asnjëri nga ju të dy nuk ndodhet në rrezik jete, me sa po shoh… Duhet të trokisni e të prisni, kur mjeku është duke e vizituar të sëmurin, veshja e të cilit edhe…

Nuk munda ta mbaroj fjalën, sepse njëri prej tyre  apo “trimi”, m’u afrua me hapa të shpejtë, u gjend në mes të dhomës duke hedhur drejt meje shikime në të cilat ishte e vështirë të dalloje se çfarë kishte më tepër: urrejtje, përbuzje apo hakmarrjen… Nuk do të gaboja nëse do ta konsideroja një përbindësh të vërtetë…

Jo vetëm shikimi, por edhe paraqitja e tij si njeri të linte një shije të keqe e të frikshme. I gjatë e i fuqishëm, me flokë të dendur, të gjatë me ngjyrë të errët të shpërndarë nëpër dy shpatullat, ndërsa balli i mbuluar plotësisht prej tyre deri në mesin e vetullave të trasha as që shihej; më e veçanta ishte  mjekra e gjatë e ngjyrës së zezë, e ngjyrosur vende-vende me pjesëza të bardha, mollëzat e faqeve të kërcyera përpara duke nxjerrë në pah hundën e madhe, të trashë apo me kurriz të kthyer mespërmes. Gojën e përkufizonin buzë të holla që nuk mund të  mbulonin diferencën e dukshme të dy nofullave, sepse e poshtmja prezantohej shumë më përpara nga e sipërmja. Sa hyri brenda dhomës, përhapi gjithandej erën e pakëndshme të duhanit e alkoolit, që më krijuan ndjesinë se nuk ishin të vetmet; qysh në fjalët e para, ndërsa po më afrohej, çuditërisht po nuhasja një lloj arome të panjohur që të sillte ndër mend teshat e palara. Në tërësi konstrukti i tij më krijoi përshtypjen e njeriut monster. Instiktivisht bëra dy-tre hapa mbrapa. Shoqëruesi ishte më afër paraqitjes së njeriut normal, por të binte në sy përulësia ndaj “shefit” të tij dhe i gatishmëria të sakrifikonte veten për të.

Ndonëse tentoja të flisja, nuk lejonte ta kritikoja e me ton kërcënues më tha:

– Oh, oh! Qenke grua e zgjuar, po na mëson si të sillemi me educate! Ja, shpejt do të na njohësh, sikurse ne e mësuam trimërinë tënde, të njohëm shumë mirë, dhe për këtë po të respektojmë.

Gjithë sa ishim brenda dhomës po ndiheshim keq, për më tepër gruaja e re e turbulluar e me duar të dridhura, që me vështirësi kopsiti bluzën. Një tjetër pas saj, me zhdërvjelltësi lëvizi mbas të dytit dhe, se sa forcë iu desh të hapte derën prapa tij për të dalë në korridor, vetëm ajo mund ta përcaktonte, sepse, menjëherë mbas largimit, “i dyti gangster” puthiti forcërisht trupin me pjesën e brendshme të derës, pasi u sigurua se çelësi kishte bërë dy herë rrotullime.

E gjykova si detyrë të mjekut, brenda orarit dhe dhomës së punës  në të cilën ndodhesha, të mësoja shqetësimet e dy personave apo vetëm të njërit prej tyre e të përcaktoja si përherë rrugën e mëtejshme, pavarësisht sjelljes arrogante e të pashpjegueshme. Edhe pse vazhdoja të vrisja mendjen, nuk po gjeja përgjigje.

– Cili prej jush nuk ndihet mirë, të ulet këtu pranë dhe të tregojë shqetësimet që e sollën për vizitë mjekësore. Më duhet të bëj disa pyetje të domosdoshme protokollare, të mas tensionin e gjakut, ta dëgjoj me stetoskop, të vlerësoj elektokardiogramën dhe pas gjithë këtyre veprimeve do vendoset diagnoza e mjekimit përkatës, – u thashë.

Pa e shkëputur shikimin e tij tallës e po ashtu përbuzës, personi që ndodhej më pranë (“shefi”), foli gjithë shpoti:

– Sipas mendjes sate të ndritur, njeriu shkon te mjeku vetëm kur ka dhembje në pjesë të ndryshme të trupit? Ja, po të sqaroj unë. Dhembjet më të thella janë ato shpirtërore, pavarësisht se janë të padukshme, por e rrezikojnë më shpejt jetën.

Vendosa të mos e ndërprisja. Nga ana tjetër, nuk po hyja në brendësi të problemit, nuk po orientohesha nëse para meje ishte pacienti kardiak.

– Kur ta marrësh vesh ti shkakun e ardhjes këtu, atëherë do ta kuptosh edhe përgjegjësinë tënde apo, më mirë, kokëfortësinë.

M’u krijua përshtypja se kishin çrregullime psikike. Iu drejtova të dyve, pa i parë në sy:

– Nëse asnjëri prej jush nuk ka dhembje gjoksi apo të tjera ankesa, si: mbajtje fryme, rrahje të çrregullta, mendoj se do të ishte me vend të bënte një konsultë me mjekun specialist neuropsikiatër; mjekimet e tij do të ishin të vlefshme.

– E nderuara zonjë, – përsëri fjalën e mori “shefi”, teksa “vartësi” mbështeste me gjeste çdo fjalë, – pikërisht ti nuk na ndihmove të paktën t’i zvogëlonim dhembjet kur t’u kërkua ndihmë dhe me mendjemadhësi u tregove “mjeke e pastër”.

Për sa po e dëgjoja, fillova të dyshoja mos biseda e tij kishte të bënte me kërkesën e dy ditëve më parë nga kolegu im për të shkuar në Vlorë. E kisha të vështirë t’i shpjegoja arsyet e vërteta të refuzimit të konsultës. Për më tepër, vendosa të kërkoj të dhëna të sakta rreth personit të burgosur që kërkonte konsultë mjekësore nga mjekë të një qyteti tjetër.

Përsëri toni ironik, shoqëruar me mospërfillje:

– Ti ke vizituar pacientin B. D. para tre muajve, i ke dhënë mjekim. Besoj se të kujtohet tani, – në ato çaste vuri dorën poshtë palltos, ku pashë të prekte një send metalik me një shkëlqim vezullues (ah, po prekte pistoletën) dhe gjesti i prekjes u pasua nga shikimi i zgjatur dhe nënkuptues drejt meje. Të njëjtën lëvizje imitoi shoku pas tij, me ndryshimin e vetëm që nuk e preku, por ngriti cepin e xhaketës, si të sigurohej se ajo nuk kishte ndërruar vend. Ishte e kotë të vazhdoja bisedën, heshta në pritje se çfarë po ndodhte… – Po ta përsëris, problemi qëndron në faktin se duhen të dhëna të dokumentuara, pra të vërtetohet se pikërisht ju e keni mjekuar në datën…, të vendosni diagnozën dhe gjendjen e rënduar për të cilën i keni rekomanduar mjekimin e duhur, – e përmbylli prerë fjalën e tij.

Pasi ai përsëriti identitetin e personit, datën e vizitës mjekësore, me gjakftohtësi mendova të kontrolloj në regjistrin themeltar për të bërë verifikimet përkatëse.

Në situata të zakonshme pune, nëse do të kishte qenë i nevojshëm një verifikim i tillë për dikë, gjë tepër e rrallë, kjo procedurë i takonte infermieres, por situata në të cilën ndodheshim më detyroi ta lexoja me durim renditjen dhe përputhjen e saktë të personave të kontrolluar në kabinetin e kardiologjisë, duke kërkuar emrin që interesohej “trimi”, i cili nuk m’i ndante shikimet sfiduese.

Ngrita kokën dhe i thashë:

– Emri i personit të përmendur nga ju, nuk gjendet i shkruar në këtë  regjistër.

Desha të ruaja qetësinë, por nuk ia dola plotësisht. Veprimi i tij i momentit ishte nxjerrja e pistoletës nga rripi i trashë i mesit dhe vendosja e saj në këndin e tavolinës me tytën kundrejt meje, shoqëruar me një tingull metalik të akullt teksa preku në sipërfaqen përkatëse. Nuk mundem ta mohoj një ndjesi jo të zakonshme apo thjesht një pasiguri për çastet e mëvonshme, sidomos kur shihja të shkëmbente shikime përçmuese ndaj meje, sapo ia ndante sytë revolverit.

– Po, dakord, nuk qenka i shkruar emri në regjistër. Ja, të shkruhet tani midis atyre,  gjë e zgjidhshme fare lehtë…

Sinqerisht fillova të thellohesha në mendime për sa po dëgjoja, por i duhej dhënë përgjigjja e merituar sa më shpejt:

– Nuk mund të konsiderohet i regjistruar personi kur para emrit të tij nuk ekziston numri përkatës. Është veprim i gabuar, nuk mund të shkel rregulloren.

Reagim i paimagjinueshëm në sekondë, toni i zërit tejet kërcënues:

– Atëherë, ka një tjetër zgjidhje: të fshihet emri i shkruar i ndonjë pacienti dhe në vend të tij të shkruhen të dhënat e personit…, – përsëriti emrin B. D., – dhe mbaje mend mirë që kjo është mundësia e fundit për ty, kjo na mbetet…, – ndërsa uli shikimin poshtë drejt pozicionit të revolverit , e spostoi duke e shtyrë me dorën e vet rreth një pëllëmbë më tej, fare pranë meje.

Pa më të voglin hezitim, ia ktheva përgjigjen shkurt, prerazi:

– Është absolutisht e pamundur, nuk më lejohet, sepse një veprim i tillë konsiderohet falsifikim. Nuk jam dakord me kërkesën tuaj. E pamundur…

Jo vetëm që nuk e përfundova fjalën time, por kuptova me kthjelltësi se po ndodhesha në momentin më të rrezikshëm dhe më të paimagjinueshëm të jetës sime, kur më ushtoi në vesh, fare afër meje, zëri i shoqëruar me egërsi të tejskajshme i “trimoshit”:

– Prit pak, sa ta tregoj unë zgjidhjen e “problemit të vështirë” për ty. Unë  për veten time e kam shumë të lehtë… Ja, tani…

E kam pasur përherë pothuajse të pamundur ta përshkruaj atë çast të jashtëzakonshëm, më duket se fjalët për ta treguar janë të pamjaftueshme, u qëndrojnë disi larg ndjenjave të përjetuara, të papërsëritshme përgjatë një jete brenda parametrave normale.                                                                                                         Personi para meje, në anën tjetër të tavolinës, mori me dorën e djathtë pistoletën, e ngriti pothuajse në lartësinë e supit, shtriu parakrahun në pozicion horizontal, pastaj vendosi gishtin tregues në pjesën rrethore metalike, duke qëndruar i fiksuar në atë mënyrë pa as më të voglën lëvizje. Ngurtësia i kishte zaptuar tërë pjesët e trupit që ngriheshin mbi nivelin e tavolinës, por ajo dukej më e spikatur në fytyrën ku shihja vetullat e trasha, të zeza, si të kishin zaptuar sektorin e qepallave të sipërme dhe njësh me sytë e egërsuar. Shihte drejt meje, a thua me dy rrathë të zinj sterrë, të egër të gatshëm nga momenti në moment të suleshin e të më copëtonin…

Çuditërisht unaza e pistoletës apo tyta e saj, prezantuar në mesin e atij sfondi mizor, pa të njëjtën ngjyrë, fuqi transmetuese dhe depërtuese të rrezatimit të syve, më dha  mundësi në çastin ekstrem të jetës sime të mos përqendrohesha vetëm drejt saj, forca e së cilës nuk ka nevojë të diskutohet. Mos vallë tërheqja e pakuptueshme e një pjese të vëmendjes sime drejt shikimeve, si shëmbëelltyrë e më të egrës shtazë, pakësoi sadopak forcën e vërtetë?!

Dua të përmend edhe një detaj të pashpjegueshëm e tepër të çuditshëm mbetur ende gjallë në kujtesë, sepse ka lidhje me pamjen e grykës së revolverit e cila. Si të donte të zbuste brenda meje sadopak forcën vrastare të mirënjohur prej saj, dukej se i shëmbëllente pamjes  tërheqëse të rrathëve koncentrikë, krijuar nga një dritë llamburitëse. Sipërfaqja dukej sikur i pasqyronte në grimca xixëlluese të panumërta me nuancat e ngjyrës së ylberit, duke e pakësuar intensitetin në rrethin  periferik. Shoqëruese e pandashme e llambës ndriçuese në muzgun e mbrëmjes është një shufër e ndritshme, e hollë, e mprehtë, ngjyrë portokalli, që brenda fraksionit të sekondës e përshkon përmes, me të  njëjtën shpejtësi të prezantimit, pasi të jetë kthyer në tri-katër rreze po aq verbuese lëvizëse sipas drejtimit të akrepave të orës. Sapo rritet largësia me atë burim drite të vogël, vihet re transformimi i rrathëve në formacione ovale apo katërkëndëshe, me po ato nuanca të këndshme vezulluese, deri në momentin kur pamja humbet syve.

Pikërisht para meje, si të ishte një mjegull e shtrirë në çastet kur dita i dorëzohet më kënaqësi orëve të para të mbrëmjes, kisha dritën e ndezur të një llambe elektrike, por me të vetmin ndryshim: fazat e ndryshueshmërisë së saj nuk shfaqeshin. Ato mbanin të ngrirë vetëm prezantimin e shigjetës metalike, e cila dukej mbi rrethin periferik dhe poshtë tij, sa vetë gjatësia e diametrit, e gatshme drejt meje… Më dukej se isha kthyer në një mjet të ngurtë, krijuar nga ai vështrim i ngulitur fort që kisha përballë, pa asnjë përpëlitje të vetme të qerpikëve, shikim i panjohur kurrë më parë prej meje. Profesioni i mjekut, si rrallë profesione të tjera, të siguron më të veçantën dhuratë, shikimin e ngrohtë njerëzor, mirëbesues e njëkohësisht falënderues nga më të shumtët persona-pacientë përballë tij, si pjesë përbërëse e punës…

Në ato moment, pamja çnjerëzore e syve me ngjyrë të zezë në më të errëtën nuancë krijonte kontrast me shikimet e ngrohta të pacientëve dhe harmonizohej me tmerrin e tytës së revolverit. Ne grimcën e mundshme të kohës, kur munda t’i shmangesha shikimit djallëzor, djathtas fanepsej “shërbëtori besnik”, duke ndjekur çdo veprim të pasqyruar, edhe pse nuk po fliste. E kam të pamundur të përshkruaj me saktësi se si dukesha në çastet më të vështira të jetës sime, por po sjell përjetimin shpirtëror të asaj situate.

Mbeta e ngrirë, në pamundësi të bëja as më të voglën lëvizje a të pëshpërisja ndonjë fjalë. Frymëmarrja më ishte rralluar, ritmi i zemrës ishte aq i ulët, sa mund të më rrëzonte nga çasti në çast. Nuk isha në gjendje të mendoja asgjë. Pamundësia e gjykimit, përpjekjet të gjeja më të voglën rrugë shpëtimi, fatmirësisht mundësuan rrjedhën e një kohe të konsiderueshme, gjatë së cilës kërcënuesi duket se ndërroi mendje dhe qëndrim ndaj meje. Ndodhi një kthesë e papritur, falë së cilës jeta ime nuk u ndërpre. Nuk jam plotësisht e bindur nëse momenti i afrimit dhe çasti i prekjes fare lehtë në xhepin e tij të djathtë nga personi i ndodhur prapa ndryshoi dinamikën e ngjarjeve. Vendosi menjëherë revolverin mbi tavolinë, shpejt nxori nga xhepi i djathtë i xhaketës një format të zakonshëm letre të palosur katërsh, vështroi drejt meje disi me më pak egërsi dhe me zë të lartë m’u drejtua sapo “ndihmësi” e shpalosi  letrën (sigurisht duhet ta njihte përmbajtjen e, me sa kuptova më vonë, do ta përdornin si mjetin e fundit për të më detyruar të faktoja sëmundjen e shokut të tyre të burgosur).

– Po kësaj, ke fuqi t’i kundërvihesh? Pasi ta kesh lexuar, sigurisht nuk e kundërshton dot. Nuk do të tregosh trimëri më tej, nuk mundesh… Mos harro se s’ke rrugë tjetër shpëtimi. Thirri mendjes sa më shpejt, është e fundit mundësi!

Pas një periudhe të gjatë në këmbë, ndihesha e lodhur. U ula në vendin e zakonshëm të punës dhe më duhej të lexoja dokumentin, që, sipas tij, nuk do të mund ta kundërshtoja… Mora në duar letrën e palosur dhe e lexova gjithë përqendrim:

“Pacienti B. D., i sëmurë nga zemra me diagnozën e përcaktuar si episode të përsëritura me rrahje të çrregullta të zemrës dhe të shoqëruara me gjendje të humbjes së ndjenjave në mënyrë të papritur, për të cilën është ndjekur në kushte ambulatore”.

Pikërisht kjo përfaqësonte një element nga më të rëndësishmit, më seriozët dhe s’ishte e nevojshme të kundërshtohej. Nga ana tjetër, pacienti ishte njohur, vlerësuar dhe mjekuar nga dy kolegë të mi të punës së përditshme. Nuk mund të dyshoja për sa pohonin e firmosnin të dy. Momentet e mëparshme, të jashtëzakonshme, sigurisht nuk ishin larguar pa lënë gjurmën e tyre, më e dukshmja e të cilave ishte heshtja ime paksa e zgjatur. Si për të më kujtuar se koha e kërcënimit dhe rrezikut të jetës ishte pranë meje, “trimi” e rrotulloi dhe e kaloi nga njëra dorë në tjetrën pistoletën me shpejtësinë e një prestigjiatori, kësaj radhe me të vetmin ndryshim: tyta e saj ishte e drejtuar poshtë.

Koha nuk priste. Edhe ato pak hamendësime ndodhur brenda meje, në të vetmin rast midis jetës e vdekjes, nuk arritën të argumentonin refuzimin, kështu që firmosa poshtë emrit tim të shkruar në krahë të emrave të dy kolegëve të mi. Ngrita kokën, duke mos dalluar ndonjë ndryshim të dukshëm në sytë e kërcënuesit (brenda vetes ai shijonte ndoshta triumfin e tij). Përballë njëri-tjetrit, pas një çasti të shkurtër, ndjeva brenda vetes një forcë të papritur, kthjellim të mendimit, të shoqëruar me ndjenjën njerëzore, që s’di nga buruan, dhe me mospërfillje të dukshme iu drejtova:

– Kam besim në punën e bërë prej kolegëve të mi, asgjë më tepër. Largohuni sa më parë!

Palosi letrën, e vendosi në xhep dhe, pas përplasjes së derës, u largua bashkë me shoqëruesin e tij. Më vonë u dëgjuan krisma në rrugë. Pamë nga dritarja e hapur njërin të shtrirë në tokë, ndërsa i dyti ecte i shoqëruar me pranga në duart e vendosura pas shpine…

Leave a comment