– Më fal, linja numër 1 ishte kjo se nuk e pashë?
– Ku do vesh o çupë?
– Të takoj Edën.
* Heshtje *
– Po ku do ndalosh o çupë?
– Po unë di që më duhet linja nr 1. Do ndaloj te 11 Janari.
– Ca thotë kjo 11 Janari o Berti?
Berti: 11 Janari???
– Aa te Juvenilja. Ajde moj yp edhe thoj që doje Kristalin.
– Doja linjën nr 1.
Kjo më kujtoi atë barcoletën kur kam qenë fëmijë:
“Futet kali në furrë të bukës.
– Përshëndetje, një bukë doja!
– Bukë të bardhë apo të zezë?
– E s’ka gjë, se me biçikletë jam.”
Nuk di a ishte shumë popullore si barcoletë por që për mua ishte kulmi i absurditetit dhe sot e kësaj dite më qeshet shumë me të. Si kali si faturino o kërkojnë o japin detaje personale që s’i hyjnë në punë askujt. E unë, që e di që para se të marr përgjigjen që dua duhet patjetër të kaloj në ndonjë detaj të tillë, jap “ takimin me Edën” që as do e takoj fare; po me këtë rast zbavis veten.
Mirëpo për zbavitje apo për kulturë të thellë pune, këto janë detajet që devijojnë bisedën e vonojnë transaksionin, dhe që na bëjnë ne në fund të ditës të shfryjmë frazën aq jo origjinale po që të gjithë e marrim personale sikur e kemi shpikur vetë:
S’bohet mo ky ven.
S’bahet ky ven’.
Z’bëet ky vend ‘gjo mua.
S’beet qy vend e.
E pastaj janë të gjithë vonë, medoemos.
Vonë autobusat që kur i sheh që larg janë një llamarinë madhe e shpejtë e xhindosur me sytë ndezur. Ti futesh me shkathtësi dhe një zonjë – gjithashtu vonë – të rrëzohet në këmbë që ti s’di të qeshësh a të qash, po s’ka kohë kështu që e ndihmon vrap. “Ore pusht! Po si s’të vjen rëndë një herë, jemi me tension!”
Vonë ata burrat në makina të vogla me lloj lloj sendesh mbrapa ose me bagazh të hapur me një karrige që varet gjoja e lidhur me fije plastike. Disa prej tyre kanë plaka me shami të bardhë në vend të parë, pa rrip sigurimi asnjëri. Ndaj për këtë arsye e shumë të tjera, ia lejojnë vetes të parakalojnë në trafik dhe t’ia zënë rrugën kahut të kundërt; duke krijuar kështu një situatë koti në rrugicën X me dalje në rrugë kryesore 12 herë vetëm në mëngjes.
Vonë ato zonjat me xhupa të zi – ndonjëra e ka vishnje – që po ikin me ndonjë qokë dhe e kalojnë rrugën ku t’u teket e si t’u teket, duke nxjerrë dorën në shenjë “prit” a thua se ajo është e barabartë me dritën dhe alarmin e ambulancës dhe gjithë jeta duhet të ndalojë si rrjedhojë.
Vonë fugoni i qumështit që i jep makinës sikur mos të ketë të nesërme dhe sikur nuk përfaqëson një institucion me logot me të cilat fugoni është i veshur. Kështu ai të bllokon daljen nga rrugica duke ta bërë me gisht ‘1 minutë’ pa të parë në sy fare. S’ka gjë se ti je e lidhur e gati për t’u nisur. Duro! Duro 1 minutë! Pfff, çar’ njerëzish që nuk durojnë.
Vonë unë, që jam me ndonjë qorrsokak duke kërkuar biçikletë, ku sigurisht patjetër 100% ka ndonjë lloto dhe 5 burra po shohin e njëri pyet “kë kërkon moj vajzë”?
A t’i them “Jarin”? Me siguri ka 1 të tillë.
Të gjithë jemi vonë. Të gjithë jemi nisur nëpër “situata” ku 70% të kohës do ngatërrohemi në biseda pa krye dhe detaje personale; 15% të kohës njëri do nxehet e do thotë “shtet legen” ose “ja, shqiptarët!”, 10% të kohës do fillojnë më në fund të takohen frekuencat ku do sillemi sikur kemi vite që njihemi dhe do zbuten tërësisht tonet, dhe ndoshta kismet pthu zëre me dorë, me 5% fillon zgjidhja.
95% e kohës është e humbur në një vrimë të zezë ballkanase/mesdhetare/shqiptaro-pellazge.
Po hej, së paku na jep material zbavitës dhe u mundëson jetë dhjetëra faqeve me meme në Instagram.