Sa vite më ka ndjekur kjo shprehje patetike! Sa herë e kam parë nëpër komente, ma kanë thënë në sy, e ia kanë thënë të afërmve të mi. Jo vetëm kur kam mbrojtur qentë e rrugës; po dhe kur diskutohen çështje si trasta apo qese, makinë automatike apo manuale, quinoa apo bulgur. Populli s’ka bukë të hajë, ti flet për quinoa! Populli s’ka bukë të hajë, ti o goce je në mes të luksit!

Shprehjet si kjo janë popullizma të ulëta për të të bërë ty të ndihesh keq, e pandjeshme, dhe si njeri që nuk di prioritetet e kësaj bote; me qëllimin që thënësi i kësaj shprehjeje të ndihet mirë për veten. Shprehjet si kjo janë si ato meshkujt tërësisht jo rehat në lëkurën e tyre, që kur duan të të gjuajnë, fjala e parë është diçka denigruese që ta ngrenë veten më lart se ti, me shpresën se po të poshtëruan, do u shkosh nga mbrapa. “Sa shtresa ton ke hedh?” Ishte fjala e parë që njëri i tha shoqes sime, dhe pastaj e ndoqi 3 muaj shoqen. Ose “ça ke pse dukesh me nerva e lodhur?” ndërkohë ai vetë po vdes nga sikleti, po do me ndërru muhabetin që ti t’i justifikohesh.

Kur ti shkruan apo thua fjalët “njerëzit s’kanë bukë të hanë”, je duke iu referuar mungesës ose vështirësisë së gjetjes së funksionit bazë të çdo gjallese, dhe kur një njeri ka vështirësi të tilla, klasifikohet në varfëri ekstreme. Sipas një studimi në open data, 9 vjet më parë shqiptarët në varfëri ekstreme ishin diku te 13%, dhe ti po u referohesh vetëm atyre, duke injoruar 87% të popullsisë. (Ma merr mendja % ka luhatje të vogël +/-.) Ata jetojnë me nën 5000 Lekë të ardhura në muaj.

Ky 13% që s’ka bukë të hajë është te cepi i rrugës duke shitur çfarë i ka bërë oborri e pula sot, duke mbledhur kartona në kazane plehrash, duke lypur, duke shitur stilolapsa e leukoplast, duke nxjerrë fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë. Ky popull është konsumatori i telefonave jo inteligjentë, në rastet kur i kanë. Sigurisht 800 Lekë rimbushje në muaj është e pa imagjinueshme për ta, por ndoshta kanë një numër për familje që e mbajnë gjallë me 100 Lekësha, që mos të dalë jashtë përdorimit.

Ky lloj populli është aq i zënë të sigurojë mbijetesën, sa nuk ka qasje fare në artikuj si ky, nuk ka qasje në internet apo facebook dhe ndoshta dhe as kanë parë si duken këto të dyja, nuk e di që shoqatat kafshëdashëse po përpiqen të shtyjnë ligj në parlament për mbrojtjen e putroshëve, nuk ia kanë idenë çfarë është bulguri, nuk e dinë që veganët nuk e hanë djathin me zgjedhje, dhe shpesh nuk kanë aftësi lexuese të rrjedhshme. Kështu që këta njerëz as nuk kanë as dijen as platformën e as cinizmin të thonë “hej, lëri qentë e rrugës, se unë nuk kam bukë të ha!” Zakonisht janë të qeshur kur u flet, po dhe kur janë të hidhur – a u vë dot faj?? – është shumë e drejtpërdrejtë, dhe jo fshehur pas ekranit retina me touch screen.
A e di ku është ironia më e madhe? Tek ata që kanë dijen dhe cinizmin të thonë këtë shprehje.

Ajo vjen nga njerëz që kanë bukë e shumë më shumë për të ngrënë. Kanë lekë të pinë kafe, të hanë chicken fingers, kanë kohë, kanë shoqëri, smart TV e kuletë lëkure. Këta njerëz janë dorëzuar rutinës së tyre dhe nuk ndërmarrin asnjë pasion, nuk janë aktivistë të asgjëje, nuk mbështesin asnjë ide përveç partisë së tyre apo skuadrës së futbollit, dhe si të gjithë që kanë bukë të hanë, e çojnë kohën e lirë duke lëvizur poshtë ekranin e telefonit inteligjent, duke komentuar me mllef.  Dhe pas shumë vitesh që më përndjek kjo shprehje, kam kuptuar që ka vetëm një burim pse e thonë këtë: xhelozi e pastër.
Xhelozi që ata njerëz kanë po aq kohë sa aktivisti i kafshëve apo i komunitetit LGBT, po përkundër këtyre, ky që komenton “populli s’ka bukë të hajë” nuk është i zëshëm për asgjë dhe përton të merret me çfarëdolloj gjëje që nuk është rutinë. Asaj/atij i vjen inat që unë kam harxhuar plot orë për t’u informuar mbi të drejtat e kafshëve dhe si merret bota me to, dhe po përpiqem ta sjell këtu dijen. Asaj/atij i vjen plasja që disa të tjerë, dhe pse rritur në familje konservatore (e ku ka shqiptar që nuk është rritur ashtu!) e ka gjetur kohën dhe ka pasur guximin të hapë mendjen mbi të pranuarit njerëzit jo hetero.

Ai s’ka kauzë, s’ka pasione. Ajo është dembele. Sepse kush ka të paktën një pasion, kurrë nuk hedh poshtë kauzën e tjetrit. Unë për shembull i kam investuar energjitë e mia te mbrojtja e kafshëve, te trajtimi i barabartë i grave, dhe çfarë ka tepruar në çështje ambientaliste.

Nuk jam marrë dot kurrë aktivisht me mbrojtjen e Valbonës dhe Vjosës, madje as me mbjelljen e drunjve në Lurë.
E ç’të bëj unë tani? T’u komentoj atyre që do bëjnë koncert për Vjosën: Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me devijim lumi! Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me hidrocentrale!
Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ju merreni me ndërgjegjësim për down syndrome!

Një mini eksperiment për ty: për fjalinë e parë që do thotë personi afër teje, thuaji: “Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ti dashke….”

E pe çfarë fjalie kameleon është? I shkon për shtat absolutisht çdo lloj pohimi, sepse mos ngrënia është forma më e ulët e jetesës!

Një pyetje kam për ju që na kujtoni që populli s’ka bukë të hajë: ne të tjerët që merremi me lloj lloj çështjesh, kaq e paskemi kapacitetin, na interesokan vetëm kafshët apo komuniteti gej. Të tillë të pafytyrë jemi, e pranojmë. Ne nuk na u bëka vonë për popullin që s’ka bukë të hajë. Çfarë njerëzish kot që jemi!
Po ty që të intereson buka e popullit: çfarë po bën ti që populli të ketë bukë të hajë?

Sa keni përparuar me çështjen tuaj? A është rritur ndopak buka nga komentet dhe xhelozia juaj?
Jam në pritje.
—-
Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ti dashke me lexu blog!

Leave a comment