Po vjen ora 19:00. Agresioni i vapës së ngrohjes globale fillon venitet.
Ndërsa këmbët e mia, pa u këshilluar me mua, nisen drejt derës me dryn të prishur të zyrës sime pranë bulevardit, për te kryeministria me grilat e puthitura hermetikisht. Dritare dritë-fobe, ksenofobe.
Me flamingo të pikturuar (ose jo) në fytyrë, pozicionihem përballë dritareve si në një film distopik. Por s’më helmon pamja, jo. Sepse e kthej kokën nga Skënderbeu.
Pikërisht atëherë fillon më vjen një ëmbëlsi nëpër faqe, si kur sheh njeriun e dashur që çan turmën drejt teje, apo si ajo dashnia e gotës së parë një të premte mbrëma.
Në bulevardin tatëpjetë “Dëshmorët e Kombit”, po vijnë tashmë njerëzit më të dashur, në formë turme. Të mbrojtur në front nga “gjeneralët” e “kalorësit” – makinat e mediave – ata fishkëllejnë, këndojnë. Ne, pakëz më lart, fishkëllejmë, duartrokasim, këndojmë.
I presim “krushqit”, dhe i drejtohemi ndërtesës që rrezaton energji mortore.
Grilat poshtë, mos të harrojmë.
Po mirë o këmbë të dashura, pse më sollët këtu?
…Do ti që këmbët m’u përgjigjën!
“Po pyet për sot specifikisht, apo të 20 e kusur ditët që kemi dalë? Se kemi çdo ditë një arsye tjetër” – thanë.
31 maj. Me djersë. Kapele. Rroba sporti.
Dola nga makina në ecje si e marrë sepse nuk më shqitej nga shpirti imazhi i një qytetari të hequr zvarrë, kot më kot.
Dita e dytë: sepse e ndjej veten çdo ditë si Brunela, edhe shpesh të përbuzur si Brunela, por që mbajmë mjekrën lart. Brunela është me shputat fort nën dhe, zërin e plotë, mbron me mish e shpirt të sajën, edhe nqs i duhet të humbasë shumë.
Dita e tretë zbulova që flamingot vendase të Nartës, ndër shumë fakte të mrekullueshme të tjera, i kanë krahët kuq e zi.
Ditën e katërt m’u kujtua si ky vend më ka përzënë nga plazhi im, sepse i hapi vend të huajve, dhe mua më nisi jashtë vendit, ku ka opsione më të përballueshme se te detet ku unë u rrita.
Ditën e pestë mendova për Thimon në një skaj të bregdetit më të bukur në botë ku ne kalonim pushimet dikur, që u detyrua t’ia shiste tokën “investitorëve strategjikë” me çmim qesharak. Thimua ra sëmurë në spital me vite, dhe vdiq para kohe.
Ditën e gjashtë më vloi gjaku si u dobësua Euro brenda vitit në 2022, edhe pse shumë entitete shqiptare të paguajnë me Euro.
Ditën e shtatë më erdhi qershor 2024 para syve, kur qeveria ime e cila bën gjithë ç’ka në dorë të më përzerë nga ky vend, vendosi të më hipte ankthin pasi donte të më taksonte 15% mua dhe dhjetra mijëra si unë, profesionistë të lirë. E gjithë e ardhmja e djalit tim.
Ditën e tetë vajtova një nga festivalet e mia që merret me njerëz të përbuzur, dhe që nuk përfitoi asnjë fond nga shteti shqiptar dhe kultura e tij, se ashtu nuk u deshi qejfi kësaj radhe.
Ditën e nëntë më erdhi para syve ai shoku im që lëvizi nga Tirana në Sauk me banim dhe e bën me biçikletë rrugën në qytet në rrezikshmëri të lartë, se nuk ia del dot qirasë që rritet në mënyrë absurde çdo muaj, dhe nuk ia del dot as të ketë automjet.
Ditën e dhjetë m’u kujtuan disa ish-kolegë të friksuar të kenë mendime dhe ndjenja, se pagat i marrin nga pseudo-oligarkë.
A të vazhdoj…?
Ditën e 🦩 qava për dhelprat që kur shkoja në Sarandë, ishin kudo. Tani nuk janë më. E as unë s’para iki dot në Sarandë, se nuk ka lehtë akomodim për mua shqiptaren.
Ditën e 🐢 mendova për pensionin e time mëje, një ikonë e pa diskuteshme në profesionin e saj për 41 vjet.
Dhe sot… Sot o këmbë të dashura, keni menduar dhe ju njësoj si unë – se si mund të jesh e shkolluar, e interesuar, e informuar, me zell të madh për jetën dhe për vendin tënd… Dhe çdo 6 muaj ndihesh si dështim.
Se nuk je ndjekëse e askujt.
Armike e askujt.
Nuk punon në administratë, nuk punon për oligarkë, as nuk ke delire partish, je një qytetare europiane e vërtetë që çdo ditë do t’i ofrojë veten këtij vendi.
Dhe pikërisht ti, çdo ditë ka disa orë të parehatshme që ndihesh realisht persona non-grata në vendin tënd.
Prandaj më sillkeni ktu çdo ditë, të dashura këmbë.
Të heqim dhe ne non-gratën e padukshme.

