“Nuk e marr vesh se ç’bën me rrogën tënde nuk e di, patjetër duhet të dalësh çdo fundjavë? S’të pëlqejnë gjellët që bëj unë këtu që duhet të bridhni restoranteve të hani lloj-lloj pisllëqesh kush e di në çfarë vajrash i gatuajnë” të thotë mamaja ty, një milenial-i apo gjenerata Z, e ajo vetë brezi “baby boomers” në terma modernë dhe thjesht “plaka”, në terma lokalë.
E ndërkohë që përkujdesja e saj përfshin edhe të gjykojë pa rreshtur, jeton në një shtëpi në të cilën është pronare dhe nuk ka paguar asgjë, (ose shifra qesharake gjatë privatizimit), konsumon një mal me plastikë në një sistem që nuk e detyron njeri të riciklojë, është martuar herët se nuk të linte njeri pa martuar u dashurove apo jo, a je gej apo jo.
Le që kush kishte “llukse” asokohe për të zbuluar seksualitetin apo dhe thjesht personalitetin e vet.
E kështu e çojnë jetën shumica: duke bashkëjetuar me një brez me të cilin i lidh gjaku e dashuria dhe kultura e të jetuarit me prindërit, dhe pak dëshira e sinqertë për të kaluar kohë me njëri-tjetrin. Bota është bërë tepër komplekse për t’u kuptuar nga një brez i dhunuar psiqikisht e fizikisht, ndaj dhe ata i mëshojnë në mënyrë të përsëritshme vetëm atyre që dinë. Kjo situatë sjell që vajza 30 vjeçare të gënjejnë prindërit për ku e kalojnë natën, e djem që gënjejnë prindërit për shpenzimet e tyre.
Shembujt janë të pafundë, dhe siç na ka hije për natyrë, jemi mjeshtra të të mbuluarit të vërtetës thellë e më thellë, dhe vazhdo para në emër të faktit që jemi një popull familjar.
Edhe kur ti e të njëjtit brez, tenton të flasësh me shoqen tënde që të gjejë një gjuhë të përbashkët me prindërit e të rreshtë së gënjyeri se ku fle çdo të shtunë prej një viti e gjysmë, ajo shpejt merr lopatën dhe mbulon këtë problem të madh.
Këtu ka një refuzim dy-palësh të të kuptuarit të tjetrit. Ata nuk kuptojnë që fakti që kemi lehtësira materiale dhe më shumë liri, vetëm sa vështirësojnë zgjedhjen e partnerit, vendin e punës. Mendojnë se e kuptojnë, po nuk e jetojnë makthin e të blerit një apartamenit që nuk të përmbush, por të fut në borxh për tërë jetën. Nuk kuptojnë sa e vështirë ështe për prindin që sot nuk i nxjerr dot fëmijët të luajnë tërë ditën në oborr e t’i kërcënosh nga ballkoni të hipin lart se po perëndon dielli. Sot rreziku vjen në formë njeriu, llamarine, plehre dhe kafshe, ndaj fëmijët duhet t’i ndjekim në çdo hap se çfarë bëjnë e ku janë, ndërkohë që 8 orë në ditë minimumi ia kemi borxh dikujt në shkëmbim të një page.
Ata pastaj refuzojnë të kuptojnë çështje më madhore akoma: që sot hallet e planetit janë të përbashkëta, që toka është në gjendje kritike, moti po ndryshon, popullsia po rritet, e specje po zhduken, për shkak të sjelljes së pakujdesshme konsumeriste të njeriut. Nuk kuptojnë që përdhunimi bashkëshortor është krim, që gratë nuk kanë program special në tru për rregull pastërti e kuzhinë.
Nuk kuptojnë që gjithë këto strese kërkojnë një birrë të premten në darkë, një klasë joge të martën pasdite.
Për t’i kthyer nderin ne nga ana tjetër nuk ia kemi haberin ç’do të thotë të mos gjesh lidhëse këpucesh në treg për muaj ose vite, brisk rroje, biberon, pasqyrë… Nuk e dimë çfarë i bie mos të kesh qasje në qumësht e vezë për javë të tëra, dhe të kesh mikrofon në muret e shtëpisë përveç veshit gjigant të komshiut, që ka raste të ishte dhe vëllai. Nuk e dime ç’do të thotë të urresh partnerin tënd që as e zgjodhe vetë, po nëse ndahesh, të pret një fat i kobshëm. Nuk e dimë ç’do të thotë të plasin ujrat për të lindur, materniteti është 6 km larg, është natë dhe nuk ka transport publik, makinë private, as taksi, as ambulancë që do t’ia dijë për ty. Dhe më e rëndësishmja; mbase asgjë nga këto nuk të ka ndodhur kurrë, por ti jeton, fle, sheh makthe me frikën e thellë që do të të ndodhin herët apo vonë. Edhe të tjera që ty të duken film, po ndodhnin çdo ditë: nuk ia kemi idenë që kur të thërret shefi, mund edhe të jetë që do përfundosh në Spaç, në një fshat të humbur, ose nën dhé sepse dikur, ti ke thënë ose nuk ke thënë diçka që ofendon ose nuk ofendon dikë abstrakt.
E kështu të dy brezat marrin lopatëzën sërish, e mbulojnë jetën e njëri tjetrit, dhe debatojnë rregullisht se nuk kuptohen, por ama duhen.
Duhen po nuk piqen, dhe pjekuria s’ka të bëjë me moshë hiç. Të dyja palët refuzojnë të rriten, pasi duhet pjekuri e vërtetë të shohësh të vërtetën në sy, e të gjesh një sistem si ta pranosh atë. Duhet pjekuri të dëgjosh për të dëgjuar e jo për t’u kundër përgjigjur, të thuash “më fal” po qe nevoja, e të ofrosh një mbështetje të vërtetë emocionale edhe pse ndoshta nuk kupton asnjë lloj gjëje nga sfidat e tjetrit, por ke pjekurinë të respektosh atë që s’e kupton.
Duhet të fillojmë urgjent të ushqejmë shëndetin mendor, e sidomos në fillim të moshës së pjekur, në mënyrë që mos të zgjohesh 37 vjeç, të kanë hequr nga puna krejt kot dje e nuk i ke thënë njeriut, pa partner/e, në shtëpi të mamit, në depresion… Pa i qarë dot hallin njerëzve me të cilët ndan çatinë nga frika mos i lëndon edhe nga dija se nuk do të kuptojnë.
E po dikujt i takon të bëjë hapin e parë të pjekurisë, dhe realitetin më kompleks e kemi ne pa frika konkrete a do jetojmë, që na jep dhe privilegjin e të menduarit për emocionalitetin e gjithkujt dhe sa i rëndësishëm është ushqimi i tij.
Vitet 90’ dhe gjithë me çka je rritur nuk janë një kujtim i bukur, por përkufizojnë kush je; vëri në punë tashmë.