Imazhi është marrë nga libri Le Petit Prince.
Duke larguar zbukurimet e fundvitit, që unë i them vetes e botës që i bëj per djalin po në fakt i bëj edhe për vete… Po kërkoja një libër me fletë të mëdha e të trasha për të ruajtur ca flokë bore plastike që duhet të ruhen drejt.
Seç më ra dora në një libër… Më erdhën pak trutë vërdallë kur pashë kopertinën. Nuk e kisha parë nga fëmijëria ime. Si ka ndodhur që s’e kam parë mbi 20 vjet me sy… Nuk e di si ka udhëtuar në gjithë vendbanimit e mia këto vite. Dhe pse ma kapi dora pikërisht atë moment… unë e ndjeva si mister të kozmosit.
Astronomia e thjeshtuar, ishte libri. Ma kish sjellë dikush nga jashtë, po nuk kishte gjurmë të origjinës.
Teksa po kërkoja një faqje që ta mbaja mend kur të nxjerr floçkat në dhjetor, e ndjeva të më dilte para syve ai momenti që kinematografia e bën sepie: kur ecën mbrapsht në kohë dhe të kujtohen skena konkrete të dhjetëvejçarëve më parë.
Një një pikë ndoshta nga klasa e VI, kisha një shoqe dhe një shok të ngushtë. Ishim trio çerrash tipikë. Ecnim trotuareve me pllaka të paqëndrueshme, dhe këndonim “Ne jemi 3 shoqe…njëra ka 2 k**e.”
Nuk jam më e sigurt çfarë konsiderohet tipike në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI, por ne kishim kuriozitet të thellë për kozmosin. Ajo na bashkonte.
Nuk di kush e filloi, po kam idenë ai shoku.
Planetet dhe çështja e Plutos, astronomina, vrimat e zeza dhe mundësia e jetës në ndonjë planet tjetër. Ishim përtej bisedave “a mendon se ka jetë”. Thjesht po prisnim t’i takonim, dhe shoku im ishte tërësisht i bindur, premtuar dhe nga prindërit (ose ashtu thoshte ai!), se do e fillonte karrierën me astronaut e pastaj të shkojë ku të shkojë kjo punë.
Vazhdimin pak a shumë e dini.
Në gjimnaz shiheshim në rrugë, e përqafoheshim shumë. Unë isha fanse që ai të bëhej astronaut. E pyesja a ka parë shkolla të tilla? Përgjigjet bëheshin përherë e më evazive.
Në universitet ndalonim bënim pyetjet rutinë. Pa shumë përqafime.
Tani, më shumë nuk përshëndetemi se përshëndetemi.
Nuk është kjo pjesa e trishtë. Njeriu njeh me dhjetera mijëra njerëz në jetë, e ndonjë herë ata të fëmijërisë thjesht qëlluan afër.
Ai studio diçka krejt tjetër, në mënyrë që të vazhdonte biznesin famlijar.
Unë as nuk e konsiderova. Zhvillova interesa të reja dhe astronomia, do financim serioz në shkolla shumë të largëta. Por teksa ndalova tek kapitulli i “wormholes” te libri i rizbuluar, e ndjeva një adrenalinë që më kapi zemrën, kokën, mendimet.
Unë kam ende shumë interes në atë temë. Kam ca nga librat e Stephen Hawking që po më luten t’i lexoj. Hapa NETFLIX dhe me gati babëzi i përbiva gjithë titujt astronomikë dhe nuk dija a të filloja në moment, apo të hiqja pemën tashmë përgjysëm.
U ula pak dhe po shikoja tim bir 4 vjeçar, i cili ka filluar të ketë mendime të plota mbi çdo gjë. Atë ditë po mahnitej me mjegullën që kish përthekuar Tiranën, dhe po më tregonte mua që mjegulla do kthehet sërish në qiell. Ashtu me mjegull dhe mua, m’u kujtua një thënie e Carl Sagan.
“Shko fol me fëmijët në kopsht apo ata në klasë të parë, dhe do të gjesh një klasë plot me entuziastë të shkencës. Ata bëjnë pyetje të thella. Pyesin: Çfarë janë ëndrrat, pse kemi gishta këmbe, pse është Hëna e rrumbullakët, kur e ka ditëlindjen bota, pse është bari i gjelbër?”
Këto janë pyetje të rëndësishme, të thella. Atyre u dalin si flluska.
Shko fol me maturantët dhe nuk ka më asgjë nga kjo. Ata nuk janë më kuriozë.
Diçka e tmerrshme ndodhi mes kopshtit dhe maturës”.
- Carl Sagan, shkencëtar.
Impulsi i parë është t’i biem sistemit shkollor. Dhe po, është për t’i rënë. Ndër shekuj, shkolla kudo në botë, të këput degët me lezet, të limon trungun, duke nxjerrë në fund qindra kuba druri, ndryshe nga trungjet që ishim kur filluam ditën e pare me lule dhe pasion.
Arsyet e tjera pastaj, janë të panumërta për t’i shtjelluar në brendësi. Emisionet televizive janë për mos t’ua zënë as emrat me gojë. Librat shqiptarë për fëmijë janë të keqpërkthyer, dhe duhen orë të tëra të kapësh një për së mbari për t’ua lexuar në darkë.
Pastaj ne.
Ne shpesh u biem shkurt pyetjeve të fëmijëve, “ashtu e ka bërë zoti”; “I ke bërë detyrat e matematikës ti?” “luftën iliro-romake e mësove? Pa ma thuaj”.
Rriten, dhe fillojnë përplasjet. “Me këto nota do shkosh në universitet?” “Nuk ka të ardhme violina”. “Lexo Zhyl Vern se atë kishe detyrë. Pastaj Stephen Hawking”.
Çdo familje është e ndryshme.
Por çdo familje e ka pak radhën dhe të ndryshojë pak. T’i ushqejë kuriozitetet deri në fund. Të rriturit të kujtojnë pak sa kuriozë kanë qenë vetë. Të mbështesin çdo pasion, deri sa adoleshentja të kuptojë vetë a ia vlen të thellohet aty, dhe të arrijë vetë në ç’do të bëjë më të ardhmen.
Jeta rutinore është e domosdoshme, por ajo e ëndrrave është pa kufij.
Ashtu si kozmosi.