Ah sa herë e kam parë atë video. Prapë kur e shoh, qesh me shpirt. Dhe jo vetëm se polici në fjalë thotë ‘dEkumenta’, jo. E gjithë situata është aq tipike se çfarë ndodh në vendin tonë kur ke punë me autoritetet dhe përmbledh aq bukur si komunikojme e funksionojmë ne si popull.
[Për sqarim, po flas për një video që qarkullonte në këtë faqet me humor, ku një djalë filmon në mënyrë amatore policin që kërkon dokumentet dhe kur qytetari s’ia jep, i thotë ‘po mirë ik!’]

Mos paç nevojë të nxjerrësh ndonjë dokument në strukturat shtetërore, se ose do irritohesh, ose do irritohesh por do e marrësh me të qeshur të gjithë përvojën.

Zgjohesh në mëngjes për të marrë një çertifikatë lindje, një vërtetim banimi dhe do bësh ndonjë pagesë a regjistrim. I thua vetes “do ia dal!!” dhe nisesh si lule. Hip nja 4 kate të mira, pa ashensor, dhe pa asnjë lehtësim për njerëz me aftësi të kufizuara, me paterica apo karrocë.

Fillojmë me radhën, burrat veç, gratë veç. Një ndarje që nuk zgjidh asnjë lloj pune, ça të bëj unë që janë 8 gra në radhë dhe 3 burra? Renditesh dhe ti. Vjen një zonjë duke bërë fresk me fletore.

“A t’futem se duhet të kthehem në punë”. Ndonjë tjetër është më fëmijë të vogël diku nëpër Tiranë, dhe tjetra është me tension. S’ka gjë që dhe ti ke dalë nga puna, dhe ti ke fëmijë, dhe ty të kap ankthi në ambiente të vogla plot me njerëz. Ti s’përdore jetën tënde personale për të manipuluar radhën, kështu që rri hapi rrugën të gjithëve. Dhe pasi ia hape, vjen njëra me qese me blerje të rastit dhe thotë “për zotin un isha që qeparë, ja pyt kët nonën”.

“Më jep një ashu, vërtetim zgjidhje martese” thotë një burrë me zë të ulët kokën futur thellë te dritarja e vogël.
“DIVORC?” thotë punonjësja duke lëpirë gishtin tregues.

“Zgjidhje martese pra. Vërtetim.” Ndërkohë ka krruar kokën veshin dhe është zhytur më thellë në birucë.
“O zotëri a je i divorcuar, se po nuk ishe s’kam ç’të jap”.

Ndërkohë ti i ke treguar nënës para teje me ça merresh, ca merret burri dhe sa fëmijë ke. Nëna të ka ngutur të bësh tjetrin.
Sa mendon që të erdhi radha, punonjësja sesi është ngatërruar në debat me një nga gratë, dhe është duke u betuar plot ngarkesë emocionale: “Moj zonjë, ti do që të më heqin mua nga puna? Për kokë të fëmijëve nuk lejohet, për kokë të çunit ik ankohu në Ministri të Brendshme. Unë do humbas vendin e punës po ta dhashë!”

Se si degjeneroi biseda deri këtu jam kurioze, por në kët pikë kam humbur dhe unë durimin, se kam mbi 30 minuta që e pashë për të tretën herë newsfeedin e instagramit dhe facebookut.

Mbarova punë, pa dramë shyqyr. Dola që aty sikur kisha fituar ndonjë çmim, dhe mora rrugët për të paguar faturën e energjisë meqë ishte aty ngjitur.
Futesh në pikën e pagesës, nuk merr vesh fare a është radha burra gra, sa veta ke para teje, dhe a do mbarosh punë ndonjëherë në këtë jetë. Gra e burra të ulur, të tjerë në këmbë të shpërndarë sporadikisht, dhe burra të tjerë jashtë te dera, që nuk ke nga ta dish a kanë mbaruar a s’kanë filluar? E ndërkohë që po zgjidh matricën në kokën tënde, vjen një grua të kap nga supi “Ti je e fundit?” Po ku e di unë moj zonjë. Po pse do numëroj unë a erdhi njeri prapa meje? Unë jam duke përdorur gjithë njohuritë matematike gjeogriafike + kujtesën figurative të di a kam shans, apo të iki fare e ta bëj online!

“Nuk e di”.
Vendosa ta bëj online.
Shkova në bankë. Këtë nuk e kam me siklet: merr numrin tënd, ulesh dhe pret radhën si zonjë, ku dhe mund të lexosh ndonjë gjë që kishe qejf, se tashmë nuk ke ankth a do futesh sipas radhës.

Po po, kshu kujton ti dhe unë bashkë, pa ankth.

Sa herë ndërron numri në ekrani i cili bën ‘pip’, është ndonjë zonjë në radhë për vete pa pikën e durimit që bërtet 72SHI! 72SHI! GOCE O TI ME TELEFON, TI JE 72SHI?

Ndërkohë 72shi u paraqit në sportel.
73SHI…. O GOCE PO CA NUMRI JE?

E PE QE U NDERRUA?
E sa herë ia bën ‘pip’ tabela, unë pres kush do më flasë, nga shqetësimi i madh që kanë se mos unë kam ardhur në bankë për t’u ulur në karrike për të parë telefonin, jo për të mbaruar punë.

Mbaron punë dhe në bankë ku të japin 1 milion letra kot për shërbime bazë që mund t’i ofrojë një ATM (si psh depozitim parash apo dhe këmbim), nuk të marrin pagesën për energjinë pa librezë apo faturë me vete (o zot, në çfarë viti jemi?)

Dhe për ta mbyllur, kisha nevojë për një aceton dhe asgjë tjetër. Duke e ditur çfarë rrjete peshku janë supermarketet, për t’i ikur blerjeve të kota kapa punonjësen e parë, “Më fal të lutem ku të gjej acetonët?” “Te maniqyrët!!”
Ah. E di përmendësh ku janë manikyrët në këtë supermarket që kam hyrë 2 herë gjithsej, po thashë mos i vutë te orizi sot.

Edhe prapë së prapë bleva një vafer.

Këto s’janë veçse veprime rutinë. Mos paç punë në institucione më të sofistikuara, se e paguan 3 herë në javë psikologen dhe pas 1 muaj sorollatje ke filluar të kuptosh turbull nga muhabetet vërdallë çfarë dokumentesh të duhen, pse dhe sa kohë duhet për t’i nxjerrë. Harroje që do të të japë punonjësi civil  listë apo ta gjesh në internet. Ato janë “haram”.

***

Zotri, m’jep dekumentat.

Pse?

Për t’kontrolluar.

Leave a comment