Kujtim nga Suela Thanasi

Pavarësisht a mbani mend bananet e para dhe çokollatat Hilal,  vitet 90’ ndër të tjera ishin kohë ku shumë u pasuruan shpejt dhe pa bërë ndonjë punë të madhe; pasuar dhe me ca vite surreale kur i jepje dikujt ca para, dhe i merrje trefish.

Sot që kemi pjekurine e dime që siç fitohen lehtësisht, humben në kohë edhe më të shkurtër.
Mbaj mend që gjërat morën kot shumë shpejt. Si pa e kuptuar, u gjendëm të mbyllur nëpër shtëpi, mes oshëtimave, të pasigurtë për jetën… Të detyrar të gatuanim kulaç nga mungesa e bukës.

Shumë prej nesh që patëm fatin ta kalojmë këtë periudhë pa humbje madhore, përfunduam në rastin më të mirë mbipeshë dhe të trishtuar. Po të doje komunikim… World Wide Web ishte veçse një fidan. E vetmja mundësi për t’u lidhur me njerëzit ishte telefoni, për ata që kishin. Neve na duhej guxim të kapërcenim ballkonin te pallatet ‘Agimi’ e të shkonim te komshia.

I vetmi mjet kalimi kohe mbetej gatimi dhe libri, por në sfondin e plumbave të përditshëm edhe leximi i ndonjë libri, sado të mirë, bëhej i pamundur.

Nuk di ç’muaj ishte, sa kohë kish kaluar… Por fillova të evitoja pasqyrat e shtëpisë, aq shumë më trishtonin. E sa për shëndetin mendor… As nuk e dinim çfarë ishte.

Kështu u desh të mblidhja veten.  U ktheva nga çka e ka shpëtuar njerëzimin prej shekujsh: sporti dhe muzika. Nuk e di se si, ose nuk dua ta them se si  por arrita të gjej disa çelësa palestre dhe fillova të ushtrohem çdo ditë në biçikletë statike për 45 minuta.
Më kujtohet sa frikë pata herën e parë. Sajova 5 shula nga brenda dhe kisha hapur zërin aq sa mbante, në tentative për të asgjësuar zhurmën e plumbave.

 

Dhe kështu tre muajt e luftës së Shqipërisë me veten e saj, për mua ishin tre muajt e luftës me tulet e mia. Dhe duket se erdhi një ditë që fituam, edhe unë, edhe Shqipëria.

Pas pranverës së çmendur erdhi vera e qetë e më pas vjeshta normale kur vendi do t’i kthehej gradualisht rendit publik dhe qetësisë, në sajë të ndihmës nga forcat ndërkombëtare, të cilat në mënyrë indirekte u bënë edhe ndihmë për mua. Duke qenë se anglishten e kisha mësuar mirë, u punësova shumë shpejt si përkthyese me pagën më të mirë që kisha patur ndonjëherë deri atëhere ndonjë familjari im.

 

Për shumë shqiptarë, sidomos ata të cilët për fat të keq humbën njerëz të afërt të tyre, apo dikush që humbi një sy ose dorë, ky vit mbetet akoma më i vështirë. Megjithatë, për të gjithë, vera dhe vjeshta vijnë sërish.

Dhe unë, sërish… Mezi po e pres!

 

 

 

Leave a comment