Si shumë shqiptarë në 1997, pas shumë peripecirash për të dale nga shteti në mes të kaosit, unë dhe familja ime arritëm të ikim.
Motrat e mia dhe unë nuk ia kishim idenë; prindërit na thanë të merrnin gjërat më të vyera se do iknim në fshat pasi ka më pak rrezik plumbash. Rrugës për aeroport ndërroi historia. E unë, një vajzë në pubertet me emocione dhe mendime të turbullta, pasi dhe e kishim parë me sy potencialin ngaqë kishim mbledhur plumba qorrë në ballkon, isha e friksuar dhe po e kanalizoja duke menduar vetëm për Larën, macen tonë e cila nuk ishte me ne, por te komshinjtë 1 kat poshtë nesh, vajzat e të cilëve i kishim shoqe. Po sikur të iknin dhe ato? Po Lara?
Shkuam jashtë vendit, tek xhaxhai im. Edhe pse nuk kishim plumba qorr nga ku do ruheshim, ishim në një vend jo si turistë, nuk njihnim gjuhën e kulturën, dhe dilnim 1 herë në javë ose më rrallë, nuk dinim ç’bëhej me shtëpinë, dhe mezi lidheshim me të afërmit të siguroheshim që ishin mirë.
Prindërit shihnin lajme tërë ditën në shtëpi teksa të afërmit vazhdonin jetët. Me siguri shtypnin një depresion kolosal, që ne fëmijët nuk ia kishim haberin.
Unë luaja në oborr kur e lejonte moti, i cili ish i rrethuar me mure të larta. Një ditë hipa në shtëpi, turrem në dush, për të parë që… Kishin ardhur “komunistët”.
Apo “halla për vizitë” apo e thënë troç, diçka që njerëzimi e ka me inat ta thotë troç, përfshi dhe lexuesit që do të “ofendohen”, pasi problemet e vajzave nuk janë për t’u thënë troç.
Ato nuk janë probleme.
Janë gjëra të pështira, turp dhe tabu.
Më kishin ardhur periodat e para.
U tremba. Nuk e dija pse u tremba, dhe veprova si një njeri i frikësuar.
Ia fsheha mamit dhe motrës së madhe.
Fillova të vjedh peceta e të hedh të mbathurat. Fundja isha thjesht një fëmijë, qe po bëhej “grua”, çfarëdo kuptimi që ka kjo gjë, po nuk isha gati të hidhja hapin.
E shtyva kështu nja 2 ditë… Me mendime allasoj dhe ëndrra allasoj.
Druhesha se gallata do mbaronte.
Se nuk do më linte njeri të luaja më.
Se gjaku ishte turp, dhe ishte sinjalizimi drejt një bote shumë më të pakëndshme se ajo ku unë jetoja.
Se tani duhet të sillesha si e rritur, e të bëja gjëra që “bëjnë femrat”, e gocat e rritura, që do të thotë të pëshpërish për biologjinë tënde, të lësh argëtimin, pasi ato sikur janë privilegje për fëmijët dhe meshkujt.
Megjithatë s’mund të vazhdoja të hidhja mbathje dhe pas ankthit, dhimbjes së periodave e pagjumësisë, u desh t’i thoja mamit e motrës, të cilat sigurisht u argëtuan me këtë fakt, dhe ma bënë shumë të lehtë.
E pashë që mund të vazhdoja biçikletën e patinat në oborr, dhe me kalimin e kohës u qetësova dhe unë.
E ndava këtë histori se më kujtohet herë pas here, e paaftë të kuptoja pse u tremba aq.
Sepse ndoshta dhe pse familja ime nuk e kish bërë, shoqëria, legjendat, shkolla, filmat e ku di unë çfarë, më kishin bindur që problemet e vajzave nuk janë probleme.
Sepse vajzat nuk bëjnë dot ç’të duan pas një farë pike.
Vajzat janë sakrifica që shoqëria të ecë para.
Si e ndjera Rozafat; një legjendë që u pëlqen burrave, ndërsa mua ma kthen stomakun mbrapsht.
Çunat lozin, bëjnë gallatë, kur rriten bëjnë biznes, luajnë video games, janë shefa, çunat rrinë me këmbë hapur, boys will be boys! Gocat ulin sytë, kurrë me këmbë hapur, dhe kur gjoksi shfaq kokrrat e ke perioda, e ke vendin në kuzhinë.
Kur të rritesh po pate ambicje je kur*ë dhe sigurohu t’i falënderohesh zotit 7 x ditë që ke burrë e familje.
Të paktën për shumicën, botërisht.
E kjo, për mendimin tim, duhet të ndalojë urgjent.
Unë për vete, me aq sa munda, vazhdova bëra ç’desha. Edhe pas këtij momenti kulminant kur më erdhën periodat në mërgimin e pa dëshiruar nga ne.
Pas 2,5 muajsh u kthyem në Tiranë, për të kaluar verën brenda, përveç shkallëve të pallatit e ballkonit ku ia bënim ne dorë tankeve. Pecetat m’i sillte mami, të mbështjella me gazetë, siç ia mbështillte xhaxhi Bashkimi te kioska.
Macja ishte si top, dhe jetoi plot 15 vjet!