Shkrim nga Vefi.
Atëherë po më thua që ia arrite më në fund të ulesh tek tavolina e cunave. Po, patjetër që t’u desh më shumë se një dhjetëvjeçar punë profesionale, me gjasa duke u zënë sistematikisht me burrin për qasjen tënde mashkullore me punën në krahasim me familjen. Të kushtoi ca thinja, nja tri shtresa rrudha tek sytë dhe flokë, flokë që vijojnë të bien pa fund dhe ndonjë herë kur del nga parukeria mendon “bravo më qoftë që më kanë mbetur akoma edhe ca!”
Po fundja ti nuk di se si bëhet ndryshe. Që në shkollë kur të kërkonin t’u bëje hartim atyre që rrezikonin të ngeleshin, u thoshe “aman kopjoni timin, po mos më thoni ta bëj prapë”. Jo sepse përtoje por sepse nuk mund të bëje dot diçka shkel e shko. Thjesht nuk ke ditur të marrësh kurrë rrugën e mesme. Ke qenë më e mira dhe pavarësisht sa shumë e ke dyshuar veten, pas kaq shumë e shumë njerëzish e situatash, disa herë të fshehura mes entuziazmit fillestar të të qenit mes të ngjashmish, më në fund arrite ta kuptoje, shyqyr jo në prag pensioni, që në fakt në mos më perfektja, je më e mira nga ç’të rrethon.
Kjo sa i përket punës se është dhe ajo historia me nënën tënde super intelektuale që ndërkohë që lexonte libra dhe e vinte babain të nderte të brendshmet e gjithë familjes, kur i the për vendin tënd tek tavolina e burrave e para gjë që të tha ishte “Oh të keqen mami po shtëpia s’do të të shohë më fare”! Po ti gjithsesi bëre sikur nuk u lëndove, sepse ti fundja je si burrat, që nuk merren me gjëra të vogla por ecin e shohin para sypetrita.
Saktë? Hajde tani, s’ish kaq e madhe kjo e mamit kur ke bërë kaq e kaq herë sikur nuk je lënduar. Si tani, kur burrat e tavolinës kanë gjysmë ore që diskutojnë kush luajti më mirë në kalçeto një natë më parë e se sa birra u pinë: 30 apo 40 për kokë.
E ulur ne tavolinën rrumbullake me tabelat e ekselit në dorë i përfytyron duke shpullosur njëri-tjetrin prapanicave ndërkohë që midis vlerësimeve akademike që i jepnin asistentes së re të katit, me gjasa vendosnin me hundë fatin e tabelave të përgatitura me kaq diligjencë nga gocat e kontabilitetit. Fundja ku ta dinë të shkretat që janë departamenti më i prapambetur nga pikëpamja estetike. Si e di ti këtë? Po patjetër që e di në fakt, sepse pardje në të njëjtën mbledhje u diskutua pikërisht për këtë, ndërkohë që me delikatesën më të madhe çunat të diferencuan nga të tjerët duke të të dhënë maksimumin e pikëve për kombinimin e truve me look-un. Fantastike kjo! Ti ke koleget më të mirë në botë: të respektojnë, të trajtojnë si shok dhe së fundmi kanë pranuar që ty nuk të takon të mbash shënime më shumë se çdo njërit prej tyre.
E meqë nuk e bën asnjëri, atëherë keni ftuar atë asisteten e re që me këtë rast të ndihmojë dhe në zgjidhjen e dilemës së dy ditëve përpara. Shumë të mira janë tabelat që të kanë përgatitur. Gocat këtë radhë kanë ndjekur vijën logjike që u shpjegove, kanë bërë një super analizë kostosh që vë në dyshim praninë në tavolinë të së paku njërit prej çunave, qëllon që është ai që paguan gjithmonë birrat.
Dreq! E di çfarë?
Bëji mutin, thuaji ok asaj që qartazi kanë vendosur që dje dhe harroji tabelat. Fundja ka probleme më të mëdha kjo botë se frustrimi yt me tavolinën e çunave!