Qendër tregëtare në dhjetor, një atmosferë shumë më mikëpritëse se ajo e zyrës të paktën, nga ku dhe po vinin shumë vizitorë. Trashëgimtarët e George Michael kudo qofshin, sapo u pasuruan pakëz më shumë, pasi në qendër filluan tingujt e parë të “Last Christmas”.
Nga ashensori del i pari ai, vetullën e djathtë përpjetë, mjekrën e kuruar sipas standardeve të 2021. Më pas del ajo, me një shprehi të përgjithshme që tregon se ka mbi 10 detyrime e qoka që i vërtiten në mënyrë të çrregullt në kokë, shumica në emër të çiftit.
Ai duket se ka rreth 0 mendime të tilla.
Madje vetulla tregon që ai ndihet sikur po i bën nder asaj, duke e shoqurar në këto detyrime të mërzitshme.
Ndalojnë para një dyqani të madh me gjësende shtëpiake, me lloj lloj përqindjesh ngjitur në xham. Mjekër-krehuri ndjeu valët e para të nervozizmit ta kapëlonin. Ufa, tenxhere, rrugica, qirinj! Budallallëqe. Filloi të bënte rezistencë për të hyrë në të.
Ajo, me siguri jo për herë të parë, i shpjegon se pse duhet të hyjnë. Ai bën një gjest me kurrizin e dorës, që për ata që e panë, ishte shpërfillës. I ngriti të dyja vetullat teksa fytyra s’kish asnjë shprehi, dhe nxori telefonin e po e shihte.
Ajo i foli, ai nuk u përgjigj.
Atëherë ajo, pasi u mendua jo më shumë se 30 sec, kapi çantën e saj – një objekt i rëndomtë, me lëkurë të zezë vezulluese, varur në zinxhir një lodërz gjithë push rozë, dhe nxori portofolin. Çantën ia ngjeshi atij në gjoks, dhe hyri brenda.
Në krye të tre sekondave, vetullat ranë dhe shprehia e përgjithshme kaloi nga fodullëk në pasiguri klasike. Pa rreth e rreth, se mos i pa dikush.
Dukej sikur sa i dhanë lajmin që ka shkelur mbi minë dhe duhet të ruajë qetësine e mos të lëvizë. E zbriti çantën nga gjoksi dhe ashtu, pa lëvizur, skanoi ambientin sikur donte të dinte ku mund të fshiheshin të dy.
Mirëpo çantën nuk e fshihte dot. Lëvizjet e tepërta do tërhiqnin dhe më shumë vëmendje dhe të gjithë do dinin për gjënë e kobshme që i ndodhi atij.
Një çantë gruaje ishte në trupin e tij!
Dikur e mori guximin të lëvizë, dhe u mbështet tek ballkoni i qelqtë i qendrës. Kur e pa që askush s’po e shihte, e kapi vala e dytë e guximit, dhe u përkul e la në tokë pranë këmbëve të tij.
Askush nuk pa asgjë.
Mori frymë thellë dhe nxori telefonin sërish dhe tentoi të shfletonte mediat sociale.
“Çuno e kujtja është kjo çanta? Mos e lër në tokë se është gjynah. Varfërohesh!”
Një zonjë nja 2-3 dhjetëvjeçarë para tij, një brez me plot cilësi ndër të cilat spikatet nevoja e shumë prej tyre jashtë kontrolit për t’u thënë të panjohurve më të rinj se po bëjnë një gabim, e kapi çantën pa marrë leje dhe ia plasi në gjoks.
Ja ku jemi aty ku filluam. Pse s’ka ulëse kjo qendër? Futja kot.
E kapi me dorën e majtë dhe po e mbante sikur i kish thënë vetes “është thjesht çantë sporti // është thjesht çantë sporti // është thjesht çantë sporti”. E kapi sërish telefonin, po nuk po përqëndrohej dot.
Më në fund, pas 3 ose 30 minutash, ajo doli me 3 qese dhe filloi menjëherë t’i tregonte atij diçka.
Ai e shikonte vetëm nga duart, duke parë se në ç’pikë mund t’ia kthente minën me sahat.
Pas pak u kthjellua, ia mori qeset nga duart, dhe ia ktheu çantën. Vazhduan deri në fund të korridorit, teksa ai ecte një hap prapa, vetullat e mjekrën ulur, pa u ndjerë.