Nëse më duhët një ekzorsist për të ndaluar tim bir së derdhuri shampo apo së vrapuari me garuzhde, e kam gjetur: vendos në TV një nga këngët e Frozen dhe Frozen II: Ose Let It Go ose Into the Unknown, dhe ai vjen gozhdohet në divan, duke shtyrë dhe macen që i ka zënë vendin.
Duhet ta përdor me kujdes e di, se pastaj edhe kësaj metode fillon t’i venitet efekti.
Edhe nipat e mi, njësoj. Bashkë me 2 motrat e mia morëm dhe çunakët e vegjël për të parë Frozen II në kinema, ku të gjithë dolëm prej saj duke kënduar e duke ëndërruar.
Cdo gjë ok deri sa filloi të dilte natyrshëm jashtë familjes së ngushtë fakti se im bir vdes për Elsën. Aty filloi nuk e di as vetë ç’ta quaj.
Herën e parë ngela pak pa fjalë; herët e tjera fillova të vras mendjen shumë seriozisht.
“UA HAHA çuni yt pëlqen Frozen?? Po ai është për goca!!!”
Qyqja unë, po më çburrërohej djali e s’e dija.
Anna dhe Elsa janë 2 super motra princesha që jo vetëm s’kanë prindër, po as që presin t’ua zgjidhë hallet ndonjë princ a mashkull. Më duket se Disney po na lë të nënkuptojmë që nuk duhet aspak prezenca e një të tilli, përkundrazi, shpesh tenton të prishë punë.
Madje një herë Anna mendoi se u dashurua e do martohej me një princ pasi e njohu një darkë, dhe aq shumë e “tall” e motra saqë ky shpërthim adoleshentësh e përndjek edhe në filmin e dytë.
Anna dhe Elsa dalin në mes të malit, dëborës, oqeanit, për të zgjidhur vetë hallet e tyre.
Më vjen shumë mirë për ata që kanë vajza. Modele si këto të dyja janë ideale për vajza të vogla. Tërësisht në kundërshtim me teksa rritesha unë psh, dhe edhe më në kundërshtim me Disney të viteve 60. Unë adhuroja Ariel nga Sirena e Vogël. Ishte rebele, aventuriere, jashtë normave, kokëkuqe… Deri sa gjeti mashkull.
Po djali im pse nuk u dashka të shohë “filma gocash”? Do i rriten cica? Do çburrërohet? Apo do bëhet gej?
Apo më keq akoma: do shikojë një model femre që ende nuk është “mainstream”?
Ik o Blin shih filma me karate, makina, e gangsterra.
Pasi që kjo formulë, na ka treguar sukses të paparë në marrëdhëniet me njerëzit dhe gjinitë e tjera. S’e ke idenë bir, vetëm hap lajmet.
Po e drejtë, mbase Frozen nuk është për këdo. Nuk është për ata njerëz që e përqafojnë të renë, të panjohurën duke mposhtur frika personale, siç bën Elsa.
Nëse nuk doni me dalë nga zona e rehatisë, rritini djemtë si “djem”, e vajzat “si vajza”.
Unë, djali e nipat e mi po provojmë të ikim drejt të panjohurës. Into the Unknown.
Vitin tjetër me fustan, biles.