Foto: ASSOCIATED PRESS © AP 2009 Robin Williams, komediani me kaq jetë, ka luftuar tërë jetën me depresionin.
Para disa ditësh ishte dita botërore e çfarë do thoni ju? Se askush me popullaritet të mjaftueshëm nuk e pa të denjë të thotë dy rreshta për këtë gjë.
Ishte dita botërore e shëndetit mendor.
Një koncept po aq abstrakt sa makinat fluturuese me energji diellore.
Bëra pikërsisht këtë krahasim se ato janë të vërteta; siç është edhe shëndeti mendor, pa çka se e trajtojmë si lluks për njerëzit që jetojnë në filma.
– Ua, sa gjynah. Po ç’i ndodhi? Tha e njohura jonë e përbashkët kur po i tregoja për dikë që kishte javë që nuk del nga dhoma, me vështirë deri në pamundësi për të bërë veprime si larjen e dhëmbëve apo të lyesh bukën me gjalpë.
Shprehje e bukur kjo “gjynah”. Direkt mëshiron të tjerët dhe heq përgjegjësinë nga vetja.
– Ka vite që lufton me depresionin. I ikën, i kthehet. Kam idenë që familjarët nuk e kuptojnë sa duhet, dhe zakonisht përfundon direkt te psikiatri, i cili e dënd me ilaçe.
– Dakord dakord, po ç’pati? Apo ngaqë u nda nga XX?? Ee ma mori mendja.
– Besoj ajo i dha shtysën finale dhe të themi, po siç thashë në fakt ka kohë që vuan. Më në fund tani ka rënë dakord të shohë një psikologe 2 herë në javë. Shpresoj të ketë rezultate, dhe pse do duhet kohë shumë, për më tepër kohë e humbur duke mos kuptuar veten dhe duke mos u kuptuar nga të tjerët.
– E pra, se dëgjova që u ndanë një çikë brutalisht.
Si gjithmonë njerëzit dëgjojnë atë që duan, besojnë atë që duan, që ngjarjet të kenë kuptim. Të kenë fillim, kulminacion e mbarim.
Ah sikur të ishte jeta kaq e thjeshtë! Sikur çdo gjë të kishte një përgjigje të prekshme, dhe sikur koncepte e faza të vështira të shpjegoheshin me tre fjalë!
Ja që jeta nuk qenkërka ashtu, dhe sistemi shkollor, përrallat madje dhe prindërit, nuk ia dolën të na e mësojnë këtë gjë. Mbase është e pa mësueshme, boh. Një njeriu im i zemrës një herë më pat thënë: jeta ësht si një fushë kryesisht e gjelbër. Ke bar, bar…. Ndonjëherë ndonjë ferrë, e ndonjë herë ndonjë lule.
Po për disa është shumë ferra. Disa të tjere nuk kanë ferra me tepri, por kanë ngecur te një. Pastaj janë ata që rrinë mbi lule e s’lëvizin nga frika.
Nuk është kurrë vetëm një gjë pra. Nuk ka qenë, dhe nuk do jetë. Dhe nëse ti mendon se ke fakt flagrant, se 17 vjeçarja që pamë në lajme u hodh nga kati 12 se e la i dashuri, jo nuk është ajo arsyeja. Arsyet fillojnë mbase që në bark të nënës, dhe shumë shpesh amplifikohen nga mungesa e një veshi për të dëgjuar dëgjuar, jo për të vënë daullen në përdorim.
“For all my life, I don’t know even if I ever existed” // “Tërë jetën nuk e kam ditur a kam ekzistuar me të vërtetë” thotë Joker, luajtur mjeshtërisht nga Joaquin Phoenix. “You don’t listen, do you? I don’t think you ever really listened to me.” // “Po dëgjon apo nuk po dëgjon? Nuk më duket se më ke dëgjuar ndonjë herë”, i kthehet punonjëses sociale që i ka sytë në letër dhe kësaj here.
Nuk i takon prindërve të marrin vendim a janë fëmijët e vet mirë. “Hë se mirë je asigjë s’ke” është frazë dembele. Ata kanë për detyrë të pyesin, të vëzhgojnë, dhe mbi të gjitha, të besojnë fëmijën e vet. Faza “bën kot” fillon dhe mbaron me fëmijërinë e hershme ku përgjithësisht të vegjlit testojnë pushtetin për gjëra të parëndësishme si mos vajtja në shkollë e kopësht. Vetëm atëherë ka raste që bëjnë kot, sikur janë pa qejf.
Më pas, kurrë, po kurrë nuk bëjnë kot.
Nuk na takon neve të gjëjmë një arsye telenovelash pse X është në depresion. Nëse ta ndjen, dhuroi personit veshët e tu dhe empatinë tënde pa u hedhur në konkluzione. Nëse s’ta ndjen, trego respekt e ngri supet.
Dhe mbi të gjitha, të takon ty të parës të identifikosh kur nuk ndihesh rehat, dhe mos t’i hedhësh dhe sipër e të gënjesh veten çdo ditë, nga frika se po mërzit mamin apo bashkëshortin, tendeca e të cilëve është të të klasifikojë si “femër emocionale” kur je grua, dhe “burrë qullash” kur je burrë.
Nuk është kurrë një arsye.
Ama po i le të mblidhen, je duke ia futur vetes.
Nuk ka nevojë fare të degradojë puna tek depresioni për të folur me dikë, dhe për t’i bërë kontrollin vetes. Ne e dimë më mirë nga të gjithë si jemi, po nuk dëgjojmë veten. Pastaj na rrjedh në familje e marrëdhënie pune, duke përkeqësuar situatën, pasi të tjerët na shohin në thelb më shpejt seç e shohim veten.
Fol me njerëzit të cilëve u beson. Jo me patjetër meqë i ke afër janë për t’u besuar dhe anasjelltas. Mbase është ajo goca te klasa e jogës me të cilën ke shkëmbyer 10 fjalë, apo ai djali që vjen për vizitë të kushërinjtë në katin tënd.
Ndiq instiktet.
Dhe nëse e sheh që nuk po pi ujë, kërko urgjent ndihmë profesionale. Aha! Të degjova.
Sapo i the vetes “mirë jam shyqyr zotit s’kam nevojë për psikolog unë!” a thua se të flasësh me psikolog, të fut ty në gamën e psikopatëve.
Dije që pavarësisht opinionit të atyre që të rrethojnë dhe opinionit publik këtu në rajon, shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa diabeti e sëmundjet e zemrës. Dhe po ashtu siç nuk duhet të presësh zemrën të bëjë infarkt që të kujdesesh për të, nuk ke pre pret kolapsin tënd të plotë, për të folur me dikë.