Photo by Greg Rakozy on Unsplash
Si një anëtare tipike e brezit tim dhe dhe anëtare e komunitetit që nuk beson dot se surprizat e pa kërkuara të jetës shtyhen pa humor, kaloj shumë kohë duke parë meme. Madje kur më çon të dielën iPhone raportin se sa kam ndenjur në ekran, kam filluar i kthehem “po ty kush t’pyti?”
Memet e fundvitit të preferuara janë të natyrës: “çfarëdo premtime që je duke i bërë vetes e botës për 2020, do jesh po i njëjti trashaluq (duke qenë së premtimi i parë është palestra) dhe e njëjta “rob i keq”, kshu që vazhdo ha panetone, etj.
Më pëlqen edhe sa realistë kemi filluar të bëhemi si specje, dhe si komb e kemi kapur kët’ trend. Themi të vërtetën pa të keq, sidomos në emër të humorit.
“E vërteta nuk do t’ia dijë për nevojat apo dëshirat tona. Nuk i intereson për qeveritë, ideologjitë, fetë. E vërteta do të rrijë aty duke pritur, përjetësisht.” (nga mini seria “Chernobyl”).
Humori atë ka bërë tërë jetën e vet: ka thënë të vërtetën në një mënyrë që ne mos të ofendohemi nga brutaliteti i të vërtetës.
E ndërkohë që nuk kam ndonjë plan konkret se ç’do bëj me harqet jo natyrale mbi vithet e mia, kam patjetër plan të them të vërtetën gjithmonë e më shumë, pavarësisht se sa rrudhet dëgjuesi. Pasi këto rrudhjet e dëgjuesve të ndryshëm, më mësuan të gënjej që në adoleshencën e herët, dhe gënjeshtra nuk më vjen aspak natyrale.
Dhe siç edhe memet e fundvitit ironizojnë pa mëshirë faktin që njeriu nuk ndryshon dot brenda natës e as muajit… Edhe unë bie dakord se netët e gjata të ftohta të janarit nuk kanë aftësinë të ndryshojnë me magji në një njeri më “të mirë” – patjetër sipas përkufizimit tënd personal se çfarë të bën ty “më të mirë”. Nuk janë as ftuese të dalësh për vrap.
Por janë të mira për të ndenjur me veten tënde, dhe nëse ka ndonjë hap konkret drejt transformimit të vetes aty ku ti mendon se duhet të jesh, është reflektimi.
E për atë, ka gjithmonë kohë.
Siç ka dhe stomaku gjithmonë vend për ëmbëlsirë.
Rrotullim të lumtur rreth diellit!