Herët kam lexuar diku se Mbreti Zog është shprehur se e ndjente veten si mbret i 3 milionë mbretërve. Pastaj lexova që në fakt e ka thënë Konica si diçka filozofike mbi të qeverisurit të shqiptarëve.
E unë bëj ç’bëj i rikthehem kësaj shprehjeje, çdo herë me një dimension të ri. Sepse kushdoqoftë ai që e ka thënë, është në tërësi e vërtetë.
Do cilësoj 2 dallime, ama. E para shifra 3 milionë (apo 10, megjithë diasoprë?) përgjysmohet direkt. Gjinia femër nuk është pjesë e këtij ekuacioni. Gjinia femër shërben, shërben, dhe shërben ca më shumë.
E dyta, këta mbretër që rriten në këtë territor kaq të vogël, kaq magjepsës, kaq me tehe, me kripë e diell, për fatin e tyre jo fort të mirë dhe pa as edhe një përgjegjësi personale, proçesin e mbretërimit e kanë pak për së prapthi.
Fillon nga fundi në fillim.
Si Benjamin Button, i cili lind plak, dhe ves i porsalindur.
Prindërit e rinj i gëzohen lindjes së djalit si do t’i gëzoheshin ardhjes së Mesias. (Ka ardhur apo jo ndonjë here ai, e diskutojmë një herë tjetër) Një pjesë patjetër rrudhen kur është vajzë, e ata të paditurit fare, e abortojnë.
Që në lehoni fillon rritja e djalit sikur lindi direkt mbreti, e jo sikur lindi djali i mbretit, siç edhe ka pas shkuar ky proces në monarki. I puthin gjenitalet shkallëve, bëjnë kurban edhe kur s’kanë. Vendosin çdo femër në familje në shërbim të tij dhe teksa djaloshi rritet, i jepet në fytyrë gota e ujit, i rregullohet krevati teksa ai lan dhëmbët.
Nuk i prishen teka për objekte përtej mundësive familjare. Këta prindër, e këto nëna, pasi mua më duhet me dhimbje të drejtoj gishtin më shumë nga nënat se nga baballarët duke qenë se këta të fundit nuk para e quajnë burrëror prindërimin… Këto nëna e bëjnë këtë lloj prinërimi brez pas brezi, edhe pse nuk kanë kapitale të asnjë lloji. Nuk kanë kapital financiar, nuk kanë kapital të rrjetit të gjerë të njohjeve (kapital shoqëror), e as ndonjë kapital intelektual të spikatur.
E ndërkohë, këta djem po bëhen adoleshentë.
S’kalon shumë dhe janë burra tashmë. Çuditërisht (për mua jo!) çdo ditë më të frustruar, më topolakë, më pak gazmorë.
Ngadalë po me vendosmëri, po i kapëlon e vërteta të cilës sa më shumë të piqen nuk do i bëjnë dot bisht.
Hap pas hapi po kuptojnë që në të vërtetë, salltanetet morën fund me vaktin kur ishin në protektoriatin e plakës.
Në të vërtertë nuk kanë në pronësi asnjë pallat me 68 shërbyes që flenë nëpër bodrume.
Ishte thjesht mami, me asistencë motre, në prezencë të saj. Ato i shërbyen dhe nuk e lejuan të aftësohet, duke krijuar iluzionin që s’i duhet të bëjë shumë në jetë, dhe në mënyrë indirekte atij iu mbi ideja që do të jetë gjithmonë dikush në funksion të tij.
Mirëpo mami nuk ka ç’ofron më, dhe motra ka vazhduar përpara, sepse duke u trajtuar si dytësore, ajo në fakt ka mësuar shumë më shumë të jetë e zonja e vetes.
Nuk paskan as kapital financiar. As bota nuk është e tyrja. Dhe pa gjetur ndonjë nuse, nuk do u shërbejë njeri. E prapë, as ajo nuk shërben si plaka.
Nuk paskan kujt t’i drejtohen.
Nuk qenkërkan mbretër.
Nuk paskan asgjë përveç se jetës dhe rëndomtësisë së saj, që kur ke shëndetin, është pasuria më e madhe në këtë planet të vetmuar.
Dhe kur nuk je pajisur që në gjenezë si të përballesh me këtë vetminë e të qenit adult, shpërthejnë jo rrallë titujt që ndosin news – feedet.
25 vjeçari vrau shokun për motive të dobëta.
28 vjeçari vret gruan, krim pasioni. (Cfarë dreqin do të thotë “krim pasioni”??)
Kapet 21 vjeçari me 18 kg kokainë.
.
.
.
Të gjithë në kërkim të mbretërisë së premtuar.