Një shkrim nga Erisa Dervishi.
Sa herë që ka protesta me karakter feminist, na preken ca sedërmëdhenj rrjetesh sociale me justifikim “parrullat” me gjuhë dhune apo diskriminuese ndaj gjinisë tjetër.
Madje ka nga ata që mburren me faktin se sipas statistikave, Shqipëria është një ndër vendet me përqindje më të ulët të përdhunimeve në botë, dhe i etiketojne këto protesta si “marshime tangërlliksesh”. Po e njëjta statistikë, tregon se dhe Suedia është në 10 vendet në botë me nivelin më të lartë. Vërtet e besoni ju që e postoni këtë? Po sikur, sikur, sikur… kjo të vijë nga fakti se Suedia ka një standard tjetër për ngacmimin e dhunën seksuale? Që është e dënueshme me ligj si përdhunim edhe kur dikush të ngacmon seksualisht kundër vullnetit tënd pa penetrim, apo kur dikush kryen marrëdhënie seksuale me dikë tjetër në një situatë vulnerabël (frikë, dehje, apo jo 100% në gjendje të ndërgjegjshme), sepse pala tjetër nuk ka arritur të thotë specifikisht “jo”?
Patjetër që shteti dhe instancat e tjera janë ato që e kanë bërë të mundur këtë gjë në Suedi, por kjo ka ardhur dhe si pasojë e lëvizjeve të shumta feministe. Patjetër që dhe në Shqipëri shteti duhet të marrë masat përkatëse ndaj abuzuesve, por fitorja më e madhe e këtyre protestave është ndërgjegjesimi i vetë grave pikë së pari që përdhunimi nga burri i saj është po aq i dënueshëm sa ai nga një i panjohur, që babai, kushëriri, apo kushdo tjetër në fis duhen denoncuar pa pikën e mëshirës dhe ndrojës se do prishet marrëdhënia (tashmë e kalbur!) e një fisi të tërë; që dikush që abuzon me ty duke të shantazhuar është thjesht një mi kanalesh që mund të zmbrapset direkt nëse ka presion publik (nga të afërm, organe shtetërore, etj.).
Për sa i përket parrullave, të gjithë e dimë se sa më gjithpërfshirëse të jetë gjuha e përdorur, aq më shumë dhe mirë do përcillet mesazhi yt. Por protesta nuk është as një takim diplomatik, as një prezantim në një auditor të caktuar. Në atë shesh gjithsecili shpreh revoltën e saj/tij personale që vjen nga shpirti. E ndonjëherë me shpirt të vjen të shash e të mallkosh në situata ku ndihesh e pavlerë dhe e pafuqishme. Nuk di ju si u ndjetë, por unë u ndjeva e dështuar që ne si shoqëri prodhojmë individë që përdhunojnë një 15-vjeçare. Dhe e gjithë kjo më bëri të mendoj për abuzuesit që kam njohur në jetën time, nga ata të dhunshmit e deri tek maestrot e manipulimit të mendjes. Pasi të mbaroni së lexuari këtë burrecër-paradë, përcaktojeni vetë ju me ç’pankartë duhet të kisha dalë unë në atë protestë!
Ky shkrim eshte sidomos per ju maçot e prekur nga mesazhet e protestës, që në vend që të reflektoni: “Ore kaq keq qenka shumica e meshkujve shqiptarë sa ato vajza e gra arrijnë të shkruajnë mesazhe të tilla?”, përpiqeni të intimidoni e tallni vajza në lule të moshës e gjithë gratë e tjera që morën pjesë në marshimin më domethënës për çdo grua që është dhunuar në një farë mënyre ose një tjetër.
Ja ku po ju numëroj unë disa nga episodet më mbresëlënëse te jetës sime me burra nga më të sëmuret e deri tek ata më pak frymëzues që nga koha kur kam qenë në fillore e deri në fakultet:
Zeni, një djalë adoleshent me pak prapambetje mendore, që të gjithë e trajtonin si të parrezikshëm, ndërkohë që ishte tmerri i vajzave të vogla. Zeni ishte roje tek shkolla ime fillore. Një ditë Zeni kur isha në oborrin e shkollës (do kem qenë 7 vjeç), më vjen dhe më thotë: “Do të futesh e para në klase?”. Mua si fëmijë m’u duk një privilegj shumë i madh e pranova. Por kur futem në klasë Zeni më ndjek nga pas. E kam shumë të gjallë imazhin kur përpiqet të mbyllë derën e klasës nga brenda. Dera fatmirësisht ishte e prishur, kështu Zeni dorëzohet me derën e cila mbetet e hapur dhe më vjen shumë afër ndërkohë që unë isha ulur tek banka ime. Unë tmerrohem e vrapoj direkt jashtë.
Ndoshta organi i parë gjenital i seksit të kundërt që kam parë live ka qenë i manjakut të biçikletave që ka pasur një barakë për shumë vite me radhë mbrapa Shkollës së Bashkuar. Ky vemja perverse dilte tek dera e barakës, ulte pantallonat dhe ia tregonte penisin çdo gruaje, e vajze që kalonte, vetëm apo në grup të ishim, pa dallim moshe. Organin e tij e kam parë që nga mosha 11 vjeç ndoshta e deri kur mbarova gjimnazin. Në gjimnaz për rastesi, e pashë një mengjes të dilte nga shtëpia bashkë me gruan dhe fëmijët. Çdo ditë në gjimnaz kam ëndërruar t’i shkruaj një letër anonime gruas së tij. Më ka rrahur aq shumë si çekan në kokë ai mendim, por asnjëherë nuk pata guximin ta bëja. Gjithsesi sot mendoj që letra nuk do të kishte pirë ujë, por si nuk më vajti një herë në mendje të merrja policinë e ta denoncoja? Dhe e dini pse nuk reagova siç duhet? SEPSE NE ATO KOHE NUK KISHTE PROTESTA SI KETO FATKEQESISHT, e unë e shumë të tjera të ishim më të ndërgjegjshme për akte më konkrete.
Pastaj në pubertetin e hershëm zunë një vend konstant për shumë vite gjithë langot e lagjes që rrinin në një pozicion strategjik në pika strategjike ku monitorohej lagja + rruga, që e kalonin ditën me ndonjë 100 lekësh për fara, që mund të ishin mbi 18 vjeç kur unë isha vetëm 12, e qe nuk janë lodhur duke më fishkellyer, më komentuar çdo pjesë trupi, çdo rrobë, e ndjekur me biçikleta. Shumë ngacmime brenda një dite.
Apo një ndyrësirë tjetër, për të cilin pata guximin t’i thoja prindërve, të cilët u ankuan më pas tek prindërit e tij, dhe për muaj të tërë më shante “Te q….a robt” sa herë që kaloja.
Apo në klasë të shtatë, kur mësuesja doli një moment nga klasa e ne u mblodhëm të gjithë kala-dibronçe për të parë notat në regjistër, dhe unë me cep të syrit shoh një çun të klasës i cili shtyn drejt turmës dhe fërkohet nga pas vajzave të përkulura para, ndërkohë që iu buzëqesh gjithë krenari shokëve. Shpresoj që ai sot është një burrë me mend në kokë, por dy reagime të pakëndshme ndodhën nga ai episod. Unë shkoj në shtëpi e revoltuar nga ngjarja dhe ia tregoj mamit pa qëllimë për të shkaktuar pasoja. Ime më, pa më thënë mua, shkon ankohet tek mësuesja kujdestare, e cila ia raporton të ëmës së djalit (po mësuese në atë shkollë). E ëma e djalit vjen në mes të klases, dhe më thotë: “Ti ke gënjyer se djali im nuk bën gjëra të tilla”, kurse reagimi i djalit ishte: “Edhe sikur ta bëja ate gjest, nuk do të kisha zgjedhur ty hiç, kështu mos ki merak!”. Dhe ja unë, një vajzë, u bëra të ndihem si leckë, në vend të agresorit.
Pastaj kemi manjakët e autobusëve, që falënderoj veten që kam pasur guximin t’i turpëroj publikisht. Por, e keni idenë ç’do të thotë të prekesh 1 herë, 2, 3 herë nga mbrapa dhe pastaj të mendosh: ”Po prit dhe pak para se të reagosh, se mos ndoshta vërtet ishte ngushtë?” E ca sekonda më vonë që të duken minuta, kur merr guximin të kthesh kokën, sheh një fundërrinë të jargavitur me sy gjysmë te]ë pulitur nga kënaqësia e vjedhur e me organ të eksituar nën pantallona, me raste dhe i ekspozuar jashtë tyre, e të vjen ndot nga vetja dhe per ato pak çaste që prite pa reaguar.
Ju burrat e parisë, e dini sa herë mund të me ketë ndodhur kjo gjatë viteve që kam frekuentuar rregullisht autobusët? Minimumi 100 herë! Një ndyrësirë tentoi të më fuste një herë dorën nga para se po qëndronte anash meje! E dini se sa shpesh reagonin të paktën në kohën time vajzat e gratë në situata te tilla? Pothuajse asnjëherë! U duhej të prisnin me shpirt ndër dhëmbë deri në statcionin tjeter per te zbritur!
Lëre kur kujtoj episodin e hidhur te gjimnazit me një fotograf që kishte studio afër shkollës së bashkuar. Një ditë rrugëa për shkollë, shoh një shoqe të klases që e kishte ndaluar ky tipi dhe nga mënyra se si po i fliste e kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Ajo pasi ndahet me të, vazhdon rrugën dyllë e verdhë ne fytyrë dhe gati për të qarë. Unë marr guximin, i afrohem dhe e pyes specifikisht për atë personin. Pasi bëri rezistencë nga frika, në fund bindet dhe më tregon që kishte krijuar një lidhje në distancë me një djalë ne Angli, dhe kishte vendosur të bënte disa foto tek ky palo fotograf që t’ia çonte atij djalit. Fotot ishin thjesht një vajzë që pozonte në studio që të dukej bukur. Fotoja e vetme e “ekzagjeruar” ishte një foto ku shoqja ime kishte veshur një këmishë pa sutjena poshtë e cila ishte e zbërthyer. Fotograf ndyrësira, kishte mbajtur kopje të fotos dhe e shantazhonte vajzën se do ia tregonte prindërve të saj nëse kjo nuk i çonte 200 mijë lekë të vjetra.
Ajo donte të gjente lekët, por unë ia mbusha mendjen qe te shkonim bashkë pas mësimit dhe do merresha unë me atë langaraqin. Hyjmë dhe unë i them: “Jepi urgjentisht vajzës filmin, është nën moshë. Nëse nuk e bën, të sjell gjithë mediat këtu e të denocoj tek Fiks Fare” (sa kish filluar).
Dhe aty, hëngra shkelmin e parë dhe të fundit nga një burrë. GJithsesi ajo mori zemër dhe dërgoi një kushëri që e zgjidhi pa dhënie parash.
Apo të mos flasim për atë lëtyrën që më ka bërë të urrej plazhin e Shëngjinit vetem sepse u ndesh me mua gjatë shëtitjes buzë bregut, dhe meqe pa gjoks të bollshëm, mendoi se ka të drejtë të lindur t’i fusë një të shtrydhur kështu për fiksim në ecje e sipër. E dini që po të kisha pasur forcë fizike apo ndonjë armë me vete kush di ç’do i kisha bërë?
Apo jashtëqitja me 4×4, qe sheh një grup vajzash duke kaluar rrugën dhe vendos t’i jape gaz qe t’i trembë se komandohet nga hormone e jo truri. Unë ndaloj: “Më shtyp po ta mbajti”, ai zgërdhihet e ma kthen: “Qenke trime ti”, por pasi merr një të sharë nga unë del për të më rrahur. Po s’ka ç’bëjë, bllok.
Pastaj hidhemi tek kategoria e atyre te frikshmëve, që kanë aq edukim dhe oratori sa për të të bërë për vete, e pastaj të mbajnë me manipulime e shantazhe. Pas protestes së para një viti për fëmijërinë e vjedhur, u njoha dhe me Donald Pllozhen, fotografin që mbrojti publikisht rojen përdhunues 65 vjeçar me argumentin se vajzës për sa kohë që i kanë ardhur menstruacionet nuk quhet përdhunim? O Donald perversi, mua kur më erdhën ato në moshën 11 vjeçare vazhdoja ende luaja me top poshtë pallatit me fëmijët e lagjes. E mira e gjithë asaj deklarate publike ishte se Donaldit iu kthye në bumerang sepse shumë minorene filluan ta denoncojnë publikisht për favore seksuale me shantazhin se ka pasur foto të tyret kompromentuese.
Pastaj kemi dhe grupin bonus, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me protestën, por është potencial meshkujsh abuzues. Ai është grupi i bastexhinjve, bixhozxhinjve të sëmurë e parazitëve kronikë që rrinë në media sociale gjithë ditën, duke filluar nga ata më të paedukuarit, që dhunojnë gratë e ua marrin rrogën për ta shpenzuar brenda ditës, ata që rrjepin pensionin e prindërve, ata që nuk e marrin mundimin të punojne për 24 mijë lekë të reja rrogë në muaj, por i detyrojnë gratë e tyre të bëjnë nga 3 punëra, e deri tek ata më të shkolluarit që gënjejnë veten se e kanë situatën në dorë duke e mbajtur komplet familjen ne errësirë, por pastaj fillojnë diktohen nga shoqëria pasi marrin poshtë e lart borxhe që as do marrin mundimin t’i kthejnë. Kjo kategoria e fundit më kall datën, sepse në shumë raste ata kanë për krah gra të shkolluara e edukuara, por që u besojnë verbërisht (sepse gra të tilla as nuk do fillonin një marrëdhenie tek e cila nuk do të besonin verberisht), dhe që një ditë do u bjerë tavani mbi kokë!
Kemi dhe kategorinë e xhentilave të shtirur e posedues në të njëjtën kohë, që duan të të “mbrojnë”, të kujdesen për ty, që të shohin shtrembeër po e ekzagjerove me fjalorin (fjalët e pisëta janë e drejtë e burrave!), ata që të diktojnë veshjen. Ata trimat që ofendohen rëndë po deshe të paguash ti, e nga ana tjetër kanë frikë të të përcjellin deri poshtë shtëpisë se mendojnë që familja jote do jetë aq patriarkale sa e tyrja e do ju fejojne me dhunë. Eh, sa kam hasur te tille!
Le të mos flasim per vipat tanë meshkuj, që mendojnë se janë shumë mendjehapur për faktin e vetëm se kanë përkrah po gra të spektaklit, por dinë të bëjnë vetëm humor seksist e vuajnë nga ajo që quhet “Unconscious bias”, e as që konsiderojnë reflektimin. Këta që mbjellin gjuhë diskriminuese apo e trajtojnë gruan si objekt nëpër audiencat e tyre janë pjesë e problemit, e jo fjala “k*r” e shkruar në një parrullë.
Jam e vetëdijshme që kam pasur fatin të përjetoj vetëm majën e akullnajës, sepse kam pasur një baba që më ka lënë të lirë, një vëlla të mrekullueshem, e sot një bashkeshort qe do kishte dale me mua ne proteste po te ishim aty. Kategoritë e burracakëve të përmendur më lart, jo me patjetër janë pjesë e rrethit tënd të ngushtë, por ti i ndesh kudo madje i ke dhe në fis madje. Në nënndërgjegje na është ndërtuar që të kemi frikë e pështirosje ndaj tyre.
Prandaj për ju vajzat e reja me ato parrullat e guximshme: dijeni që burra mendjehapur, të edukuar, të kulturuar, me hobi dhe pasione, që vlerësojnë lirinë dhe karrierën tënde, respektojnë vendimet e tua, ka! Patjetër që edhe në Shqipëri, edhe pse të paktë! Jashte Shqiperise gjithashtu. Me siguri keni baballarë të mrekullueshem që kanë rritur vajza kaq luftarake! Nëse nuk keni gjetur mjaftueshëm meshkuj të pershtatshëm me idetë tuaja mbi jetël, kjo do të thotë që ende nuk i keni ndërmarrë gjithë eksperiencat e duhura, prandaj krijojini vetes mundësi të reja, njohje të reja, udhëtoni, shijoni kënaqësinë që të japin bisedat me njerëz nga botë të ndryshme.
Kurse ju motrat e ngecura në lidhje toksike, jepuni duart burrave mediokër para se të jetë tepër vonë, që kujtojnë se kanë arritur emancipim vetëm se pranojnë të krijojnë lidhje dhe me partnere jo të virgjëra
.
Le të bëjmë të mundur që në të ardhmen këto biseda të duken demode duke rritur djem që vlerësojne lirinë e mendimit dhe veprimit tek gjinia e kundërt, djem të cilëve nuk u bën pershtypje të shohin një grua nudo në një protestë, edhe pse mund to mos ndajnë të njëjtin mendim për formën e protestës!