Pashë një ëndërr.
Isha e lumtur duke rrëshqitur me biçikletë në një rrugë të drejtë, e pa penguar nga makinat, nën gjethet e pemëve. Siç e kanë ëndrrat, nuk mbaj mend as nga po vija as nga po shkoja; di që po ndihesha mirë, mendimet po qarkullonin deri sa u zgjova nga mjau-itjet e Rios që i hahet gjithmonë.
Kur po përpiqesha ta zbërtheja, pata parasysh që shpesh ëndrra nuk është asgjë misterioze që po kumbon diçka të thellë në jetën time. Në fakt, në ëndërr isha duke i dhënë biçikletës në bllok, një gjë që e bëj shumë shpesh dhe me sytë shumë hapur. Dhe kohëve të fundit, kjo lloj xhiroje në bllok është vërtet e ëmbël.
Aty u kujtova se sa shokë të vjetër jemi blloku e unë, sa na kanë parë sytë, sa shumë ka ndryshuar ai, sa jam rritur unë. Duke vijuar atë që ëndrrat jo me patjetër janë letërsi ku zysha do gjejë kuptim me zor, m’u kujtua që para ca ditësh kisha parë një artikull artificial gjithë përgjithësime dhe fraza të babagjyshit të tipit “në bllok të hedhin drogë në pije”, dhe kënaqësia në ëndërr ishtë thjesht një kundër-reagim i shkrimeve pa përmbajtje për klikime.
Nuk ka nevojë të konsumosh drogë ta dish që s’ta hedh njeri në pije pa të keq. Shih Narcos apo El Chapo, për të parë sa njerëz vdesin e sa rritet çmimi që kokaina të vijë nga Amerika e Jugut deri në bllok, e jo vetëm që nuk ta sprucon njeri në pije, po kush e di në ç’qorrsokaqe duhet të futesh që ta gjesh shumë shtrenjtë.
M’u kujtua kur blloku ruhej me ushtarë tek ura e vogël dhe te garda. Nuk të ndalonin të hyrje, por të skanonin nga këmbët te koka shoqëruar me ndonjë “koment ushtari”. Atëherë ishte një shëtitje edhe më e këndshme se sot nën pemë, ama tërësisht pa makina. Tek tuk ndonjë kafe dhe adoleshentë që po ecnin mbi tokën e ndaluar.
M’u kujtuan kur filluan lokalet e para po në këto skaje të tij dhe diskoteka ditore në hyrje të liqenit. Tanimë jo vetëm mund të shëtisnim, por dhe të pinim çaj me fruta pylli / Coca Cola me ndonjë cigare të hapur tek tuk e na dukej vetja si të pavarur. Aty dhe filluan historitë e para. “E di ti që të gjitha vilat e bllokut janë të lidhura me tunele? Pse, si e vrau Mehmet Shehun Enveri kujton ti?” “E di ti që ka një tunel që shkon drejt nga shpia e Dullës drejt e në aeroport?”
Të gjitha i besoj sot e kësaj dite, siç ka ditë që s’i besoj.
Blloku më pas nuk mbahej dot më me 2 ushtarë me kallash. U ndërtuan pallatet e para të këqija që ende të vrasin sytë. “Ky pallati u ndërtua shtrembër. Ndaj dhe po ndërtojnë të tjerët aq ngjitur tij, që mos të bjerë. S’e dije?”. U hapën agjenci e lokale në çdo rrugë, bare nate ku me thënë të drejtën, mbizotëronte ende mentaliteti ‘i motrës’ dhe ne ndiheshim të sigurta. Shpërtheu karaokja, ëmbëlsirat franceze, sanduiçet legjendare, vodka+redbull për 100 Lekë (a thua vallë do e dimë ndonjë herë çfarë përbërisish kish ajo që ata quanin ‘vodka’ apo ‘redbull’?), piktorët që bëjnë replika identike të fotove të tua. Gjatë ditës derdhej betonierja, erdhën zyrat qëndrore të kompanive të huaja, erdhën bankat, e më shumë zyra. Ne u rritëm, e tani punonim aty. Kishim mendjen të na kapte syri çdo mëngjës gratë e bukura të ish-bllokmenëve, të shihnim ndonjë biznesmen te dalë nga burgu që ndonjë herë dhe hanin dajak; artistët e përgjumur që i ka nxjerrë ndonjë punë në mëngjes mes “njerëzve katrorë”.
Dikush pastaj riktheu në modë mbjelljen e pemëve, dhe Wallstreet-i shqiptar po merrte formën e vet natyrale.
Sa marrëveshje që i kanë ndryshuar jetën këtij vendi, sa ide novatore, dhe sa nisma artikstike kanë ndodhur në bllok! Madje dita ditës merr gjithmonë e më shumë një formë më civile: me gjelbërim, biçikleta dhe profesionistë gjatë ditës, lokale kreative ku gumëzhijnë të rinj shqiptarë, italianë që jetojnë këtu e të huaj që kanë lexuar në Trip Advisor gjatë natës.
Thoni e lexoni ç’të doni, është zona më e dashur e qytetit. Dhe si e tillë, nuk mund të presim të jetë as pa krim, as e lirë si kafja e lagjes.
Mjafton mos t’i qasesh me Ferrari duke xhiruar gomat; por të depërtohet qetësisht me këmbë apo biçikletë, dhe gjëra shumë të bukura do të ndodhin, herët a vonë.