Ah, parku Rinia.

Në plogështi nga shiu e balta prej muajsh tashmë.

Dhe më jep përshtypjen që në ditë si këto, pa shumë fëmijë, qen e turistë, i kujtohen gjëra. Nga adoleshentët që shponin venat me heroin në vitet 90′ sepse nuk i kishin më prindërit në shtëpi, e deri te gjyshet e 2026 që ndjekin ndonjë nip a mbesë – jo se u jep kënaqësi, po se nuk  dinë asnjë rol tjetër për veten e tyre.

Gjithsesi është dhe një kujtim tjetër me rëndësi nëpër shtigjet me baltë të parkut Rinia, që çdo vajzë e grua që po lexon, e ka përbrenda.

Kss ksss.
Pss pss.

Të hongsha…

A ka mundësi 1 minut?

Dhe me orë pervese biologjike, a e mbani mend kur të gjitha këto ngacmimie ndaluan për ne?

Ta kujtoj unë.

Tek 19-20 vjeç-i. “U rritëm”. “U plakëm.”

Mesoburrat me probleme me prostatën vendosën që ishim tepër plaka për kss pss. Tani kishim detyrë të merrnin atë diplomë, të gjenim ndonjë 8-orarësh, të vinim në shpi të rraskapitura për të filluar 8-orarëshin e dytë me burrin, shtëpinë, fëmijët e vjehrrit.

Se vetëm burrat lodhen në punë, të kuptohemi drejt.

Po siç thamë, ks-ps-tet ndaluan për ty, se kalove 20 vjeç. Vazhdojnë për adoleshenet, të cilat dhe po nuk ua bënë psss kss te parku Rinia, ua bëjnë në TikTok, në hyrje/dalje të shkollës, në WC e shkollës nga djemtë e edukuar nga Big Brother dhe mesoburrat e asaj shtëpie që po luftojnë me jetën e tyre për t’i fshehur ekranit se sa të dhunshëm dinë të jenë.

Fizikisht, emocionalisht, dhe mendërisht.

Këta burra… Këta burra të adhuruara në masë në mënyrë të frikshme nga kush do thoni ju? Pa hë?

Nga gratë.

Të pa informuara mbi sindromën e Stokholmit, të pa informuara mbi autonominë e trupit dhe mendimit, çdo të shtunë shikojnë televizor (teksa gatuajnë ose hekurosin) dhe ëndërrojnë që këta burrat që mezi po fshehin dhunën në ekran, janë ata “alfa”-t, ata maçot që në vegimet e tyre të pak minutave para se të  dalin nga krevati çdo mëngjes për t’u shërbyer të gjithëve, këta burra ekrani do i nxjerrin ato nga mjerimi ditor i të shërbyerit, edhe kur flenë.

Kush bëri pss pss? Apo jam unë me halucinacione.

Nuk jam me halucinacione, jo.  Mbaroi pss-pss te parku Rinia, dhjetëvjeçarë më parë, se aty janë pedofilët bazikë. Po për sa kohë një grua është “pjellore” apo thjesht “gjallë”, nuk mbaron jo.

Vazhdoi kamufuluar me pedagogët në universitet.

Vazhdoi në punësimet e ndryshme.

Në një pikë të jetës sime, andej nga fundi i 20-tave fillimi i 30-tave, nuk e dija më nëse mundësitë që më vinin pa i kërkuar unë, ishin nga talenti im, apo se isha një vajzë “ende pjellore” që mund t’i realizoja ato çka më kërkoheshin?

Po e ndjej, pa ma thënë në fytyrë, komentet. “Hë tani dhe ti se nuk është çdo gjë lidhur me gjininë dhe seksin”. “Patjetër që të kanë marrë se ke ditur të bësh punën çfarë ka lidhje që je femër? Futja kot tani”.

Dhe fatkeqësisht, këto zëra që po i dëgjoj në kokë, janë mbi gjysma gra.

Mirëpo kur vjen puna te konstrukti i “orës biologjke” disa përgjigje në jetë i marrim shumë shpejt.

Sapo mbusha 35 vjet të bekuar, mbaruan dhe telefonatat e rëndomta që ofronin mundësi. Dhe ironia është, që në këtë moshë njeriu mund ta quajë veten profesioniste, por jo – sepse ka plot vajza të njoma që “sapo janë hedhur në treg”, pavarësisht se ti tani di si të punosh.

Nëse për një çast aty mendove se po ankohem, qëndro lexo.

Edhe pse shokuese si dikuri, aty filloi çlirimi i vërtetë.

Sa e bukur qenkërka ndjenja kur hyn në një bar, shkon drejt e te grupi yt, dhe  burra me 2 fëmijë e grua në shtëpi, nuk po të ndjekin me sy, të paktën jo me zellin që ndjekin ato më të reja!

Sa paqe kur askush nuk të thotë më, je dobësuar/je shëndoshur/ishe mirë kur sa linde djalin!

Sa edhe më mirë, kur rrallë e më rrallë të thonë: “uah po një motër s’do ia bësh ti çunit??”

Ik tani mbyllu në shtëpi, rrit fëmijën, aftëso burrin, dhe shif “reality tv” çunakë që shtyjnë me dhunë vajza në shilarëse.

Po për mua jeta pësoi një pranverë të re. Ajo pa presion, pa frikë, pa shikime të pakërkuara. Ajo ku them ç’të dua, ashtu si një burrë. Refuzoj pa buzëqeshje, se ashtu më vjen.

Po për mijëra vajza që nuk kanë njohur asnjë realitet përpos të të dukurit bukur, të “mos kthyerit fjalë”, të qeshurit dhe folurit me zë të ulët edhe kur menstruacionet po ia sakatojnë mitrën dhe gjithë hormonet, gjakun trupin? Për ato gra, që mësimi i vetëm që morën në jetë është të marrin vulën validuese të burrave, dhe për ato vula, hedhin tutje vite ku mund të ishin aftësuar, të kishin mësuar autonominë, autoritetin.

Hedhin tutje  gratë e tjera.

Vetëm për të kuptuar, (ose jo) që këta burra, për vulat e të cilëve luftuan, do i hedhin këto gra si gazetë e lexuar, sepse universitetet po prodhojnë mijëra vajza të njoma.


Vajzat që nuk arrijnë të luftojnë për veten e tyre – sepse askush nuk lufton për to – lindin ditën që i vijnë menstruacionet dhe vdesin në shtrembërimin e parë të vetullës.
Në rënien e lehtë të gjoksit.

Në kanalin mes ballit.

Në bërjen 2 fëmijëve.

Në vend se të rriten në karrierë se e mësuan jetën më në fund, kjo shoqëria jonë e vockël provinciale i degëdis brenda mureve për t’i qenë asistence të vegjëlve, moshës së tretë, dhe sigurisht, atyre që më se shumti kanë nevojë për udhëzim jetësor – burrave.

Nëse je ende tek të 20tat apo dhe herët te 30tat, mbase nuk e kupton saktësisht ç’po mundohem të të them.

Po ju që e ndjeni, që u bëtë jo-komode nga ky shkrim: Përse nuk po revoltoheni?

Përse nuk derdheni rrugëve?
A mendoni se do ktheni kohën mbrapsht, apo se keni jetë tjetër, apo se mund të revoltoheni nga varri?

8 mars 2026, Tiranë, Parku Rinia.