Pa dyshim, çfarë na karakterizon si popull mesdhetaro-ballkanas, është e drejta e lindur t’i themi tjetrit se çfarë të bëjë apo të mos bëjë, t’i tregojmë çfarë ka bërë keq.
Pse?
Sepse ashtu. Në mes të rrugës, në ashensor, në parkim, në qendër tregtare. Dhe nuk po flas për vendime që ndikojnë të gjithë shoqërinë – ato ku m’i gjen, për ato unë jam e para që reagoj kur hedh plehra në rrugë apo parkon si klloçkë. Flas për vendime e gjëra personale të tuat.
“Goce të janë gris getat”.
“E di, incidente ndodhin, po siç e sheh jam në mes të rrugës në mes të dimrit. T’i heq t’i jap ty që të jesh e qetë?” është përgjigja ime imagjinare.
“Goce je me shalë jashtë në mes të dimrit” do vijonte tjetri.
“Pse e ke zbath çunin, vishi çorape”. Ndërkohë Luçiferi tregonte 42 gradë Celsius.
“Po pse e ke nxjerrë çunin në këtë vapë moj”, thotë burri i asaj që donte çorape, kur e takon 30 min më vonë.
“Kisha punë që s’presin. S’kam asnjeri të ma mbajë. Do e mbash ti deri në 14.00?” është përgjigja ime imagjinare, vetëm për t’ia parë fytyrën e pataksur, vijuar nga përgjigja standarde e njeriut që flet sa për të thënë diçka “po për të mirën tënde e kam”.
Faleminderit shumë që e ke për të mirën time. Shyqyr që ti, që nganjëherë s’të njoh fare, mendon për të më përmirësuar jetën mua. Shyqyr që të gjithë dinë më mirë se tjetri. E kanë parë të mirën e vet, tani ua shohin gjithë të tjerëve.
Urra!
Po ndërkohë që e ke për të mirën time, shumë shpesh je ulur në kafe me 2 burra të tjerë, duke më parë që unë po vuaj të shtyj karrocën në një gropë në asfalt mbuluar me gura e teneqe. E ndërkohë që unë po heq ta lëviz karrocën, ti flet ulur nga kafja “avash goce, se ke gropë”.
“A me mo. Si e pe? Se unë fluturova mbi të” është përgjigja ime imagjinare.
Unë, 10 kile pazari në krahë duke ngjitur shkallët, një çun duke zbritur. Ndalon që të hipi unë një herë, kaq mirësjellje e ka, por s’rri dot pa folur “Avash se desh i theve ato anash”.
“A me mo. Ku i pe? Se unë nuk i bleva vetë ndaj, s’di ça ka aty”. Eshtë përgjigja ime imagjinare.
Unë, duke dalë në darkë. Komshia, duke u futur.
“Ua, po del? Vetëm e le çunin?”
“Po, është në gjumë” i thashë një ditë njërës, që me mendjen time isha e sigurt që e kapi humorin, po ajo aq zgurdulloi sytë, sa thashë s’do i mbyllë dot më kurrë, kështu që menjëherë e qetësova “Tallem tallem! Eshtë me të atin, sigurisht”. Një përgjigje që i trash akoma më keq njerëzit, po nejse.
Po unë nuk rri dot pa përgjigje, dhe për të ulur irritimin afat shkurtër që shkaktojnë këto biseda të kota, kam vendosur që në vend të këtyre përgjigjeve imagjinare ironike apo shakave që s’i kuptojnë, këta njerëz do t’i angazhoj. Po po, ec bëj ndonjë punë! Fjalët kanë peshë, e nëse ti e hodhe fjalën tënde për sot në lidhje me jetën time, atëherë do mbash peshën për ta “korrigjuar” veprimin tim, sigurisht, aty ku ka hapësirë.
“Eja më ndihmo të lutem se s’po kaloj dot karrocën” çunave që japin mend nga lloto. Ngirhen të hutuar dhe ndihmojnë.
“Eja më ndihmo të lutem se siç e sheh këto shishet janë pak keq”. Atij që rri pret nga maja e shkallëve. Vjen me vrap biles.
“Zonjë të ra kjo letra” u them atyre që me vetëdije hedhin plehra në rrugë, për të evituar të sharën, që edhe ua kam bërë. Buzëqesh e ngrirë komplet.
Meqë të gjithë kanë diçka për të thënë, e meqë unë jo gjithmonë i lë dot pa përgjigje, të paktën po përpiqem t’i them në funksion të përmirësimit, e jo vetëm për të folur.
Disiplinimi publik është me veprime. Sa për llafe kemi talent, u mor vesh.