Photo by Vidar Nordli-Mathisen
Eshtë momenti që vera i ka ditët me pikatore. Edhe pse fundi i saj do të shtyhet gjithmonë e më shumë, sepse zakonet e species sonë kanë shkaktuar një dukuri natyrore që quhet “ndryshim klime” dhe që ne e injorojmë me vendosmëri. Në këto ditët e kësaj zagushie të pafytyrë të gjithë janë me nervat e kaçurrelepsur më keq se flokët e mi (mbase prandaj ngela duke i shtrirë) sepse çdo gjë duhej dje.
Mirëpo dje ishte vapë.
Ishim në bregdetin shqiptar duke u ankuar. Ishim në bregdetin grek duke adhuruar.
Shqiptartët (apo ish-shqiptarët?) në emigracion erdhën, lanë ca lekë, nuk lanë dije, dhe bënë qokën e sharjes vjetore.
Gjithsesi… një mënyrë shumë e mirë për të hequr mendjen nga kjo e hëna më e gjatë e vitit – shtatori – është të rikapitullosh si e kalove verën.
Unë e fillova me detin më blu në botë, detin Jon. Pashë çuna me muskuj e vetullprerë që futen në ujë, po lajnë krahët një herë nga frika se mos është shumë i ftohtë. Vdes për këtë specien që mund të jetë edhe kriminel, po tërë jetën e jetës çun mami. Po të kesh mendjen te detajet, çun-mamllëku del te futja në det dhe te çorapet.
Pashë vajza e gra që ia dolën të kishin mirëqenie e të uleshin në shezlone të shtrenjta dhe të futen në ujë pa lagur kurrë kokën (mos o zot luaj vendit), po prapë janë gjak-prishura kryesisht sepse ndonjë femër tjetër po ua prish terezinë dhe sepse nuk dinë të përpiqen të jenë të lumtura, edhe sepse nuk ekziston leku që t’i emancipojë – emancipimin ta sjell vetëm përballja me jetën. E se harrova, mos t’ju shkojë mendja për mbrapsht: ajo femra tjetër mund të jetë mami ose shoqja.
Eca nëpër asfaltin e thyer të kryeqytetit, e pashë burra të aftë që përpiqen të emancipohen, po që u del vetja nga kontrolli kur hasin gra të afta që s’janë me patjetër ekonomiste apo juriste. Ç’t’u thuash? Në fakt janë ca vite dritë para atyre që besojnë se femra ekziston vetëm për të nxjerrë mini-njerëz nga trupi. Por janë vite dritë larg të trajtuarit një femër si të barabartë në punë, gjithashtu. Dhe bëhen xhelozë, dhe fryjnë damarët e qafës.
Frojdi ka të drejtë; kudo ai sheh nënën.
Ndërrova kontinent në një vend ku emancipimi përfytyrohet si 2150 nga ata që s’e kanë përjetuar. Ndërkohë që thitha pluhur perëndimor e hëngra domate me muskuj si ai tipi që mezi futet në det, takova shoqe të vjetra që edhe pse shqipen e kanë pothuaj harruar, nuk kanë harruar t’u shërbejnë meshkujve të jetës së tyre me larje rrobash, gatim, pastrim shtëpie.
Plasa 9 valixhe dhe një karrocë në një Uber e pasi nuk fjeta në avion se më shihej Dumbo, palosa faqen duke fjetur në kolltukët e aeroportit të Vjenës.
U ktheva në muajin më të tmerrshëm në Tiranë, ku truri vetëm sa rri ndezur me 7% bateri dhe zëri rrëshqet si dinozauri i Blinit kur po i mbaron bateria. Vajtova Amazonën, pastaj lexova që në fakt, ka shumë vjet që nuk është Amazona që dija unë kur isha 10 vjeç.
E vajtova gjithsesi. Atë dhe pyjet e tjera që po shuhen që ne të hamë mish.
U sëmura, u deha, dhe eca nën pishat e Gjirit të Lalzit dhe m’u kujtua sa i rëndësishëm ka qenë Adriatiku kur rriteshim.
Në ajrin e pastër, erën e pishave dhe rërën që e ndjen në mes të gishtave të këmbëve, pashë nëna e gra, duke nderur rroba e duke shpërdoruar zorrën.
Vetvetiu mendoj për verën e 2020, duke uruar të më gjejë diku që s’ma pret mendja.
Dhe duke uruar që të shoh sa më pak gra zhytur në punë të rëndomta, dhe sa më pak vajza ku u lexohet në ballë që i ka rritur një nënë që rrit ndryshe djalin nga vajza… Dhe sa më pak tipa gjoja të vështirë që çorapet i kanë të bardha deri te kyçi dhe kanë frikë nga deti Jon.