Ka diçka mahnitëse me komunikimin në këtë vend. Nuk mund ta quash kush e di sa të pasjellshëm (në Europën Qëndrore kam parë shumë më keq!), as të ftohtë, e të ngrohtë jo se jo si në Amerikë për shembull…. Nuk mund ta quash as të unifikuar, siç është në vendet perëndimore, ku pothuaj kurrë nuk ke surpriza si këtu, që sa herë do kesh kontakt me dikë për herë të parë, duhet të përgatitesh për gjithçka.
Po që përfundimisht, tërësia e komunikimit, që nga të folurit me njëri-tjetrin, tek lajmet, marketingu e sinjalistika, ka diçka jashtë kohës ku jetojmë që vetëm kur je i rritur brenda terrotit të Shqipërisë e kupton. Dhe jo medoems e pranon.
– Mirëdita. Desha një sigurim për shëndetin në udhëtim.
– A jo, nuk presim.
– … Por e keni reklamën te dera?
– Jo jo, s’i presim më që atëherë.
– Hiq reklamën pra.
“Që atëherë”! A nuk është plot sharm kjo? Ç’moment kulminant në jetën e këtij dyqani gjithë reklama ngjitëse te dera është ‘atëherë’? Kur alienët të zaptuan zyrën dhe të riformatuan kompjuterat? Kur t’u përmbyt dyqani dhe të prishi gjithë letrat e siguracionit e s’ia vlente të bleje të reja? Kur u zu agjenti i kompanisë së sigurimeve me ty mbi % e secilit? Apo kur ti u ndave me burrin (mosha mbi 50) dhe ai mori gjysmën e biznesit, ti gjysmën. Fantastike. Mënyra ‘non-chalante’ si e tha ajo, merrte të mirëqenë që unë ia dija hallet.
Sot në mëngjes m’u ndal energjia. Asnjë ndodhi e panjohur për ne, por as ndodhi e zakonshme, se të themi të drejtën ka nja 10 vjet që kemi energji pa ndalim për 95% të kohës. Jemi tërësisht të papërgatitur për një moment të tillë. Jo si kur rritesha unë; kishim ngrohje me gaz, gatim me gaz, llampa me karikim që mbajnë orë të tëra. Pas 40 min frustrim, mora OSHEE në telefon dhe për çudinë time, aty nga telefonata e gjashtë, u përgjigj një burrë rreth të gjashtëdhjetave.
- Përshëndetje, me OSHEE flas?
- Po po.
- Të marr nga kryqëzimi i rrugës X me rrugën Y dhe ka 40 minuta që s’ka drita. Desha të di a është problem madhor, apo do të vijnë shpejt, që po ashtu të marr masa.
- Ça je ti, familjar, biznes a ça je?
- Pse, ka rëndësi?
- Po mirë më thuaj pallatin.
- Nuk e di numrin por po të them kryqëzimin.
- Jo më duhet pallati, si ta di unë ku ka problem po s’më the pallatin?
E drejtë, shkova të kërkoja një faturë me panik, se nuk e dija përmendësh.
- Pallati nr. 9, 5
- Si 9, 5?
- Nuk e di zotëri, në adresën e faturës që më sjell ti, kështu shkruhet.
- Si ta sjell unë? Unë s’shpërndaj fatura o goc.
- Po mirë, ti je OSHEE, unë jam konsumatorja, s’ka asgjë personale këtu. Atëherë?
- Mirë e mbajta shënim.
- Të marr për 5 minuta?
- Po për ça do marrësh o vajz’ se boll ndenja në telefon me ty, po kam respekt për telefonatën, e mora pra shënim.
- Ju paraqita pyetjen se sa i madh është problemi që të marr masa? 1 orë apo 6 orë?
- Ça do nga unë moj vajzë, s’e marr vesh, pse më mban në telefon?
- Po shumë të qartë të bëra pyetjen! A është problem madhor, se po bëhet 1 orë, apo do vijnë shpejt! Ti nuk e ke përgjigjen do interesohesh, a të marr unë prapë apo do më marrësh ti?
Dhe ja ku fillova dhe unë, të flas me ‘ti’, rashë pre e presionit të një personi të një brezi që është 100% i papajisur për t’i shërbyer klientit.
- Sa më shpejt që të munden teknikët.
- Kjo përgjigje është e barabartë me ‘nuk e di’. Nuk thotë as 1 orë, as 8 orë.
E mbylli telefonin.
Ma mbylli.
Ti që po lexon, thua tani “po pse habitesh o goc, Shqipëri është këtu!”
Unë s’habitem aspak, se këtu jetoj e këtu jam rritur.
Por luftoj.
Se me thënë të drejtën, nuk e merr këtë trajtim nga kompanitë ku mosha mesatare është 20-45 le të themi.
Mundohem t’ia bëj të qartë zotërisë që më shumë prish punë se rregullon duke ngritur telefonin. Që në 2017, nuk komunikohet më kështu. Ti nuk je shteti i plotfuqishëm si në 1987, e unë jam delja që duhet të falem ty që më jep dritë. Ti për mua je një shërbim që nuk e paguaj aspak lirë, nuk kam as edhe një alternativë tjetër, dhe e vetmja gjë që marr prej teje është energji për sa kohë që ajo është. Se po nuk qe, s’marr asgjë tjetër, veçse trajtim të padenjë dhe pa respekt, se ashtu ju ka mësuar sistemi, dhe duke qenë të përfshirë vetëm me veten tuaj, në 30 vjet kohë s’jeni munduar fare të përshtateni me kohën.
Luftoj se vendosa të mos e lë këtë vend, familjen po e ndërtoj këtu. Dhe kjo pjesa e komunikimit, përveç anës kulturore, ka të bëjë shumë me brezat. Cfarë janë 40 e poshtë, i ka mësuar halli, demokracia, globalizmi të komunikojnë siç është për të komunikuar, duke bërë minimumin, të kuptohemi. Nuk hanë dot bukë e nuk çajnë dot po t’i mbyllin telefonin njerëzve.
Cfarë janë moshë 50 e lart, tërë jetën do i trajtojnë më të rinjtë si fëmijë, por të paedukatë. Se unë për vete, çfarëdo lloj fëmije e trajtoj si një individ që është dhe nuk kam mungesë respekti për dikë pse është më i ri se unë. Tërë jetën do jenë të indinjuar, dhe do thonë si ne nuk kemi respekt dhe ne shkatërruam çdo gjë që ata ndërtuan. (Çfarë, aman??)
Ndërkohë që unë, me gjithë mirësjelljen që e lejon etika universale, përfundoj duke debatuar në 80% të rasteve me njerëz të këtij brezi.
Çarls Darvini, studimin e të cilin duhet ta mësojnë të gjithë përmendësh po ashtu si mësojnë luftërat iliro-romake dhe mitokondrinë, pasi studioi me dhjetëvjeçarë si kemi arritur këtu ku jemi, arriti në një përfundim shumë fantastik dhe të vështirë për ta përtypur:
“Nuk është më i forti i species që mbijeton, dhe as më inteligjenti. Eshtë ai që i përshtatet më së miri ndryshimit”.
Pyes, edhe sa do i përshtatemi ne brezave të tërë që na mbajnë peng ne me refuzimin e tyre të ngurtë për t’u përshtatur ata kohës dhe neve?
Komunikimi është falas! Atë e ka në dorë çdokush.
__
E mjaft se ngele me sy në ekran tani. C’do më nga unë?