“Hë mi Tana. Mirë mirë të gjithë. Ja ashu, jemi bërë të fandaksur. Eee posi, mos e paçim kismet thuaj pa… Ju mirë të tërë? Shëndeti thuaj aman”.
Kjo është Teta Rita, mamaja e një mikut tim të vjetër. Teta Rita bën pite me gjizë si të Hyriemit, ushqen gjithë macet e lagjes rrugës për në rrobaqepësinë e saj. Ajo na flet të gjithëve ende sikur të ishim në kopsht duke i vezulluar fundi syrit kur na sheh.
Ndonjëherë mendohem ca si tepër e e më vjen si keq që brezi im u shkartis pa strukturë, dhe unë nuk kam mundësinë të jem një farë Teta Rite e kohës sime për shoqërinë e djalit tim.
“Arbëri? Ja ashtu si pa punë o Tana. Eee, po po merret me ato makinat sa për momentin, ça t’i bëjmë. Shëndeti thuaj aman. Apo s’e ka munduar dhe hemorroidja këto kohë”.
Arbërit i shpërthen kapuçino nga hundët. “O MA!!!” bërtet ai, pa zë. Mirë hemorroidja e Arbit që u bë temë publike tani nga tavolina jonë e mëngjesit, te tavolina e Tanës së mëngjesit. Por në fjalët e të ëmblës teta Rita, ka diçka që të gjithëve ne na bezdis; por nuk na takon të flasim. Sepse nuk ndërhyhet në punët familjare të të tjerëve, e para. Por dhe nuk mund të kundërshtosh kurrë atë që bën pite të arta me giizë.
Arbi, miku im i fëmijërisë, nuk është i papunë. Arbi nuk ka qenë kurrë i papunë. Ai është një njeri me duar magjike, kureshtar si një 6 vjeçar, me imagjinatë të pashterrshme, dhe i paaftë të pushojë. Gjithë këto cilësi e kanë aftësuar në një gradë që i mbijeton çfarëdolloj tërmeti e pandemie. Kur ishim 2 muaj brenda teksa unë harxhoja qeliza truri me Tiger King dhe krenohesha me quiche-t e radhës, Arbi filloi të bënte mobilje në oborrin e tij dhe na i tregonte në Whatsapp me modestinë sikur kishte mësuar nga Youtube si të paloste origami.
Arbëri ka studiuar administrim biznesi, flet 3 gjuhë rrjedhshëm, dhe dikur ka bredhur Amazonën me çantë shpine për 5 javë. Koncepti “është i papunë” nuk zbatohet dot te njerëz aq pjellorë sa ai.
Mirëpo Arbi ka punuar për herë të fundit me rrogë para 4 vjetësh në një quasi-korporatë ku i shfrytëzuan pa turp gjithë aftësitë e talentet e tij për 10-12 orë në ditë, pa rritje rroge. Dhe kur ai kërkoi 3 javë pushime pas 18 muajsh pa as edhe një ditë përveç të dielave, nuk ia dhanë. Por ia caktuan ata sa ditë, dhe kur do i merrte. Dhe Arbi të nesërmen nuk vuri alarm, dhe nuk iu përgjigj asnjë telefonate. As times, as teta Ritës, as të ish eprorit.
S’kam qenë kurrë më krenare për të.
Dhe ja kshu, Arbi është njeri i ndjeshëm dhe krenar. Koka i gumëzhin tërë kohës me idera të reja, duart i hanë të hapë ndonjë makinë a të kthejë ndonjë biçikletë me rrotat nga dielli. Nuk ka kohë as interes të përballet me ndjenjat e tij, apo t’i vendosë kufij vetes, familjes, kolegëve. Ai ose hesht, ose shpërthen në gjeste.
Dhe kështu Arbit as i shkon në mend dhe zor se do i shkojë, t’i vërë kufij njeriut më të shtrenjtë në jetën e tij – mamasë. Sepse teta Rita, duarartë e gojë mjaltë, nuk ka pasur asnjë lloj mundësie t’i bëjë bisht dogmave të brezit të saj (dhe jo vetëm brezi i saj!) mbi pritshmëritë e prindërve për fëmijët e tyre, të cilët sipas sistemit pak qindra vjeçar të ekonomisë kapitaliste, shkojnë në shkollë = marrin nota të mira = gjejnë punë të mirë = falin 50 orë në javë një kapitalisti/je = marrin rrogë fikse me tek tuk ndonjë bonus tallës = riprodhohen = dalin në pension.
Teta Rita e do si çdo nënë birin e vet. Madje mund të them që e adhuron. Po ajo s’është krenare më me të.
Arbëri kaloi verën e kaluar me turistë të huaj nëpër gjire e maja të Shqipërisë që unë s’kisha dëgjuar ndonjë herë; e kaloi vjeshtën e dimrin duke ndrequr makina që tanimë i jep me qira me biznes të zyrtarizuar. Ai flet se sapo të mbledhë pak para, ka dëshirë të rregullojë pajisje Apple dhe t’i shesë në një çmim të përballueshëm për popullin. Dhe unë e di që do e bëjë. Por jo.
Arbi është i papunë. Dhe pavarësisht se ai nuk ndihet, unë e di sa duhet ta vrasë ky imazh i nënës së tij për të. Ai vazhdon e vazhdon, edhe pse i pavlerësuar nga njeriu që ai vlerëson më së shumti. Se jo për gjë po nuk e di sa u shpjegova, por asaj i ka ngjarë. Teta Rita e quan brengë këtë gjë, mbase dhe e përjeton si të tillë. Paçka se tani ka një komo shtrembaluqe gjithë sharm që mund të shitej dhe 2000 Euro; ka kush e di sa pajisje inteligjente nëpër shtëpi, nja 2 makina paksa Retro dhe s’ka paguar fatura ka kush e di sa vjet. Arbi, nuk punon në korporatë. Pikë.
Qeshëm me hemorroiden, e puthëm në ajër Ritën, dhe u shpërndamë. Unë brengosesha nga pak rrugës duke uruar që Arbit mos t’i hyjë në gjak mosmiratimi i njeriut më të dashur, por të vazhdojë të përmirësojë këtë vend me duart e mendjen e tij galaktike. Pasi shpesh herë, pengesën kryesore për të ecur para, e marrim nga ata që u besojmë verbërisht.