Imazhi nga Ayşegül Altınel
Krahina të ndryshme e kanë këtë “lojë” që nuk bën tjetër veçse të ngatërron në një
loop përsëritëse, në zbavitje të asaj/atij që po drejton lojën.
Çfarë uji i dhe gomarit? – Të ngrohtë. – E pse të ngrohtë? Tak, shkulet veshi. – Jo jo
të ngrohtë. Me kripë! – E pse me kripë? Tak, veshi.
– Jo jo ujin e përjetësisë i dhashë.
– E ç’na duhet gomari i përjetshëm? Të dyja veshët, në dorë.
Përgjigja është gjithmonë e gabuar. Prandaj dhe zbavitet vetëm ajo/ai që e dikton
lojën.
Asnjëherë s’më është dukur zbavitje, e s’do më duket as tani që më zbavit vetëm
Candy Crush.
S’di pse loja m’u kujtua pikërisht kur një e afërmja ime u dyshua se ishte pozitive me
Covid19, pasi kolegu i saj kish rezultuar pozitiv.
Ajo bën kujdesin që bëjnë të gjithë njerëzit e përgjegjshëm. Alkol në duar, maskë në
çantë ose poshtë mjekrës gati për ta ngritur në ambiente të mbyllura me njerëz,
“konichiwa” apo “namaste” për përshëndetje, gjithmonë vetëm në ambient të hapur.
Në zyrë shkon rrallë, me turne, dhe nuk para shkëmbehet me kolegët e të njëjtës
dhomë.
E po të gjitha përkujdesjet e saj u shumëzuan me zero, përfshi dezinfektantin e saj
Hello Kitty që të gjithëve u jep buzëqeshje. Madje dhe nga ata të njohurit e saj trima
që deri dje thoshin “s’ka virus” dhe pastaj kur rrethi u ngushtua tepër, kaluan në
“virus ka por po na e fusin forcat madhore (me përralla të sofistikuara nga doktorë të
delegjitimuar)”. Pikërisht këto trimnesha e trima, kur virusi erdhi te zyra ngjitur… Të
paaftë për të menaxhuar shëndetin mendor dhe instiktet, nxjerrin lopatën direkt e për
ta varrosur shoqen, pavarësisht e ka a s’e ka virusin.
Që në fakt, po ta mendosh, nuk duhet të ketë pikën e lidhjes a e ka a s’e ka.
“Dea PSE KE ARDHUR NË PUNË??” pisket njëra nga fundi i korridorit me maskë
me hundë jashtë, sikur pa Nexhmije Hoxhën ngritur nga varri kaq shpejt.
“… Sepse nuk jam me pushime dhe kam radhën??”
“Dea PSE E PREKE ÇIPIN???” Ia plas tjetri 10 m larg, pa maskë fare. “Mmm se
punoj këtu dhe po s’u pa që kalova gishtin, më pritet dita e punës”?
Meqë dyshohet se ka Covid19 sepse kolegu e pati, ajo përzihet për shtëpi, e
frikësuar jo nga virusi dhe aq, po nga fytyra tejet e shëmtuar e të gjithë njerëzve që
kanë dëgjuar për kolegun dhe tani e donin në shuttle për Mars One shoqen time. I
tregon rrugës të dashurit, i cili pasi bëri pyetje ku vetëm donte të dinte sa real është
virusi në trupin e saj, ia preu shkurt në Whatsapp e as e mori në telefon për t’u
interesuar mbi ndjenjat e saj në këtë ditë të ngarkuar.
E sipërpërmendura jeton me prindërit. Hyn në shtëpi duke u dridhur, dhe i tregon
mamasë. E cila, gjithashtu e papajisur me cilësi si “mbështetja”, “të bërit të ndiheshmirë”, apo “sensi i humorit” (aq i vyer në kohë të vështira!) i numëroi të gjitha herët
që ajo si mama ka supozuar që e bija s’ka larë duart, që ka takuar pacipshmërisht
ndonjë shoqe darkave tashmë pa muzikë, që takon të dashurin e saj pas një pauze 3
mujore, dhe sesi e bija nuk mendon sa duhet për prindërit dhe gjyshërit 2 kate më
lart.
E dashura mike e imja, duke mos duruar dot më, ia plas vajit në dhomën e saj, duke
mbledhur plaçkat duke mos ditur as vetë ku do të nisej. Ndërkohë i vjen e-mail nga
burimet njerëzore (shtazore do të thoja unë, po kush më pyeti) ku i kërcënohet pa
dashamirësi të mos kthehet në punë për 2 javë. As “shpresojmë të mos e kesh
marrë virusin” e as “po e pate marrë, kalofsh lehtshëm”, e aq më pamundur “mezi
presim të vish!”.
Qyqaaaaaa!!! Dashke ti mezi presim të vish.
E pas 1 ore ku paketoi vetëm gjërat e gabuara që s’do e çonin 2 ditë as te hoteli i
lagjes, hyn babai në dhomë e duke “e lejuar të qëndrojë” e duke i treguar sesa keq e
ndikoi mamanë kjo ndodhi e si Dea tani të ketë hallin e ndjenjave të mamit; pa çka
se të asaj, deri më tani, askush s’i pati në konsideratë.
A thua se gjithë kjo ditë e tmerrshme i kish ndodhur prindërve, jo Deas.
Po shoqja ime e dashur, e cila nuk di të përkujdeset për gomarin sepse nuk njeh
lojën, deri tani i ka dhënë vetëm ujin e gabuar.
E fryrë nga i dashuri, kolegët e së fundi prindërit e pakujdesshëm, na njofton ne
miqve në Whatsapp dhe shkruan në Facebook sesi do vetë-karrantinohet pasi testin
nuk ia bën njeri.
Mori e njerëzve që s’e mendojnë dhe aq gjatë i shkruajnë “të shkuara” (nga çfarë?)
dhe nxiton kolegia 50 e ca vjeç për të thënë direkt “të shkuara dhe ishalla s’ua ke
ngjitur prindërve”.
Nuk ka mallkim më të madh në kohëra Covid-i sesa ankthi, lëmshi, paaftësia për të
jetuar si njeri…. Nga frika mos sëmur prindërit, vjehrrit, dhe motrat e vëllezërit e tyre.
A thua se e bën dikush me dashje. Cfarë keqtrajtimi t’i thuash dikujt ashtu! Cfarë
mungese konsiderate surratit!
Dikujt që s’dihet a e ka, e!
Ne në Whatsapp… Si miq të vërtetë… Që e dimë veten të paktën!
Filluam të talleshim me të, t’i thonim si s’do kalonim kurrë nga lagja e saj nga frika e
Covid19… barsaleta të pisëta, dhe plane potenciale të një dite më të mirë. Aty, Dea
u çlirua. Na tregoi dhe ajo memet e ditës, dhe foto të vetes duke hapur një kanaçe
birrë të ftohtë.
Loja e gomarit nuk ka si del ndryshe përveç se nga një shoqëri thellësisht e
papjekur, ku abuzimi emocional fillon shpesh në mënyrë të pavetëdijshme nga prindi
i cili rrallë herë di të tregojë sa krenar/e është me ty, e vazhdon me shumicën
përreth që u vjen shumë vështirë të të përgëzojnë qoftë dhe për heroizmin që shkon
e vjen në punë në rrethana distopike, apo që thërret ashensorin me brryl.
Në këtë pandemi që na ra për pjesë të mbijetojmë, ka 2 shëndete që duhen ruajtur
fort: I pari, eminenti është ai fiziku nga Covid19, dhe i dyti, po aq i rëndësishëm sa i
pari, është shëndeti mendor.
Tek sa pres që ta mundim këtë masë proteinore mbushur me ADN të padukshme të
quajtur Covid19, pres dhe që mbase kjo ndodhi e pazakontë na mëson të
respektojmë shëndetin mendor, të mos fajësojmë njëri tjetrin për sende ku jemi të
gjithë dëm kolateral, të tregojmë afrimitet, dashuri, krenari ndaj familjarëve tanë,
miqve dhe kolegëve… Duke e thënë fjalën e ëmbël qoftë dhe me zor si fillim.
Ke për të parë si më vonë do dalë vetë, me shpirt.