Tingujt e parë të Karaibeve pa dyshim i kam dashuruar kur i këndonte gjithë qejf karavidhja e kuqe e Disney-t në vizatimorin “Sirena e Vogël”. ‘Under the sea’, ose ‘In fond’ al mar’ (italisht), për mua ishte himn. Në hyrje të demokracisë, ditët ishin pa internet, pa kabllovik, pa argëtim cilësor për fëmijët, dhe filmat vizatimorë vjetorë të Disney-t na mbushnin shpirtin, të paktën brezit tim.

As ne e as prindërit tanë nuk ia kishim shumë idenë sa rol edukativ kishin personazhet e këtyre vizatimorëve, të menduar aq në detaj dhe shpesh herë, tërësisht ndryshe nga përrallat orgjinale. (Kush ka lexuar Andersonin e di fundin tragjik të Arielit adoleshente). Ato do të shndërroheshin në personazhe që ne adhuronim, dhe ne do të rriteshim me vlerat që pasqyronin këto princesha e princër dhe sot, edhe pse 20 apo 30 e kusur vjeç, i kemi brenda shpirtit.

E ku harrohet biblioteka surreale e bishës tek ‘E bukura dhe bisha’! Apo muri i lartë i Xhasminës (një metaforë e shkëlqyer për gratë lindore) dhe shoku i saj i ngushtë tigër. Mua më pëlqente veçanërisht dhoma sekrete e Arielit, mbushur me rraqe që ajo nuk ua dinte vlerën, por i koleksiononte me fanatizëm. Shumë simpatikë ishin miushet e Hirushes që gjënë më të vogël e bënin me këngë. Dragoi  i Mulanit të zhyste në misticizmin aziatik e flokët e Pokahontas janë arsye që shumë vajza nuk i presin të tyret thuajse kurrë.

Pa dyshim të gjithë këta vizatimorë si dhe animacionet 3D të shekullit të XXI i mëshonin shumë fort një pike, që të paktën tek unë pati efekt: të paturit të paktën një kafshëz shtëpiake dhe gjithmonë ata ishin miqtë më të ngushtë të personazhit kryesor. Këto krijesa të vogla ishin krahu i djathtë i princeshave dhe princërve pa të cilët ata nuk do arrinin kurrë fundin e lumtur.

Ah, ky fundi i lumtur… Patjetër, janë përralla. Nuk para praktikohet që fëmijëve t’ua japësh realitetin fytyrës, parimisht fëmijët duhen mbushur me optimizëm, edhe pse siç po e shohim si të rritur, fundi i lumtur nuk mund të thuash që ekziston. Se jo për gjë, po lumturia nuk është një fund, ajo është mënyrë jetese, çdo ditë, dhe mirëmbajtja e saj kushton shtrenjtë.  Tani, si njeri i rritur që punoj çdo ditë për të mirëmbajtur lumturinë, pa dyshim jam ndalur gjatë te analizimi i këtyre personazheve kaq të dashur. Dhe përveç kafshëve shtëpiake,  deri në mbarim të shekullit të XX  i bashkon dhe një gjë tjetër: për një grua (princeshë) lumturia gjindet te burri (princi). Jepu çfarëdo karakteri, çfarëdo aventure këtyre vajzave, në fund do të përqafojnë burrin e jetës e do kërcejnë me të në sy të të gjithëve në një pallat luksoz, sigurisht. Dhe përveç disa ilustrimeve komike në internet, askush nuk foli se si ia çuan pas martesës këto princesha.

Dhe unë u ndala të mendoj për gjithë princeshat shqiptare, që e gjetën princin e tyre, u dashuruan, u martuan. Vras mendjen nëse ishte ky butoni  i lumturisë së menjëherëshme. Si një njeri e martuar me dashuri, pohoj me plot gojën që jo, gjetja e një burri nuk është bileta për në lumturinë e përhershme. Eshtë thjesht fillimi i një pune kolosale që momentin që ke partner që e do dhe të do, nuk ke nevojë ta bësh vetëm.
Lumturia do ambicje.
Lumturia do pjekuri.
Lumturia do durim.
Lumturia do punë. Oh, sa punë.

Dhe mos të harrojmë: në të njejtën kohë jemi princesha se ashtu kemi qejf. Duhet të mbajmë fytyrë të bukur, të jemi qeshura, në formë fizike, të veshura mirë. Dhe të gjitha këto cilësitë e princeshave urbane duan mirëmbajtje, vullnet, dhe ndihmë. Oh, sa shumë ndihmë!

Vërtetë nuk e dimë se çfarë ndodhi me martesën e Borëbardhës, Arielit, Rapunzelit, Aurorës. Por unë di një gjë: Arieli kur është ngritur në mëngjes në pallatin e saj të ri, dikush i ka sjellë mëngjesin, dikush tjetër i ka rregulluar krevatin, dikush tjetër i ka bërë gati veshjet, dikush tjetër e ka lyer e krehur, dhe komplet njerëz të tjerë janë marrë me përgatitjen e fëmijëve të saj. As po zë me gojë fare mirëmbajtjen e pallatit dhe përmbajtjen e kuzhinës, se po flasim për princesha!

Dhe teksa i them këto gjëra, në rrugë kalon një grua që unë njoh që do ta quajmë Ela:  Ela ka punë me përgjegjësi të lartë; ka një djalë 6 vjeç dhe një tjetër 2; është e veshur bukur, është e krehur mirë, e lyer bukur, dhe unë e di që ndihma e saj konsiston në një grua që pastron dy herë në javë, një nënë që punon ende, dhe një bashkëshort që udhëton shpesh me punë.

Kur Ela ngrihet në mëngjes, me një ritëm mesatar ka 2 orë punë parapërgatitore, dhe si super princeshë që është, i redukton deri në 1 orë. Përgatitja e mëngjesit për të gjithë, rregullimi i krevateve, veshja dhe rregullimi i vetes, veshja dhe rregullimi i fëmijëve, përcjellja e fëmijëve në kopësht/shkollë dhe shkon përballet me përgjëgjësitë e saj të larta për nja 8 orë, për t’u kthyer për mos t’u ulur, se ka për t’u marrë me nevojat e djemve, të shtëpisë, çfarë do hahet nesër, dhe ndoshta në fund të ditës, për t’u marrë pak me veten.

Ti prapë së prapë Elën e sheh darkave duke shijuar ndonjë gotë me shoqëri. Ashtu, e qeshur, e bukur, me trupin në formë,  (2 lindje nuk janë pak!) si një princeshë e vërtetë urbane. E nëse do ndalesh pak e nuk do ta marrësh të mirëqenë ekzistencën e saj e shumë si ajo, të ikën truri e thua, “po si dreqin ia del? Nuk do i plasë siguresa ndonjë ditë?”

Personalisht kam më pak fëmijë dhe më shumë ndihmë se Ela, por dëshirën dhe presionin e njejtë për të qenë princeshë urbane, por e një lloji pak më alternativ, duke qenë se jam po aq fanse e princeshave që vijuan në vitet 00’, ku dhe Disney e kuptoi ç’kish bërë, dhe na solli ca princesha të reja: Fiona, Merida, Judy, etj. Ato dinë karate, muzikë, nuk e kanë mendjen te gjetja e një burri por te pasionet e tyre, luftojnë me shpirt e gjak për të arritur këto gjëra që ia kanë vënë qëllim vetes, dhe nuk kryhen filmat me idenë që ato jetuan të lumtura përjetësisht, por me idenë që janë guximtare, ambicioze, dhe do luftojnë tërë jetën e tyre për vlerat personale.

Edhe këto kishin staf, se princesha mbeten. Dhe stafi, pavarësisht se për çfarë e përdor ti: për onde perfekte apo për të mësuar kung fu, është shumë i rëndësishëm të arrish atë që do ti, pa u ndalur rrugës për të mbledhur çorapet apo për të hedhur plehrat.

Dhe prapë, rri e rri, e mendoj princeshat shqiptare që i shoh çdo ditë në rrugë, dhe nuk kam ç’të shtoj më, përveç se faktit që kam respekt të jashtëzakonshëm për to, qofshin të bukura apo aventuriere, apo të dyja.

Sepse e di që s’kanë staf; ndoshta kanë ndonjë ndihmë minimale. Dhe jam shumë krenare që dhe unë, me mund e djersë, jam pjesë e këtyre princeshave që mirëmbajnë lumturinë me punë e djersë çdo ditë. Se lumturia është ajo që ti bën, çdo orë, çdo ditë.

2 qershor 2017

https://sbunker.net/op-ed/88883/princeshat-pa-staf/

Leave a comment