Eshtë shtatëzania e parë. Pasi kalon tre mujori delikat dhe fillon shpërndahet lajmi, ti je çdo ditë e më shënd e ver, sidomos nëse i ke simptomat e lehta. Rrjedhimisht në shoqëri përfiton një status të ri, njerëzit të shikojnë me shumë dashuri, shumë kanë qejf ta prekin barkun, të lirojnë ulëset në vende publike, të lirojne radhën në kasë, të pyesin kur e ke për të lindur, të urojnë “kollajllëk”. Hej, po bën detyrën, po na vazhdon specien në planet!
Po nëse mendove se kjo detyrë është puna jote dhe e partnerit tënd nëse e ke, aty u gabove paksa, dhe përtej gëzimit apo angarive që sjell barra, papritur duhet të përballesh me një dukuri që nuk e parashikove dot: këshillat e pa kërkuara.
Ato të vinë si një tortë fytyrës kur as nuk të hahej një e tillë, e as ke qasje në ujë për ta larë fytyrën. Në çdo vend, në çdo orë, nga çdokush. Këshilla nga vajza që s’kanë qenë shtatzanë kurrë dhe që s’kanë lidhje me mjekësinë. Po hej, kanë llafet e grave të shtëpisë, plus portalet e tipit “duavemendje.org”. Urdhra nga djelmosha që thjesht përsërisin fjalët e gjyshes dhe hallës. “Mos pi Cola, duro!” “Ou, e pike kafen ti?” “Se mos lyhesh flokët!” “Harroje gjumin 2 muajt e para, thjesht harroje” “Hiqi macet, kushërira e burrit të dajës së hallës sime gëlltiti qimen dhe i doli fëmija me 2 koka” “Kur të lindësh do kuptosh sa vetëm je”. Në fakt kjo e fundit është e preferuara ime. Zakonisht të tilla përfundime fataliste vijnë nga nëna që i trajtonë baballarët e fëmijëve të tyre si duar tharë të paaftë, dhe zakonisht pasohet me një këshillë të tipit “mos e lër shumë të fusë hundët ai”, dhe së bashku me nënat dhe vjehrrat e tyre terrorizojnë burrat e familjes që nëse prekin bebin, do dalë djalli nga qendra e tokës e do e sëmurë bebin. Kur në fakt, e vetmja gjë që nuk bën dot babai, është t’i japë gji. Babai mund ta ndërrojë, ta vërë në gjumë, t’i bëjë shëtitje me karrocë, ta ushqejë me biberon, ta lajë, e gjithçka tjetër. Por të gjorët janë të privuar, ndërkohë që nëna e re “është e vetmuar”!
Dhe më fantastikja e fantastikave, që unë fanatikisht e kundërshtoj. “E ke parë? Me një djalë ishalla!” “Po unë dua vajzë”, përgjigjem unë, dhe pse e pa vërtetë. Pas 3 sekondave shokim ku goja e uruesit tenton të gjejë fjalët e duhura, të gjithë e ndërrojnë “jo jo çfarë të jetë, mjafton të ketë shëndet!” Dhe shumë prej tyre shtojnë: “në fakt, ku ka si vajzat!” Që mua më huton keq fare, sepse paskemi të bëjmë me një vetëdije që vajzat janë “më të mbara”, po kjo gjë nuk mund të thuhet publikisht, se duhet uruar një djalë publikisht. Nuk kuptoj as pse vajzat janë më të mbara dhe kjo u dika që në bark të nënës, siç nuk kuptoj as pse duhet uruar djalë. Po s’ka gjë, se as ato që e bëjnë urimin dhe thonë këto fjalë, nuk e kuptojnë gjithashtu.
Nëse ti tregon sado pak rezistencë ose i bën bashkëfolësit me dije, me fjalë ose jo, se nuk ke nevojë për këshilla, se nëse do kishe nevojë, në fakt do pyesje, automatikisht vjen përgjgja “po mirë se për të mirën tënde e kam”. Në dukje një formulim dashamirës që ti s’ke si i përgjigjesh; nuk është tjetër veçse e gjithë rrënja e problemit.
Pse, zonjë e nderuar, hamendësoni automatikisht që unë nuk ia dashkam të mirën vetes time, që kam ngelur në duart e tua e ta kesh për të mirën time? Zotëri, me gjithë respektin që kam, pse mendoni ju që e doni këtë fëmijë në barkun tim më shumë se e dua unë? Po pse shoqe e dashur që nuk ke qenë kurrë shtatzanë, mendon se ti dike më shumë se unë e s’rresht së përsërituri këshilla e fjalë? Se nuk ma merr mendja se ti rri gjithë ditën duke lexuar fakte mbi shtatzaninë e nuk ma merr mendja se je në kontakt me gjinekologe edhe psikologe, siç jam unë. Kur bie shtatzanë, kushdo qofsh, çfarëdo moshe, sido që të të zërë shtatëzania, me mendje ose pa mendje, të ka dhuruar natyra 9 muaj kohë të përgatitesh. E ndërkohë që këto 9 muaj, gruaja shtatzanë përgatitet, lexon, informohet e pyet, ti që nuk je shtatzanë, ti nuk po lexon çdo ditë mbi shtatzaninë e lehoninë e amësinë.
E prapë së prapë e ke një farë instikti që po të thërret që të japësh mend asaj që është shtatzanë, gjithmonë me ton patronizues – ndryshe këshilla e dhuruar me dhunë nuk ka kuptim.
Mendova se gjatë shtatzanisë është e vetmja periudhë kur gruas i besohet dhe ajo nuk paragjykohet si e paditur. Se siç e percepton bota seksiste ku jetojmë, të qenit shtatzanë është “kulmi” i të qenit femër.
Njësoj siç të sulen 8 burra kur po parkon, secili duke bërtitur “EC” dhe “OPA” dhe ‘AVASH”, njësoj siç sulen 4 gra për të njoftuar që “të është këputur fija e çorapes”, “të kan dalë të mbathurat” apo “ke një njollë këtu lart”, njësoj t’u sulkan burra e gra kur je shtatzanë. Shkurt muhabeti, as këto 9 muaj nuk je rehat e nuk të japin lehtshëm respektin që të takon si një adulte, pikë së pari. Respekti që ti, një nënë me perspektivë, e di se çfarë je duke bërë e ç’po kalon trupi yt më mirë se kushdo, sepse askush nuk është ti.
Nuk kam parë t’i turren burrave kur parkojnë. Nuk kam parë t’ua ulë njeri burrave kanatieret qe i ngrenë lart kur i zë vapa, për të na treguar barkun e madh jo shtatzanë. Nuk kam parë njeri t’i njoftojë burrat se u kanë dalë të mbathurat apo t’u mbulojë dikush me panik “ullukun” burrave që u rrinë pantallonat e vogla. Askush nuk u thotë barkalecave të bëjnë kujdes se çfarë hanë, duke qenë se shumë haptazi kanë probleme me shëndetin. (Në fakt po solidarizohem me ta në një pikë, s’qenka e lehtë jeta kur nuk sheh dot gjenitalet e tua!) Tragjikisht, burrat nuk i ndalojnë as të ngrenë dorë mbi gratë e fëmijët, siç edhe pamë së fundmi.
Nuk paska qetësi as kur je shtatzanë.
Sapo t’i rikthehem alkoolit, do ngre një shot për ju njerëz që nuk thoni tjetër veçse “urime, shtatzani të mbarë” dhe jepni këshilla vetëm kur ju pyesim. Një shot tjetër shkon për ju që bëni shaka pa tendencë vetëm për të na bërë për të qeshur. Ju jeni fytyra e vërtetë e një shoqërie të pjekur, që respekton njeriun, gruan, dhe që sheh punët e veta. E për të tjerët, ndonëse e keni ‘për të mirën tonë’, ju lus të mos shprehni asnjë preferencë pa ju pyetur kush, dhe kështu na e lehtësoni shumë këtë shtatzani, dhe jo duke na thënë “me kollajllëk” pasi keni folur 20 minuta këshilla të pa kërkuara.
15 korrik 2016