Para ca muajsh pata lexuar një artikull në New York Times për njerëzit e vetmuar në Manhattan, si e çojnë jetën dhe ç’ndodh pas vdekjes së tyre. Ishte një artikull i gjatë prej gazetarie të mirëfilltë hulumtuese, dhe e lexova deri në fund, aq më thelloi gjithë misticizmi dhe tabu-ja e vetë kësaj teme.
Mirëpo dhe Shqipëria e ka Nju Jorkun e vet – Tirana. Mos qesh.
E vëmë re apo jo, Tirana po merr çdo ditë trajtat e mirëfillëta të një metropoli. Tirana është kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, dhe ka larmishmëri kategorish, nga koka deri te bishti: të ardhurin që s’depërton dot, vendasin që s’duron të ardhurin, kafshët që sjellin të ardhurit dhe i braktisin, kafshët e racës të blera nga vendasit dhe që i braktisin, makinat që kanë nga 4-5 vjet që kalben në lagje, artistët e varfër, artistët e pasur, gangsterin wanna-be, gangsterin që habitet që është ende gjallë…. Gratë e burrat e pamartuar, sot të moshuar.
Sa më i madh qyteti, aq më e madhe vetmia.
Tirana është bërë nga ato vende ku mua pothuaj çdo ditë më ndalin në rrugë shqiptarë që më pyesin për orientim apo për stacione autobusësh. Tirana ka qenë dhe është nga ato vende, ku ti njeh personazhet me famë rruge të cilët në një moment të caktuar të jetës së tyre i kanë thënë tung funksionalitetit të trurit dhe si rrjedhojë, nuk u intereson më opinioni publik, kështu që s’përdorin frenat.
Dhe Tirana fsheh së paku në çdo lagje një person me probleme mendore serioze, me paaftësi totale për të jetuar në komunitet, dhe hera herës të rrezikshëm.
Dhe për mua, rreziku fillon kur këta njerëz nuk kanë më asnjë familjar që sigurohet që ata hanë, flenë, lahen, marrin mjekimin dhe nuk janë shqetësim publik.
Familjarët e mi kanë një të tillë poshtë shtëpisë së tyre, dhe presin me frikë ditën kur do të zgjohen nga flakët duke qenë se personi poshtë nuk ka as energji as ujë më, shteti ia ka ndalur se nuk paguan.
“Mirë që do marrim flakë, por ajo s’ka as ujë për ta shuar!”
Dhe kështu, personi në fjalë – dikur një profesioniste e respektuar! – e cila jeton vetëm, s’ka prindër, s’ka fëmjë, s’ka motër as vëlla, del pa asnjë rrobë ose fillon i ulërin të panjohurve rusisht. Ajo del të ushqejë macet me qumësht po ua derdh kartonin në trup e kokë, zihet me të ëmën e cila ka vite që ka vdekur, dhe ka komunitet pëllumbash në apartamentin e saj.
Të afërmit e radhës së dytë vijnë ta takojnë herë pas here. Po ç’t’i bëjnë? Ajo zihet, i përze. Dhe këtu vjen pjesa më revoltuese: thërriten autoritetet, si shpresa e fundit për përkujdesje ditore që u nevojitet urgjent.
E kanë marrë komshinjtë autoritetin herën e parë, por autoriteti e strehoi dhe e ka lëshuar personin për 2 ditë.
Herën e dytë brenda ditës.
Herën e tretë premtojnë se do bëjnë diçka, por nuk paraqiten kurrë, se tashmë e dinë si rast, dhe nuk kanë asnjë lloj infrastrukture për përkujdesje. Dikush që nuk e di, i merr prapë, dhe si përgjigje merr një “Seen” nga autoritetet.
Para 3 vjetësh, disa fundrina që trajnojnë qentë pitbulla për t’u bërë qen ndeshjesh, hodhën në pusetë te liqeni një qen rruge që e përdorin si kavje. Pasi u zura me ta, mora policinë bashkiake në telefon të më ndihmonin me qenin në pusetë, dhe “qeni” që ngriti telefonin – në fakt ta quash qen është kompliment! – më tha “e kujt i plasi për një qen rruge moj vajzë?”
Mirë për qen rruge që nuk ju bëhet vonë, u mor vesh. Po për njeriun e rrugës? Që shpesh ka paguar taksa tërë jetën në këtë shtet, ka dhënë dijen e vet, ka kombësinë shqiptar/e. Ai/ajo po çon fundin e jetës së vet në rrënim total, ka humbur çdo vetëdije të ekzistencës, në vetmi të papërshkrueshme, truri dhe trupi po i degjeneron çdo ditë, dhe e gjitha kjo mund të marrë në qafë dhe plot të tjerë.
Shkurt e shqip, po nuk pate familjen pas vetes, asnjeri s’do t’ia dijë për ty. Popull familjar po, por komunitar…
✔✔ Seen.
Autoritete të dashura që e keni shumë të vështirë të shihni përtej pragut tuaj: të paktën mos u ndaloni energjinë e ujin. Se jo për gjë, po nëse na bëjnë gjëmën, të mbrojmë veten dhe ata.